Zyrtarët amerikanë: Një anëtar i ekuipazhit u shpëtua pas rrëzimit të aeroplanit të SHBA-së në Iran
WASHINGTON- Një anëtar i ekuipazhit është shpërtuar nga forcat amerikane, pasi një aeroplan luftarak amerikan u rrëzua në Iran, tha një zyrtar amerikan për Radion Evropa e Lirë. Operacioni i kërkim-shpëtimit për anëtarin e dytë po vazhdon. Kjo është hera e parë që një fluturake e ushtrisë amerikane është rrëzuar nga Irani që nga nisja e luftës më 28 shkurt. Njoftimet nga zyrtarë amerikanë vijnë disa orë pasi Irani tha më 3 prill se ka rrëzuar një aeroplan të SHBA-së dhe ka ofruar shpërblim për shtetasit iranianë që kapin anëtarët e ekuipazhit.
Zyrtarë amerikanë thanë për REL-in se aeroplani i rrëzuar ishte i llojit F-15E, me dy ulëse. CBS, Reuters, dhe media izraelite, duke cituar zyrtarë amerikanë, po ashtu raportuan se është shpëtuar një anëtar i ekuipazhit. Disa media raportuan se forcat për operacione speciale janë përfshirë në përpjekjet e shpëtimit.
Ushtria amerikane nuk ka komentuar, ndërkaq Shtëpia e Bardhë tha vetëm se presidenti amerikan, Donald Trump, është informuar për këtë çështje. Ndaras, një zyrtar tjetër amerikan tha më vonë se një tjetër aeroplan luftarak i SHBA-së u rrëzua në Gjirin Persik dhe piloti i vetëm u shpëtua.
Nëse do të kapej ndonjë pilot amerikan nga forcat iraniane, kjo do të rriste seriozisht tensionet, që veçse janë të larta, dhe me gjasë do të ndërlikonte përpjekjet e SHBA-së, që po synon të shkatërrojë plotësisht asetet ushtarake të Teheranit dhe të detyrojë regjimin që të pajtohet për kushtet për paqe që i ka paraqitur presidenti Trump. Izraeli ka shtyrë sulmet e planifikuara në Iran në mënyrë që të mos ndërhyjë në përpjekjet për shpëtimin e pilotit amerikan, thanë zyrtarët perëndimorë për gazetarët.
Strategjia e kërkim-shpëtimit
I pyetur se çfarë do të mund të përfshijë një operacion i mundshëm i kërkim-shpëtimit, Richard Allen Williams, kolonel në pension i ushtrisë amerikane, dhe ish-zyrtar i NATO-s, i tha REL-it se misione të tilla janë zakonisht mirë të koordinuara dhe të mbrojtura. Ai shpjegoi se komandantët me shumë gjasa do të dërgonin një aeroplan të veçantë për mbikëqyrjen ajrore të operacionit, i mbështetur nga mjete të sigurisë ajrore dhe forca tokësore të afta të sigurojnë zjarr nëse nevojitet.
Këto njësite do të punonin për të siguruar vendin e rrëzimit, ndërsa ekipet e shpëtimit do të ndiqnin sinjalin GPS të fluturakes së rrëzuar. Ai shtoi se aeroplanë shtesë dhe burime rezervë do të mbeteshin në gatishmëri për të reaguar shpejt ndaj çdo përshkallëzimi ose ndërlikimi.
Reuters, The New York Times, The Wall Street Journal dhe media të tjera po ashtu kanë cituar burime të paidentifikuara që kanë raportuar për rrëzimin e aeroplanit dhe për kërkimin për ekuipazhin.
“Forcat ushtarake kanë nisur një operacion të kërkimit për të gjetur pilotin amerikan që e sulmuam më herët gjatë ditës së sotme”, raportoi agjencia e lajmeve iraniane, Fars, e cila është e afërt me Gardën Revolucionare Islamike.
Përderisa aeroplanë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar ose janë goditur nga raketa apo dronë iranianë ndërsa ndodheshin në tokë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, rrëzimi i aeroplanit luftarak, nëse konfirmohet zyrtarisht, do të ishte rasti i parë i raportuar i një avioni luftarak amerikan të rrëzuar nga zjarri armik. Më 12 mars, gjashtë pjesëtarë të forcave amerikane humbën jetën kur një aeroplan për furnizim me karburant, i llojit KC-135, u rrëzua pas një përplasjeje në ajër me një tjetër aeroplan karburanti.
