DËSHMIA FLAGRANTE/ Gerond Meçe zbulon bandën edhe në KPP, kush janë anëtarët në dosjen e AKSHI-t
TIRANË-Gjithë skena e pengmarrjes së biznesmenit Gerond Meçe më 12 gusht të këtij viti është zbardhur në dosjen e SPAK siguruar nga ZËRI në lidhje me hetimet për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Por përveç pasazhit të rrëmbimit të biznesmenit dhe emrave të të akuzuarve Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët dyshohen se kanë urdhëruar pengmarrjen, janë zbardhur edhe personazhet që qëndrojnë pas lirimit të tij.
Në dosjen e siguruar nga ZËRI, në skenë dalin anëtarët e Komisionit të Prokurimeve Publike. Por çfarë roli patën Fiorent Zguri nënkryetari i KPP dhe anëtarët e Komisionit Kreshnik Tërnov, Anila Malaj dhe Gjergji Mersini?
Gjithçka fillon në ditën e rrëmbimit, ku vetë biznesmeni Gerond Meçe ka deklaruar se më 12 gusht pengmarrësit e liruan pasi morën konfirmim se tërheqjetnga tenderat ishin depozituar nga kompania në sistemin e KPP. Meçe rrëfen se për të verifikuar në kohë reale një tërheqje nga procedurat e ankimimit, duhet të ketë një autoritet apo lidhje brenda KPP që ka akses dhe kompetencë për ta bërë këtë verifikim. Për akses ai jep emrin e Kreshnik Tërnovës, anëtar i KPP. Sipas dëshmisë së tij anëtari i KPP ka lidhje me biznesmenin Ermal Beqirin dhe janë parë bashkë në restorantin ‘Markata e Peshkut’, në Pazarin e Ri.
"Dyshoj se ky person është shtetasi Kreshnik Ternova, anëtar i KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se Kreshnik Tërnova ka lidhje me shtetasin Ermal Beqiri dhe janë parë bashkë në restorantin ‘Markata e Peshkut’, në Pazarin e Ri. Gjithashtu, ka shumë procedura ku, edhe kur KPP i ka dhënë të drejtë kompanisë sonë, anëtari i KPP, Kreshnik Timova, ka qenë në minorancë. Theksoj edhe një rast konkret, lidhur me një procedurë për mirëmbajtjen e sistemit të kamerave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku ky anëtar, gjatë mbledhjes ballafaquese mes KPP dhe kompanisë ankimore, i është drejtuar autoritetit kontraktor duke i sugjeruar që ta klasifikonte procedurën si tender i klasifikuar, gjë që ishte drejtpërdrejt me qëllim nxjerrjen jashtë loje të kompanisë sonë,"-zbardhet dëshmia e Meçes në dosjen e SPAK.
Dyshimet shtohen kur një ditën pas rrëmbimit, shoqëria ‘ABS’ ka paraqitur kërkesë për pezullimin e ‘njoftimit të tërheqjes’ pranë KPP dhe AKSHI, me argumentimin se sistemi ishte hakuar një ditë më parë. KPP pa kryer verifikimet ka marrë vendim më datë 13.08.2025 për mospranimin e pezullimit të njoftimit të tërheqjes, edhe pse nuk kishte kohë që kjo çështje të shqyrtohej në vetëm një ditë dhe vendimi duhej të përgatitej të paktën 24 orë përpara.
"Propektvendien i KPP me nr. 1056, datë 13.08.2025 protokolluar me numër 1988/4+1, datë 08.2025, i përbere nga Fiorent Zguro, Kreshnik Tërnova, Anila Malaj dhe Gjergji Mersini në të cilën KPP vendos të përfundojë procedimin administrativ për këtë procedurë prokurimi, nënshkruar nga të gjithë anëtarët,'-thuhet në dosjen e hetimit.
Projektvendimi është punuar nga E. Streza. Vendim i KPP me nr. 1056, datë 13.08.2025, protokolluar me numër 1988/5 datë 13.08.2025, i përbërë nga Fiorent Zguro, Kreshnik Ternova dhe Anila Malaj në të cilën KPP vendos të përfundojë procedimin administrativ për këtë procedurë prokurimi, nënshkruar vetëm nga shtetasi Fiorent Zguro në cilësinë e Nënkryetarit. Shkresë nr. 1988/6, datë 13.08.2025 i KPP dërguar AKSHI dhe "ABS" sh.p.k. në të cilën dërgohet vendimi i mësipërm.
Në arsyetim KPP deklaron se flitet për kërkesë për tërheqje dhe jo për njoftim për tërheqje. Sipas Komisionit të Prokurimeve Publike pretendimet e Meçes janë të pabazuara dhe hamendësime dhe vendos të mos pranojë kërkesën e "ABS" sh.p.k., për rishikim të vendimit të ndërprerjes së procedurës administrative.
