Përplasjet në protestë/ OKB paralajmëron për respektimin e të drejtave: Policia të zbatojë proporcionalitetin, media të jetë e lirë
TIRANA- Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar për tensionet gjatë protestës së studentëve, duke kërkuar uljen e tyre përmes dialogut dhe respektimin e të drejtave themelore.
Në deklaratën e saj, OKB-ja vë theksin te e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit të cilat duhet të garantohen edhe në kushtet e përplasjeve. Organizata nënvizon gjithashtu se ndërhyrjet e forcave të rendit duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
OKB-ja dënon aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke theksuar se këto veprime janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Deklarata e plotë e OKB-së:
OKB në Shqipëri përsërisin sërish apelin për dialog konstruktiv për uljen e tensioneve. Aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.
Përforcojmë mesazhin se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen respektuar dhe mbrojtur. Theksojmë gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimit të proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit dhe të garancive për një proces të rregullt ligjor.
/ZËRI
Arqipeshkëvi Peragine thyen heshtjen për protestat: E mira e vendit mbi çdo interes, duhen vendime të vështira
SHKODËR- Arqipeshkëvi Giovanni Peragine ka reaguar për protestat që prej ditësh po zhvillohen në vend duke i cilësuar ato si shprehje të një pakënaqësie të thellë shoqërore që nuk mund të anashkalohet nga institucionet.
Peragine dënon dhunën e shfaqur gjatë protestave, por njëkohësisht u bën thirrje autoriteteve të dëgjojnë qytetarët dhe të adresojnë shkaqet që kanë sjellë pakënaqësinë.
Ai vë theksin te drejtësia dhe dialogu, ndërsa thekson se për të mirën e vendit autoritetet duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe kur është e nevojshme duhet të merren vendime të vështira.
Në reagimin e tij Arqipeshkëvi ndalet edhe te Shkodra duke e cilësuar qytetin si një të mirë të përbashkët dhe duke kërkuar përgjegjësi jo vetëm nga institucionet, por nga të gjithë qytetarët.
Reagimi i plotë i Arqipeshkëvit Giovanni Peragine:
“Protestat e këtyre ditëve dëshmojnë pa dyshim një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet. Për katër muaj, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë, por zëri i tyre nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura. Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë. Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personale. Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve. Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj”, deklaroi arqipeshkëvi Peragine.
“Qyteti është një e mirë e përbashkët, pra u përket të gjithëve. Qyteti i Shkodrës nuk u përket vetëm institucioneve të tij. Nuk u përket vetëm atyre që mbajnë përgjegjësi publike. Nuk u përket vetëm atyre që zotërojnë pasuri. Shkodra nuk u përket vetëm atyre që jetojnë në qendër të qytetit. Shkodra u përket të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt. Shkodra është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të ndihen përgjegjës për të.
Duhet të theksojmë edhe se qytet nuk ndërtohet vetëm në tryezat e zyrave publike, por ndërtohet çdo ditë në familje, në shkolla, në vendet e punës, në shoqata, në bashkësitë fetare dhe në organizatat e shoqërisë civile. Qyteti ndërtohet përmes mënyrës se si e pranojmë njëri-tjetrin, se si i respektojmë hapësirat e përbashkëta dhe se si i edukojmë fëmijët tanë. Një qytet ndërtohet edhe përmes gjesteve të vogla të ndershmërisë, vëmendjes dhe solidaritetit. Askush nuk duhet t’ua kalojë të tjerëve përgjegjësitë e veta”, tha arqipeshkëvi i Shkodrës./ZËRI
“Hapni rrugën për ambulancat!”/ Apeli i Agjencisë për Media dhe Informim: Mos rrezikoni jetën e qytetarëve
TIRANË- Agjencia për Media dhe Informim ka reaguar për situatën e krijuar gjatë protestës, duke u bërë thirrje protestuesve të mos pengojnë lëvizjen e ambulancave dhe të lejojnë ekipet e Urgjencës Mjekësore të kryejnë detyrën.
