Me eskortë këmba-këmbës, vjen në Vlorë vegla nga Stambolli, pritet rikthimi i furnizimit me ujë (VIDEO)
VLORË- Pas katër ditësh ndërprerjeje, pajisja që do të mundësojë rikthimin e furnizimit me ujë në Vlorë ka mbërritur në qytet. Pjesa u sigurua në Stamboll dhe u transportua drejt Shqipërisë rreth orës 15:00, me avion, për të vijuar më pas drejt Vlorës.
Mbrëmjen e sotme ka rinisur menjëherë puna për rregullimin e tubit kryesor me diametër 1000 milimetra që shërbente për furnizimin me ujë të pijshëmn të Vlorës, i cili ishte çarë, duke lënë prej 4 ditësh pa ujë banorët e qytetit.
Situata ka shkaktuar reagime të forta, me protesta të përsëritura nga qytetarët e revoltuar. Ka pasur edhe përplasje me policinë, pasi nuk po merreshin masat e nevojshme për rregullimin e situatës./ZËRI
Vlora 4 ditë pa ujë! Mbërrijnë në Rinas pajisjet nga Turqia për të rregulluar defektin në tubacion (FOTO)
TIRANË- Pajisjet nga Stambolli për riparimin e defektit të ujësjellësit të ri të Vlorës kanë mbërritur pasditen e sotme në Rinas. Këto pajisje pritet të transportohen drejt Vlorës për të nisur menjëherë ndërhyrjen teknike.
Prej katër ditësh, qytetarët e Vlorës po përballen me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, si pasojë e një defekti të rëndë teknik në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Situata shqetësuese ka ngritur banorët në protestë që prej ditës së djeshme. Protesta ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme, teksa është shoqëruar edhe me tensione dhe mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Ndërkohë, në disa zona të Vlorës, Bashkia është duke shpërndarë ujë përmes autoboteve, por iu bën thirrje qytetarëve që ai të përdoret vetëm për shërbime komunale dhe jo për konsum./ZËRI
Vlora 4 ditë pa ujë! Rama: Vlonjatëve të mi u them ndjesë, plasi syri i keq
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e zhvilluar nga qytetarët e Vlorës dje dhe sot pas 4 ditësh pa ujë. Rama ka publikuar pamje nga transportimi i pajisjeve të nevojshme të nisura nga Stambolli që do të shërbejnë për të rikuperuar dëmin e ndodhur në tubacionin kryesor që furnizon me ujë qytetin.
Kreu i qeverisë u ka kërkuar falje banorëve të Vlorës, duke theksuar se tubacionet janë të periudhës 2009-2010 jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë ka shpërthyer.
Edi Rama: Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer… Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën. Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë.
“Kam 72 orë këtu, edhe unë nuk kisha ku të lahesha”, drejtori i Agjensisë Kombëtare të Ujësjellësit iu kërkon ndjesë vlonjatëve
VLORË- Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flauers Shoshi, është përballur me banorët e Vlorës, që kanë bllokuar aksin kryesor të qytetit, në shenjë proteste për mungesën e ujit prek disa ditësh. Shoshi iu kërkoi ndjesë banorëve, ndërsa theksoi se autoritetet kanë tentuar disa herë riparimin e defektit, por ndërhyrjet nuk kanë qenë të suksesshme për shkak të presioneve teknike.
Sipas tij, pajisjet e nevojshme janë në mbërritje dhe puna po vijon për zgjidhjen përfundimtare të problemit. Ai garantoi se furnizimi me ujë për qytetarët e Vlorës do të rikthehet brenda mesnatës së sotme, sapo të montohen pjesët që pritet të vijnë nga Turqia dhe Italia.
“Atëhere drejtori i përgjithshëm u ujësjellës kanalizime për të gjithë Shqipërinë. Kam 72 orë që jam këtu dhe nuk kisha ku të lahem. E di shqetësimin tuaj, ju kërkoj ndjesë për shqetësimin tuaj, problem shqetësim e marrim si të doni juve.
Që ta dëgjojmë dhe të komunikojmë me njëri-tjetrin. Për çfarë të gënjej? Do më dëgjosh tani? Atëhere ju lutem ta respektojmë njëri tjetrin që ta dëgjojmë njëri-tjetrin. Kemi tentuar tre herë ta bëjmë defektin por nuk ja kemi arritur për shkak të presioneve. Nëse nuk besoni hajdeni ta shikoni. Pajisjet janë duke ardhur dhe sot qytetarëve do ti rikthehet furnizimi me ujë në mesnatë. Kjo është fjala ime. Sot në mesnatë do t'iu vijë uji”, tha ai.
