LIVE UPDATES

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i padrejtë, s'mund të barazohet agresori me viktimën

♦Sot Kuvend dhe protestë! ♦Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë të përbashkët në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar me 81 vite burg. ♦Kuvendi i Shqipërisë deklaroi se do të angazhohet në të gjitha forumet ndërkombëtare, për të denoncuar krimet e regjimit serb në Kosovë. ♦Gjatë miratimit të deklaratës së përbashkët, në sallë munguan kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha. ♦Gjatë seancës janë reagjistruar edhe debate të ashpra, pasi akuzat mes opozitës dhe mazhorancës, nuk munguan edhe pse u bënë bashkë për deklaratën. ♦Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës. ♦Nga ana tjetër, Balla akuzoi Sali Berishën se ka punuar kundër Hashim Thaçit dhe ka takuar rusin që hartoi raportin që i hapi rrugë ngritjes së Gjykatës Speciale.

15 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Protestuesit i zunë 'pritë', Luarasi e kujton në Kuvend: Video mori miliona shikime në rrjetet sociale, në 730 komente kërkuan...

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
iris luarasi

TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka rikthyer në vëmendje incidentin e ndodhur me protestuesit, disa ditë më parë, në nisje të sesionit të ri parlamentar. 

Gjatë fjalës së saj, Luarasi u ndal mënyra se si videoja e incidentit u përhap në rrjetet sociale, duke marrë miliona shikime dhe komente të shumta, duke e lidhur me ndikimin e algoritmeve dhe mënyrën se si përmbajtjet përhapen dhe gjenerojnë reagime në masë. Sipas Luarasit, në mesin e komenteve, kërkoni këto komente kishte thirrje për burgosjen, zhdukjen, varjen, djegien apo pushkatimin e saj.

“Të gjithë ju e keni parë se një javë më parë teksa po vija drejt seancës plenare, u përndoqa nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit, që ulërinin fyerje që mendoj se nuk i meritoj. Kjo ishte një video që u pa nga miliona njerëz. Unë s’jam këtu për ta ritreguar, por jam këtu për të treguar atë që ndodhi pas videos. Sepse aty qëndron çështja që kjo konventë synon të rregulloj. Ajo që pasoi u monitorua në mënyrë të pavarur, publikim pas publikimi, në 5 ditë emri u përmend në 708 artikuj, në 69 media online, në 134 llogari të emërtuara. Shtrirja e përgjithshme 14.9 milionë. Shikimet 4.8 milionë. 80 % e të gjithë kësaj ndodhi brenda 48 orëve. Nga këto 730 komente ndëshkuese, ose potencialisht të dhunshme, burg, zhdukje, varje, djegie, pushkatim”, tha Luarasi./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Korreshi ironizon Qeverinë: Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te Inteligjenca Artificiale

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
saimir korreshi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar Qeverinë gjatë diskutimeve në Kuvend për përdorimin dhe përhapjen e Inteligjencës Artificiale në institucionet publike.

Gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”, Korreshi tha me ironi se ndërsa Qeveria flet për Inteligjencën Artificiale, në fshatra njerëzit janë akoma te parmenda.

Në vijim të komenteve të tij me tone ironike, Korreshi përmendi edhe problematikat që sipas tij, janë hasur në sistemet e administratës publike. Ai nuk harroi të sillte në Kuvend as problematikat nëpër spitale, duke thënë se 'qendrat shëndetësore nuk kanë as poç, nuk ka shkuar as energjia elektrike'.

“Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te Inteligjenca artificiale. Unë kam parë që qendrat shëndetësore nuk kanë as poç, nuk ka shkuar as energjia elektrike. Si do bëj ajo infermierja apo doktoresha në këto qendra shëndetësore, për të hyrë te sistemi juaj. Me ça mrrokulle do hyjnë. Do dali në pazar të gjejë një kamer me inteligjencë artificiale? Kjo është inteligjenca juaj artificiale. E nisët me Diellën, morët ca lekë. Aktorja tha më hiqni surratin se më morët më qafë. Kjo është situata. Pastaj ju thoni do vëmë kamera nëpër shkolla, kamera këtu e atje. Ore i keni parë ndonjëherë sistemet sot si funksionojnë? Shkoni te Kadastra, 3 muaj nuk punonte ASHK se s’punonte mrrokulla. I morëm mrrokullat nga Lushnja në kurriz e i çuam në Fier. Ju keni sahatët në rrugë, po i shkel lopa, po i ha gomari, ju thoni Smart City. Mos na merrni edhe të dhënat e kalamajve, se s’ka patronazhistë tuajët që s’na dinë edhe numrin e këmbës, me çorape të grisura apo jo, i kemi prerë thonjtë apo jo. Që në mëngjes atë punë bëjnë”, tha mes të tjerash Korreshi./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

"Me çfarë fytyre..."/ Balla dhe Muçi 'përplasen' për Kosovën: Je kalama, fjalimet t'i shkruan Qori...