Përmes një mesazhi publik, Agjencia thekson se mjetet e urgjencës duhet të kenë mundësi të qarkullojnë lirshëm, pasi në to mund të ndodhen qytetarë që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
“Pengimi i saj nuk është protestë! Është një veprim që rrezikon jetën e njerëzve që presin ndihmë urgjente”, thuhet në apelin e Agjencisë.
Në këtë kuadër, qytetarëve dhe protestuesve u kërkohet të respektojnë personelin shëndetësor dhe të krijojnë hapësirën e nevojshme për kalimin e autoambulancave, edhe në kushtet e tensionit të krijuar gjatë protestës.
“Respektoni bluzat e bardha! Hapni rrugën për ambulancat! Jeta e njeriut është mbi gjithçka!”, përfundon apeli./ZËRI
Joe Wilson mesazh qeverisë shqiptare: Përmbahuni nga dhuna ndaj protestuesve
TIRANA- Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka reaguar për situatën e krijuar në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë të shmangë çdo formë dhune ndaj protestuesve, në një kohë kur demonstratat kundër qeverisë janë shoqëruar me përplasje të forta me policinë.
Përmes një reagimi në platformën X Wilson shprehet se po e ndjek me shqetësim përshkallëzimin e protestës në Shqipëri. Ai thekson se qytetarët shqiptarë meritojnë liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale.
“Po e ndjek me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në aleatin e NATO-s, Shqipëri. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo dhunë kundër protestuesve. Të rinjtë meritojnë një zë në të ardhmen e vendit të tyre”, shkruan kongresmeni amerikan.
Reagimi i Wilson vjen në ditën e pestë të protestave në Shqipëri, të cilat kanë kulmuar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, veçanërisht gjatë tubimit të mbrëmjes së sotme para Kryeministrisë./ZËRI
Plaçkitje dhe përplasje në Rrugën e Dibrës, policia ndjek protestuesit
TIRANË- Situata në zonën e Rrugës së Dibrës është tensionuar, ku krahas plaçkitjes së disa bizneseve, protestuesit janë përfshirë në përplasje me forcat e policisë.
Sipas informacioneve disa protestues ishin ulur në hyrje të Rrugës së Dibrës, ndërsa të tjerë po vidhnin në biznese, kur efektivët mbërritën nga Rruga e Barrikadave. Në kryqëzimin mes dy rrugëve ka ende biznese të hapura, ndërsa në zonë po digjen flakadanë dhe tre kosha mbeturinash.
Pas mbërritjes së policisë protestuesit janë shpërndarë nëpër rrugët dhe rrugicat e qytetit, ndërsa efektivët u janë vënë pas. Gjatë përplasjeve protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të policisë, e cila po përdor gaz lotsjellës dhe armë që qëllojnë me fishekë gome për t'i shpërndarë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa ndjekja e protestuesve po vijon në rrugët e kryeqytetit./ZËRI
Protestuesit plaçkisin dyqanin e “One Albania” në Rrugën e Dibrës

TIRANË- Protesta në kryeqytet është shoqëruar me incidente edhe në hyrje të Rrugës së Dibrës ku protestuesit kanë thyer xhamat e një pike të kompanisë celulare One Albania.
Duke përdorur shufra hekuri ata kanë hapur qepenin e dyqanit dhe kanë hyrë brenda, prej nga kanë marrë modem interneti e celularë.
Ndërkohë, gjatë lëvizjes në rrugët e Tiranës protestuesit kanë vijuar djegien e koshave të mbeturinave dhe dëmtimin e hapësirave përreth.
Në të njëjtën kohë, para Kryeministrisë nuk raportohet të ketë protestues, ndërsa situata e tensionuar është zhvendosur në zona të tjera të kryeqytetit./ZËRI
Molotovë drejt selisë së PS-së, policia përdor gaz lotsjellës ndaj protestuesve

TIRANË- Protesta në kryeqytet është shoqëruar me tensione të tjera pranë selisë së Partisë Socialiste ku protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të godinës.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të larguar protestuesit nga zona përreth selisë.
