LIVE UPDATES

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë flakën", zjarre në rrugë, "mësyjnë" brenda IuteCredit! 23 të shoqëruar (ZHVILLIMET)

♦Studentët po protestojnë që prej orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, mes tensioneve dhe incidenteve. ♦“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria” janë disa nga thirrjet e studentëve gjatë protestës. ♦Ajo që nisi si protestë paqësore, brenda pak minutash, u përshkallëzua pasi studentët qëlluan me gurë dhe sende të forta në drejtim të ministrisë, duke thyer xhamat e godinës. ♦Disa prej protestuesve arritën të çanin kordonin e policisë dhe të shkulnin kangjellat, duke hyrë brenda rrethimit të godinës së institucionit. ♦Policia u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën. ♦Ndërkohë, Policia e Shtetit reagoi duke renditur incidentet e regjistruara gjatë protestës, teksa bën me dije se në total janë shoqëruar 23 protestues. ♦Gjithashtu, sipas policisë, kanë mbetur të lënduar 6 efektivë të Forcës së Sigurisë dhe një gazetare. ♦Studentët nuk ndalen dhe pavarësisht përpjekjes së policisë për t'i shpërndarë, ata janë rikthyer dhe kanë ndezuar zjarre në rrugë. ♦Në pamjet ekskluzive të ZËRI-it, shihet momenti kur studentët kanë hyrë në filialin "IuteCredit" dhe i marrin orenditë dhe i djegin më pas në vatrat aktive që kanë në rrugë. 

22 artikuj për këtë temë.
1 ORE ME PARE

Tensionet zhvendosen në rrugën e Dibrës, protestuesit dëmtojnë semaforët dhe ndezin zjarre në koshat e mbeturinave

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
foto nga protesta

TIRANË- Protesta e studentëve në Tiranë ka vijuar mbrëmjen e sotme me incidente dhe dëmtime të pronës publike, ndërsa turma është zhvendosur drejt rrugës së Dibrës pas tensioneve të regjistruara më herët në ambientet e Bashkisë së Tiranës.

Në hyrje të kësaj rruge protestuesit kanë dëmtuar semaforët, kanë djegur tabela reklamash dhe u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave. Situata është tensionuar më tej edhe nga hedhja e gurëve në drejtim të efektivëve të policisë.

Për të përballuar situatën, policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë nën kontroll përplasjet.

Incidentet e fundit vijnë pas atyre të regjistruara në Bashkinë e Tiranës ku protestuesit dëmtuan derën e institucionit dhe hynë brenda ambienteve të tij. Protesta vijon të shoqërohet me tensione në rrugët e kryeqytetit./ZËRI

2 ORE ME PARE

Protesta e dhunshme në Tiranë, ambasada amerikane thirrje shtetasve të saj: Shmangni demonstratat

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
FOTO

TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin protestën që po zhvillohet në kryeqytet pasi situata është përshkallëzuar në akte dhune.

Në njoftimin e saj, ambasada paralajmëron se hedhja e gurëve mund të sjellë përhapjen e protestës edhe në rrugët përreth dhe pranë godinave qeveritare. Për këtë arsye pritet prani e shtuar e forcave të Policisë, ndërprerje të qarkullimit, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh.

Ambasada u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes, të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore. Ajo këshillon gjithashtu që të shmangen demonstratat dhe të mbahet një plan për t'u larguar në rast rreziku.

Njoftimi

Një protestë në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është aktualisht në zhvillim dhe është përshkallëzuar në dhunë për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të shtrihet edhe në rrugët dhe blloqet përreth, si dhe pranë godinave qeveritare, duke sjellë një prani të shtuar të forcave të Policisë, ndërprerje të qarkullimit, devijime të trafikut dhe bllokime të rrugëve. Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat. Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për t’u informuar mbi zhvillimet më të fundit.

Masat që duhet të merrni:

Forconi masat për sigurinë tuaj personale duke zbatuar këto këshilla:

– Shmangni demonstratat.

– Jini të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve, kur ndodheni në ambiente publike.