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
taulant balla-redi muci

TIRANË- Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvend mes kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, gjatë diskutimeve për Kosovën dhe vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Përplasja nisi pasi Shehu akuzoi mazhorancën se nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur Kosovën. Madje, deputeti kritikoi gjithashtu kryeministrin Rama lidhur me qëndrimin e tij ndaj Gjykatës Speciale, duke pretenduar se Rama kishte luajtur rol në bindjen e liderëve politikë në Kosovë për krijimin e saj.

“Ç’hapa konkret ka ndërmarrë qeveria shqiptare në arenën ndërkombëtare për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe për kompensimin që i takon shqiptarëve të Kosovës të dalë nga lufta. Sepse ndryshe nga konflikti ruso-ukrainas, kur flasim për dëmin në kontekstin e Kosovës, po flasim për gjenocidin e një shteti dhe të një ushtrie fashiste të ushtruar mbi një popullsi të pambrojtur. Kur do i vijë radha popullit të Kosovës që të dëmshpërblehet.

Ç’rol ka luajtur shteti shqiptar në këtë drejtim? Si mundet që kjo qeveri të kërkojë njohjen e gjenocidit serb në Kosovë nga ndërkombëtarët, kur keni qenë ju deputetët e PS që keni rrëzuar propozimin për njohjen e gjenocidit serb. Me çfarë fytyre Rama sot kundërshton vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës, kur në delirin e madhështisë të vetëshpalljes lider ballkanik, të atij që do lobonte në emër të ndërkombëtarëve, i kërceu helikopterit për të shkuar e për të bindur homologët e tij në Kosovë për krijimin e Speciales.", tha mes të tjerash Muçi.

Akuzave të tij iu përgjigj Taulant Balla, i cili e cilësoi Muçin si “kalama” dhe tha se fjalimet e tij në Kuvend shkruhen nga të tjerë. Me tone ironie, Balla e cilësoi Muçin si “rastin unik” që do ta bëjë mandatin përgjysmë, duke iu referuar zëvendësimit të tij vitin e ardhshëm.

“Kur vjen në Kuvend vjen me fjalime që t’i kanë shkruar të tjerët. Ti je rasti unik që do e bësh mandatin përgjysmë, sepse vitin tjetër do të duhet të vijë zëvendësuesi, sipas marrëveshjes që keni bërë. Por thuaji atij zëvendësuesit tënd, Qorrit, që fjalimet të t’i shkruajë tamam. Ishe këtu ti sot kur ne votuam një deklaratë që denoncohet nga Kuvendi i Shqipërisë gjenocidi në Kosovë? Por kur kalamaj si puna jote vijnë këtu dhe me pa asnjë të drejtë përdorin një moment kaq të vështirë për shqiptarët për llogari politike, ky është rasti tipik për t’i thënë votuesve që të mos sjellin më kalamaj në sallë, se e çoni votën dëm”, tha Balla./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

"Shko pi një kafe me Lindën", Berisha-Spahiut: Fillim më të mbrapshtë nuk ka, jep dorëheqjen

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
sali berisha-klodiana spahiu

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shkëmbyer replika me ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, pasi kjo e fundit premtoi se në rast se nuk do të sjellë “PETScan” në Institutin Onkologjik, në janar të 2027-ës, do të japë dorëheqjen.

Berisha iu referua edhe paraardhëses së Spahiut, Evis Sala, për të cilën tha se ishte “studiuese e rrallë” dhe se me dorëheqjen e saj kishte mbrojtur integritetin. Demokrati i kërkoi Spahiu largimin nga detyra, teksa i sugjeroi të "pinte një kafe me Lindën, referuar Majlinda Karçanajt. 

