Votimet në Kuvend: Denar Biba rizgjidhet anëtar i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Diana Dervishi pjesë e AKEP
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë votoi pro rizgjedhjes së Denar Bibës si anëtar të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, ndërsa Eldian Balla nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për t’u emëruar. Ndërkohë, deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, u largua nga Komisioni për Nismat Qytetare dhe u caktua anëtare në Komisionin e Ligjeve. Gjithashtu, Diana Dervishi u zgjodh anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Një pjesë e votimeve u kryen pa praninë e opozitës, pasi deputetët e Partisë Demokratike braktisën sallën e Kuvendit.
Votimet:
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare, bërë në Singapor, më 27 mars 2006”.
79 vota pro/ 1 votë kundër
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 1/2025 të Komitetit të Përbashkët, i krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, duke zëvendësuar protokollin II të saj, në lidhje me përcaktimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ”.
77 vota pro/ 2 vota kundër
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Najrobit për Mbrojtjen e Simbolit Olimpik, bërë në Najrobi, më 26 shtator 1981”.
78 vota pro, 1 votë kundër
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin parqeve teknologjike dhe shkencore””.
79 vota pro, 2 vota kundër
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, datë 17.06.2019, “Pёr administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, të ndryshuar”.
4 vota pro/ 79 vota kundër
Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës”
Denar Biba 75 vota pro, 0 abstenim, 5 kundër
Eldian Balla 71 vota kundër, 3 vota pro, 5 abstenim
Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”
Diana Dervishi 74 vota pro, 4 vota abstenim, 1 votë kundër
Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 61/2025, “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”
Deputetja Aulona Bylykbashi largohet nga sekretare e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale 78 vota , 1 votë kundër
Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”
Deputetja Aulona Bylykbashi caktohet Anëtare te Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
"Deputetët po kërcënohen me jetë..."! PS ndërpret diskutimet dhe nis votimin, PD braktis seancën (VIDEO)
TIRANË- Kuvendi ka kaluar në votim të të gjitha pikave të rendit të ditës, me kërkesë të mazhorancëss për shkak të dhunës verbale dhe fizike të deputetëve të opozitës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi mbylljen e diskutimeve në Kuvend dha kalimin direkte në votim të akteve të parashikuara në rendin e ditës.
"Edhe kur në sallën e kuvendit shqiptar deputetët kërcënohen me jetë se nuk do të vijnë më të gjallë në sallë, kur një deputete tjetër i thotë “nuk shkel më këtu”, kur deputetët goditen për shkak të detyrës me mjete të forta, me këtë kusht provokim mbylljen e diskutimit dhe kalimin për votim, ju lutem ta hedhim për votim kërkesën time", tha kreu I grupit të PS-së, Taulant Balla.
Demokratët protestuan dhe Flamur Noka e Gent Strazimiri zunë sërish foltoren e Kuvendit dhe më pas braktisën sallën. Ligjvënësit demokratë që ishin në sallë kanë bojkotuar momentin e votimit./ZËRI
“Nuk e ndan realitetin nga memet”/ Debat i ashpër mes Vokshit dhe Muzhaqit: Mos guxo të përmendësh fëmijët e mi!
TIRANË- Dy deputetet Bora Muzhaqi dhe Albana Vokshi janë përfshirë në një debat të ashpër në Kuvend. Përplasja nisi sapo Muzhaqi mori fjalën pasi kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i hoqi të drejtën Elda Hotit. Vokshi i tha Muzhaqit se nëse do të kishte integritet nuk do të pranonte të merrte fjalën pas Hotit, ndërsa më tej, ajo shtoi se Muzhaqi nuk e kupton realitetin nga memet.
“Keni kryetarin e grupit të PS që fyen në mënyrë të vazhdueshme, intimidon dhe kërcënon burrat dhe tani e ka bërë zakon të gjitha gratë. Zoti kryetar, ju jeni përgjegjës për këtë situatë në këtë sallë. I hoqët fjalën Eldës dhe ia dhatë Muzhaqit që nëse do të kishte një fije integriteti nuk duhet ta kishte pranuar. Ajo realitetin nga memet shpesh herë nuk e kupton dot. Nuk pres që asnjëra prej tyre grave të çohet dhe të mbrojë të drejtat e grave në seancë. I bëj një pyetje këtyre burrave ore e keni motra, a keni gra? A ju vjen turp që bëheni të gjithë pas atij të paburri? Nxirreni jashtë në këtë moment”, tha Vokshi.
Menjëherë, pas kësaj deputetja socialiste iu drejtua Vokshit, duke i thënë se duhet ta lajë gojën me sapun kur përmend integritetin e saj. Debati vijoi më tej me tone të larta, pasi Muzhaqi pyeti Vokshin se si do të ndjehej nëse vajzës së saj do t’i thonin të njëjtën gjë që demokratja i tha asaj.
