LIVE UPDATES

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj çel fushatën në Tiranë, Qori në Fier

➤ Fushata elektorale ka nisur tashmë. ➤ Partitë politike janë shpërndarë kudo. ➤ Krerët e dy partive më të mëdha në vend ishin në Itali. ➤ Kryeministri Edi Rama kërkoi votat e diasporës nga Milano. ➤ Kryesocialisti kërkoi votën për një mandat të katërt qeverisës, duke theksuar se forca më e madhe opozitare, por edhe partitë e reja kanë të njëjtën retorikë boshe. Por i konsideroi edhe si hapa pas në historinë e vendit. ➤ Edhe kryedemokrati Sali Berisha ishte në Brescia, i shoqëruar nga Chris LaCivita. ➤ Fushatën e çeli nga Fieri partia "Lëvizja Bashkë", ndërsa "Mundësia" e Agron Shehajt priti simpatizantët tek Pallati i Kongreseve.

8 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Fushata/ Agron Shehaj zotohet: Do të shemb fytyrën e Edi Ramës në mes të Tiranës!

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Agron Shehaj

TIRANË- Partia "Mundësia" e ka hapur në Pallatin e Kongreseve fushatën elektorale. Duke premtuar se është ndryshimi, kryetari i Partisë "Mundësia" Agron Shehaj bëri një zotim. Ai premtoi se në rast se merr fitoren më 11 Maj, përpos një sërë objektivash në të mirë të qytetarëve, do shembë fytyrën e korrupsionit. Si shembull mori ndërtesën 20 katëshe në qendër të Tiranës, e cila është modeluar si koka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Por për Shehajn, ajo i përngjan kryeministrit Edi Rama ndaj edhe zotohet për shembjen e saj. 

“Edhe unë kam diçka për të shembur, fytyrën e korrupsionit që Edi Rama ka ndërtuar në mes të Tiranës. Ajo është fytyra e korrupsionit, çdo herë që do e shikoni ajo është fytyra e vjedhjes! Ka vendosur veten e vet në mes të Tiranës si një diktator, autokrat banal siç është! Nuk ka koncesion pa firmën e tij, tender të dyshimtë pa miratimin e tij. Nuk ka drejtësi nëse nuk del ai para drejtësisë!,”- deklaroi Shehaj.

Ndër të tjera, Shehaj në fjalën e tij tha se tashmë ka ardhur koha që shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre dhe të zhdukin korrupsionit që sipas tij, janë burimi kryesor i problemeve.

“Imagjinoni sikur këtij populli të mos i kishin bërë kaq shumë mohime e pengesa, sikur një pakicë e vogël të mos kishte marrë peng ëndrrat e shqiptarëve. Imagjinoni ku do ishte Shqipëria sot. Ne sot nuk kemi nevojë të imagjinojmë, jemi këtu për të bërë ëndrrën realitet, ta bëjmë Shqipërinë vendin e mundësive për të gjithë. Nuk ka gjë më të rëndësishme se një ide të cilës i ka ardhur koha. Ky sistem nis nga maja e shtetit dhe zbret në çdo hallkë të administratës, duke pasuruar zyrtarët dhe varfëruar qytetarët. Pagat, pensionet dhe ndihmat sociale janë minimale, ndërsa tenderat dhe lejet e ndërtimit blihet e shiten,”- tha ai.

Gjithashtu, premtoi edhe financime të reja për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të garantuar pavarësinë e institucionit të drejtësisë./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Lëvizja BASHKË" çel fushatën në Fier, Arlind Qori: E reja po lind!

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Arlind Qori

TIRANË- Partia "Lëvizja BASHKË" ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ditën e sotme në qytetin e Fierit. Në një postim në rrjete sociale, teksa kanë shpërndarë pamje nga salla plot mbështetës nga çelja e fushatës në Fier, Arlind Qori premton se "e reja" është ndryshimi dhe ajo që i duhet popullit shqiptar. 