“Kësaj zone që ikën kështu dhe që u betua e stërbetua këtu dua t’i them dy fjalë. Pararendësja juaj, ajo ka qenë një studiuese e rrallë me punime që me u marrë të gjithëve së bashku nuk bëni dot as 1 e 10 e saj në Krembrixh dhe universitete të tjera. Në një moment të caktuar, kur thonë ia mori ai mendjen dhe pranoi detyrën e ministres. E vërteta në dorëheqjen e saj, ajo mbrojti integritetin e vet. Pavarësisht nga akuzat mbi të, kur erdhi puna që iu propozua skema e vjedhjes më të madhe të të sëmurëve, ajo tha mirupafshim.

Pasardhësja u betua e stërbetua këtu, kam vetëm një këshillë, shko dhe vetëm pi një kafe jo me Lindën e Surrelit, por me Lindën tjetër. Me drejtoreshën, të të rrëfejë ajo dramën e saj në mënyrën që uroj të mbledhësh mendjen dhe të japësh dorëheqjen një minutë e më parë nga ajo detyrë. Fillim më të mbrapshtë nuk mund të kishte se të fusje aty patronazhisten, Lindën e Surrelit, kunati i së cilës është strumbullari i të gjitha vjedhjet e qindra milion eurove në AKSHI. S’i del emri vetëm se është kunati i Lindës.“, tha Berisha.

Nga ana tjetër, ministrja Klodiana Spahiu iu përgjigj Berishës duke deklaruar se në këtë detyrë do t'u shërbejë vetëm qytetarëve. Ajo tha se nuk ka takuar dhe nuk do të takojë “asnjë Lindë”.

“Është diferencë e madhe kur njeriu ndryshon në rrugëtimin e tij dhe politika e ndryshon njeriun. Jam përpjekur që politika të mos më ndryshojë. Keni qenë profesori im dhe nuk dua të pranoj që të përgojohen gratë në atë foltore. Unë nuk kam takuar asnjë Lindë dhe nuk do të takoj asnjë Lindë.

Do t’ju sugjeroja në mënyrë të veçantë, mos e përdorni më këtë strategji për gratë e vendit tonë. Të jeni i sigurt se unë jam në këtë detyrë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe për t’u garantuar se çdo qindarkë e taksave të tyre do të jetë në shërbim të shëndetit”, tha Spahiu.

1 MUAJ ME PARE

UÇK 'ndez' debatin! Berisha: Rama i futi thikën pas shpine Kosovës. Balla: Takove rusin, punove kundër Thaçit

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
Taulant Balla dhe Sali Berisha

TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë doli me një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, ku u shpreh se nuk bie dakort me aktgjykimin dhe nuk mund të rishkruhet historinë e një populli dhe as të barazohet agresori me viktimën. 

Por akuzat mes opozitës dhe mazhorancës, nuk munguan edhe pse u bënë bashkë për deklaratën. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës. Berisha deklaroi se Rama shkoi si i deleguar i Vuçiç në Kosovë për të diktuar votimin për ngritjen e Gjykatës Speciale. Në replikë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla akuzoi Sali Berishën se ka punuar kundër Hashim Thaçit dhe ka takuar rusin që hartoi raportin që i hapi rrugë ngritjes së Gjykatës Speciale.

Sali Berisha: I futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiç. Shkoi kreu porositë  e Vuçiç, e dëgjove o kryetar të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë. Ku e keni ministrin.

Taulant Balla: Në anën e kundërt të historisë, në ka një person që, të paktën ndaj Hashim Thaçit, ka qenë më agresiv, më i dëmshëm, është Sali Berisha, sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike se Thaçi duhet të shkojë në Hagë, ku duhet të pastrohet. I vetmi në këtë sallë që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e këtij raporti, rusin Konstantin Kosachev, ai quhet Sali Berisha. Nuk ka një të dytë që ta ketë takuar. E ka takuar vetëm 40 ditë nga 25 janari i vitit 2015, kur është votuar rezoluta në KiE, kur kjo parti ka qenë në anën e duhur të historisë, ndërsa ju keni votuar pro rezolutës që ngriti gjykatën në Kosovë. Këto teatrot se ju jeni atdhetarët, se ne qenkemi tradhtarët, lërini për një kohë tjetër.

1 MUAJ ME PARE

Dënimi i ish-krerëve të UÇK, Kuvendi i Shqipërisë në deklaratë: Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
Niko Peleshi

TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të përbashkët, pas vendimit të djeshëm të gjykatës së Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me 81 vite burg total. Kryeparlamentari Niko Peleshi u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë nuk bie dakrot me vendimin e Hagës dhe theksoi se një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli dhe as të barazojë agresorin me viktimën.

Kuvendi i Shqipërisë deklaroi se do të angazhohet në të gjitha forumet ndërkombëtare, për të denoncuar krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës dhe të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.