Ndërkaq më 27 mars, një sulm me raketa dhe dronë iranian goditi Bazën Ajrore Princi Sulltan në Arabinë Saudite, duke plagosur të paktën 12 ushtarë amerikanë dhe duke dëmtuar rëndë të paktën dy aeroplanë KC-135 të mbushjes ajrore. Tre aeroplanë McDonnell Douglas F-15E Strike Eagle të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara u rrëzuan mbi Kuvajt më 2 mars, pasi u goditën gabimisht nga forcat e Kuvajtit. Gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit shpëtuan, pasi dolën nga fluturakja me parashuta./REL
OKB pritet të votojë për një plan për hapjen e Ngushticës së Hormuzit
NGUSHTICA E HORMUZIT- Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë më 4 prill një rezolutë të rishikuar që synon rikthimin e transportit tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, teksa fuqitë botërore mbeten të ndara se sa larg duhet të shkojnë për t’u përballur me bllokadën që Irani i ka bërë kësaj rruge ujore jetike. Drafti i fundit, i paraqitur nga Bahrejni, thuhet se është zbutur pak pas kundërshtimeve nga anëtarët që kanë të drejtë vetoje – Kina, Rusia dhe Franca – që kundërshtuan formulimin paraprak që u jepte vendeve autorizim që të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” për të siguruar këtë rrugë ujore. Kjo çoi në shtyrje të votimit, që fillimisht ishte planifikuar për 3 prill.
Associated Press raportoi se një version i rishikuar i tekstit tani lejon vetëm “masa mbrojtëse” për të siguruar kalimin e sigurt përmes ngushticës dhe ujërave përreth, duke shënuar një kompromis që synon të shmangë veton, ndërsa ende mundëson një formë e reagimit të koordinuar. Votimi vjen në një moment vendimtar të luftës që nisi me sulmet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit në fund të shkurtit, ndërsa mbyllja efektive e ngushticës nga Irani ka tronditur tregjet botërore të energjisë dhe ka nxitur frikë për pasojat nga bllokimi i furnizimeve.
Kina publikisht është deklaruar kundër çdo rezolute që mund të legjitimojë përdorimin e forcës. Ambasadori i Pekinit në OKB, Fu Cong, deklaroi se “çdo autorizim i tillë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në përshkallëzim të mëtejshëm dhe pasoja serioze”, duke u bërë thirrje anëtarëve që të kenë prioritet një zgjidhje politike.
“Nga këndvështrimi i Pekinit, pranimi i një përgjigjeje ushtarake ndaj mbylljes së ngushticës do të legjitimonte përdorimin e forcës, sulmet parandaluese dhe zbatimin e njëanshëm të sigurisë”, shkroi Jonathan Fulton, ekspert për Kinën në Lindjen e Mesme në Universitetin Zayed në Abu Dabi, në newsletter-in e tij mbi rolin e Kinës në rajon. “Kina nuk ka fuqinë e fortë për ta parandaluar këtë skenar, por ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nuk ka gjasa të heqë dorë nga vlera e kësaj fuqie”.
Rusia ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke argumentuar se fokusi duhet të jetë në përfundimin e armiqësive, jo në zgjerimin e mandateve të sigurisë në det. Para se Bahrejni të publikonte draftin e tij përfundimtar të rishikuar, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se propozimi “nuk e zgjidh problemin”.
Njerëzit në Teheran marrin serverë kompjuterikë dhe pajisje nga një ndërtesë zyrash që kishte strehuar zyrat e rrjetit mediatik Al Araby TV me seli në Doha, pas një sulmi me raketa në kryeqytetin iranian më 29 mars. Franca ka sinjalizuar se mund të jetë e hapur ndaj formulimit të ri në rezolutë, duke theksuar se ka nevojë për masa mbrojtëse.
Rezultati i votimit të 4 prillit mbetet i pasigurt, ndërsa diplomatët po vëzhgojnë nga afër nëse ndryshimet janë të mjaftueshme për të siguruar mbështetje – ose të paktën abstenim – nga anëtarët më të fuqishëm të Këshillit: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë të drejtë vetoje.