Ndërkohë qytetarët thanë se nëse furnizimi me ujë nuk rinis, protestat do të vijojnë. Ndërkohë një tjetër problematikë që ata ngritën ishte përhapja e një pandemie për shkak të ujit të shpërndarë nga AKUV. Drejtori tha se uji i shpërndarë nga autobotet është i kontrolluar dhe brenda parametrave për tu përdorur për pastrim, por jo për të pirë./ZËRI
Vlora në emergjencë, UKT: Ujin që po merrni nga autobotet mos e konsumoni, përdoreni vetëm për…
VLORË- Prej 4-5 ditësh qytetarësh e Vlorës po përballen me mungesën e ujit, si pasojë e një defekti në rrjetin kryesor të ujësjellësit, situatë e cila ka çuar në protesta nga ana e qytetarëve. Në disa zona të Vlorës, Bashkia është duke shpërndarë ujë përmes autoboteve, por iu bën thirrje qytetarëve që ai të përdoret vetëm për shërbime komunale dhe jo për konsum.
“Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t'a përdorin për shërbime komunale dhe jo për konsum”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit të Vlorës.
Pas katër ditësh pa ujë, qytetarët e Vlorës po protestojnë këto dy ditë përpara Bashkisë dhe në rrugët e qytetit, ndërkohë që situata paraqitet emergjente. Pasi gjetën të mbyllur derën e Bashkisë, dhe u përballën me punonjësit e policisë, protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin kryesor të qytetit, të njohur si “Kapelja”. Si pasojë, kryqëzimi është plotësisht i bllokuar, ndërsa radhë të gjata automjetesh janë krijuar në të gjitha akset kryesore të qytetit. Protesta po zhvillohet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm prej katër ditësh, situatë që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te banorët, ndërsa autoritetet nuk kanë ende një afat se kur defekti në tubacionin kryesor të qytetit do të rregullohet./ZËRI
KAOS në Vlorë, qytetarët në rrugë pas mungesës së ujit të pijshëm, bllokojnë kryqëzimin kryesor
VLORË- Protesta e qytetarëve për mungesën e ujit ka sjellë kaps në qytetin e Vlorës. Pasi gjetën të mbyllur derën e Bashkisë, dhe u përballën me punonjësit e policisë, protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin kryesor të qytetit, të njohur si “Kapelja”.
Si pasojë, kryqëzimi është plotësisht i bllokuar, ndërsa radhë të gjata automjetesh janë krijuar në të gjitha akset kryesore të qytetit.
Protesta po zhvillohet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm prej katër ditësh, situatë që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te banorët, ndërsa autoritetet nuk kanë ende një afat se kur defekti në tubacionin kryesor të qytetit do të rregullohet.
Nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Shpëtim Alliaj po përpiqet të negociojë me protestuesit për hapjen e rrugës në mënyrë që qytetarët e tjerë të qarkullojnë normalisht.
“Me ndihmën e Zotit pajisjet e ndërrimit do vijnë sot”, drejtori i UKV-së në Vlorë merr përgjegjësinë për mungesën e ujit
VLORË- Vlonjatët vuajnë prej pothuajse 5 ditësh mungesën e ujit, ndërsa dje dhe sot kanë dalë në protestë përpara Bashkisë të qytetit, ku dyert i kanë gjetur të mbyllura. Pas parashikimeve shpresëplota të deputetit të qarkut Ardit Bido se defekti do të zgjidhej sot, edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (UKV) në Vlorë Ermal Murati, shpreson në Zot, se pjesët e këmbimit për tubacionin, do të mbërrijnë pasditen e sotme nga Turqia dhe Italia.
Në një prononcim për Top Channel, drejtori i UKV-së njofton se po punohet për zgjidhjen e situatës dhe se pritet që sot, në orën 17:00, të mbërrijnë materialet e porositura nga Stambolli dhe Italia për rregullimin e linjës së tubacionit.
“Ka ndodhur në mesnatë, më datë 25, dhe atë natë është bërë verifikimi, por për shkak të terrenit u vendos që ndërhyrja të bëhej të nesërmen. Janë vendosur dy pajisje që u mendua se do zgjidhnin situatën. Pajisjet e ndërrimit janë specifike; janë tentuar dy herë, por tentativat kanë dështuar. Materialet do të mbërrijnë, me ndihmën e Zotit, në orën 5 nga Stambolli dhe Italia, dhe do të bëhet ndërhyrja sonte. Do të bëjmë një përditësim më vonë dhe do të lajmërojmë qytetarët. Problemi ishte te tubacioni i linjës kryesore. Materialet janë specifike, i kemi gjetur, do të vijnë sonte dhe, me ndihmën e Zotit, do ta përfundojmë deri në darkë”, deklaroi drejtori Murati. Nga ana tjetër protestuesit dolën sot para Bashkisë, ku hodhën letra higjienike e vezë përpara godinës. /ZËRI
“O Bruna, hajde na sqaro këtu, nuk je inxhiniere ti…”, qytetarët protestë para Bashkisë për ujin, Mersini iu mbyll telefonin
TIRANË- Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot përpara Bashkisë së qytetit, ku kërkojnë llogari për mungesën e ujit prej disa ditësh. Banorët kanë pasur dhe një telefonatë me kryetaren e Bashkisë Bruna Mersini, e cila sot nuk është e pranishme në zyrë, me pretendimin se ka shkuar të ndjekë nga afër defektin që ka ndodhur në rrjetin e furnizimit me ujë.