Në deklaratën e përbashkët theksohet se atgjykimi nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës dhe as sakrificën e UÇK-së. Po ashtu Kuvendi deklaron se qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces.

Deklarata e plotë e Kuvendit:

Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.

Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.

Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane. Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.

E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:

Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.

Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.

1 MUAJ ME PARE

“O shokë më besonii!”/ Ministrja Spahiu bën premtimin në Kuvend: Në janar 2027 sjell Pet Scan-in ose jap dorëheqjen!

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
Klodiana Spahiu

TIRANË-Ministrja e re e Shëndetësisë Klodiana Spahiu, gjatë interpelancës së kërkuar nga opozita, ka bërë edhe një premtim në Kuvend. Spahiu u shpreh me bindje se Pet Scan-i do të sillet në Onkologjik në janar të vitit 2027 dhe nëse kjo nuk arrihet ministrja ka dhënë fjalën se do të heqë dorë nga detyra.

Ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu: Në janar nis Instituti i Onkologjisë, në janar 2027 o e sjell atë Pet Scan-in ose jap dorëheqjen, ja ku po jua them këtu! Në praktikë çdo rast onkologjik shqyrtohet nga një grup multi disiplinar. Kjo do të jetë normë, kaq, nuk kam bërë asgjë të re o shokë më besoni, vetëm kam vënë hallkat të lëvizin më shpejt. Është vendimi i ish-ministres. Kjo gjë do të funksionojë, kërkoj ndihmën tuaj për çdo rast që identifikoni që nuk bëhet sipas protokollit të na ndihmoni. Mos u merrni me emra grash sepse do të ngeleni me damkë.

1 MUAJ ME PARE

Kaos jashtë Kuvendit, protestuesit heqin gardhin metalit të vendosur nga policia

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
pamje nga ngjarja

TIRANË-Situata është përshkallëzuar jashtë ambjenteve të Kuvendit, ku protestuesit kanë hequr gardhin metalik të vendosur nga Policia. Për disa momente situata ishte e tensionuar, ku qytetarët sulmuan me vezë efektivët dhe tentuan të kalojnë kordonin e Policisë. Lidhur me incidentet raportohet se është shoqëruar një qytetar në polici.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

1 MUAJ ME PARE

Tensione në protestë, qytetarët gjuajnë me vezë efektivët

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
pamje nga protesta

TIRANË-Tensionet e para janë regjistruar në protestën e cila po zhvillohet jashtë ambjenteve të Kuvendit. Deputetët arritën të futen në ambientet e Parlamentit pa u sulmuar nga protestuesit, por situata u përshkallëzua gjatë marshimit drejt Bllokut të Ministrive. Protestuesit kanë sulmuar me vezë efektivët, teksa tentuan të kalojnë kordonin e Policisë.

/ZËRI

1 MUAJ ME PARE

PD kërkoi të hiqet nga rendi paga e magjistratëve, Balla: Do të votohet. Bardhi: Vendimet e Kushtetueses letër higjienike për ju...

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
Taulant Balla dhe Gazment Bardhi

TIRANË-Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike të cilët kërkuan të hiqet nga rendi i ditës propozimi i Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Kreui i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se ligji do të votohet, do të miratohet nga Presidenti i Republikës dhe pagat do të zhbllokohen. 

Taulant Balla: Proceduralisht kërkesa juaj nuk miratohet, sepse Këshilli është shprehur. Tani duhet të shprehet seanca. Më vjen mirë të dëgjoj që PD del në mbrojtje të gjyqtarëve, sepse del si reflektim pas sharjeve e fyerjeve që i dëgjojmë shpesh. E bëni shpesh në dyert e SPAK-ut, u kujtoni familjarët. Vota jonë ndaj kërkesës së grupit parlamentar të PD është kundër, sepse kërkesa është hipokrite. E votojmë sot dhe i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, që të hyjë në fuqi menjëherë dhe të zhbllokohen pagat, meqë është problem.

Në replikë kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet që të zbatohen pa asnjë diskutim. Sipas tij, mazhoranca nuk po ushtron përgjegjësinë që ka.