Në pjesën arsyetuese të vendimit nga KPP thuhet se: "Pretendimi i operatorit ekonomik në shkresën e datës 13.08.2025, në të cilën deklaron se tërheqja nga ankesa nuk është bërë me vullnetin e tyre, nuk përmban prova konkrete si akt ekspertize nga ekspertë të licencuar, komunikim me AKSHI. Pretendimet nuk mund të merren në shqyrtim nga KPP por nga organet hetimore me karakter penal. OE nuk parashtron fakte apo dyshime të bazuara por ngre pretendime apriori, duke ngritur dyshime dhe hamendësime lidhur me ndërhyrjen në sistemin e-albania, në llogarinë e operatorit nga persona të paautorizuar. Gjithashtu KPP konstaton se kërkesa për tërheqje përmban të gjitha elementët e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative, formën e mundshme e cila në rastin konkret është e shkruar, kërkesa ka përcaktuar qëllimin i cili në rastin konkret është tërheqja nga ankesa 1988/2025, si dhe kërkuesin i cili është OE kërkues. Për këto arsye KPP ka vendosur të mos pranojë kërkesën e "ABS" sh.p.k., për rishikim të vendimit të ndërprerjes së procedurës administrative. Projektvendimi është punuar nga E. Streza. Vendim me nr. 1093/2025, datë 20.08.2025 protokolluar me numër 1988/8, datë 20.08.2025 në të cilën janë parashtruar të gjitha konstatimet dhe vendimet e shënuara në projektvendim. Ky vendim është nënshkruar vetëm nga shtetasi Fiorent Zguri në cilësinë e Nënkryetarit të KPP. Shkresë nr. 1988/9, datë 20.08.2025 i KPP drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, "ABS" sh.p.k., në të cilën dërgohet vendimi i mësipërm.
Por, si ndodhi rrëmbimi? Më datë 12 gusht të këtij vitit, biznesmeni Gerond Meçe u rrëmbye nga disa persona që ishin të veshur me uniformë policie dhe agjentë të BKH, të cilët më pas e kanë dhunuar dhe kanosur me armë. Siç bëhet me dije në dosjen e siguruar nga ZËRI, pengamrrja ka zgjatur për disa orë dhe është bërë kryesisht në zonënë e Elbasanit, deri në arritjen e qëllimit: Tërheqja e tij nga të gjitha ankimimet për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n. Gjatë hetimeve u zbulua se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e policisë, kanë marrë peng Gerond Meçen, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSHI dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara./ZËRI
"Plumb kokës, do të të vrasim familjen" Si Meçe tërhoqi ankimimet për tenderat e AKSHI, rrëfimi për pengmarrjen
TIRANË-Në dosjen e SPAK, në lidhje me hetimet për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku në qendër të akuzave janë Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, është zbardhur e plotë pengmarrja e biznesmenit Gerond Meçe. Në dosjen e siguruar nga ZËRI, në dëshminë e tij Meçe ka zbuluar gjithë intinerarin e autorëve që e rrëmbyen dhe kërcënimet ndaj tij.
Pengmarrja u krye me qëllim që biznesmeni të tërhiqej nga çdo procedurë tenderimi. Biznesmeni rrëfen se u rrëmbye nga disa persona që ishin të veshur me uniformë policie dhe agjentë të BKH, të cilët më pas e kanë dhunuar dhe kanosur me armë. Pamje të cilat janë vërtetuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë. Pengamrrja ka zgjatur për disa orë dhe është bërë kryesisht në zonënë e Elbasanit, deri në arritjen e qëllimit: Tërheqja e tij nga të gjitha ankimimet për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n. Biznesmeni ka rrëfyer se ka bërë rezistencë por është kërcënuar me jetën e tij dhe familjarëve.
DËSHMIA E PLOTË:
Deklaruesi ka dëgjuar shoferin, i cili ishte me maskë, duke i folur personit të parë dhe duke i kërkuar të merrte dy çantat e deklaruesit nga bagazhi i makinës së tij. Personi i parë i ka marrë dhe i ka futur në automjet. Pasi janë futur brenda, deklaruesi i ka pyetur: ‘Keni ndonjë letër, ju lutem, ma jepni’. Personi i parë, që ishte në vendin e pasagjerit para, i ka thënë se ishte i arrestuar dhe i ka thënë personit të dytë, në të djathtën e deklaruesit, t’i vinte prangat. Deklaruesi ka kërkuar sërish t’i jepnin dokumentet dhe të lejohej të telefononte familjen. Personi i parë i ka thënë se dokumentet do t’ia jepnin në komisariat, ndërkohë që makina ka lëvizur për të dalë nga oborri i pallatit.
Personat mbrapa kanë tentuar t’i vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vendoste prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që deklaruesi të dyshojë se këta nuk ishin punonjës siç u prezantuan.