Pas përplasjes protestuesit kanë vijuar marshimin drejt sheshit 'Skënderbej' ndërsa situata pranë godinës së PS-së është qetësuar./ZËRI
Tensione të tjera para Kryeministrisë, Shehaj përplaset me policinë, Kaprit i hedhin spraj në sy
TIRANË- Tensionet para Kryeministrisë janë shoqëruar me një tjetër incident mes forcave të policisë dhe deputetëve të Partisë Mundësia Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
View this post on Instagram
Dy deputetët kanë kërkuar të takohen me drejtorin e Policisë së Shtetit Skënder Hita por efektivët e vendosur në kordon nuk i kanë lejuar të afrohen. Kjo ka sjellë përplasje mes tyre dhe punonjësve të policisë gjatë së cilës Shehaj dhe Kapri janë shtyrë nga efektivët.
Situata është tensionuar më tej kur ndaj deputetit Erald Kapri është përdorur spraj me piper djegës, duke e përfshirë atë drejtpërdrejt në incident.
Pavarësisht kërkesës për të komunikuar me kreun e Policisë së Shtetit dy deputetët nuk kanë mundur të kalojnë përtej kordonit policor./ZËRI
Përfshihet nga flakët banka e nivelit të dytë në “Myslym Shyri”, protestuesit thyejnë xhamat e godinës
TIRANË-Një tjetër bankë është përfshirë nga incidentet gjatë protestës në Tiranë. Filiali i OTP Bank në 'Myslym Shyrë' është përfshirë nga flakët pasi protestuesit kanë thyer xhamat e godinës dhe më pas i kanë vënë zjarrin.
View this post on Instagram
Ngjarja vjen pas incidenteve të mëparshme pranë urës te Piramida dhe në godinën e Gjykatës së Lartë, ku gjithashtu janë raportuar zjarrvënie. Kështu gjatë protestës incidentet janë shtrirë në disa pika të kryeqytetit, duke përfshirë edhe një filial banke në një nga rrugët e Tiranës./ZËRI
RENEA "zbarkon" në bulevard, rrethon Kryeministrinë (VIDEO)

TIRANË- Prej disa orësh, bulevardi përpara Kryeministrisë është përfshirë nga tensionet dhe kaosi, pas përplasjeve të ashpra mes protestuesve dhe policisë. Ndërkohë, forcat speciale RENEA kanë rrethuar perimetrin e Kryeministrisë. Raportohet se tre autoblinda të RENEA-s janë pozicionuar pranë godinës qeveritare në rast të përshkallëzimit të situatës.
View this post on Instagram
Aktualisht, në bulevard situtata paraqitet e qetë, pasi protestuesit janë larguar dhe vijojnë të marshojnë në zonë të tjera të kryeqytetit./ZËRI
Rriten tensionet, zjarr i frikshëm në katin e parë të godinës së Gjykatës së Lartë! (VIDEO)
TIRANË- Situata ka dalë jashtë kontrollit në këto momente. Pas tensioneve prej disa orësh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", raportohet se i është vënë zjarri një pjesë të godinës së Gjykatës së Lartë. Mësohet se zjarri ka përfshirë edhe një automjet të parkuar pranë godinës, si dhe koshat e mbeturinave.
View this post on Instagram
Pak minuta më parë, flakët përfshinë edhe hyrjen e ish-hotel 'Dajti'./ZËRI
Vijon 'aksioni' në bulevard: Efektivi goditet me molotov dhe i merr flakë këmba, kolegët e marrin në krahë (VIDEO)
TIRANË- Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë në Tiranë janë shoqëruar me incidente të rënda, ndërsa hedhja e bombave molotov në drejtim të efektivëve ka sjellë edhe përfshirjen nga flakët të një prej tyre.
Ngjarja ka ndodhur gjatë lëvizjes së forcave të rendit drejt turmës, në një moment kur tensionet në bulevard ishin përshkallëzuar. Efektivi i forcave Shqiponja është përfshirë nga flakët pas hedhjes së molotovit, por zjarri është shuar në një kohë të shkurtër.