Gazment Bardhi: Kuvendi të zbatojë vendimin e Kushtetueses. Kuvendi është duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe vendimeve të GJK-së. Qeveria ka refuzuar të përmbushë detyrimin që i ka caktuar Këshilli i Legjislacionit. Ke refuzuar ti, të ushtrosh përgjegjësinë, siç është caktuar. Ka pasur heshtje nga qeveria, sepse për ju vendimet e GJK-së janë letër higjienike kur nuk ju intereson dhe janë letra me shumë vlerë, kur iu intereson. Po cenoni pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Drafti parashikon rritjen e pagës referuese të magjistratëve nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas draftit, rritja përkthehet në rreth 8,500 lekë më shumë në pagën referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë.

1 MUAJ ME PARE

Kuvendi nis me dënimin e Hagës për liderët e UÇK-së, Peleshi: E dhimbshme për Kosovën dhe historinë tonë

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
Niko Peleshi

TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë ka nisur me një deklaratë të përbashkët lidhur me vdneimin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së. Kryeparlamentari Niko Peleshi mbajti fjalën hapëse, ku u shpreh se vendimi ishte i dhimbshëm jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare.

Niko Peleshi: Të nderuar kolegë. Para se të fillojmë me rendin e ditës, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin ndaj katër liderëve të UÇK-së. Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët nëpërmjet Kuvendit, ku do të shprehim mendimin e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vendim. Komisioni për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme po finalizon detajet e deklaratës.

Haga dënoi me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte. Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin.

1 MUAJ ME PARE

Dënimi i Hagës me 81 vite burg, deputetët e PD-së shkojnë në Kuvend me simbolet e UÇK-së

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
deputetët e PD

TIRANË-Deputetët e Partisë Demokratike pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së, janë shfaqur me simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa shkonin në Kuvend. Veshja e tyre me simbolet e UÇK-së shpreh një shenjë solidariteti dhe mbështetje për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

1 MUAJ ME PARE

'Drafti për pagat e magjistratëve të hiqet nga rendi i ditës', Bardhi: Të ngrihet komision hetimor për 'KAYO', Balla e rrëzon

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
Gazment Bradhi dhe Taulant Balla

TIRANË- Para nisjes së seancës plenare në Parlament, Partia Demokratike në Konferencë e Kryetarëve ka paraqitur dy kërkesa: ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e KAYO-s dhe të hiqet nga rendi i ditës propozimi i Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë “KAYO”, ku kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se kërkesa e tyre nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore.

Kreu i Grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi: Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi. E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?! Janë shpenzuar 34 milionë euro.

Pas Bradhit, kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se në kërkesën e opozitës nuk janë identifikuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publikë, aktet apo kontratat që pretendohet se janë të paligjshme, si dhe periudha kohore ku duhet të shtrihet hetimi. Sipas Ballës, objekti i propozuar synon kontrollin e përgjithshëm të veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështjeje të individualizuar me rëndësi të veçantë publike.

1 MUAJ ME PARE

Seancë brenda, protestë jashtë! Policia rrethon me gardh metalik Parlamentin

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
pamje nga ngjarja

TIRANË-Teksa Kuvendi pritet të mbajë sot seancë e radhës, jashtë ambjenteve të tij pritet të zhvillohet në orën 10:00 protesta e thirrur nga qytetarët. Në zonën përreth Kuvendit janë vendosur forca të shtuara policore, ndërsa policia ka ngritur edhe një gardh metalik për të kontrolluar perimetrin pranë institucionit. Thirrja për tubimin e sotëm u bë në përfundim të protestës së një dite më parë.

/ZËRI

1 MUAJ ME PARE

KUVENDI/ Pritet vendimi për pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, PD interpelancë me 5 ministra

Protestë dhe Kuvend! UÇK bën bashkë Parlamentin: Vendim i
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot për seancë plenare, ku në rend dite është parashikuar zhvillimi i pesë interpelancave të thirrura nga Partia Demokratike. 

Opozita ka kërkuar sqarime nga ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj për administrimin 102 kontejnerëve me mbetje toksike që ndodhen në periferi të qytetit të Durrësit. Interpelancë është kërkuar dhe me ministrin e Brendshëm, post që tashmë i përket Ervin Demos, të cilit PD i kërkon shpjegime për pretendimet se Policia e Shtetit ka përdorur forcë në arrestimin e qytetarëve gjatë protestave.

Po ashtu interpelancë është kërkuar edhe me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi dhe atë të Shëndetësisë Klodiana Spahiu. 

Një nga pikat që pritet të hapë debat mes palëve është darfti i PS për pagat e magjistratëve. Drafti i cili do të votohet sot parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, ndërkohë që pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë. Por, magjistratët thonë se drafti është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese./ZËRI

MOS HUMB