Në momentin kur po i vinin prangat, deklaruesi u ka thënë: ‘O çuna, unë nuk jam kriminel’. Personi i dytë i ka thënë: ‘Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!’, ndërkohë që shoferi ka thënë: ‘Vini kapuçin’. Teksa po dilnin nga parkimi i oborrit, deklaruesi ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vendosur kapuç të zi në kokë. Këtu deklaruesi thotë se e ka kuptuar që personat nuk ishin nga SPAK.
Makina ka ndaluar për pak sekonda në semafor. Deklaruesi ka menduar se do vazhdonin drejt, ndërkohë që makina ka devijuar majtas. Ai i ka pyetur në cilin komisariat do ta çonin. Personi i parë i ka thënë: ‘Në komisariatin më të afërt’. Sipas deklaruesit, lëvizjet e makinës ishin në drejtim të Durrësit, çka i ka krijuar bindjen se nuk ishin policë. Deklaruesi u ka thënë: ‘Çuna, e mora vesh se çfarë jeni’.”
“Makina ka marrë drejtimin për nga Astiri dhe në ato momente u kam thënë: ‘Çuna, unë jam në moshë dhe kapuçi që kam në kokë më pengon frymëmarrjen’. Kur makina futet në Unazë të Madhe dhe kalon Astirin, më heqin kapuçin nga koka, por personi i tretë, në të majtën time, mundohej të ma mbante kokën poshtë dhe të më mbulonte fytyrën me dorë. Pavarësisht kësaj, unë kam parë gjithë itinerarin që kanë përshkuar.
Personi i parë, pasagjeri para, më ka kërkuar passwordin e telefonit. Unë i thashë që do ta jap në komisariat. Personi i tretë filloi të ushtronte forcë te prangat, duke m’i shtrënguar, pas refuzimit për t’ua dhënë passëordin. Ata thanë: ‘Ta tregojmë ne, e dimë ne çfarë je ti, hajdut je ti’.
Makina ka marrë drejtimin për nga Elbasani, pas Unazës së Madhe. Më pas kanë bërë dalje për në fshatin Krrabë dhe makina ka vijuar rrugën e vjetër të Elbasanit. Gjatë kësaj kohe ata nuk kanë komunikuar.
Kur kanë ndaluar, ora në automjet shënonte rreth 11:20 dhe jemi gjendur në një vend si shesh i madh, në fshatin Gracen, me pamje nga fshati Papër, pasi në atë pozicion shikohej gjurma e rrugës së re që po hapet, Elbasan, Durrës. Në krah të majtë ishte një godinë me tulla të bardha, e braktisur, një katëshe, pa dritare, dhe një pemë përtej murit rrethues të rrugës.
Më kërkuan të dal jashtë nga makina dhe vazhduan të më kërkojnë passwordin e telefonit. Fillimisht refuzova t’ua jap dhe në këtë moment vjen shoferi dhe më godet me shuplakë. Më marrin telefonin dhe e vendosin te gishti im, pasi duart i kisha mbrapa. Personi i tretë m’i heq prangat nga mbrapa dhe m’i vendos përpara. Aty arritën ta hapin telefonin me gjurmën e gishtit tim dhe unë mendova që në atë moment ata e kaluan direkt në airplane mode.
Në një moment më të mëparshëm, pa u futur akoma në Unazë të Madhe, telefoni kishte rënë pa pushim. Kjo më dha shpresë që dikush po më kërkonte dhe prandaj nuk pranoja t’u jepja passëordin, sepse shpresoja se dikush do të më gjente.
Personi i parë, pasagjeri para, më tha: ‘Po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me passëordin, se në të kundërt ke plumbin në kokë’. Ky është edhe momenti ku të tre, përveç shoferit, demonstruan armët e shkurtra që kishin në brez. Personi i dytë e nxori pistoletën nga brezi, e mbajti në dorë dhe bënte veprime duke nxjerrë dhe futur karikatorin, ndërkohë që personi i parë po e mbante pistoletën në dorë duke më kërcënuar: ‘Do bashkëpunosh apo si e ke?’.
Unë i thashë: ‘Ore për çfarë të bashkëpunoj?’. Personi i parë, që kishte qenë i veshur me jelek me mbishkrimin BKH, të cilin e kishte hequr tashmë, shkoi te makina dhe doli me një zarf të bardhë në dorë. E hapi zarfin dhe më dha një letër që kishte një tabelë Excel dhe më tha: ‘E njeh këtë letër?’. Më treguan letrën, e cila kishte një tabelë ku, nga emërtimi, kuptohej se ishin shkruar tenderat për të cilët kompania ime kishte bërë ankesa dhe në një kolonë ishte edhe gjendja, situata e tenderit në KPP. Në këtë letër pashë edhe një procedurë ku ishte shkruar Gjykata Administrative.