“Disa njerëz duhet të lajnë gojën me sapun, para se të përmend integritetin tim. Edhe me shampo lajeni, lajeni mirë e mirë se u është bërë sajesa. Kur flasin ca njerëz për integritet tim o zot o perëndi nuk di çfarë të thuash. Gratë kanë nisur viktimizohen dhe u duket sikur marrin ndonjë lloj simpatie. Sa kohë jemi bërë bashkë me deputetet e pd, turp që na përmenden gjëra që s’kanë fakte. Këta burrat duhet të mendohen se vërteta tha Vokshi keni gra nëpër shtëpia, a keni kalamaj, vajza. Si do ndihedhit ju, si do ndiheshe ti Vokshi sikur vajzës tënde ti thonin këtë që më the ti mua. Si do të vinte?”, iu kundërpërgjigj Muzhaqi.
Ndërsa, Vokshi i kërkoi socialistes që të mos flasë dhe të mos përmendë fëmijët e saj në Kuvend.
Albana Vokshi: Mos i përmend fëmijët e mi, mbylle gojën, fëmijët e mi mos i përmend kurrë,
Bora Muzhaqi: Ti mos mi përmend mua, kam edhe unë mama në shtëpi, kam edhe unë baba në shtëpi.
Albana Vokshi: Mbylle gojën po të them edhe njëherë, hesht, fëmijët e mi në këtë grup të qelbur mos i përmendë, turp të të vijë, turp të të vijë.
Bora Muzhaqi: Ti mos mi përmend mua.
/ZËRI
Topalli rikthen shprehjen në Kuvend, i drejtohet Peleshit për Ballën: Kapeni prej zhelesh e nxirreni jashtë (VIDEO)
TIRANË- Tensionet mes palëve në Kuvend kanë shoqëruar seancën e kësaj të enjteje që prej orë 10:00. Përplasjet e forta kanë çuar edhe në ndërprerjen e seancën herë pas here, ndërsa pas rikthimit janë regjistruar epidose të shumta tensionesh.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, është përfshirë në përlasje të ashpër me deputetët e opozitës, të cilët kërkuan largimin e tij nga seanca.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke kërkuar përjashtimin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Topalli e konsideroi provokim kërkesën e Ballës për të mbajtur një minutë heshtje për 35-vjetorin e masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër dhe kujtoi sulmet e tij ndaj grave të opozitës në Kuvend.
“Kryetar i kuvendit, kur drejton seanca ka një rregullore dhe nuk ka një nen që dënon gjithmonë deputetët e opozitës. Është e mira që të mbash rregull nëse mund të quhet parlament, që të shohësh të gjitha nenet. Nuk është normale dhe ska ndodhur që një nën e 2 fëmijëve, fëmijët e të cilës janë kërcënuar nga bandat gjatë fushatës, të ofendohen me një fjalor aq vulgar q sa në shpellat e mafies nuk përdoren se dhe ato kanë një kod. Nuk ka ndodhur kurrë që deputeti të provokojë mbi dhimbjen e vrasës së 4 dëshmorëve të demokracisë. kurrë një paburrë provon mbi të vdekurit dhe merret vetëm me gra, ka vetëm një shprehje, merre zoti kryetar, kape për zhelesh e nxjerre përjashta”, tha Topalli.
/ZËRI
"Do të të rrjep si kec"! Noka godet me shishe uji Ballën: Të bëj atë që s'të shkon në mendje...(VIDEO)
TIRANË- Tensione të forta janë regjistruar këtë të enjte në Kuvend. Përplasjet nuk janë ndalur as gjatë një momenti pushimi, ku një episod i tensionuar është regjistruar mes deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe kreut të Grupit Parlamentar, Taulant Balla.
Sipas burimeve, Noka i është drejtuar Ballës me tone të ashpra, duke e akuzuar për kërcënime dhe shantazh ndaj deputetëve të opozitës. Gjatë debatit, ai ka përdorur edhe gjuhë të fortë, duke paralajmëruar për pasoja ndaj tij.
“Do të të rrjep si kec. Je ai që kërcënon dhe shantazhin deputetet e opozitës. Të rrjep si kec. Të bëj atë që as nuk të shkon në mendje”, i ka thënë Noka-Ballës.
Po ashtu, burime bëjnë me dije se gjatë momentit kur u ndërpre senaca, Flamur Noka i rrethuar nga deputetët e tjerë është afruar tek Balla dhe ka goditur me një shishe uji Ballën./ZËRI
Balla merr fjalën në Kuvend, deputetët e opozitës godasin tavolinat: Nxirreni jashte!
