G7 do të zhvillojë bisedime për Ngushticën e Hormuzit me vendet e Gjirit Persik
PARIS- Vendet e G7 dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit do të takohen javën e ardhshme për të diskutuar situatën në Ngushticën e Hormuzit. Diskutimet u njoftuan nga Parisi, me vendin që mban presidencën e rradhës të G7.
Gjashtë vende arabe në Gjirin Persik përbëjnë këshillin e bashkëpunimit; Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Omani dhe Bahreini.
Bisedimet e javës së ardhshme vijnë gjithashtu në të njëjtën kohë me një takim të planifikuesve ushtarakë në selinë e përbashkët të përhershme të Mbretërisë së Bashkuar.
Nxitja për bisedime mbi Ngushticën e Hormuzit vjen pas deklaratës së Donald Trump se SHBA-të nuk kishin nevojë për naftë të importuar përmes rrugës ujore dhe përsëri u kërkoi vendeve që kanë nevojë për të të marrin drejtimin në rihapjen e saj./ZËRI
"Mojtaba Khamenei gëzon shëndet të plotë"! Teherani: Në kohë lufte, s'duhet të shfaqet në publik
IRAN- Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk është lënduar pas sulmeve ajrore SHBA-Izrael, tha ministria e jashtme, duke shtuar se mosparaqitja në publik nuk është e pazakontë në kushte lufte.
Djali i të ndjerit Ali Khamenei, i cili u vra në një sulm në fillim të luftës, është "plotësisht i shëndetshëm", sipas zëdhënësit Esmaeil Baghaei.
Mungesa e Mojtaba Khameneit nga sytë e publikut
Mojtaba Khamenei nuk është parë në publik që nga vrasja e babait të tij dhe ish-udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, i cili u vra muajin e kaluar në sulme të përbashkëta SHBA-Izrael. Që atëherë, Irani ka lëshuar vetëm deklarata zyrtare që i atribuohen atij./ZËRI
"Objektivat në Iran pothuajse të arritura"! Trump: Në 2-3 javët e ardhshme, do ta përfundojmë punën...
SHBA- Presidenti Donald Trump i tha kombit në një fjalim televiziv të mërkurën në mbrëmje se ushtria amerikane pothuajse i kishte arritur qëllimet e saj në Iran, por ai nuk pranoi të ofronte një afat kohor konkret për përfundimin e konfliktit.
Trump tha se SHBA-të kishin shkatërruar marinën dhe forcën ajrore të Iranit dhe kishin paralizuar programet e tij të raketave balistike dhe ato bërthamore. Ai shtoi se SHBA-të do të vazhdojnë të godasin objektiva në Republikën Islamike gjatë dy deri në tre javëve të ardhshme, një afat kohor që ai e ka ofruar për përfundimin e luftës, dhe i siguroi shikuesit se SHBA-të do ta përfundonin punën "shumë shpejt".
"Do t'i kthejmë në epokën e gurit, aty ku u takon", tha Trump.
Por, Trump i anashkaloi disa çështje të pazgjidhura që mbeten gjatë fjalimit të tij 19-minutësh, të tilla si statusi i uraniumit të pasuruar të Iranit dhe qasja përmes Ngushticës së Hormuzit, një kanal për furnizimet globale me naftë të cilin Irani e ka mbyllur në mënyrë efektive që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt.
Dhe ai sugjeroi në mënyrë të veçantë se lufta mund të përshkallëzohej nëse udhëheqësit iranianë nuk kapitullonin ndaj kushteve të SHBA-së gjatë negociatave, me sulme të mundshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe të naftës së Iranit./ZËRI
Lufta në Iran rrit çmimet e biletave ajrore
Rritja e çmimeve të karburantitsi pasojë e luftës në Iran po fillon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në industrinë ajrore në mbarë botën. Sipas International Air Transport Association (IATA) çmimi i një barreli kerozine është rritur ndjeshëm, duke u dyfishuar mesatarisht që nga fundi i shkurtit.
Eksperti i aviacionit Cord Schellenberg tha për Tagesschau se kerozina është një produkt specifik që prodhohet në sasi të kufizuara dhe ka një treg relativisht të kufizuar. Kjo, sipas tij, e bën tregun shumë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të mëdha të çmimeve. Si pasojë rritja e çmimit të kerozinës pritet të reflektohet edhe në çmimet e biletave të avionëve.
Reduktimi i numrit të fluturimeve
Përveç çmimeve më të larta pasagjerët mund të përballen edhe me më pak mundësi udhëtimi. Schellenberg parashikon se në muajt në vijim linjat ajrore do të fillojnë të anulojnë fluturimet që nuk janë ekonomikisht të leverdishme.
Kjo prirje ka nisur tashmë. United Airlines ka njoftuar se do të shkurtojë rreth 5% të kapacitetit të planifikuar për këtë vit. Edhe kompani aziatike, si Vietnam Airlines, do të reduktojnë numrin e fluturimeve për shkak të mungesës së kerozinës.
Evropa është një nga rajonet më të ekspozuara
Paralajmërime kanë ardhur edhe nga Ryanair. Drejtori i saj ekzekutiv Michael O’Leary tha se nëse konflikti vazhdon kompanitë e avionëve në Evropë mund të përballen me ndërprerje furnizimi me kerozinë në fillim të verës. Sipas tij, nëse lufta zgjat deri në maj, rrezikohen 10–20% e furnizimit me karburant gjatë muajve të verës, gjë që do t’i detyrojë kompanitë të anulojnë fluturime ose të reduktojnë kapacitetet.
IATA ka paralajmëruar se Evropa është një nga rajonet më të ekspozuara ndaj mungesave të mundshme të kerozinës, pasi rreth 25–30% e kërkesave të saj bazohen tek furnizimet nga Gjiri Persik.
Shtrenjtim i biletave të avionit
Ndikimi i konfliktit është përkeqësuar edhe nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një pikë kyçe për transportin botëror të naftës dhe të gazit. Kjo i ka rritur më tej çmimet e energjisë dhe shqetësimet për furnizimin.
Megjithëse deri tani ndikimi në çmimet e biletave është i kufizuar, pritet që ato të rriten me 3 deri në 4% nga prilli në qershor, ndërsa situata mbetet e pasigurt nëse konflikti vazhdon./DW