“Ti nuk je inxhiniere, nuk je specialiste, nuk ka nevojë që të rrish aty te ujësjellësi, mos mbaj peshën e Belinda Ballukut, po hajde na sqaro këtu”, i tha njëri prej qytetarëve Mersinit, me këtë të fundit që i mbylli telefonin.
View this post on Instagram
Qytetarët kanë hedhur letra higjienike në drejtim të godinës së Bashkisë, ndërsa kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë për problematikën e tyre.
“Na i kanë kthyer shtëpitë në dhoma shurre, ose do vijmë tiua bëjmë shurrën këtu te bashkia”, u shpreh njëri prej protestuesve.
"Vlora ka katër ditë pa ujë, detyrohemi të protestojmë në mënyrën demokratike. U qelbëm. Ka ndodhur dhe situata të tilla më parë, por jo kaq. Qelbet shtëpia. Kryetarja e bashkisë shkon feston, populli është pa ujë”, tha një tjetër protestues.
Ndërsa një qytetar tjetër tha “Shteti s’na përgjigjet, nuk di se ku ka kokën. Jemi qytetarë të ndershëm, ka detyrime shteti? Atëherë pse nuk na përgjigjet?! Jemi qelbur, kemi blerë bidona me ujë. Është hall i madh. S’ka punë politika këtu. Jeta është uji”.
“Duam ujë, ujë. Ujë o ujë. O qeveritarë të poshtër, duam ujë. O maskarenj, o të degjeneruar. Pa ujë nuk ka jetë. O maskarenj që jeni në pushtet. Ka 5 ditë pa ujë. Po zihemi me fëmijët se duan të lahen. I paçi haram ato votat”, shprehen të revoltuar qytetarët.
Qytetarët shprehen se situata në banesat e tyre është alarmante, dhe se kanë shkuar në të afërmit e tyre për t’u larë, për shkak të mungesës së ujit. Shumë prej protestuesve që janë mbledhur sot përpara bashkisë, janë emigrantë që janë kthyer për festat e fundvitit në Vlorë, por janë duke u përballur me një gjendje skandaloze, siç është mungesa e ujit prej pothuajse 5 ditës. /ZËRI
Vlora pa ujë! Vlonjatët në protestë, teknikët dhe inxhinierët nisin provën e tretë për furnizimin
VLORË-Qyetarët e Vlorës teksa kanë hyrë në ditën e katërt pa ujë, janë mbledhur në një protestë para Bashkisë së vendit. Nga ana tjetër, ka nisur prova e tretë për furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm. Për të bërë të mundur zgjidhjen e këtij problemi janë hapur vetëm disa pompa, në mënyrë që uji të ketë presion të ulët. Ky proces pritet të përfundojë pas aktivizimit të plotë të pompave, gjë e cila do të sjellë edhe furnizimin e plotë me ujë për banorët.
'Vlora në mesjetë'! DITA 4 pa ujë- Gomina montohet gabim, inxhinierët çmontojnë sërish, vlonjatët presin 'parashikimin' për sot
VLORË-Vlora ka hyrë në ditën e katërt që nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Banorët prej ditësh tashmë presin në radhë në burimet e qytetit me mjete provizore dhe primitive për të mbushur ujë. Mbrëmjen e djeshme (28 dhjetor) vlonjatët e revoltuar u ngritën në protestë duke prishur mbrëmjen gala të organizuar nga Bashkia në teatrin e qytetit, ku u konfliktuan me policinë deri në përplasje fizike. Vlonjatët kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë dhe sot në orën 10:00 do të protestojnë para Bashkisë.
'Parashikimet' për rikthimin e furnizimit me ujë mbëmjen e sotme
Një defekt i linjës kryesore ka ndërprerë ujin për mijëra familje. Ujësjellësi i Vlorës vijon punën prej tre ditësh për riparimin e defektit, por presioni i lartë i linjës që furnizon qytetin shkakton sërish çarje të pjesëve të salduara. Edhe gjatë mbrëmjes së kaluar, tentativa e fundit dështoi, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit normal me ujë.
Deputeti i PS, Ardit Bido u shpreh se uji mund të rikthehet sot. Bido njoftoi se ndërhyrjet janë në fazën përfundimtare dhe po punohet për rikthimin gradual të furnizimit, por punimet janë duke vijuar me problematika. Sipas vetë banorëve, zhvillimi i fundit ishte se gomina kryesore që duhej montuar në tub ishte çuar gabim dhe puna kishte rifilluar nga fillimi nga teknikët dhe inxhinierët per ta çmontuar dhe montuar përsëri lidhjen.
Edhe pas përditësimit të fundit nga situata me punimet, një lajm i mirë për vlonjatët pritet mbrëmjen e sotme./ZËRI