Ata më pyetën: ‘A e kuptove?’. Në momentin e parë u thashë jo, por e perceptova që dikush e kishte organizuar këtë ngjarje për shkak të ankimimeve të mia. Në perceptimin tim, në atë moment mund të ishin shtatë deri në nëntë procedura.
Personi i parë më pyeti sërish: ‘E kuptove?’. Unë i thashë: ‘Çfarë duhet të kuptoj?’. Ai më tha: ‘Janë tendera që ke ankimuar ti dhe duhet të tërhiqesh. Nuk kemi punë me lekët e tua, ne e dimë që ke lekë, i gëzofsh ato, por s’ke punë te këto procedura dhe do të tërhiqesh nga këto procedura’.
U thashë se nuk jam më administrator, gjë të cilën ata thanë se e dinin, por u kërkova kompromis që do ta bëja ditën në vijim nëse e donin. Personi i parë i thotë që duhet të tërhiqesh edhe nga gjyqi në Gjykatën Administrative.”
“Në këto momente gjatë kohës kur personi i parë fliste me deklaruestin, ka parë që shoferi, por dyshon se edhe një person i pestë ka ardhur aty me një makine tjetër. (Dyshon makinë Volvo)
Në këtë moment ka folur në telefon me administratorin e kompanisë, Shkëlqim Kerluku dhe i thonë “Po ti na the që nuk (nuk kuptohet transkrptimi, por administratori thotë bëhet). Nga ky moment Geroni ka qenë i lidhur me pranga në duar dhe personi i dytë dhe i tretë rrinin roje me të, ndërkohë që shoferi dhe personi i parë kanë qenë tek godina. Dyshon se ka qenë edhe një person i pestë i përfshirë në këtë aktivitet. Gjatë kësaj kohe personi i dytë dhe i tretë i heqin rrobat e policisë, ku personi i dytë është me këmishë dhe personi i tretë me bluzë të bardhë.
Ky i fundit hoqi edhe maskën. Personi i trtë në një moment i thotë që “Po të të shoh në Elbasan do të të flas, nuk e di për ty, por unë do të të flas”. Për të arritur qëllimin që kishin, pra tërheqjen e kompanisë nga procedurat, grupi që kreu rrëmbimin ka komunikuar me administratorin me telefonin e tij nëpërmjet komunikacionit Whatsapp, si dhe ia kanë dhënë telefonin për shkak se nuk po realizohej qëllimi i tyre për tërheqje. Gjatë kësaj kohe e kanë lejuar të flasë edhe me gruan time, të cilës i ka thënë se ‘zemër jam mirë, kam ca punë dhe do të të marr më vonë’.
Ndërkohë që telefoni i tij binte pa pushim dhe në një moment afrohet personi numër një dhe i thotë: ‘Fol dhe qetësoje pak këtë personin, se vazhdon dhe i bie shumë telefonit’. Ka parë që ishte numri i vëllait tim dhe ka folur me të. Ai i tha: ‘Ku je, jam shumë i shqetësuar:’ ndërsa deklaruesi i ka thënë: ‘Nuk ke pse të shqetësohesh, por fol me administratorin, Mimin’.
Gjatë kohës që kam qenë me personin e dytë dhe personin e tretë, ka bërë biseda të ndryshme dhe ka marrë vesh se personi i tretë sapo ishte bërë baba me një vajzë. Gjithashtu, ka konstatuar se të tre personat kishin dialekt të theksuar të Elbasanit, gjë që e kupton shumë mirë pasi është vetë nga Elbasani.
Ndërkohë që po priste në automjet me personin dy dhe tre ata e pyetën: ‘Sa zgjat kjo procedurë?’. Po ashtu e pyetën edhe personin e parë: ‘Çfarë po presim?’. Personi i parë u tha se ‘nuk kemi konfirmim’. Kam parë orën e automjetit dhe shënonte rreth 15:10.
Në një moment tjetër personi i tretë shkoi drejt bagazhit të automjetit dhe aty u afrua personi i parë, i cili tha: ‘Në polici nuk ka denoncim’. Rreth orës 16:20 janë futur të gjithë në automjet në të njëjtat pozicione si në fillim dhe kanë marrë rrugën për t’u nisur drejt Elbasanit, në rrugën e vjetër. Gjatë nisjes, pasi i tha shoferi, më hoqën prangat dhe shoferi më tha: ‘Po hap sytë, po shikon ku je’. Unë i thashë: ‘E di shumë mirë se ku jam, jam nga Elbasani dhe këtu jemi në Gracen’.