– Ndiqni mediat lokale për t’u informuar mbi zhvillimet.

– Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një strategji për t’u larguar në rast rreziku.

– Shmangni tërheqjen e vëmendjes dhe përpiquni të qëndroni sa më pak të ekspozuar./ZËRI

2 ORE ME PARE

Protesta në Tiranë, të lënduarit marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
spitali i traumes

TIRANË- Përplasjet gjatë protestës në Tiranë kanë vijuar të shoqërohen me paraqitjen e qytetarëve në spitalet e kryeqytetit. Sipas të dhënave të përditësuara deri në orën 20:30, në Spitalin Universitar të Traumës dhe në QSUT kanë marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë policie, punonjës të medias dhe kalimtarë.

Në Spitalin e Traumës katër protestues po trajtohen dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dy kalimtarë janë shtruar gjithashtu në këtë spital, ndërsa gjashtë efektivë policie dhe dy punonjës të medias janë larguar pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm.

Ndërkohë në QSUT po trajtohet një kalimtar, punonjës i trupit diplomatik. Katër protestues të tjerë janë mjekuar dhe janë larguar nga spitali.

Mes personave të lënduar raportohet edhe një gazetar, i cili ka marrë goditje në kokë nga një tullë ose gur.

Gjatë protestës janë regjistruar përplasje, përdorim i gazit lotsjellës dhe hedhje sendesh të forta, ndërsa situata është shoqëruar me ndërhyrjen e forcave të Policisë./ZËRI

2 ORE ME PARE

Pas përplasjeve në protestë, Demo kërkon qetësi dhe hetim të paanshëm

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
ervin demo

TIRANË- Ministri Ervin Demo ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera.

Demo ka dënuar sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private, ndërsa ka theksuar se e drejta për protestë paqësore duhet të garantohet. Në reagimin e tij, ministri është ndalur edhe te pretendimet për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga efektivët, duke kërkuar që ato të shqyrtohen paanshmërisht nga organet kompetente.

Ai ka kërkuar gjithashtu që të ruhet dhe të verifikohet çdo pamje apo dëshmi që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve, ndërsa ka theksuar se përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave.

Demo ka shprehur shqetësimin për të gjithë personat e lënduar gjatë protestës, përfshirë studentët, qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e policisë. Ai ka nënvizuar se gazetarët duhet të ushtrojnë detyrën e tyre në siguri.

Ministri Ervin Demo thirrje për uljen e tensioneve
Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve. Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.

Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre. Njëkohësisht, çdo veprim i policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.

Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo. Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij.
U kam kerkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri.

Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme./ZËRI

2 ORE ME PARE

HEROI që u përball sot me 6 policë është Klevi Mata nga Gjirokastra

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
klevi meta

TIRANË- Mes protestës të studentëve dhe tensioneve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ZËRI teksa raportoi hap pas hapi zhvillimet, publikoi edhe momentin kur një i ri përballej me 6 efektivë. Pas zbulimit të portretit të tij ZËRI ka identifikuar ‘heroin’ që u përball me efektivët.

I riu është Klevi Meta, djali i gazetares Brikena Meta nga Gjirokastra. Burime për ZËRI bëjnë me dije se i ati i tij po përballet me një çështje gjyqësore, ku një grup ekspertësh që merren me çështje rrugore i kanë kërkuar miliona lekë, për ta nxjerrë të pafajshëm.

Klevin Meta një student i cili iu bashkua protestës për zgjidhjen e problematikave në arsim dhe kundër politikës në vend me sot ndodhet në Komisariat. Sot, ai u kthye në një nga personazhet më të komentuar të ditës, pas përballjes me efektivët e policisë./ZËRI

3 ORE ME PARE

Protestuesit zhvendosen te Bashkia e Tiranës, thyejnë derën dhe futen brenda (VIDEO)

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
protesta te bashkia tirane

TIRANË- Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa studentët nuk tërhiqen nga protesta dhe e kanë zhvendosur atë edhe në pika të tjera të kryeqytetit.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Pas protestës para Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë zhvendosur drejt Bashkisë së Tiranës, ku kanë hyrë brenda godinës pasi kanë thyer derën e saj.

