"U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave", gjyqatari Smith: Anëtarë të UÇK-së i dhunuan brutalisht...
HAGË-Trupi gjykues në Hagë po rendit provat e shqyrtuara gjatë procesit, duke raportuar lidhur me atë që supozohet se ka ndodhur me personat e ndaluar nga ish komandantët e UCK-së gjatë luftës në Kosovë. Gjykatësi Charles Smith deklaroi se në kuadër të hetimit është vërtetiar se ishte kryer krimi i luftës i arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave. Smith parashtroi se shumë të ndaluar ishin rrahur deri në atë masë sa nuk ishin në gjendje të qëndronin në këmbë, ndërsa disa kishin humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.
Gjykatësi Charles Smith: Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilat viktimat u ndaluan dhe u arrestuan pa dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimi të rregullt, tregojnë se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt Konkretisht trupi gjykues konstatoi se anëtarët e UÇK-së në qendra të ndryshme ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, kontribuan në krijimin e tyre dhe i mbajtën ato në kushte çnjerëzore ndalimi. Të ndaluarit u mbajtën në vende e lloje të ndryshme ndërtesash, përfshirë edhe ndërtesa që ishin shkolla etj. Shumë nga anëtarë e UÇK-së të përfshirë në ndalimin e tyre i keqtrajtuan fizikisht të ndaluarit. Në vende të ndryshe, anëtarët e UÇK-së i godisnin rregullisht me shkelma dhe i rrihnin brutalisht dhe vazhdimisht të ndaluarit, duke përdorur ndër të tjera qytat e pushkëve, shkopinj të ndryshme etj…
Gjyqi historik: Bie akuza për krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
HAGË-Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar prej orës 10:00, ku një nga konkluzionet e para të trupit gjykues gjatë leximit të aktgjykimit lidhet me akuzat për krime kundër njerëzimit.
“Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte, përtej dyshimit të arsyeshëm, se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër një popullate civile”, tha gjykatësi Charles Smith.
Nis gjyqi në Specialen e Hagës, pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së
HAGË-Ka nisur zyrtarisht seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Trupi gjykues do ta lexojë vendimin individualisht për secilin prej të akuzuarve, duke u ndalur në dhjetë pikat e aktakuzës. I pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi. Pas tij do të jetë Kadri Veseli, më pas Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi.
Jashtë ndërtesës së gjykatës janë mbledhur qindra shqiptarë në pritje të verdiktit, ndërsa në Prishtinë qindra qytetarë janë me sytë nga ekrani i madh ku po jepet live seanca.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa Prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Sipas aktakuzës, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi edhe për veprimet e personave nën komandën e tyre. Gjatë procesit gjyqësor janë shqyrtuar qindra prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë nga të dyja palët./ZËRI
Numërimi mbrapsht ka filluar! Rreth zjarrit në shesh, qytetarët presin lirinë për ish-krerët e UÇK
KOSOVË-Sheshi i Prishtinës vijon të jetë i mbushur me qytetarë prej orëve të vona të mbrëmjes, të cilët e gdhinë në pritje të shpalljes së verdiktit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Rreth zjarrit dhe me sytë nga ekrani i madh, ku numërimi mbrapsht ka filluar, qytetarët do të njihen me vendimin historik.
I pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi. Pas tij do të jetë Kadri Veseli, më pas Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi. Aktakuza përmban gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit me nga 45 vjet burg secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar pafajësi.
Për shkak të grumbullimeve të paralajmëruara, autoritetet e Kosovës kanë përgatitur masa të posaçme sigurie. Policia e Kosovës është koordinuar me KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në. Në zona të caktuara mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit.
Edhe disa ambasada perëndimore kanë paralajmëruar shtetasit e tyre që ndodhen në Kosovë të tregojnë kujdes dhe të shmangin tubimet e mëdha apo lëvizjet që nuk janë të domosdoshme gjatë ditës.
Djemtë e ish-krerëve të UÇK-së : Një hap drejt gjykatës, një shpresë për babain!
HAGË-Numërimi mbrapsht ka filluar në Hagë dhe në orën vendimtare të aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së, djemtë e tyre hodhën hapin e shpresës! Para derës së Gjykatës Speciale në ankth dhe të rrethuar nga mbështetja e shqiptarëve, u panë djali i Hashim Thaçit, Indrit Thaçi dhe djali i Kadri Veselit, Klestor Veseli. Me bindjen se ky do të jetë momenti i fundit larg tyre, djemtë e ish-krerëve të UÇK-së hynë në ambjentet e Gjykatës. I pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi. Pas tij do të jetë Kadri Veseli, më pas Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi.




Djali i Thaçit hyn në gjykatën e Hagës me shpresën për të marrë të atin në shtëpi
HAGË-Indrit Thaçi, djali i ish-Presidentit Hashim Thaçi ka mbërritur në Gjykatën Speciale të Hagës, për të pritur vendimin ndaj babait të tij. Qytetarët e mbledhur para Gjykatës e kanë pritur me brohorima 'Thaçi', 'Ishalla lirim', duke treguar mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
View this post on Instagram
ZËRI ka siguruar pamjet nga momenti kur djali i ish-presidentit të Kosovës, hyn në Gjykatë me shpresën për të marrë të atin në shtëpi.
Gjykata Speciale e Hagës në orën 10:00 do të shpallë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. I pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi.
Kush janë gjyqtarët që do të vulosin 'fatin' e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në Hagë
HAGË-Gjykata Speciale e Hagës në orën 10:00 do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Vendimi i shumëpritur do të shpallet nga një trup gjykues i përbërë nga katër gjyqtarë ndërkombëtarë. 3 gjyqtarë kryesorë dhe 1 rezervë.
Në krye të trupit gjykues është gjyqtari amerikan Charles Smith III, i cili mban edhe rolin e kryesuesit të procesit.
Pjesë e trupës gjyqësore është edhe gjyqtari gjerman Christoph Barthe, i cili së bashku me kolegët e tij ka shqyrtuar provat dhe dëshmitë e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.
Gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux do të shqyrojë vendimin për ish-krerët e UÇK-së.
Gjyqtari irlandez Fergal Gaynor është gjithashtu pjesë e trupës gjykuese por si gjyqtar rezervë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit me nga 45 vjet burg secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar pafajësi. Gjyqtarët do të vendosin nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të shpallen fajtorë apo të pafajshëm.
'Nën ethet' e pritjes! Qytetarët 'veshin' me flamuj kuq e zi godinën e Gjykatës Speciale të Hagës
HAGË-Teksa dy orë ndajnë nga vendimi për ish-krerët e UÇK-së, qytetarët janë mbledhur me flamuj kuq e zi para Gjykatës Speciale të Hagës. Me plisa e flamuj të UÇK-së, shqiptarët presin lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
'Kosova pret çlirimtarët', është banderola e shpalosur mes Hagës.
Edhe gjatë gjithë natës së 15 shtatorit, jashtë ndërtesës së Gjykatës Speciale kanë qëndruar qindra shqiptarë të ardhur nga Kosova dhe vende të tjera të Evropës.