Shënohet viktima e dytë nga stuhia, mbytet peshkatari në Ksamil, gjendet varka e fundosur
KSAMIL-Një peshkatar është gjetur i pajetë në det, pranë ishujve të Ksamilit. Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mbytjes.
Gjatë operacionit të kërkimit, Policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të 61-vjeçarit, i cili rezultoi i fundosur. Dyshimet paraprake janë se ngjarja mund të ketë ndodhur mbrëmjen e kaluar, në kohën kur zona u përfshi nga stuhi të forta dhe kushte të rënduara atmosferike.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
STUHIA/ Infrastruktura: 21 fidera të energjisë jashtë pune, pa drita zona në Vlorë, Fier, Sarandë e Librazhd, Patosi pa ujë
TIRANË-Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me pasojat që ka lënë stuhia e mbrëmjes së 21 korrikut. Sipas njoftimit në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura ku mungon energjia elektrike janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi. Patosi po përpallet me mungesë uji, për shkak të ndërprerjes së energjisë në stacionin e pompimit të Varibopit. Ndërkohë në Portin e Durrësit era e fortë rrëzoi disa kontejnerë bosh.
RAPORT MBI SITUATEN E KRIJUAR DHE MASAT E MARRA PË TË PËRBALLUAR MOTIN E KEQ GJATË MBRËMJES DHE ORËT E PARA TË MËNGJESIT
Mbrëmjen e djeshme, disa zona të vendit u përfshinë nga moti i keq, me reshje intensive shiu, të shoqëruara me erë të fuqishme, të cilat shkaktuan disa problematika. Grupet e punës, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë qenë në terren që në momentet e para, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.
AKSET RRUGORE
Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë monitoruar vazhdimisht situatën në terren, duke bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo materialeve. Akset kombëtare kanë qenë të kalueshme pa problematika dhe qarkullimi ka vijuar normalisht.
ARRSH është në gatishmëri dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e rrugëve.
FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
Aktualisht, në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.
Në orët e para të mëngjesit është vendosur në punë Nst i Livadhjasë dhe është rikthyer energjia në disa zona.
OSSH ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për normalizimin e situatës së furnizimit me energji elektrike.
RRJETI I TRANSMETIMIT
Aktualisht, të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.
KASKADA E DRINIT
Situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.
FURNIZIMI ME UJË
Sarandë
Situata në Stacionin e Pompimit të Ujit të Ndotur (SPUN) në Sarandë është rikthyer në normalitet. Gjithashtu, edhe SPUN në Ksamil është rikthyer në funksionim normal.
Rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.
Durrës
Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë.
Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.
Fier
Rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit. Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.
PORTET DHE AEROPORTI
Aeroporti i Tiranës
Situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.
Porti i Durrësit
Si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.
Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.
Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht.
Në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht.
Kukësi pa drita, stuhia rrëzon shtyllat eletrike
KUKËS-Stuhia e fortë me erëra e reshje shiu me shtrëngata preku edhe veriun e vendit. Probleme në furnizimin me energji elektrike janë regjistruar në disa zona të qarkut të Kukësit.
Sipas OSHEE Kukës, në fshatin Nikoliq dhe Njësinë Administrative Fajzë nuk ka energji elektrike për shkak të rrëzimit të shtyllave të tensionit të mesëm të transmetimit të energjisë elektrike. Në fshatin Nikoliq, nga erërat e forta është rrëzuar një lis, duke rrëzuar linjat e transmetimit të mesëm të energjisë.
Punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat e prekura.
Stuhia s'ka mbaruar! Meteorologia jep alarmin: I gjithë territori i rrezikuar
TIRANË-Një stuhi e frikshme përfshiu jugun e Shqipërisë mbrëmjen e kaluar (21 korrik), duke shkaktuar të lënduar dhe dëme të konsiderueshme, kryesisht në qytetet bregdetare. Por vendi ynë pritet të përfshihet sërish nga stuhi afatshkurtra.
Paralajmërimi vjen nga meteorologia Tanja Porja, e cila foli për A2cnn për kushtet atmosferike të ditëve në vijim. Sipas Porjës, stuhitë do të prekin pothuajse të gjithë territorin e vendit, ndërsa zonat më të rrezikuara janë ato qendrore dhe juglindore.
“Presim edhe sot në territorin shqiptar ndonjë gjë krejt të vogël. Ditën e premte kemi stuhi afatshkurtra thuajse në gjithë territorin shqiptar. Askush s’mund ta përcaktojë, sepse janë celula që shkëputen, vendosen mbi një lokalitet, dhe aty prodhojnë maksimumin e aktivitetit të tyre. E gjithë Shqipëria është e rrezikuar nga këto stuhi. Me një njollë pink rezulton zonat qëndrore dhe Lindja, Juglindja, Fushë-Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan, një pjesë e Librazhdit, Pogradec, Korçë, Ersekë, Devoll. Mund të fusim edhe Përmetin dhe Gjirokastrën. I gjithë territori është i rrezikuar. Fatmirësisht janë stuhi afatshkrutra, ku në 20-40 minuta prodhojnë sasi të jashtëzakonshme të rreshjeve, shpejtësi mjaft të larta të erës”.-u shpreh meterologia.
Po tentonte të rikthente energjinë elektrike gjatë orëve të stuhisë, humb jetën elektricisti në Himarë
HIMARË-Një punonjës i OSHEE në Himarë ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit, gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në zonën e Himarës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40, në një kohë kur moti i keq dhe erërat e forta kishin shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Himarës.
Elektricisti Bashkim Boçi ka qenë i ngjitur në shtyllë, duke tentuar të rilidhë një kabull energjie, kur i është shkëputur rripi i sigurisë që e lidhte për mesi. Kjo ka bërë që të rrëzohet nga shtylla në një lartësi 9 metra, e për pasojë të ndërrojë jetë. Dyshimet e para janë se ai mund të jetë goditur nga rryma elektrike.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se shtetasi B.B, gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit, Himarë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.
Stuhia bën kërdinë! Era merr çdo gjë para, xhama të thyer, pemë të rrëzuara...3 të plagosur në Sarandë
SARANDË-Stuhia, e cila mbërtheu gjithë Ballkanin mbërriti edhe në Shqipëri ku mbrëmjen e djeshme qytetet bregdetare u prekën nga era e fortë dhe reshjet intensive të shiut me vetëtima të forta. Në kulmin e sezonit, Vlora, Himara, Borshi e Saranada u kthen 'në skenë filmash' për pushuesit', ku era e forë rrëzoi pemë, karrige e tabela përfunduan në rrugë e shëtitore.
Në Sarandë sipas informacioneve nga urgjenca e qytetit mësohet se tre shtetas kanë shkuar në spital të plagosur nga thyerja e xhamave si rrjedhojë e stuhisë. Punonjës të shërbimeve të bashkisë janë në terren dhe monitorojnë situatën e krijuar.
Rrufetë e njëpasnjëshme kanë ndriçuar qiellin e qyteteve bregdetar gjatë gjithë kohës së stuhisë./ZËRI