Gjatë rrugës kanë përdorur sirenën e policisë për të parakaluar automjete të tjera. Më pas makina u fut në drejtim të fshatit Shijon, por në këtë moment personi i parë po fliste në telefon me dikë tjetër, i cili i tha të ndryshonin itinerarin dhe ta kthenin në rrugën nacionale. Automjeti u kthye dhe më lanë rreth 200 metra larg rrethrrotullimit të parë që futesh për në autostradën Elbasan, Tiranë.
Në momentin që po më linin, shoferi më tha: ‘Nuk duam probleme nga ty, nuk duam denoncime nga ty. Në të kundërt do të vrasim ty, gruan, motrën, nënën, se babë nuk ke ti’. Më dhanë mbajtësen e kartave të kreditit dhe syzet e diellit dhe më premtuan se do të më sillnin sendet e tjera në recepsionin e qendrës së biznesit ku kam zyrën, por çantën e shpinës me laptop Lenovo, çantën e dorës dhe telefonin. Sqaron se këto sende nuk ia kanë sjellë ende.
Pas lirimit, kam dalë në rrugën nacionale dhe jam drejtuar drejt rrethrrotullimit tjetër të Bradasheshit, ku ndodhet një karburant. Rastësisht, duke pritur për automjete të rastit apo autobus, ka kaluar një makinë e zyrës, me shofer inxhinierin Jorgis Sollaku, i cili kishte qenë për punë në Berat. Nuk i ka treguar asgjë dhe ai e ka sjellë në Tiranë deri te Toptani, ku kam shkuar në zyrën tij.
“Pasi jam kthyer në Tiranë dhe kam shkuar në zyrën time, kam mësuar se familjarët kishin kuptuar që unë mund të isha rrëmbyer dhe po prisnin orën 18:00 për të bërë denoncim, pasi kontaktet me mua ishin shkëputur që nga ora 15:00. Babai i tij kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte thënë gruas dhe nënës: “Më duket Geronin e kanë...
Gruaja ka filluar dhe e ka marrë në telefon. Pas kësaj, babai im ka njoftuar vëllain tim.
Vëllai im ka parë pamjet filmike të ngjarjes, të cilat i ka marrë në një USB, dhe ka identifikuar automjetin. Ai ka shkuar në të gjitha komisariatet e policisë për të pyetur nëse ishte i shoqëruar apo i ndaluar, si edhe ka kontaktuar SPAK për të pyetur për shoqërimin apo ndalimin e tij. Për shkak se nuk ka marrë asnjë informacion, ka dyshuar për rrëmbimin e Gerondit dhe më ka telefonuar pa pushim. Ka shkuar në zyrë dhe kishte mësuar se ishte bërë tërheqje për më shumë procedura se ato që i tregoi administratorit në tabelën EXCEL, grupi që e mori në makinë.
Administratori i kompanisë, Shkëlqim Kerluku, ka hartuar dokumentet e tërheqjes nga ankimimet dhe ka shkuar personalisht për t’i dorëzuar pranë KPP dhe AKSHI, por këto dokumente nuk janë pranuar nga KPP, me arsyetimin se nuk ishte procedurë. Për këtë arsye, administratori ka qenë i detyruar të procedojë më tej me tërheqjen përmes sistemit elektronik, e cila është publikuar rreth orës 15:00 të datës 12.08.2025.
Ka dyshime se grupi që e mori peng e liroi rreth orës 16:20 të datës 12.08.2025, vetëm pasi mori konfirmim se tërheqjet ishin depozituar nga kompania në sistemin e KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se, nga eksperienca e tij në këtë fushë, për të verifikuar në kohë reale një tërheqje nga procedurat e ankimimit, duhet të ketë një autoritet apo lidhje brenda KPP që ka akses dhe kompetencë për ta bërë këtë verifikim.
Dyshoj se ky person është shtetasi Kreshnik Ternova, anëtar i KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se Kreshnik Tërnova ka lidhje me shtetasin Ermal Beqiri dhe janë parë bashkë në restorantin ‘Markata e Peshkut’, në Pazarin e Ri. Gjithashtu, ka shumë procedura ku, edhe kur KPP i ka dhënë të drejtë kompanisë sonë, anëtari i KPP, Kreshnik Timova, ka qenë në minorancë. Theksoj edhe një rast konkret, lidhur me një procedurë për mirëmbajtjen e sistemit të kamerave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku ky anëtar, gjatë mbledhjes ballafaquese mes KPP dhe kompanisë ankimore, i është drejtuar autoritetit kontraktor duke i sugjeruar që ta klasifikonte procedurën si tender i klasifikuar, gjë që ishte drejtpërdrejt me qëllim nxjerrjen jashtë loje të kompanisë sonë.
Shtoj se ditën pas rrëmbimit, shoqëria ‘ABS’ ka paraqitur kërkesë për pezullimin e ‘njoftimit të tërheqjes’ pranë KPP dhe AKSHI, me argumentimin se sistemi ishte hakuar një ditë më parë. Pavarësisht kësaj kërkese për pezullim, KPP, në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim më datë 13.08.2025 për mospranimin e pezullimit të njoftimit të tërheqjes, edhe pse nuk kishte kohë që kjo çështje të shqyrtohej në vetëm një ditë dhe vendimi duhej të përgatitej të paktën 24 orë përpara.