TIRANË- Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione. Në momentin kur, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste mori fjalën, deputetët e opozitës filluan të godasin tavolinat. Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se nuk ka fyer apo intimiduar asnjë deputete.
Ai tha se kërkesa e tij për një minutë heshtje për dëshmorët e 2 prillit në Shkodër, nuk ishte për t’u bërë në moment, por që të caktohej një orë.
“Deputetët e Shkodrës kanë kërkuar që grupi ynë ta propozojë në këtë 35-vjetor mbajtjen e 1 minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve të demokracisë, PS i respekton të gjithë dëshmorët. Skenarët e porositur dhe humbja e largpamësisë politike që kuvendi të gjente një momentin për të mbajtur 1 minutë heshtje, nuk propozova të mbahej menjëherë, por të gjehej një moment për të organizuar një gjë të tillë. Ato që thatë për PS, ajo është një çështje për të cilën Ruçi ka dalë me dëshirë para dritësisë dhe drejtësia ka folur qartazi sa i përket çdo lloj insituate politike. Keqardhje për këtë degradim”, tha Balla.
Por, fjala e Ballës u prit me protestë nga deputetët e Partisë Demokratike. Ata iu afruan socialistëve duke kërkuar që ta nxjerrin deputetin socialist jashtë sallës./ZËRI
Tensione në Kuvend! PD bllokon foltoren, Elda Hoti i merr kartën Bora Muzhaqit, Nokës i hiqet fjala: S'po më kërcet
TIRANË-Seanca plenare e Kuvendit është ndërprerë. Opozita blloki foltoren dhe nuk lejoji deputetët socialistë të flasin. Mes kaosit kryeparlamentari Niko Peleshi dha 5 minuta pushim.
Pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi i ndërpreu fjalën Flamur Nokës, i dha fjalën nga vendi deputetes së PS, Bora Muzhaqi, por sapo ajo filloi të flasë, ligjvënësja e PD, Elda Hoti u afrua dhe i mori kartën e mikrofonit. Në këto momente ka ndërhyrë edhe Taulant Balla, i cili ka debatuar ashpër me Elda Hotin, por nuk dëgjohet se çfarë thotë.
Peleshi: Zoti Noka po ju tërheq fjalën
Noka: S’po kërcet mua se ca tërheq ti. Tërhiq ato 60 mega në Kolonjë se ato të mbajnë peng.
Taulant Balla: Ta tregoj unë ty…
Elda Hoti: Pse kush jam unë shoqja jote…Kush je ti?!
Rama i delegon interpelancën Ibrahimajt! Bardhi-Peleshit: Mbyll seancën, kryeministri e ka detyrim
TIRANË-Një tjetër debat është zhvilluar në seancën plenare të Kuvendit, ku pritej nga ana e opozitës një interpelancë me kryeministrin Edi Rama mbi Koorporatën e Investimeve. Por kreu i qeverisë i kishte deleguar për t’u përgjigjur ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe kjo shkaktoi reagimin e opozitës dhe veçanërisht kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi. Bardhi u shpreh se po shkelej Rregullorja dhe Kushtetuta, pasi interpelanca nuk delegohej dhe Rama duhet të vinte në seancë, ose ajo të mbyllej.
Gazment Bardhi: Kryeministri është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave të kërkuara nga deputetët. Kjo përgjegjësi është e padelegueshme zoti kryetar. Thatë se do e thërrisnit kryeministrit kur të kërkohej, ja pra ne e kërkojmë në interpelancë në basë edhe të Kushtetutës. Ne nuk kemi kërkuar ministren, por kemi kërkuar kryeministrin. Nuk ka asnjë nen në Kushtetutë apo Rregullore që i jep të drejtë kryeministrit të delegojë interpelancën për t’iu përgjigjur. Kryeministri e ka detyrim përgjigjen në Kuvend për interpelancë, nuk e ka delegim. Ndaj zoti kryetar ju ftoj të mbyllni seancën dhe të thërrisni Kryeministrin për të ardhur për interpelancë. Nëse kryeministri e konsideron veten mbi hierarkinë kushtetuese dhe të Kuvendit, e ka përgjegjësi të vijë e të japë llogari në Kuvend. Nuk mund ta kaloni me një fjali se kryeministri ka deleguar ministren, ne mund të kishim kërkuar ministren direkt por kemi kërkuar kryeministrin. Ndaj respektoni Kushtetutën dhe Rregulloren, nëse nuk e sillni dot, duhet të largoheni ju si kryetar i Kuvendit.