Irani ka bllokuar në masë të madhe trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit, duke shënjestruar anijet dhe duke forcuar kontrollin mbi një nga pikat më të rëndësishme të energjisë në botë, pasi përmes ngushticës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz. Teherani ka paraqitur po ashtu propozimin e tij për menaxhimin e ngushticës, duke deklaruar se po punon me Omanin fqinj për një sistem që do të kërkonte nga anijet të marrin leje dhe licenca të posaçme për të kaluar nëpër këtë rrugë ujore.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e kundërshtoi këtë koncept, duke shkruar në rrjetet sociale se “e drejta ndërkombëtare nuk njeh skema ‘paguaj për të kaluar’”. Ajo gjithashtu zhvilloi më 2 prill një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, lidhur me luftën në Iran dhe ndikimin e saj në ekonominë botërore.
“Sulmet iraniane ndaj anijeve civile dhe kërcënimi për të tjera kanë bërë që trafiku në Hormuz pothuajse të ndalet plotësisht”, tha Kallas në rrjetet sociale.
Që nga fillimi i luftës, vetëm një numër shumë i kufizuar anijesh kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit. Kryesisht bëhet fjalë për anije të lidhura me vende që Irani i konsideron miqësore, dhe po krijohet një sistem ku Teherani paraprakisht miraton kalimin përgjatë një rruge që kalon afër brigjeve të tij. Për shembull, Pakistani ka arritur një marrëveshje që 20 anije të kalojnë nën flamurin e tij, ndërsa edhe vende të tjera aziatike kanë siguruar kalim të sigurt. Një anije kontejnerësh që sinjalizonte se ishte në pronësi franceze gjithashtu doli nga Ngushtica e Hormuzit më 3 prill, në atë që duket të jetë kalimi i parë i një anijeje të lidhur me Evropën Perëndimore që nga fillimi i luftës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar se Uashingtoni nuk do të marrë drejtimin për rihapjen e kësaj rruge ujore, duke u bërë thirrje vendeve që varen më shumë nga furnizimet energjetike të Gjirit, të veprojnë vetë. Shtetet e Gjirit Persik, shumë prej të cilave janë mikpritëse të forcave amerikane dhe kanë qenë subjekt i sulmeve iraniane, deri tani kanë shmangur kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë, nga frika e përshkallëzimit në një luftë më të gjerë rajonale./REL
Lufta me Iranin, Trump kërkon rritje të buxhetit të mbrojtjes me 1.5 trilionë dollarë
WASHINGTON- Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar nga Kongresi një rritje të jashtëzakonshme prej 1.5 trilionë dollarësh për shpenzimet e mbrojtjes, ndërkohë që tensionet me Iranin janë shtuar.
Ky propozim vjen pas një periudhe ku Trump dhe kabineti i tij, të cilët mbështesin një politikë të ashpër, kanë kërkuar që aleatët e SHBA-ve të rrisin gjithashtu shpenzimet për mbrojtjen.
Po ashtu, Trump ka shprehur dëshirën për të rritur më tej shpenzimet ushtarake amerikane, duke theksuar se kjo është e nevojshme për të forcuar pozitat e SHBA-ve në skenën globale./ZËRI
Hormuzi në 'lockdown', rriten çmimet DW: Ekonomia botërore e marrë peng
Prej bllokimit nga Irani të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit çmimet e gazit dhe naftës janë rritur, ndërsa rezervat po bien. Në një takim të koordinuar nga Londra u diskutua për zgjidhje.
Përfaqësues nga rreth 40 vende morën pjesë në një takim virtual për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Kryeministri britanik Keir Starmer kishte ftuar për këtë takim për të diskutuar për masa diplomatike dhe politike për të rikthyer lirinë e lundrimit në këtë rajon. Takimi ishte ndoshta dhe reagim ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump ndaj partnerëve: “Duhet të mësoni të mbroheni vetë”.
Në takim morën pjesë ndër të tjerë përfaqësues nga Franca, Gjermania, Kanadaja, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. SHBA nuk ishte e përfaqësuar.
Ministrja e Brendshme britanike Yvette Cooper theksoi në fillim të videokonferencës rëndësinë e Ngushticës së Hormuzit për tregtinë botërore. “Në 24 orët e fundit, vetëm 25 anije kanë arritur të kalojnë, ndërkohë që normalisht kalojnë rreth 150 në ditë.” Aktualisht, rreth 2.000 anije po presin për të kaluar. Sipas saj, Irani ka bllokuar një rrugë ndërkombëtare detare, duke marrë peng ekonominë botërore.