View this post on Instagram
Përveç këtij incidenti, gjatë përplasjeve janë konstatuar edhe efektivë të tjerë të lënduar. Dy prej tyre janë parë duke çaluar, pasi dyshohet se janë goditur me gurë, ndërsa një tjetër është vënë re me gjak në trup.
Situata është shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë, teksa ndërhyrja e forcave të rendit për të avancuar drejt turmës është pasuar nga hedhja e mjeteve piroteknike dhe molotovëve./ZËRI
Humbi ndjenjat gjatë protestës në bulevard, qytetari në gjendje të mirë shëndetësore
TIRANË- Një person humbi ndjenjat pas përshkallëzimit të situatës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe përplasjeve të ashpra. Qytetari mori ndihmën e parë nga protestuesit që ndodheshin pranë tij, ndërsa pak minuta më vonë u transportua me ambulancë drejt spitalit.
Pas paraqitjes në QSUT, spitali bën me dije se qytetari është koshient dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Dyshohet se humbja e ndjenjave ka ardhur si pasojë e gazit lotsjellës dhe vrapimit, gjatë të cilit qytetari është rrëzuar./ZËRI
Situata e agravuar: Bulevardi kthehet në "arenë lufte", protestuesit i vënë flakën një makine (VIDEO)
TIRANË- Situata është përshkallëzuar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", i cili është i mbuluar i gjithi nga flakët dhe tymi i zi. Pas molotovëve të hedhur, protestuesit morën dhe shtynë një automjet me targa franceze për me qëllim çarjen e kordoni të policisë. Pak minuta më pas, protestuesit i vunë flakën, teksa janë dëgjuar edhe dy shpërthime të pjesëve të brendshme të saj.
View this post on Instagram
Përplasjet kanë vijuar me hedhjen e gurëve në drejtim të efektivëve të policisë. Në përgjigje, policia ka hedhur një sasi të madhe gazi lotsjellës, me qëllim shpërndarjen e turmës./ZËRI
Plagosi me armë zjarri 54-vjeçarin në Tiranë, 33-vjeçari bie në prangat e policisë
TIRANË- Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 54-vjeçari është arrestuar nga policia. I riu dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj 54-vjeçarit G. A. duke e plagosur në këmbë.
Ngjarja ka ndodhur më 14 tetor, në rrugën 'Kadri Prishtina', në Tiranë. Pas hetimeve dhe veprimeve për lokalizimin e tij, policia ka bërë të mundur kapjen e 33-vjeçarit, me inicialet S. D.
Operacioni policor i koduar 'Gjurmimi' u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë.
33-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprat penale 'Plagosja e rëndë me dashje' dhe 'Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve' armëve shpërthyese dhe i municionit.
Njoftimi i policisë:
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, finalizuan operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi S. D., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 14.10.2026, në rrugën “Kadri Prishtina”, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin G. A., 54 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ZËRI
Përshkallëzohen tensionet te Kryeministria, policia spraps protestuesit, disa të shoqëruar
TIRANË- Situata pranë Kryeministrisë ka marrë një tjetër zhvillim, teksa protestuesit janë përplasur me forcat e policisë.
Pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe ujit, protestuesit kanë nisur të tërhiqen nga zona e Kryeministrisë, ndërsa efektivët kanë vijuar ndërhyrjen për t’i larguar nga bulevardi 'Dëshmorët e Kombit'.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka përdorur edhe shkopinj gome, ndërsa raportohet për disa protestues të shoqëruar.
Forcat e policisë vijojnë të jenë të pozicionuara në zonë, ndërsa situata mPërplasje te Kryeministriabetet e tensionuar./ZËRI
Luftë para Kryeministrisë/ Të rinjtë sulmojnë me gurë, Policia përgjigjet me ujë (VIDEO)
TIRANË- Protesta është zhvendosur përpara Kryeministrisë, ku tensionet kanë vijuar menjëherë. Protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të forcave të policisë, ndërsa këto të fundit janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.
