A kanë familjarët prova të reja për 21 Janarin? Xhaxhai i Aleks Nikës: Përgjegjësia ka qenë e kryeministrit, ministrit dhe kreut të gardës

TIRANË- Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit të vrarë në 21 Janar të vitit 2011, ka dëshmuar sot për disa orë në Prokurorinë e Posaçme, pas rihapjes së hetimeve. I pyetur nga gazetarët nëse familja ka prova të reja, siç pretendoi në dëshminë e saj e veja e të ndjerit, Mark Nika u shpreh se ata kanë grumbulluar të dhëna dhe nga mediat, duke iu referuar dhe një audiopërgjimi ku dyshohet se është dhënë urdhri për vrasjen e protestuesve.
Ndërkohë në lidhje me pyetjen, se kush janë sipas familjarëve përgjegjësit për vrasjen e 4 protestuesve, Nika tha se duhet hetuar i gjithë zinxhiri komandues, nga kryeministri te ministri i brendshëm dhe drejtuesi i gardës.
Kush janë provat e reja
Se di si e ka pasur fjalën ajo, ne patjetër që kemi të dhëna të tjera, do grumbullojmë të dhënat që janë marrë nga televizori, nuk u ndalëm te persona konkretë. Ne kërkojmë që të hetohet zinxhiri komandues, siç ka vendosur Strasburgu. Predha është e deformuar, është një lojë që bën politika dhe prokuroria e Tiranës, nuk ka ardhur përgjigja akoma, siç e shoh unë dua ta mbyllin. Ne duam që fajtorët të dalin para gjyqit.
E kujt ka qënë përgjegjësia
Përgjegjësia duhet kërkuar te kryeministri i kohës, te ministri dhe drejtuesit e gardës, të tjerët ushtarë kanë qenë. Nëse qëllohet mbi turmën, si mund të caktohet se cili prej tyre ka gjuajtur, duhet të dënohen të gjithë për vrasje në bashkëpunim. Në kërkojmë nga SPAK të përcaktohet roli i secilit, nga kryeministri te ministri i brendshëm dhe komandanti i gardës.
"21 janari"/ Përfundon dëshmia e Rajmonda Nikës: Dhashë disa fakte të reja!

TIRANË- Përfundon marrja në pyetje e të vesë së Aleks Nikës, Rajmonda Nikës nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas më shumë se 3 orësh në SPAK, ajo ka dalë por ka zgjedhur që të mos flasë gjatë për mediat që prisnin jashtë.
"Dhashë sqarime dhe disa fakte të reja, audiopërgjimin do ta dorëzojmë një ditë tjetër,"-u shpreh ajo teksa tentonte që të largohej nga mikrofonat e gazetarëve. Ndërkohë që ajo u largua, aktualisht, para prokurorëve të SPAK po dëshmon ende xhaxhai i viktimës, Mark Nika./ZËRI
SPAK rihap ‘letrat’ e 21 Janarit, familjarët e Aleks Nikës paraqiten në Prokurori! Berisha asnjë koment, Basha: Nuk kam urdhëruar asnjë pushkatim

TIRANË- 13 vite nga ’21 Janari’, ku gjatë protestës së organizuar nga socialistët asokohe në opozitë, u vranë 4 qytetarë, çështja do të hetohet sërish, këtë herë nga Prokuroria e Posaçme. Ishte Gjykata e Lartë që urdhëroi SPAK që të niste hetimet për 21 Janarin, me kërkesë të familjarëve të një prej viktimave, Aleks Nikës. Në këtë mënyrë, vetëm 5 ditë pas regjistrimit të çështjes nga ana e SPAK, prokurorët kanë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre këtë të hënë, bashkëshorten dhe xhaxhanë e Aleks Nikës.
Bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika e cila ka bërë edhe kallëzimin në SPAK si dhe xhaxhai i të ndjerit, Mark Nika, janë paraqitur paraditen e sotme në SPAK. Familjarët pretendojnë se kanë një audio nga dita e tragjedisë, ku urdhërohet në radio vrasja e protestuesve. Këtë provë familjarët kanë deklaruar se do ta dorëzonin vetëm në SPAK, pasi nuk kishin besim te institucionet e tjera të drejtësisë.
Rajmonda Nika pasi qëndroi disa orë në SPAK, në një deklaratë për mediat, tha se “ka dhënë fakte të reja”, por që “nuk mund t’i bëjë publike ende.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi.
SPAK ka njoftuar se ka rihapur hetimet dhe ka regjistruar procedim penal për ngjarjet e 21 janarit. Gjykata e Lartë e ka orientuar hetimin, do të hetohet roli i ish-ministrit të Brendshëm, pra keni qenë ju në detyrë atë ditë.
Lulzim Basha: Të hetojë gjithçka, plotësisht, në mënyrë të paanëshme dhe profesioanle, ky ka qenë mesazhi në 13 vite. Kam qenë dhe jam në dispozicion të çdo akti të drejtësisë.
A ka urdhëruar ministri i Brendshëm Gardën që të qëllojë ndaj protestuesëve dhe a keni lidhje me fshehjen e serverave?
Basha: Jo dhe jo!
Në rast se shpreheni i pafajshëm, cili është roli i ish-kryeministrit?
Basha: Kjo është një konferencë për shtyp, nuk është as SPAK dhe as GJKKO. T'i lëmë të bëjnë punën e tyre.
Meqë nuk shpreheni për rolin e Sali Berishës, kur vjen puna për akte ndaj Sali Berishës, duket sikur druheni? A po bashkëpunon në mënyrë të fshehtë Lulzim Basha me Sali Berishën?
Basha: Në asnjë moment jo, këto janë marrëzira pa një pikë të vërtetë brenda që humbasin e publikut dhe keqinformojnë debatin publik. Ndarja ime me Sali Berishën është me 9 shtator 2021, finale e pakthyeshme.
Vetë Berisha nga ana e tij, ka zgjedhur që të mos bëjë asnjë koment publik për rihapjen e dosjes, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë në mesin e personave që do të thirren për t’u marrë në pyetje nga ana e SPAK. Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Procedimi i SPAK është regjistruar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale. /ZËRI