Protesta vijon mes tensioneve, ndërsa studentët tashmë e kanë shtrirë atë në institucione të tjera të vendit./ZËRI

3 ORE ME PARE

Dhunohet në krye të detyrës gazetari Izmir Akulli, përfundon në QSUT

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
Izmir Akulli

TIRANË- Mes personave të lënduar gjatë protestës në Tiranë është edhe kryeredaktori i Dosja.al Izmir Akulli. Sipas redaksisë gazetari është dhunuar nga disa efektivë të Policisë teksa po filmonte me telefon goditjen e një studenti, në zonën pranë Bankës Qendrore.

Akulli u ka bërë të ditur efektivëve se ishte gazetar në detyrë, por kjo nuk i ka ndaluar ata ta godasin. Një prej policëve sipas Dosja.al, e ka qëlluar me grushte pasi ai u prezantua si gazetar.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 18:15. Pas dhunës Akulli është dërguar në QSUT për të marrë trajtim mjekësor. Redaksia bën me dije se për më shumë se 90 minuta nuk ka pasur asnjë kontakt me të.

Dosja.al ka bërë të ditur se do të reagojë më tej për ngjarjen, ndërsa i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të saj të marrin përgjegjësi për veprimet e efektivëve./ZËRI

3 ORE ME PARE

EKSKLUZIVE/ Ministri Ervin Demo kërkon lirimin urgjent të të gjithë studentëve të ndaluar: Nesër në auditore (Porosia për gazin)

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
protesta-ervin demo

TIRANË- Ministri i sapo emëruar i Punëve të Brendshme, Ervin Demo iu ka kërkuar drejtuesve të Policisë së Shtetit, që të lirojnë studentët e ndaluar.

Burime i thanë ZËRI, se kjo ka qenë një ndërhyrje e para pak minutave nga Demo, i cili ka kërkuar që studentët të jenë të liruar për të qenë të gatshëm për të marrë pjesë nesër në auditore.

Një tjetër porosi e Demos, bëjnë me dije burime për ZËRI, lidhet me përdorimin e gazit lotsjellës, ku ministri ka kërkuar që të përdoret vetëm në raste ekstreme. Këto dy kërkesa vijnë në kulmin e përplasjeve mes Policisë dhe protestuesve te Rruga e Durrësit, para Ministrisë së Arsimit./ZËRI

3 ORE ME PARE

Protesta e studentëve, reagon Avokati i Popullit: Nis hetimi mbi përdorimin e forcës nga Policia gjatë tubimit

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Avokati i Popullit Endri Shabani ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse Policia ka përdorur forcë të nevojshme dhe proporcionale gjatë protestës së sotme. Paralelisht, grupet e monitorimit të institucionit po ndjekin nga afër situatën e personave të shoqëruar në polici.

Sipas institucionit monitorimi po zhvillohet në Bllokun e Sigurisë dhe pranë komisariateve ku mbahen personat e shoqëruar. Fokusi është te respektimi i të drejtave të tyre, përfshirë të drejtën për avokat njoftimin e familjarëve dhe ekzaminimin mjekësor.

Hetimi do të mbështetet në nenet 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të vlerësuar nëse ndërhyrja e policisë ka qenë e domosdoshme dhe në përpjesëtim me situatën.

Avokati i Popullit u ka bërë thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës, të paraqesin ankesa individuale pranë institucionit.

REAGIMI I PLOTE:

Avokati i Popullit ka nisur, sipas detyrës, një hetim administrativ mbi përdorimin e forcës nga Policia gjatë protestës së sotme. Vlerësimi bëhet sipas neneve 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional.