Postimi i plotë:

E REJA PO LIND! Fieri, qyteti i industrisë, i kulturës e dijes, sot mikpriti hapjen e fushatës së Lëvizjes BASHKË. E reja po lind në çdo padrejtësi që pëson populli shqiptar. E reja po lind te bujku që keqpaguhet dhe e çon dëm produktin bujqësor. E reja po lind te çdo punëtor i industrisë që ka ngelur pa punë. E reja po lind te çdo profesionist i lirë që nuk çan dot në treg. E reja po lind te çdo sipërmarrës i ndershëm që përballet me oligarkinë monopoliste. E reja po lind te çdo i ri dhe e re që sytë i kanë përtej kufirit. E reja po lind te çdo pensionist që vuan në varfëri. E reja sot lindi në Fier! Së shpejti, anekënd Shqipërisë!

Ndërsa prezantoi programin dhe kandidatët, kreu i "LB" lexoi edhe një poezi të Ndre Mjedës, "Ëndrro, Dashuno"./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Berisha me demokratët në Brescia: LaCivita s'erdhi për para tek ne! Fushata e PS? E shkretë

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me demokratët në Brescia të Italisë. I shoqëruar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Syla dhe drejtuesi i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, strategu amerikan Chris LaCivita, Berisha theksoi rolin vendimtar që diaspora shqiptare mund të ketë në zgjedhjet e 11 majit. Një fjalë të shkurtër mbajti edhe LaCivita deklaroi se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë, e cila sipas tij është rezultat i drejtimit 12-vjeçar të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste.

"Shqipëria po përballet me një krizë të vërtetë. Po humb më të mirët dhe më të mençurit. Për mundësi dhe oportuniteti që sot Shqipëria nuk i ofron. Nuk ofron mundësi sepse për 12 vitet e fundit, Edi Rama dhe socialistët i kanë bërë këtë të pamundur. E vetmja rrugë që kjo të ndryshojë është të ngriheni dhe të gjithë të shkoni e të votoni. Shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë kanë një mundësi të jashtëzakonshme për të ndryshuar drejtimin e Shqipërisë. Çdo votë ka rëndësinë e vet, por sidomos ata që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ju jeni këtu për të vendosur për të ardhmen tuaj, por edhe të familjes tuaj. Por tani ju keni mundësi që të ndryshoni edhe të ardhmen e Shqipërisë. Në 2024 Donald Trump u bë president i SHBA-së, sepse solli për të votuar pjesën më të madhe të amerikanëve. Duke dalë të gjithë, sa më shumë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, për numrin 1 për doktor Sali Berishën, ju do ta bëni Shqipërinë të madhe përsëri. Faleminderit!,"-tha LaCivita.

Ndërkohë kryedemokrati Sali Berisha foli për këtë të fundit, duke theksuar se amerikani nuk e kishte zgjedhur të djathtën shqiptare për para, por nga dëshira për të rikthyer në pushtet. 

"Miq, kush imagjinonte, cili imagjinonte në Shqipëri apo jashtë saj se, në këtë fushatë shqiptarët do ti përshëndeste njeriu i cili kishte qenë bashkëarkitekti i rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Chris LaCivita. Me ardhjen e tij në Shkurt, të nesërmen Edi Rama i ra tavolinës me grushte, vetëm sa nuk i ra me kokë. Tani e sheh veten të humbur dhe përpiqet ti japë zemër me gënjeshtrat që beson. Miq, miku ynë Chris LaCivita nuk erdhi as për para, as për influenca sepse opozita të tjera më të mëdha se e jona, më të fuqishme i kishin bërë dhjetëra e dhjetëra oferta. Por arkitekti i rikthimit, ai e ndjeu se Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të riktheheshin në pushtet,"-tha Berisha. 

Po ashtu, një koment e bëri edhe për hapjen e fushatës së kryeministrit Edi Rama dhe socialistëve në sheshin "Skënderbej". Berisha e cilësoi si fushatën më të "shkretë" të Partisë Socialiste.

Berisha: Dje Toto Rino i Shqipërisë, paraqiti programin. Hapi fushatën më të shkretë që ka hapur ndonjëherë ajo parti që nga koha e PPSH. Falënderoi socialistët e Tiranës që e lanë në vetminë më të madhe. u treguat patriotë. Programi ynë për të gjithë shqiptarët. U përpoq të mbuloj dështimin me vallen e ministresha të stolisura si sulltanesha e Zululandit me aksesore nga më të kushtueshmit. Në fjalën e tij hallet e qytetarëve nuk ekzistojnë. E mbyllën programin me vallen e hajdutit. 11 maji po vjen, është fundi juaj, ligji ju pret. U tundi shqiptarëve pasaportën europiane. Pasaporta europiane e Edi Ramës, ka fytyrën e Taulant Ballës. Erion Veliajt, e bandave dhe Suel Çelës. T’i japim përgjigjen që meriton.