Më pas, shoqërisë i ka ardhur një njoftim ku firma elektronike rezulton të jetë vendosur më datë 15 gusht dhe jo më datë 13 gusht, siç pretendohet. Sipas ligjit për KPP, flitet për kërkesë për tërheqje dhe jo për njoftim për tërheqje, siç është trajtuar në rastin tonë. Çdo procedurë e ankimuar nga ana jonë në KPP zgjat më shumë se dy muaj, ndërkohë që procedurat e ankimuesve të tjerë nuk zgjasin kaq shumë, gjë që e bën të mendojë se kjo bëhet qëllimisht.”
“Deklaruesi shpreh bindjen se personi që ka organizuar rrëmbimin është shtetasi Ermal Beqiri. Arsyeja pse e pohon këtë me bindje lidhet me faktin se, pas çdo procedure të ankimuar nga ana e tij, fituese rezulton një nga kompanitë e lidhura me Ermal Beqirin ose kompani që veprojnë në orbitën e tij.
DOSJA e AKSHI-t! Zbulohet skema e pastrimit të parave-Andis Papa “bleu” 10 mln euro çokollata dhe biskota
TIRANË- Në dosjen e spak lidhur me hetimin e tenderave në AKSH, siguruar nga ZËRI dëshmitë e administratorëve të kompanive kanë zbuluar edhe një skemë të transferimit dhe pastrimit të parave. Konkretisht në harkun kohor të tre viteve 2018–2020–2021, 10 milion euro i janë kaluar me fatura një distributori çokollatash dhe biskotash, kompanisë “Mega Distribution”.
Shoqëria në fjalë është në pronësi të Rogers Rrytës dhe babit të tij. Nga të dhënat e dosjes rezulton se ndër personat e proceduar ndodhet edhe biznesmeni Rogers Rryta. Në dosje thuhet se gjatë kohës që ka qenë administrator i kompanisë, Rogers Rryta ka patur marrëdhënie tregtare me kompanitë “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. për tregtimin e çokollatave dhe biskotave. Nuk e mban mend si ka filluar konkretisht kjo marrëdhënie tregtare. Nuk ka patur kontrata me këto kompani dhe nuk i kujtohet se çfarë produkti kanë blerë ato, si janë transportuar, ku kanë qenë të magazinuara etj.
Në dëshminë e tij ai thekson se aktiviteti i kompanisë së tij kufizohet vetëm në tregtimin e produkteve ushqimore dhe veshjeve, duke theksuar se nuk kanë asnjë lidhje apo aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit apo produkteve IT.
Lidhur me kreditimet me fonde të vazhdueshme gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, në shumë totale mbi 10 milion euro në llogaritë bankare të subjektit të tij, në monedhat Euro, USD dhe ALL, deklaron se janë pagesa ndaj faturave që bëhen për shitje. Këto fatura lidhen me shitjen e çokollatave dhe biskotave. Këto fonde janë përdorur për të vazhduar aktivitetin tregtar që ai ka. Nuk ka dijeni për aktivitetin tregtar që kryejnë subjektet “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. Nuk njeh shtetasin Ermal Beqiri, nuk ka patur ndonjëherë marrëdhënie me të. Nuk njeh shtetasin Andis Papa, nuk ka patur ndonjëherë marrëdhënie me të. Të njëjtin qëndrim deklaron edhe lidhur me shtetasit Ergys Agasi dhe Mirlinda Karçanaj.
Ndërsa pronari i 'Fastech', Andis Papa fillimisht ka deklaruar se blerjet nga 'Mega Distribution' në masën 10 milionë euro përfaqësonin shërbime teknologjie, por kur është vënë përpara fakteve nga hetuesit e BKH se 'Mega' shiste vetem cokollata dhe biskota ka ndryshuar version.
“Sic ju thashë nuk e di mire çfarë kemi blerë. Kemi bërë dhe kontrata me këtë shoqëri. Mbaj mend që ata sillnin produkte nga Turqia.”
Ndaj biznesmenëve Rogers Rryta dhe Andis Papa, SPAK dhe GJKKO kanë caktuar masën e sigurisë bllokim pasaporte, ndërsa hetimet vijojnë.
“SPAK-u, je i arrestuar" Si u rrëmbye Meçe? Dëshmia: S'jam kriminel...më vunë kapuçin e zi, nuk dinin të vendosnin prangat
TIRANË-Në dosjen e SPAK siguruar nga ZËRI në lidhje me hetimet për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku në qendër të akuzave janë Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, përfshihet edhe dëshminë e Gerond Meçes, biznesmenit që u mor peng. Më datë 12 gusht të këtij vitit, biznesmeni Gerond Mece u rrëmbye nga disa persona që ishin të veshur me uniformë policie dhe agjentë të BKH, të cilët më pas e kanë dhunuar dhe kanosur me armë.