Grupet e monitorimit të institucionit janë në Bllokun e Sigurisë dhe pranë komisariateve ku mbahen personat e shoqëruar. Po verifikohet nëse u garantohen e drejta për avokat, njoftimi i familjes dhe ekzaminimi mjekësor. Përtej hetimit kryesisht, Avokati i Popullit fton çdo qytetar që beson se të drejtat e tij janë shkelur, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale./ZËRI

4 ORE ME PARE

13 të dëmtuar pas protestës, 6 policë e 2 gazetare mes të lënduarve! Një kalimtar shtrohet në spital

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë

TIRANË- Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin e personave që kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së sotme ku mes të dëmtuarve janë protestues, efektivë policie, përfaqësues të medias dhe kalimtarë.

Sipas njoftimit të ministrisë tre protestues janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Dy prej tyre janë larguar pas konsultës me mjekët, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet në urgjencë.

Ndërkohë në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat janë larguar pas ekzaminimeve në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit të raportuar me dëmtime nga mjete të forta në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali gjithashtu jashtë rrezikut për jetën.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital dhe do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim.

Ministria bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri gjatë protestës dhe se do të vijojnë të jenë të gatshme për t’u përgjigjur ndaj çdo nevoje për ndihmë mjekësore.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Strukturat shëndetësore në gatishmëri për t’u ofruar ndihmë mjekësore personave të dëmtuar gjatë protestës

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë./ZËRI

4 ORE ME PARE

Pamjet ekskluzive/ Studentët djegin filialin e “fajdexhinjve” të IuteCredit, "fluturojnë" orenditë te zjarret në rrugë (VIDEO)

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
pamje-zjarret dhe protestuesti brenda iutecredit

TIRANË- Tensionet vijojnë në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit kanë ndezur zjarre në mes të rrugës. Pamjet ekskluzive të siguruara nga ZËRI tregojnë momentet kur studentët ndodhen tashmë brenda ambienteve të filialit të IuteCredit, i cili ndodhet i gjithi në flakë. 

Siç shihet në pamje, protestuesit nxjerrin orenditë nga ambientet e filialit dhe më pas i hedhin në zjarret e ndezura në rrugë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa zjarret dhe tymi kanë mbushur Rrugën e Durrësit dhe rrugën Mine Peza. Studentët vijojnë të qëndrojnë në tubim prej më shumë se katër orësh dhe pavarësisht përpjekjes së policisë për t’i shpërndarë, ata janë rikthyer dhe po vijojnë rezistencën./ZËRI

5 ORE ME PARE

Studentët nisin “Revolucionin e Shqiponjave”, pa megafonë dhe fjalime, vetëm shprehje e zemërimit!

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
studentet ne proteste

TIRANË- Studentët kanë dalë sot në protestë para Ministrisë së Arsimit, por me një skenar ndryshe nga ai çfarë jemi mësuar të shohim në protesta të kaluara, apo gjatë ditëve të fundit. 

Studentët kanë zgjedhur të shprehin pakënaqësinë e tyre pa megafonë dhe pa fjalime të organizuara. Ajo që bie në sy në këtë protestë është pikërisht mungesa e zërave që zakonisht drejtojnë turmat përmes altoparlantëve.

Zemërimi i studentëve, këtë herë, është shfaqur përmes pranisë së tyre dhe thirrjeve. “Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria” janë disa nga thirrjet që janë dëgjuar para ministrisë.

Këtë të martë, në orën 14:00, studentët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, në atë që nisi si një protestë e qetë. Situatë kjo që zgjati vetëm për rreth gjysmë orë, pasi më pas ia la vendin tensioneve dhe përplasjeve fizike. 

Tensionet shpërthyen dhe situata u përshkallëzua pas hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të godinës, duke thyer xhamat e dritareve. Në një moment, disa rotestues kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë shkulur kangjellat e rrethimit dhe hynë brenda perimetrit të godinës, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë.

Tashmë, prej disa orësh, që prej mesditës, studentët vijojnë rezistencën, por...pa megafonë, ata shpërndahen dhe mblidhen sërish në pikën ku nisi protesta. 

