DETAJE: 300 gramë tritol në makinën e Beqir Devollit, i plagosuri është djali i një ish-prokurori
GJIROKASTËR- Rreth 300 gramë dyshohet të ketë qenë sasia e lëndës plasëse që shkaktoi shpërthimin fatal në Gjirokastër, ku humbi jetën 45-vjeçari Beqir Devolli, i njohur me nofkën “Çilo Hunderri”.
Gjithashtu, nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe 26-vjeçari Erigels Mela. Sipas burimeve, babai i këtij të fundit ka qenë prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe momentalisht e ëma e tij, Mimoza Mela, punon si sekretare në këtë Prokurori.
Deri më tani, pista e hakmarrjes mbetet në fokus të hetimeve, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të atentatit./ZËRI
Atentati ndaj Beqir Devollit/ Hetuesit kërkojnë gjurmët e autorëve, sekuestrohen kamerat e sigurisë së një banke
GJIROKASTËR- Pista e hakmarrjes është në qendër të hetimeve për atentatin me tritol ndaj biznesmenit Beqir Devolli në Gjirokastër.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se në ngjarje janë përfshirë dy autorë, të cilët dyshohet se e kanë ndjekur automjetin deri në vendin ku ndodhi shpërthimi. Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:00, kur automjeti që ishte në lëvizje shpërtheu vetëm rreth 10 metra larg Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës.
Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së një banke të nivelit të dytë, të cilat kanë filmuar momentet e ngjarjes. Pamjet pritet të ndihmojnë në identifikimin e personave të dyshuar dhe në rindërtimin e dinamikës së atentatit./ZËRI
Dyshimet për hakmarrje: Beqir Devolli u ndoq që nga Viroi, pista e hetimit....deri tek 'Tani i Ruzhdiut'?
GJIROKASTËR- Beqir Devolli, i cili mbeti i vrarë nga shpërthimi i "Benzi"-it në Gjirokastër, është ndjekur për rreth 3 kilometra para se të shpërthente automjeti i tij. Sipas burimeve, ndjekja ndaj tij ka nisur që nga zona e Viroit dhe ka përfundoi në bulevardin “18 Shtatori” ku ndodhi shpërthimi. Autorët kanë pritur që të zbrazej rruga dhe kanë aktivizuar shpërthimin me tritol duke e hedhur makinën në erë.
Para se të ndodhte ngjarja, 45-vjeçari i njohur me nofkën "Çilo Hundëderri", kishte pirë kafe me një shok dhe më pas ka hipur në makinë për t'iu drejtuar banesës së tij. Më pas, gjatë rrugës, rreth 700 metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi, në automjet ka hipur edhe Erigels Mela.
Burime bëjnë me dije se të dy ata, Devolli dhe Mela, kishin qenë nën kërcënime. Një vit më parë, mjeti i Erigels Melës, tip "Range Rover" u përfshi nga zjarri. Ndërkohë që Devolli ka qenë nën "arrest shtëpie" në Tiranë për dy vjet.
Motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, megjithëse deri më tani po hetohen disa pista. Njëra pistë e lidh atë me aktivitetin e viktimës jashtë Shqipërisë, pasi dyshohet se kishte lidhje me trafikun e drogës në Greqi. Ndërsa, një nga pistat që po hetohet është ajo e një hakmarrjeje të mundshme, e lidhur me vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë, rreth dy javë më parë./ZËRI
Shpërthimi i 'Benz'-it në Gjirokastër, DETAJE të reja: Tritoli dyshohet se u aktivizua në distancë
GJIROKASTËR- Detaje të reja dalin në dritë lidhur me atentatin në Gjirokastër, ku humbi jetën Beqir Devolli, ndërsa mbeti i plagosur edhe Erigels Mela. Sipas dyshimeve paraprake, lënda plasëse e vendosur në automjetin tip "Benz", mund të jetë akivizuar në një distancë prej 30 metrash përmes një telefoni.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në bulevardin “18 Shtatori”. Automjeti shpërtheu teksa ishte në lëvizje, duke plagosur rëndë dy personat që udhëtonin në të, ndërsa shoferi Beqir Devolli humbi jetën gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Devolli njihej me nofkën “Çilo Hundëderri”, ndërsa dyshohet se kishte lidhje me trafikun e drogës në Greqi. Ai rezulton të jetë dënuar në vitin 2012 për transport të paligjshëm të emigrantëve. Sipas burimeve, Devolli sapo ishte kthyer nga Tirana pak para se të ndodhte shpërthimi në automjet. Sipas burimeve, e kalonte pjesën më të madhe të kohës në Tiranë, ndërsa familja e tij e ka banesën në një fshat të qarkut të Gjirokastrës.
Deri më tani, motivi i atentatit nuk është përcaktuar zyrtarisht. Hetuesit po punojnë për të zbardhur mekanizmin e aktivizimit të lëndës plasëse dhe për të identifikuar personat (autorët) që e vendosën atë në automjet./ZËRI
Atentati në Gjirokastër, humb jetën shoferi i 'Benz'-it që sapo ishte kthyer nga Tirana! Kush ishte Beqir Devolli, i njohur si 'Çilo Hundëderri'?
GJIROKASTËR- Ka ndërruar jetë Beqir Devolli, shoferi i automjetit tip Benz në Gjirokastër, që shpërtheu në flakë gjatë mbrëmjes së djeshme. Sipas njoftimit të policisë, 45-vjeçar ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës. Ndërkohë që Erigels Mela personi tjetër që ndodhej në mjet është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve, Devolli po kthehej nga Tirana dhe ishte drejtuar për në banesën e tij në lagjen “Palorto”. Gjatë rrugës, rreth 700 metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi, në automjet ka hipur edhe Erigels Mela. Emri i këtij të fundit është përmendur edhe në një ngjarje të ndodhur një vit më parë, kur makina e tij tip “Range Rover” u përfshi nga flakët në zonën e Dunavatit.
Ndërkohë, mësohet se viktima ishte edhe shënjestra e atentatit, ndonëse fillimisht u raportua se objektivi ishte pasagjeri Erigels Mela. 45-vjeçari, i njohur me nofkën “Çilo Hundëderri”, dyshohet se kishte lidhje me trafikun e lëndëve narkotike drejt Greqisë. Ai rezulton të jetë dënuar në vitin 2012 për transport të paligjshëm të emigrantëve.
Megjithatë, deri më tani, policia nuk ka dhënë një njoftim zyrtar që të konfirmojë këto dyshime apo pistën e atentatit.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Ngjarja ndodhi mbrëmë e djeshme rreth orës 22:00. Automjeti tip “Benz” shpërthyeu në ecje në bulevardin “18 shtatori” në Gjirokastër. Si pasojë e shpërthimit, fillimisht mbetën të plagosur pasgjeri dhe shoferi i automjetit, por ky i fundit, nuk arriti t'u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.
Paraprakisht dyshohet se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga vendosja e një sasie lënde plasëse në automjet. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e plotë e saj nga grupi hetimor./ZËRI