View this post on Instagram
Pas disa orësh tensione përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë zhvendosur para Kryeministrisë, ku vijojnë tubimin./ZËRI
Protesta në Shkodër, tensione gjatë marshimit, policia shoqëron disa të rinj (VIDEO)
SHKODËR- Protesta po zhvillohet edhe në Shkodër, ku të rinjtë po marshojnë nëpër rrugët e qytetit. Teksa marshojnë, ata ndiqen nga forcat e policisë, të cilëve u kanë bërë thirrje që të heqin kapelen kapelet dhe t’u bashkohen protestuesve.
View this post on Instagram
Megjithatë, situata është tensionuar pak minuta më vonë, kur disa prej protestuesve kanë djegur dhe përmbysur kosha mbeturinash në rrugë. Policia ka ndërhyrë duke shoqëruar disa nga protestuesit, ndërsa marshimi ka vijuar edhe më tej. /ZËRI
PAMJET-Jo vetëm gaz lotsjellës, protestuesit: Na qëlluan me plumba gome
TIRANË-Tensionet vijojnë në protestën para Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë pretendojnë se janë qëlluar nga policia me plumba gome. Në pamjet e publikuara protestuesit tregojnë edhe shenjta në trup nga plumbat e gomës, ku njëri prejt tyre është goditur në gjoks. Protestuesit kanë shfaqur para kamerave edhe objektet që, sipas pretendimeve të tyre, janë plumba gome të përdorur nga efektivët gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës.
Situata mbetet e tensionuar, ku protestuesit hedhin gurë dhe mjete të forta drejt Policisë, ndërsa efektivët u janë përgjigjur duke hedhur ujë dhe gaz lotjsllës për të shpërndarë turmën.
Përshkallëzohen tensionet te Ministria e Arsimit, 'luftë' mes protestuesve dhe policisë
TIRANË- Situata përpara Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar, pasi ka vijuar përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Pas rreth një orë qetësie, situata është tensionuar sërish, teksa protestuesit kanë nisur të hedhin gurë dhe molotovë në drejtim të efektivëve. Në përgjigje, policia ka përdoru gaz lotsjellës dhe ka aktivizuar autobotët me ujë për të vënë situatën në kontroll. Ndërkohë, efektivët kanë hequr edhe barrikadën me kangjella që protestuesit kishin vendosur në mes të rrugës.
Situata para Ministrisë së Arsimit vijon të jetë e tensionuar, ndërsa pasi u larguan përkohësisht, protestuesit janë rikthyer duke hedhur gurë në drejtim të policëve./ZËRI
Protesta në Elbasan, shkulen tabelat e sinjalistikës rrugore dhe digjen kosha, shoqërohet një person
ELBASAN- Të rinjtë në Elbasan kanë vijuar edhe sot protestën, duke marshuar në rrugët e qytetit që prej orës 11:00.
Marshimi nisi në mënyrë paqësore, por situata u përshkallëzua në vijim. Gjatë marshimit janë dëmtuar disa shtylla të sinjalistikës rrugore, janë djegur kosha mbeturinash dhe stola.
Ndërkohë, policia ka shoqëruar një person të rritur, i cili dyshohet se është identifikuar duke nxitur të rinjtë të përdorin mjete piroteknike gjatë protestës./ZËRI
Tensione në Durrës, të rinjtë vendosen para Bashkisë, Policia nis shoqërimet
DURRËS-Për të tretën ditë radhazi, të rinjtë e Durrësit kanë dalë në protestë. Protestuesit u vendosën para Bashkisë së qytetit bregdetar me thirrjet: Rama burg, Berisha burg!
Të rinjtë kanë hedhur kapsulla, u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave dhe kanë dëmtuar sinjalistikën rrugore. Pasi situata është tensionuar efektivët e policisë kanë shoqëruar disa prej protestuesve.
View this post on Instagram
DITA 5/ Studentët e Mjekësisë te Ministrisa e Arsimit, i riu-efektivëve: Ku është komandanti? Një i ri u dhunua...