Pa megafonë e pa fjalime, studentët kanë sjellë një tjetër imazh të protestës dhe po e shprehin pakënaqësine e tyre në rrugë të drejtëpërdrejtë, me prani, thirrje dhe rezistencë./ZËRI

5 ORE ME PARE

Protestuesit godasin me gurë autobusët, thyhen xhamat e tyre

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
foto nga icidenti

TIRANË- Protesta e kësaj të marte përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar edhe me dëmtimin e mjeteve të transportit publik. Dy autobusë janë sulmuar me gurë nga protestuesit, duke pësuar thyerje të xhamave.

Ngjarja vjen në një moment kur protesta është shoqëruar edhe me përplasje mes protestuesve dhe Policisë. Deri më tani nuk dihen arsyet që çuan në sulmin ndaj autobusëve dhe nëse ka persona të lënduar./ZËRI

5 ORE ME PARE

Protesta e studentëve, reagon Policia e Shtetit: 23 të shoqëruar, 6 efektivë dhe 1 gazetare të lënduar

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
pamje nga protesta

TIRANË- Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, ku janë regjistruar përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe efektivëve. Sipas policisë, gjatë tubimit janë dëmtuar rrethimi, porta hyrëse dhe fasada e institucionit.

Blutë bëjnë me dije se 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale. Gjithashtu, Policia njofton se si pasojë e përplasjeve kanë mbetur të lënduar 6 efektivë dhe 1 gazetare, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit që do të zhvillohej mesditën e sotme, në afërsi të godinës së Ministrisë së Arsimit, Policia e Shtetit hartoi një plan masash, në zbatim të ligjit dhe procedurave standarde të punës.

Gjatë zhvillimit të tubimit, një grup pjesëmarrësish kanë kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe më pas për të hyrë në oborr, kanë dëmtuar edhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë vijuar të thyejnë dhe të dëmtojnë me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë thirrje të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata kanë vijuar të godasin punonjësit e Policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë sërish thirrje personave të dhunshëm që të ndalonin sulmin dhe të dilnin nga oborri i godinës së Ministrisë, por pjesëmarrësit nuk u janë bindur thirrjeve të përsëritura të Policisë.

Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.

Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.

Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë këtij tubimi.

Policia e Shtetit thekson sërish angazhimin e saj për të garantuar plotësisht ushtrimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor dhe fton pjesëmarrësit në tubime që të mos bëhen pjesë e veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, pasi do të përballen me pasojat penale që parashikon ligji.

5 ORE ME PARE

Protesta e studentëve në Tiranë, policia prangos një të ri pranë hyrjes së institucionit

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
studenti i prangosur

TIRANË- Nga pamjet e filmuara gjatë protestës së studentëve në Tiranë, shihet momenti kur një i ri është prangosur nga efektivët e policisë pranë hyrjes së institucionit.
Rrethanat e këtij veprimi mbeten ende të paqarta, ndërsa deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi identitetin e të riut dhe arsyet që çuan në prangosjen e tij./ZËRI

6 ORE ME PARE

Tre orë "luftë" të Rruga e Durrësit! Studentët vijojnë rezistencën, "e djegin" me kapsolla e kangjella në krahë

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
protesta-studentet te rruga e durresit

TIRANË- Prej më shumë se tre orësh vijojnë përplasjet fizike mes studentëve dhe policisë para Ministrisë së Arsimit. Që prej orës 14:00, studentët vijojnë rezistencën mes tensioneve të larta, ndërsa policia është kundërpërgjigjur herë pas here me gaz lotsjellës dhe ujë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga ZËRI, studentët kanë shkulur kangjellat metalike dhe tullat e trotuarit, ndërsa në ajër janë hedhur edhe kapsolla. Situata para Ministrisë së Arsimit vijon të jetë e tensionuar./ZËRI

7 ORE ME PARE

Lumë të rinjsh bojkotojnë mësimin për t'iu bashkuar studentëve, marshojnë nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
pamje-marshimi

TIRANË- Një tjetër grup masiv protestuesish po marshojnë për t'iu bashkuar studentëve që protestojnë para godinës së Ministrisë së Arsimit. Bëhet fjalë për të rinj që kanë bojkotuar mësimin dhe kanë nisur të marshojnë nga Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" drejt "Rrugës së Durrësit".