Shqetësim për ekonominë botërore
Ashtu si në shumë vende të tjera, edhe në Britaninë e Madhe po rritet frika se bllokada e Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë dëme të mëdha në ekonomi. Rreth një e pesta e naftës dhe e gazit të lëngshëm që tregtohen në botë kalojnë zakonisht përmes kësaj rruge.
Një nga çështjet e diskutuara ishte nëse për arsye sigurie cisternat e naftës duhet të shoqërohen nga anijet ushtarake.
Macroni kundër përdorimit të forcës
Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi përdorimin e forcës si jorealist. Sipas tij rihapja e ngushticës mund të arrihet vetëm përmes koordinimit me Iranin dhe negociatave pas një armëpushimi të mundshëm.
Ndërkohë Italia propozoi krijimin e një “korridori humanitar” për plehra kimike dhe mallra të tjera me rëndësi jetike, për të parandaluar një krizë ushqimesh, veçanërisht në vendet afrikane, siç deklaroi ministri i Jashtëm Antonio Tajani./DW
Sulmohet me dronë rafineria e naftës në Kuvajt
IRAN- Rafineria Mina al Ahmadi e Kuvajtit, me kapacitet 346,000 fuçi në ditë, u sulmua me dronë të premten herët, duke shkaktuar zjarre në disa njësi operative, tha kompania shtetërore Kuwait Petroleum (KPC). Ky ishte sulmi i tretë ndaj rafinerisë në pak më shumë se dy javë.
KPC nuk specifikoi shkallën e dëmit apo nëse operacionet e rafinerisë u prekën, por tha se po punonte për të ruajtur vazhdimësinë operative. Nuk u raportuan të lënduar.
Rafineria u godit më parë në orët e para të 19 marsit dhe përsëri në fillim të 20 marsit, gjë që bëri që KPC-ja të mbyllte një numër njësish të prekura si masë paraprake.
Një tjetër rafineri kuvajtiane, uzina Mina Abdullah me kapacitet 454,000 fuçi në ditë, u godit gjithashtu herët më 19 mars, duke shtuar shqetësimet mbi cenueshmërinë e sistemit të rafinimit të vendit. Kuvajti ka një rafineri të tretë, uzinën al-Zour me kapacitet 615,000 fuçi në ditë, më në jug, afër Zonës Neutrale që Kuvajti e ndan me Arabinë Saudite.
Ky sulm i fundit vjen pas javësh të tëra sulmesh të përsëritura iraniane me raketa dhe dronë në Kuvajt dhe gjetkë në rajonin e Gjirit të Lindjes së Mesme, në përgjigje të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Autoritetet e Kuvajtit kanë raportuar dëme në infrastrukturën e aeroportit dhe portit në javët e fundit. Mbrojtja e saj ajrore ka kapur më shumë se 500 dronë dhe 300 raketa balistike që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin më 28 shkurt.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se sulmet ushtarake ndaj Iranit do të vazhdojnë, duke shuar shpresat për një përfundim të afërt të konfliktit.
Çfarë ndodhi në Iran? Ura gjigante hidhet në erë, Trump publikon pamjet e bombardimit (VIDEO)
IRAN- Sulmet amerikane-izraelite shkatërruan pjesërisht urën më të lartë në Lindjen e Mesme, pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi se do ta bombardonte Iranin "duke e kthyer në epokën e gurit". Disa persona u plagosën në sulm.
Ura që ishte ende në ndërtim e sipër supozohej të lidhte kryeqytetin e Iranit, Teheranin, me qytetin perëndimor të Karajit. Ura është 136 metra e lartë dhe paraqitet si një kryevepër inxhinierike e Lindjes së Mesme.
Pamjet tregojnë tym të dendur që ngrihet nga vendi dhe ura që shembet.
Trump postoi pamjet e sulmit në Truth Social dhe tha: "Ura më e madhe në Iran po shembet, për të mos u përdorur më kurrë - Do të ketë shumë të tjera!"
Ai paralajmëroi gjithashtu se Irani duhet të arrijë një marrëveshje "para se të jetë tepër vonë".
Më herët gjatë ditës, Trump shpalli fitoren ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, duke pretenduar se veprimi ushtarak amerikan ka shkatërruar aftësitë ushtarake të Teheranit dhe do ta “përfundojë punën” shumë shpejt, pasi “objektivat kryesore strategjike po i afrohen përfundimit”./ZËRI