TIRANË-Ka nisur protesta e studentëve, e cila shënon sot ditën e pestë të tubimeve. Studentët e Mjekësisë në Tiranë marshuan në rrugët e kryeqytetit dhe janë vendosur para godinës së Ministrisë së Arsimit. Efektive të shumtë të Policisë së Shtetit dhe forcave të rendit kanë krijuar një kordon pra agodinës, ndërsa në gatishmëri janë vendosur dhe autobotet me ujë.
Protestuesit kanë bërë thirrje që policia të mos ushtrojë dhunë ndaj tyre siç ka ndodhur në ditët e mëparshme gjatë përplasjeve. Një protestues u ka kërkuar llogari efektivëve për incidentin e ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku një efektiv shtyu me forcë një 21-vjeçar, i cili po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë.
“Ku është komandanti? Të vijë të marrë përgjegjësinë për vartësin e vet që hodhi dikë në rrugë. Komandant? Nuk duhet të rrihen njerëzit. I keni arrestuar fëmijët pa të drejtë fare, duke ecur rrugëve”, u shpreh protestuesi.
Protesta e studentëve/ 'Shëndetësia' jep lajmin e mirë: 21-vjeçari që u godit nga polici s’ka rrezik për paralizë
TIRANË-Ministria e Shëndetësisë ka publikuar bilancin e të lënduarve gjatë protestës së djeshme së 16 tetorit, ku ka dhënë lajmin e mirë për të riun 21-vjeçar që përfundoi në spitalin e Traumës pasi u përplas në asfalt nga një efektiv policie gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit.
Sipas informacionit të spitalit, 21-vjeçari po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë, ku raportohet se për momentin nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se vetëm në Tiranë 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor, mes tyre 8 efektivë, 10 protestues dhe 3 kalimtarë. Ndërkohë të lënduar janë regjistruar edhe në Vlorë dhe Lezhë.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Informacion mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së datës 16.10.2026
Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin Universitar të Traumës 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në strukturat shëndetësore, nga të cilët:
* 8 efektivë të Policisë;
* 10 protestues, mes tyre 3 të mitur;
* 3 kalimtarë.
Nga personat e lënduar, dy prej tyre janë ende duke marrë shërbim. Një kalimtar (gjendja stabël) dhe një protestues, 21 vjeç, i cili po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë. Aktualisht, nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Të gjithë personat e tjerë kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.
Spitali rajonal Vlorë
– 1 efektiv i policisë (ka marrë trajtimin dhe ka lënë spitalin)
– 2 të mitur (kanë marrë trajtimin dhe kanë lënë spitalin)
Spitali rajonal Lezhë
– Një e mitur (ka marrë trajtim dhe ka lënë spitalin)
Nis seanca, 63 protestues dalin sot para Gjykatës për masat e sigurisë
TIRANË-Në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet seanca për 63 protestuesit e arrestuar në ditën e dytë të tubimit (14 tetor), të cilët do të njohen sot me masën e sigurisë. Për shkak të numrit të madh të të ndaluarve, çështjet janë ndarë mes tre gjyqtarëve.
Ata akuzohen për disa vepra penale: “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” deri te “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Protestuesit që dalin në Gjykatë për masë sigurie:
Altin Arifi, Niqifor Llupo, Ledjan Pashkaj, Erald Leka, Elio Shqefni, Dejvi Levenaj, Agjelo Mucaj, Gersi Skapi, Alban Çobaj, Elvis Cura, Arlind Kazazi, Alteo Ndoj, Klaus Beqiri, Altino Alibeaj, Geri Qira, Donald Dega, Elio Karaboja, Vjolti Llorja, Edion Skopeçi, Ismail Methasani, Edmir Shatro, Enio Cani, Erselio Tarazhi, Xhuljano Murataj, Arges Bendo, Ardit Çelanji, Arbër Tema, Kejdi Osmanaj, Xhuljano Mbjesholla, Abaz Buci, Horge Koçi, Ermil Gunga, Dejton Deliu, Edison Manaj, Esat Dakoli, Mira Luppino, Dean Dragutinovikj, Astrit Idrizi, Erjon Cenolli, Donald Rrakulli, Silvi Hajdari, Ermando Zykollari, Arsildjon Jenuzi, Riland Cani, Renato Sejdini, Klodjan Bajrami, Rigest Demiri, Veron Arifaj, Noel Sheqeri, Enes Leka, Nikoll Tuci, Hamza Agolli, Bejto Mehmetaj, Brixhet Bali, Shpëtim Mejdani, Zef Mëhilli, Ermal Bako, Sonjela Arapi, Klejdis Baxhija, Jetmir Preka, Florenc Bardhi, Armando Hoxha, Skender Fishti.