Ndërkohë që Berisha ishte në Brescia, kryeministri Edi Rama ishte gjithashtu në rajonin e Lombardisë, duke zhvilluar një takim me qytetarët në Milano./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

“Vota në 11 maj duhet të tejkalojë ndasitë politike”/ Rama: Më votoni, ta bashkojmë Shqipërinë me BE

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme takimin me emigrantët shqiptarë në Milano duke u kërkuar votën si votues nga diaspora. Në nisje të takimit, Rama u suprizua nga ish-mesfushori i kombëtares italiane dhe Juventusit, Alessio Tacchinardi, i cili i dhuroi një fanellë të klubit të zemrës së kreut të qeverisë. Më pas, si në çdo takim, i pari i socialistëve mbajti një fjalim duke u shprehur se vota e shqiptarëve nuk duhet të ndikohet nga ndasitë politike, por duhet të unifikohet në drejtim të Partisë Socialiste. 

Për të, shqiptarët duhet që të votojnë Partinë Socialiste për një mandat të katërt për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian. 

“Pikërisht tani, shqiptarët nuk duhet ta humbasin këtë shans që është një takim me historinë. Dhe nuk mund ta humbasim as për mustaqet e Kujtim Gjuzit, e as për hallin personal të “bufit të kënetës” që fshihet nën mustaqet e Kujtim Gjuzit. Prandaj, sot është dita që çdo shqiptare e çdo shqiptar, çdo prind që jeton në Shqipëri, Itali apo gjetkë, dhe që do t’u lërë fëmijëve të vet diçka të madhe, diçka të jashtëzakonshme, diçka që juve ju ka munguar: një mundësi për ta bërë realitet ëndrrën e madhe, duke tejkaluar të gjitha ndasitë partiake, të gjitha llogoret dhe barrikadat, të gjitha hendekët dhe sherret, për ta bashkuar Shqipërinë e të gjithëve, të socialistëve dhe demokratëve, në sofrën e Bashkimit Europian. Sapo të vetëdijësohemi për fatin që na është dhënë, si një zog në dorë, aq më e sigurt është që me duart tona do t’i japim fund historisë së një populli të trajtuar si popull i dorës së dytë. Do t’i japim fund përçmimit dhe përjashtimit nga fati ynë europian dhe do t’u lëmë brezave tanë një vend të drejtë në Bashkimin Europian,”-tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij.

Një mesazh e dha edhe për demokratët: U them të gjithë demokratëve, nuk ju mjafton ajo që ndodhi me primaret, primaret ku bufi i nxorri të gjithë dhe iu tha “vota juaj asht ligj për mue” dhe ça ndodhi? Kush doli i pari në primare, përfundoi thellë në barkun e bufit. U zhduk. I kullufiti të gjithë. Asnjërin nuk la, as nuk i tha “dilni t’ju shoh një herë se kush nga ju ka vërtetë vota që ta ha’’.

Ndër të tjera në fjalën e tij, Rama nuk komentoi vetëm partinë më të madhe opozitare në vend, por edhe partitë e vogla. Edhe njëherë, i pari i qeverisë ironizoi premtimet dhe programet e tyre elektorale, duke shtuar se e vetmja rrugë është Partia Socialiste.

“Janë edhe ca të tjerë që vijnë vërdallë këtu në Itali. Kanë dhe ca emra, jo bëhet, jo s’bëhet, jo mundet, jo s’mundet, jo bashkë, jo veç… Ata nuk kanë asgjë të re përveç moshës, se ata vendosin në lista baxhanakë e familjarë. Dihet që ai që s’ka gjë në dorë të fal dhe Milanon. Ta çosh votën për ata, është ta çosh dëm,”-shtoi Rama.