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Ndërkohë, nga ana tjetër, studentët kanë rinisur të grumbullohen në pikën ku nisi protesta pak minuta pa u shpërndanë nga policia me autobot ujë. /ZËRI

7 ORE ME PARE

Policia i shpërdau me ujë, studentët rikthehen para Ministrisë së Arsimit, rinisin tensionet

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
protesta

TIRANË- Studentët kanë rinisur të rikthehen drejt vendit ku nisi protesta, pasi u shpërndanë nga forcat e policisë me presionin e ujit. Pas marshimit, ka rinisur sërish grumbullimi në Rrugën e Durrësit, e cila u boshatis për pak minuta.

Situata është rindezur sërish me protestuesit po tentojnë të thyejnë kordonin e policië, ndërsa në drejtim të tyre po hidhet ujë me presion. 

 

 

7 ORE ME PARE

Protesta para Ministrisë së Arsimit, Balla: Studentët nuk janë terroristë me maska që thyejnë dritaret e shkollës

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
protesta-taulant balla

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar për protestën e studentëve dhe episodeve të tensionuara në ambientet e Ministrisë së Arsimit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Balla shkruan se studentët nuk janë ata me maska dhe që thyejnë dritaret e shkollës.

“Studentët nuk janë terroristë me maska! Nuk ka nxënës që thyejnë dritaret e shkollës”, shkruan Balla.

Reagimi i Ballës erdhi pas sulmeve me gurë në drejtim të godinës duke thyer xhamat. /ZËRI

7 ORE ME PARE

Pas përplasjeve fizike mes policisë dhe studentëve, shoqërohen disa protestues

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
pamje nga protesta

TIRANË- Disa protestues janë shoqëruar nga policia për shkak të rezistëncës dhe përplasjes së tyre me efektivët e policisë.  Studentët kanë përshkallëzuar protestën, duke gjuajtuar me sende të forta dhe piroteknike në drejtim të Ministrisë së Arsimit, teksa nuk kanë munguar përlasjet edhe me efektivët e policisë. Këta të fundit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën. 

 

8 ORE ME PARE

Përshkallëzohet situata, studentët futen brenda Ministrisë, Policia hedh gaz lotsjellës (VIDEO)

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë
momenti kur studentët hyjnë brenda Ministrisë

TIRANË-Protesta e studentëve është zhvilluar mes tensioneve, ku të rinjtë arritën të shkulin kangjellat e trotuarit dhe të hynin arritën të futen në oborrin e Ministrisë së Arsimit. Policia reagoi menjëherë, duke krijuar një kordon sigurie brenda në oborrin e Ministrisë dhe duke u kundërpërgjigjur me spray piperi.

/ZËRI

9 ORE ME PARE

STUDENTËT në protestë: Thyejnë me gurë xhamat e Ministrisë së Arsimit, vezë e letra higjenike drejt godinës

Kaos para Ministrisë së Arsimit! STUDENTËT i "vënë

TIRANË-Studentët janë mbledhur sot në protestë para Ministrisë së Arsimit. Të rinjtë me pankarta në duar kanë kërkuar përmirësimin e kushteve dhe zgjidhjen e problematikave që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura. 

“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria” janë disa nga thirrjet në protestën e studentëve.

Pas grumbullimit, studentët filluan të godasin godinën me vezë, tullumbace me ujë dhe bojë. Situata vijon e tensionuar ku të rinjë kanë shkulur gardhin metalik para Ministrisë dhe kanë thyer me gurë xhamat e godinës. 

Protesta po zhillohet nga studentë dhe të rinj në nivel kombëtar, me pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, për të ngritur zërin për shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar reagim institucional.

Ndërkohë, Protestues janë grumbulluar edhe para Kryeministrisë teksa ende nuk dihet nëse ata do të bashkohen me studentët para Ministrisë së Arsimit apo do të jenë dy tubime në dy lokacione./ZËRI

Poll

MOS HUMB