Dita 4 u mbyll me 'paqe', studentët pritet të dalin sot sërish në rrugë (PANORMA nga 13 Tetori)
TIRANË-Dita e katërt e protestës së studentëve u mbyll me 'paqe', ku të rinjtë u dhanë ujë efektivëve dhe u shkëmbyen përqafime mes palëve. Prej 13 tetorit panaroma e kryeqytetit, i ngjan një 'fronti lufte', me studentë të revoltuar, brohorima, tym, gaz lotsjellës, përplasje të dhunshme me Policinë, zjarre në çdo cep të Tiranës, trotuare pa pllaka, kangjëlla në rrugë e biznese me qepena ulur, disa të shkatërruara.
Pakënaqësitë e studentëve lidhen me kushtet në universitete, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësitë për të gjetur punë pas diplomimit. Ndërkohë të rinjtë kanë edhe një kërkesë politike: Dorëheqejen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka refuzuar deri tani thirrjet për dorëheqje, ndërsa ka deklaruar se aktet e dhunës nuk vijnë nga studentët, por nga të huaj dhe opozitarë. Rama i ka ftuar në dialog studentët, por edhe nga të rinjtë nuk ka patur një pranim ftese.
Mes trazirave të Tiranës, studentë e gjimnazistë të qyteteve të tjera u solidarizuan me të rinjtë e kryeqytetit duke bojkotuar mësimin dhe marshuan nëpër rrugë. Incidentet thyerjet e xhamave të institucioneve dhe përplasjet me efektivët nuk munguan as në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Burrel e Lezhë.
Të arrestuar dhe të lënduar
Nga 13–15 tetor, gjithsej në Tiranë u arrestuan: 127 protestues, ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 324 shtetas të tjerë. Shifrat u konfirmuan nga Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu. Për aktet e dhunës në rrethe, ka të arrestuar vetëm në Durrës ku u prangosën 23 dhe 2 në Korçë.
Ndërkohë në katër ditë protestë, 6 efektivë dhe shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë janë pezulluar deri më tani pas dyshimeve se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Ministria e Brendshme raportoi se 156 persona, përfshirë katër të mitur, 97 oficerë policie, 45 protestues dhe 14 kalimtarë, janë plagosur që nga fillimi i protestave.
Sot studentët pritet të dalin sërish në rrugët e Tiranës për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ndërsa mbetet për t'u parë nëse paqja e arritur mbrëmjen e 16 tetorit do të zgjasë./ZËRI
Rama viziton bizneset e dëmtuara nga protesta: Bëni ankim te 'Dëmi im' në e-Albania! I çmoj studentët, do jemi pranë tyre
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka dalë mëngjesin e sotëm në terren duke inspektuar dëmet e bizneseve të vogla në kryeqytet, si pasojë e trazirave gjatë protestave të studentëve. Nga një subjekt i shkatërruar, Rama njoftoi se qeveria do t’u vijë në ndihmë të gjitha bizneseve. Kreu i qeverisë deklaroi se në e-Albania është hapur një dritare e posaçme për deklarimin e dëmeve, ndërsa 10 grupe të Tatimeve do të dalin në terren për verifikimin e tyre.
Edi Rama:Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet sot te E-Albania. Quhet 'Dëmi im' dhe këtu mund regjistroheni, duke dhënë identitetin e personit dhe NIPT-in dhe emailin, telefonin, të dhënat dhe sipërfaqja dhe kompania e sigurimit nëse keni. Më pas do të ngarkoni dokumentet që janë pamjet, bashkë me çdo dokumentacion mbështetës që keni, fatura. Do të shihet dhe raporti që keni me shtetin, pagesat dhe detyrimet. Pasi të bëjmë verifikimet dhe të mbledhin një regjistër të dëmeve, do ju vimë në ndihmë të gjithëve. Prej ditës së sotme, biznesi i vogël që është dëmtuar nga dhuna e dorës qore, ka një dritare për t’u ndihmuar. 10 grupe verifikime nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat mbi biznesin e vogël në Tiranë. Do të jemi bashkë, me ato familje që kanë humbur pasurinë dhe do t’i kthejmë këto gërmalla në sukses.
Teksa deklaroi se qeveria do të mbështesë familjet dhe bizneset e prekura, Rama u ndal edhe tek studentët, për të cilët deklaroi se i respekton ata dhe zëri i tyre do të dëgjohet me respekt. Kreu i qeverisë theksoi se nuk do të lejojë që të rrezikohet askush, duke pretenduar se sërish se pas studentëve, qëndrojnë duar të huaja.
Edi Rama: I respektoj studentët, i çmoj si motori i të parës, si shtysën për të ecur përpara. Zëri i tyre, i të rinjve që sot ka nevojë të protestojë, do të dëgjohet me respekt. Por pikërisht se të rinjtë janë e ardhmja jonë, s’do të lejoj që të rrezikohet askush. As për përfitime të atyre duarve të pista që janë kthyer për të shkatërruar, as ato duar të huaja. Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira. Të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë bashkë me këtë qeveri të shumicës, që ka të qartë mandatin e saj, atë të Shqipërisë së vitit 2030.
Evanthi Pango, aktivistja në monitorim intensiv, pasi u godit në kokë gjatë protestës
TIRANË-Teksa protesta e studentëve hyn sot në ditën e pestë, disa prej të rinjve ndodhen të shoqëruar në ambjentet e Komisariateve, disa prej tyre presin rikuperimin në spitale, si pasojë e lëndimeve gjatë përplasjeve dhe trazirave në tubim. Një prej tyre është Evanthi Pango, aktivistja 34-vjeçare mbeti e plagosur rëndë në kokë gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë në zonën e “Rrugës së Elbasanit”.
Pango u godit në pjesën e ballit nga një bombol e përdorur për shpërndarjen e gazit lotsjellës. Momenti ishte kritik, pasi u raportua se e reja humbi shumë gjak dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës.
Edhe sot Pango vijon të mbahet nën monitorim intensiv nga mjekët, por për fat të mirë, nga goditja që ka marrë në ballë, nuk ka pësuar dëmtime të trurit. Plagosja e saj ka rikthyer në vëmendje pasojat e përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke e zhvendosur vëmendjen përtej debatit politik dhe te siguria e qytetarëve që marrin pjesë në tubime.
AMP nis hetimet për shkeljet e policisë gjatë protestave
TIRANË-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. AMP bën të ditur se ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale.
Njoftohet se të gjitha materialet e mbledhura do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme. Në katër ditë protestë, 6 efektivë dhe shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë janë pezulluar deri më tani pas dyshimeve se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka monitoruar situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, me fokus evidentimin dhe verifikimin e çdo rasti të dyshuar për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kuadër të këtij procesi, punonjës të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren gjatë zhvillimit të protestave, duke evidentuar raste konkrete.
Gjithashtu, AMP ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Të gjitha materialet e administruara do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për rastet e evidentuara, AMP po vijon veprimet në përputhje me kompetencat e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për shkëmbimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve, pa cenuar pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit. Për rastet kur janë evidentuar të dhëna që përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e angazhuar në përmbushjen me përgjegjësi të misionit të saj ligjor, përmes pranisë aktive në terren, monitorimit të vazhdueshëm dhe verifikimit të çdo rasti që lidhet me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Agjencia do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse, duke garantuar paanshmërinë, llogaridhënien dhe zbatimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.