Braçe kërkon Ministrin e Bujqësisë: Herë në Bruksel, herë në Kosovë... kam një muaj që i kërkoj interpelancë
TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe u shpreh sot në Kuvend se ka kërkuar interpelancë me Ministrin e Bujqësisë që nga mesi i shkurtit, por deri tani nuk ka mundur të marrë përgjigje. Sipas tij ministri ka dalë nga axhenda dhe kjo nuk duhet të ndodhë më pasi e ka thirrur për çështje të rëndësishme siç është ajo e ushqimit. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u përgjigj se për shkak të vizitave jashtë vendit, ministri nuk ka mundur të jetë i pranishëm, por seanca e kërkuar nga Braçe do të planifikohet për më 9 prill.
Erion Braçe: Kam që në mes të shkurtit që kërkoj interpelancë me ministrin e Bujqësisë. Po shkojmë në mes të prillit. Pranova argumentin që ministri është në Bruksel. Sot më thonë ministri është në Kosovë. Unë nuk mendoj që kjo është arsye. Çështja për të cilën e kisha thirrur ka të bëjë me ushqimin. Në këtë situatë mund të lëviz ministri i Jashtë, ministri i Mbrojtjes, por Ministri i Bujqësisë duhet të jetë këtu dhe t’i përgjigjet. Ky parlament nuk mund të dalë nga agjenda siç kërkon një ministër. Do kërkoja me ngulm që kjo gjë mos të ndodh më. Më është dashur 6 javë për të marrë informacionin, tani më duhen 6 javë të flas me ministrin.
SHBA ngriti alarmin për sulme nga Irani/ Ministri Hoxha: S'ka vend për panik"! PD: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë
TIRANË-Kuvendi ka filluar me tensione e debate, ku shkak është bërë deklarata e Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila paralajmëroi se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara. Ambasada u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Shqipëri të tregojnë kujdes të shtuar, pasi Irani mund të sulmojë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Lidhur me paralajmërimin Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkoi sot në Kuvend aktivizimin urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke theksuar se çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë ekskluzivitet i Ministrisë së Jashtme apo i kryeministrit. Edhe deputeti i PD, Tritan Shehu bëri thirrje që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ndërkohë edhe kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të jetë i pranishëm në sallën e Kuvendit e të japë përgjigje në lidhje me deklaratën e dhënë ditën e djeshme nga ambasada e SHBA-së. Lidhur me këtë, përgjigjen e dha Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, i cili u shpreh se nuk ka arsye për t'u alarmuar.
Debati:
Tritan Shehu: Nuk mund ta kalojmë me mendje lehtësi, ashtu siç ishte një reagim i qeverisë. Sot Rama duhet të referojë para Kuvendit, të dëgjojë pyetjet e deputetëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, për të sqaruar këtë [parlament, çfarë po ndodh, çfarë masash janë marrë. Nuk po shoh reagim as nga qeveria, as nga presidenca për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. E konsideroj serioz njoftimin e ambasadës amerikane, lidhje me pasigurinë në territorin shqiptar. Ishte serioz dhe tregon për diçka të rëndësishme që ne si deputetë duhet ta marrim në konsideratë. Nuk mund ta kalojë qeveria duke thënë se ishte hamendësim.
Ferit Hoxha: E vlerësoj shqetësimin e zotit Shehu. Dua të siguroj deputetin Shehu dhe gjithkënd, ne i ndjekim me vëmendje deklaratat dhe të gjitha zhvillimet. Nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Situata e sigurisë është e sigurisë. Janë çështje që ministria e jashtme merren më mënyrë të posaçme, siguroj që ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashtington, jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them vlerësimi që kemi sot, është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Ka pasur një komunikim dje nga Kryeministria, duhet t’i qëndrojmë dhe për çdo gjë të re, ministria e jashtme apo ministritë e tjera do të informojnë në kanalet e duhur, natyrisht duke qenë në kontakt me Kryeministrin dhe Presidentin.
Gazment Bardhi: Çështja e sigurisë kombëtare nuk është çështje kafenesh, sepse thatë duhet t’i bëjmë jo në publik jo në seancë plenare. A Twitter-i nuk janë janë çështje të qeverisë. Për të mos ngjallur shqetësim te shqiptarët them se ne si deputetë nuk kishim asnjë informacion mbi deklaratën e Ambasadës. Një qeveri që për vite të tëra nuk pa 98% të territoreve të lira të mbjella me kanabis nuk mund të jetë e besueshme. Ta quash deklaratën e Ambasadës si hamendësim na bën qesharakë dhe tregon që nuk kemi bashkëpunim me partnerin tonë strategjik dhe se anëatrët e NATO nuk kanë besim mes njëri-tjetrit. Reaimi i ardhur dje nga Kryeministria është që shqiptarët nuk duhet t’i besojmë SHBA, është tentativë për të diskretituar Shtetet e Bashkuara, ndaj në mbështetje të Rregullores kërkojmë që Rama të jetë këtu e të na përgjigjet.