Në lidhje me ngjarjen biznesmeni ka rrëfyer se personat i janë prezantuar si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Meçe ka deklaruar se ndohej poshtë pallatit të tij kur i janë afruar me makinë dhe i kanë thënë të shkojë me ta. Pasi hyri në mjet biznesmeni rrëfen se personat ishin pa maska por me bluzat e policisë dhe ju kërkoi një letër/dokument ndalimi, por i komunikuan se ishte arrestuar dhe më pas i kishin vendosur kapuçin në kokë për të mos parë itinerarin e lëvizjes. Pas kësaj, Meçe thotë se kishte kuptuar që ishte marrë peng pasi personat në makinë që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së nuk dinin të vendosnin pranga.
Dëshmia e Meçes:
Ka hapur nga distanca bagazhin e makinës, ka vendosur çantën e shpinës dhe çantën e dorës dhe ne atë moment është afruar një automjet fuoristrade Range Defender, ngjyre e zeze, me fenelina policie, me targa shqiptare, te cilat ne ato momente nuk i ka fiksuar por me vone ka pare qe targat e atij automjeti janë AC121JJ.
Nderkohe qe makina ka lëvizur drejt tij, ai fiksuar një person jashtë makinës i cili e ka thirrur ne emer Geront Mece. Ky person kishte këto karakteristika: i gjatë rreth 1.75 cm, me trup mesatar, me flokë të zeza e të drejta të shtrira poshtë, pa mjekër, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjatë, si dhe jelek ngjyrë e verdhë me mbishkrim BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit). Nuk ka dalluar shenja të veçanta në pamjen vizuale të tij. Ky person i thotë:
“Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”. Në atë moment ka besuar që është SPAK dhe është bindur pa shfaqur pakënaqësi apo rezistencë për shkak se ishte në oborrin e pallatit të tij. Në këtë moment nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda, nuk ka qenë as ky i maskuar në fytyrë por ishte pak si i shëndoshë, veshur me bluzë si ato të policisë, sipas perceptimit të deklaruesit. Më pas ka parë brenda në makinë që ky person ka pasur të veshura xhinse të zeza. Në momentin kur e ka thirrur në emër personi i parë, deklaruesi ka shtypur butonin e bagazhit të makinës i cili automatikisht ka filluar të mbyllet. Në këtë kohë kur po mbyllej bagazhi, është futur te sedilja mbrapa në mes e automjetit Defender.
Në atë moment ka hyrë edhe personi i tretë në makinë nga krahu i majtë i tij, i cili kishte veshje të ngjashme me personin e dytë, me xhinse të zeza dhe me bluzë si ato të policisë, i shëndoshë por pa maskë, fytyrë e rrumbullakët, të cilin është në gjendje ta identifikojë lehtësisht. Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi tre) kanë qenë me tatuazhe, personi i dytë ka pasur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, tatuazh me formë si ajo e germës “b” në krahun e kundërt, e pambyllur plotësisht dhe diku nga mesi kishte një pikë. Personi i tretë, në parakrahun e dorës së majtë ka komplet parakrahun tatuazh bardh e zi.
Ka dëgjuar që shoferi, i cili ishte me maskë, i flet personit të parë duke i kërkuar që të merrte dy çantat e Gerondit nga bagazhi i makinës. Ky merr çantat e i fut në makinë. Pasi futen brenda, deklaruesi i ka pyetur: “Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni?” Personi i parë që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë “je arrestuar” dhe i thotë personit të dytë (në të djathtën e Gerondit) t’i vërë prangat. Deklaruesi kërkon përsëri t’i japin letrat, dhe se duhet të telefonojë në familje. Personi i parë i thotë që letrat do ia japin në komisariat, ndërkohë që makina lëviz për të dalë nga oborri i pallatit. Personat mbrapa tentuan t’i vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vinte prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që deklaruesi të dyshojë që këta nuk ishin punonjës siç u prezantuan.
Në momentin që po vinin prangat deklaruesi u thotë “o çuna unë nuk jam kriminel”. Personi i dytë thotë “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!”, ndërkohë që shoferi u thotë vërini kapuçin. Kur po dilnin nga parkimi i oborrit ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë. Ka kuptuar që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, deklaruesi mendon që do ecë drejt, ndërkohë që makina devijon majtas i pyet se në cilin komisariat do më çonin. Personi i parë i thotë “në komisariatin më të afërt”. Personat para kishin komunikime me zë të ulët mes tyre.