Ndërkohë që Rama mbajti një takim në Milano, në rajonin e Lombardisë ndohet edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili po zhvillon një takim me demokratët në Brescia./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

FOTOLAJM- Rama surprizohet nga ikona e Juventusit në Milano, Tacchinardi i bën dhuratën e veçantë

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Edi Rama dhe Andrea Tacchinardi

MILANO- Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me emigrantët shqiptarë në Itali. Teksa po ngjitej në podium, kryeministri u surprizua nga ish-mesfushori i kombëtares italiane dhe Juventusit, Alessio Tacchinardi.

Ai i dhuroi bluzën e Juventusit me numrin 5 duke i thënë se e di mirë që ai është tifoz, dhe se kjo bluzë do ti sjellë fat në këto zgjedhje.

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Edi Rama dhe Andrea Tacchinardi
Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Dhurata

Kryeministri i surprizuar, e falenderoi./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Rama dhe Berisha takime në Itali, kryeministri me emigrantët shqiptarë në Milano, kreu i PD në Breshia

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Edi Rama dhe Sali Berisha

ITALI- Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha do të zhvillojnë sot një takim me diasporën shqiptare në Milano, Itali. Të dy, kanë zgjedhur të njëjtën ditë për të zhvilluar takimin e tyre me emigrantët shqiptarë.

Takimi i Ramës do të zhvillohet në orën 15:00, ndërsa një orë më pas është radha e Berishës për të takuar emigrantët në Breshia.

Kujtojmë, se sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri më i lartë i zgjedhësve nga jashtë është në Itali, ku janë regjistruar afro 90 mijë persona. Në total jaë regjistruar 245,953 emigrantë shqiptarë në platformën PER për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Lapaj takim në Korçë: Zgjodhëm të përballemi!

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Adriatik Lapaj

KORÇË- Bashkëdrejtuesi i “Nismës Thurje” Adriatik Lapaj gjatë takimit në Korçë, theksoi angazhimin për transforimin e Shqipërisë. Lapaj u shpreh se kjo nuk është një betejë për karrierë personale, por një përpjekje për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një Shqipëri demokratike.

“Të nisë transformimi i Republikës. Kjo nuk është betejë për karrierë, ne nuk zgjodhëm të lëpihemi për të ecur përpara. Ne zgjodhëm të përballemi. Atdheu ka nevojë dhe duhet ta bëjmë Shqipërinë demokratike. Ne e çuam përpara votën e diasporës. Na duhet ligji për referendumet, që populli të thotë fjalën e fundit. Duhet të depolitizojmë administratën publike. Del njëri e thotë bufi e se çfarë lidhje ka me hallet e njerëzve, Zoti i faltë. Programi i këtyre është bufi, miu, macja, timoni, qukapiku, por nuk thonë asgjë për hallet e njerëzve. Ne do ta çojmë burxhetin për arsimin në 7 përqind të PPB-së. Korrupsioni duhet luftuar nga ata që janë në krye të shtetit. Do ketë after school. Populli duhet të qëndrojë këtu, ne duam të ndërtojmë një popull të pasur. Nuk do taksohet askush se bën 2-3 punë. Taksa do jetë fikse 10 përqind, që qytetarët mos detyrohen të mos deklarojnë pagën reale”, tha Lapaj./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

“Krenar se na vjedhin”/ Berisha ironizon fushatën e PS-së: Vallja e hajdutëve

Zgjedhjet 2025/ Rama e Berisha në Lombardi, takim me diasporën. Shehaj
Postimi i Sali Berishës

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka ironizuar çeljen e fushatës së Partisë Socialiste, gjatë ditës së djeshme në Sheshin Skënderbej. Kryedemokrati, ka publikuar në rrjetet sociale njjë video, nga momentet kur socialistët janë duke kërcuar.

Në vend të këngëve të përdorura në fushatë, Berisha ka vendosur këngën e këngëtarit Ylli Baka “Vallja e Hajdutëve.

Krahas videos, Berisha shkruan: Krenar se na vjedhin!

PS çeli dje fushatën e saj elektorale në “Sheshin Skënderbej”, ndërkohë që atmosfera mbizotëronte me këngë të të gjitha krahinave shqiptare, pasi kishte të ftuar këngëtarë të ndryshëm./ZËRI

Poll

MOS HUMB