Siç bëhet me dije në dosjen e siguruar nga ZËRI, pengamrrja ka zgjatur për disa orë dhe është bërë kryesisht në zonënë e Elbasanit, deri në arritjen e qëllimit: Tërheqja e tij nga të gjitha ankimimet për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n.
Si u mor peng Gerond Meçe? Të veshur si policë dhe agjentë të BKH-së, momenti i rrëmbimit të biznesmenit (FOTO)
TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me hetimet për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku në qendër të akuzave janë Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri. Këta dy të fundit akuzohen për pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe gjatë periudhës kur ai rezulton si fitues i disa tenderave në AKSHI, me qëllim që të tërhiqej nga çdo procedurë tenderimi.
Por, si ndodhi rrëmbimi? Më datë 12 gusht të këtij vitit, biznesmeni Gerond Mece u rrëmbye nga disa persona që ishin të veshur me uniformë policie dhe agjentë të BKH, të cilët më pas e kanë dhunuar dhe kanosur me armë. Siç bëhet me dije në dosjen e siguruar nga ZËRI, pengamrrja ka zgjatur për disa orë dhe është bërë kryesisht në zonënë e Elbasanit, deri në arritjen e qëllimit: Tërheqja e tij nga të gjitha ankimimet për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n.
Këta shtetas e kanë detyruar Meçen që t'i dorëzojë aparatin telefonik, të cilët e kanë përdorur për të komunikuar me administratorin e shoqërisë, shtetasin Shkëlqim Kërluku dhe i kanë kërkuar këtij të fundit, që të veprojë sa më shpejt për të tërhequr të gjitha ankimimet.
"Në datën 12.08.2025, sipas të dhënave të përftuara: deklarimit të këtij shtetasi, që përputhet me pamjet filmike të marra nga kamera të ndryshme të pallatit ku ai jeton, të dhënat e përftuara nga telefoni i shtetasit z. Kërluku, administrator i kësaj shoqërie, të dhënat në sistemin e KPP-së lidhur me njoftimet për tërheqjet nga procedurat e prokurimit, vendimet e KPP-së, rezulton se persona të paidentifikuar fillimisht duke e shtyrë në lajthim (duke qenë se personat e automjetit Land Rover Defender me targa AC121JJ, kanë qenë të veshur me uniforma/jelekë që kanë pasur shënimet "POLICIA” dhe "BKH" dhe makina ka pasur fenelina policie), dhe më pas me anë të dhunës dhe kanosjes me armë, i kanë hequr në mënyrë të paligjshme lirinë shtetasit Gerond Meçe, veprim që ka zgjatur disa orë dhe është bërë kryesisht në zonën e Elbasanit. Këta shtetas i kanë kërkuar z. Meçe që të tërhiqej nga të gjitha ankimimet që ai, pra shoqëria e tij, vetëm apo si bashkim operatorësh, kishte bërë pranë KPP-së, për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n. Këta shtetas e kanë detyruar z. Meçe që t'i dorëzojë aparatin telefonik, të cilët e kanë përdorur për të komunikuar me administratorin e shoqërisë, shtetasin Shkëlqim Kërluku. Në këto komunikime këta shtetas janë paraqitur sikur të ishte duke komunikuar vetë shtetasi Gerond Meçe, që i kërkon administratorit të veprojë shpejt për të hequr dorë (tërhequr) nga ankimimet e kryera nga ky subjekt në AKSHI-n dhe KPP-në. Administratori ka kryer veprime në platformën "EAlbania", duke u tërhequr nga të gjitha ankimimet, duke u tërhequr madje edhe në ato procedura prokurimi ku ka marrë pjesë si BOE, pra bashkim operatorësh. Vetëm pasi janë konfirmuar tërheqjet, është lënë i lirë z. Meçe.", thuhet në dosje.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermal Beqirin, dyshohet se kanë urdhëruar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.
"Në një nga pamjet filmike të administruara, konstatohet biseda mes shtetasve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ku diskutohet për dy tendera për procedurë, si dhe përmendet kompania ABS. Nga kjo bisedë përftohet e dhëna se këta shtetas janë të shqetësuar për praninë e kompanisë ABS me ortak të vetëm z. Meçe", thuhet ndër të tjera në dosje.
GJKKO ka lënë në fuqi masën 'arrest shtëpie' për drejtuesen e AKSHI-t Mirlinda Karcanaj dhe zv/drejtoreshën Hava Delibashi. Për drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, GJKKO ka lënë në fuqi masën “pezullim nga detyra”, ndërsa ka hequr masën “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Ndalimi për të dalë jashtë shtetit mbetet në fuqi për Andis Papën, Gëzim Hoxhën dhe Rogers Rrytën.
Ndërkohë në kërkim me masën arrest me burg janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Gjatë hetimeve u zbulua se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e policisë, kanë marrë peng Gerond Meçen, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSHI dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI