21 janari në SPAK/ Braçe: Pushkatimet shtetërore do të kenë përgjegjës të vërtetë

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka komentuar këtë të martë vendimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për të nisur hetimet për dosjen “21 Janari”, ku katër protestues u vranë përpara Kryeministrisë. Ngjarje e ndodhur në vitin 2011. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe shkruan se duhet bërë një hetim gjithpërfshirës për të zbuluar urdhëruesit, pushkatuesit dhe penguesit e hetimeve. Sipas tij, 21 Janari është një nga aktet më të rënda shtetërore që ka shënuar historinë e Shqipërisë.
POSTIMI:
Për 13 vite e pak-nga PUSHKATIMET deri sot, kam folur ne çdo rast dhe kam kërkuar veten një gjë-me normalen ne bote ne raste te ngjashme: Hetimin gjithëpërfshirës te pushkatimeve, urdhëruesve, pushkatuesve e penguesve të hetimeve!
Fale BETEJES jetike te një gruaje te hekurt-RAIMONDA NIKES, Gjykata Evropiane e te Drejtave te Njeriut URDHEROI hetimin gjithëpërfshirës se ZINXHIRIT KOMANDUES TE SHTETIT PERFSHIRE NE VARSJE, mbajtjen përgjegjës te atyre qe penguan hetimin për pushkatimet shtetërore;
Gjykata e Larte e Shqipërisë vendosi ne këtë drite dhe sot SPAK ka regjistruar HETIMIN PENAL te këtij PUSHKATIMI! VRASJA NE RRETHANA CILESUESE, SHPERDORIMI I DETYRES DHE KRYERJA E VEPRIMEVE QE PENGOJNE ZBULIMIN E SE VERTETES-jane tre veprat penale per te cilat DO TE HETOHEN PUSHKATIMET E 21 JANARIT!
Tani fjalet si duhen me kujt; Aktet e prokuroreve janë ato qe presin te gjithë! Pushkatimet e 21 janarit janë aktet me te renda shtetërore ndodhur ne demokraci; kane shënuar historinë e këtij vendi!Gjaku nuk behet ujë.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI
'Vetëm në SPAK i dorëzojmë'/ PËRGJIMET E PLOTA TË DITËS SË 21 JANARIT: Të kërkon ministri në radio. Gati për zjarr "ta-ta-ta"

TIRANË- Sot, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri me dije se ka nisur hetimet lidhur me vrasjen e 4 protestuesëve në protestën e opozitës (asokohe Partia Socialiste), të mbajtur në 21 janar 2011. Prova e re, përveç ekspertizës së i është bërë gëzhojës së gjetur në kafkën e viktimës Aleks Nika janë edhe disa përgjime të publikuara një vit më parë. Më 20 Janar 2023, gazetari i kronikës Artan Hoxha publikoi materiale që nuk ishin zbardhur më parë. Biseda zhvillohej mes kreut të Gardës në atë kohë Ndrea Prendi dhe zëvendësit të gardës Artan Hoxha, ky i pari i jep urdhër këtij të fundit që të mbajnë armët gati për zjarr. Madje kodi është "gati për zjarr ta-ta-ta", ndërsa në një moment të dytë në radio flet edhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Por gazetari zgjodhi që të mos i publikonte fjalët që ai i drejtonte Gardës.
PËRGJIMET E PLOTA TË DITËS SË 21 JANARIT:
KOMUNIKIMI I PARË:
Ndrea Prendi: Alfred dëgjon?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj
Ndrea Prendi: Po afrohen shumë, duhet të jeni gati për zjarr
Alfred Ahmetcenaj: Po të kuptova drejt.
KOMUNIKIMI I DYTË:
Komandanti i Gardës Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajë. Pastaj kur të them unë në trup.
Ndrea Prendi: Artan (Artan Hoxha, zv komandanti i Gardës). Dëgjon? Artan dëgjon?
Artan Hoxha: Dëgjoj, dëgjoj.
KOMUNIKIMI I TRETË:
Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do hapet zjarr luftarak
Artan Hoxha: Kuptova, kuptova
Ndrea Prendi: Ky është urdhëri, Dashamir dëgjuat
Dy efektiva të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta-ta-ta gjakos (urdhëri për të vrarë)
Komunikimet (urdhërat) janë dhënë vetëm me radio nga komandanti i Gardës për vartësit e tij. Pasi u dha urdhëri për të qëlluar, u zbatua duke realizuar të shtënat një nga një dhe me breshëri, nuk është dhënë me asnjë urdhër tjetër për të qëlluar. Nga komunikimi në radio, menjëherë pas vrasjeve të protestuesëve, ka jnë qetësi absolute tek komandanti i Gardës dhe oficerët drejtues me të cilët ai komunikon. Komunikimi në vijim është sikur nuk ka ndodhur asgjë, madje nuk përmendet në asnjë moment që ka të vrasë apo të plagosur.
I panjohur: 260 i Luanit, dëgjon?
260 i Luanit: Ju dëgjoj
I panjohur: Të kërkon ministri, këtu në radio
KOMUNIKIMI I KATËRT:
Audio: Menjëherë dëgjohen të shtëna tek e tek, sërish dëgjohen 8 të shtëna radhazi një nga një.
Ndrea Prendi: Alfred?
Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj (dëgjohen 2-3 të shtëna tek e tek)
Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!
KOMUNIKIMI I PESTË:
Ndrea Prendi: Martin më dëgjon? Agim më dëgjon? Agim? Agim? 202 i Tufanit (kodi i radios) më dëgjon?
202 i Tufanit: Këtu jam. Ngjitur, ngjitur.
Ndrea Prendi: Alfred, një grup i njësisë speciale këtu tek porta numër 2.
Alfred Ahmetcenaj: Të kuptova
Ndrea Prendi: Artan më dëgjon
Artan Hoxha: Dëgjoj
Ndrea Prendi: Le ta djegin pemën nuk ka problem
I panjohur: 260 e Luanit?
I panjohur: Luani 3
Por kush komunikoi në radion speciale, tek e cila jo të gjithë mund të dërgonin mesazhet e tyre?
Kodi i radios ishte "202 i Tufanit"!
Në përgjimet dëgjohet zëri i Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës; Zv/komandantit të gardës, Artan Hoxha; Komandantit të Njësisë Speciale të Gardës majorit Alfred Ahmetcanaj; dhe vetë asokohe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. E megjithatë ka edhe emra ende të "po çkoduar" si psh: "260 i Luanit"; "I panjohuri"; Martini, mbiemri i të cilit nuk del. Sipas Artan Hoxhës në radio ka pasur akses edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Saimir Muça, i cili ka dëgjuat gjithashtu urdhërin e dhënë për vrasje.
Pas publikimit të përgjimeve, një reagim erdhi asokohe edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. I ftuar në studion e emisionit “Open”, Berisha deklaroi se gjithçka ishte një krijim i ish-kreut të Policisë Ardi Veliut, ndërsa shtoi se ka teknika që mund të krijojnë zërin e kujtdo, duke vënë në dyshim vërtetësinë e komunikimeve të publikuara në media.
“U tha që është audio pa e dëgjuar publiku. Ai është një transkript që shkruhet si të duash. Pse Ardi Veliu ka një teknikë të krijimit të zërit, a doni t’ua jap këtu? Duket se zëri nuk u ka dalë dot, se gjë më qesharake se të paraqesësh atë. Të thonë që ka audio kur nuk ka zë është e turpshme. Kur të dalë nuk ka asnjë kredibilitet më, sepse duhet të dilte me transkriptin. Krijohet zëri i kujt të duash. Zëri që ti nuk e dikton dot, sot ka teknika. Do thuash pse Ardi Veliu, dy skena të keni parasysh. Anila Hoxha po ndiqte një herë një zhvillim te Mali me gropa dhe desh e hodhi polici te gremina, kujtoni kur u kap Klement Balili, ky që servirte shkrimin për audio raportonte nga makina e tij takimin e Veliut me Balilin. Ky është një njeri i shumë përdorur. Nëse e ke zërin e merr e dërgon në SPAK, ministri çfarë tha. SPAK të verifikojë është apo jo e vërtetë. E kuptoni ju ku është ky? Jam pro për çdo hetim, nuk ka pasur pengesa, po këtyre u duhen të ndjerët kur u leverdisin për qëllime politike. Personi që ka fshirë serverin e kanë marrë dhe e kanë nxjerrë të pafajshëm,”- tha Berisha.
Po ku është kaseta me përgjimet sot?
Më 25 janar 2023, vetëm 24 orë pas takimit të xhaxhait Aleks Nikës, i cili mbeti i vrarë gjatë protestës së 21 Janarit 2011, me kreun e SPAK Altin Dumani, në banesën ku jeton familja e të ndjerit zbarkuan forcat e rendit. E gjitha ndodhi pasi gazetari Artan Hoxha tha se është familja Nika ajo që ka në disponim kasetën e audioregjistrimit të “21 Janarit” dhe se ishin ata vetë që ia kishin vënë në dispozicion gazetarit. Por edhe pse e kërkuan, efektivët nuk e gjetën. Mark Nika u shpreh asokohe se të provën që ka në dorë do ta dorëzojë vetëm në SPAK, nëse çështja do të merrej nën hetim prej Prokurorisë së Posaçme. Ndaj pritet që nga momenti në moment, të dorëzohet edhe kaseta./ZËRI
“Jetojnë si 'krajla' me gjakun tonë”/ 21 janari në SPAK, xhaxhai i Aleks Nikës: Kasetën do e dorëzojmë në SPAK

TIRANË- Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një nga viktimat e “21 janarit” ka reaguar në lidhje me regjistrimin e çështjes nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në një prononcim të bërë për "ReportTV", Mark Nika bëri me dije se është i gatshëm që të dorëzojë kasetën me përgjimet në SPAK. Ndër të tjera në fjalën e tij, xhaxhai i të ndjerit shtoi se familjarët kanë edhe prova të tjera indirekte që mund të ndihmojnë SPAK në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të vrasjes së 4-fishtë.
“Sa u njohëm me vendimin e SPAK për ne si familje është lajm i jashtëzakonshëm. Tani 13 vjet dosja është mbajtur në sirtar nga Prokuroria për shkak të ndikimeve politike që kanë paralizuar hetimin e çështjes. Kemi besuar gjithmonë që shteti shqiptar do të ishte hetuesi i parë i çështjes. Dhimbjen nuk e kanë si ne, me gjakun tonë kanë abuzuar për 13 vjet. SPAK ka hezituar për ta marrë çështjen tonë, por janë të urdhëruar nga Gjykata e Lartë që çështjen ta hetojnë dhe të dërgojnë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit. Këto janë vrasje politike që duhet të hetohen deri në fund. Ne e kemi kasetën, e kemi të ruajtur, do e dorëzojmë në SPAK, aty është e gjithë veprimtaria kriminale e Gardës së Republikës. Pa urdhër Garda nuk qëllon njerëzit e pafajshëm në rrugë. Kjo është bërë me urdhër. Kaseta ka gjithë veprimtarinë që ka kryer Garda atë ditë. Andrea Prendi ka dhënë urdhër që të qëllohet në trup, por kush i dha urdhër? Komandati nuk mund të operojë i vetëm. Kaseta është e gjatë, pjesët që vërtetojnë veprimtarinë kriminale nuk janë të gjata shumë. Ne do e dorëzojmë të plotë në momentin që SPAK do e kërkojë. SPAK e kemi thënë...atë kemi pritur. SPAK kishte në mendje që të mos e trajtonte çështjen për shkak të presioneve politike. Shteti duhet që të mbronte njerëzit, por i vrau. Duhet të jepnin dorëheqjen minimalisht. Le për komandatin e Gardës, por çështja u mbyll. Vetë opozita e kohës u tregua indiferente, i besoi një drejtësie që nuk ekzistonte. Çështja është e vështirë për ta hetuar tani. Kemi takuar drejtues të Ambasadës Amerikane, të gjithë na kanë dhënë të drejtë. Unë di që ka ardhur edhe një rezolutë që dënohej zbardhja e çështjes. Ne nuk i falim vrasësit, na kanë vrarë dhe na kanë mbyllur derën, por jetojnë sot si "krajla" (mbretër) me gjakun tonë. Kjo është arsyeja dhe kemi paditur ish-ministrin dhe ish-kryeministrin si organizatë kriminale. E kishin vendosur që të hakmerreshin nga opozita e kohës. Edhe na kanë vrarë, por edhe në bëjnë fajtorë tani; pse erdhe në miting? Përveç kasetës kemi prova indirekte që fajësojnë ato që kemi paditur ne. Do bëhen ekspertime, eksperimente hetimore, ka materiale nga FBI, besojmë se provat janë mëse të mjaftueshme që të demaskohet organizata që vret njerëz në rrugë,”- u shpreh ai.
vijon...
SPAK ka në "duar" 21 janarin/ Basha: Ta hetojnë! S'kam urdhëruar asnjë pushkatim (Roli i Berishës)

TIRANË- Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha është pyetur lidhur me vendimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të nisur hetimet lidhur me dosjen e "21 janarit". Në konferencën e tij për shtyp, Basha u shpreh se është i hapur për t'u hetuar nga SPAK dhe jo vetëm, ndërsa iu përgjigj shkurt pyetjeve të gazetarëve që ishin në sallë. Ndër të tjera në fjalën e tij, demokrati zgjodhi që të heshtte edhe kur u pyet lidhur me rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha në ngjarjen që u mori jetën 4 protestuesëve të opozitës (asokohe Partia Socialiste).
Në fund, Basha bëri dhe një sqarim: nuk ka asnjë urë komunikimi dhe bashkëpunimi me kryedemokratin Sali Berisha!
PJESË NGA KONFERENCA PËR SHTYP:
Pyetje: SPAK ka njoftuar se ka rihapur hetimet dhe ka regjistruar procedim penal për ngjarjet e 21 janarit. Gjykata e Lartë e ka orientuar hetimin, do të hetohet roli i ish-ministrit të Brendshëm, pra keni qenë ju në detyrë atë ditë.
Lulzim Basha: Të hetojë gjithçka, plotësisht, në mënyrë të paanëshme dhe profesioanle, ky ka qenë mesazhi në 13 vite. Kam qenë dhe jam në dispozicion të çdo akti të drejtësisë.
Pyetje: A ka urdhëruar ministri i Brendshëm Gardën që të qëllojë ndaj protestuesëve dhe a keni lidhje me fshehjen e serverave?
Basha: Jo dhe jo!
Pyetje: Në rast se shpreheni i pafajshëm, cili është roli i ish-kryeministrit?
Basha: Kjo është një konferencë për shtyp, nuk është as SPAK dhe as GJKKO. T'i lëmë të bëjnë punën e tyre.
Pyetje: Meqë nuk shpreheni për rolin e Sali Berishës, kur vjen puna për akte ndaj Sali Berishës, duket sikur druheni? A po bashkëpunon në mënyrë të fshehtë Lulzim Basha me Sali Berishën?
Basha: Në asnjë moment jo, këto janë marrëzira pa një pikë të vërtetë brenda që humbasin e publikut dhe keqinformojnë debatin publik. Ndarja ime me Sali Berishën është me 9 shtator 2021, finale e pakthyeshme!/ZËRI
'21 Janari'/ SPAK nis hetimin pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në verifikim roli i Berishës dhe Bashës (AKUZAT)

TIRANË- Gjykata e Lartë vendosi, ndaj sot Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur zyrtarisht hetimet për çështjen e "21 janarit". Ashtu siç u udhëzua edhe nga Gjykata e Lartë, hetimi që do të kryhet nga SPAK duhet që të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. SPAK njofton se më datë 15 korrik 2024 është regjistruar nisja e hetimeve për disa vepra penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Gjykata e Lartë, në vendimin e dhënë pak ditë më parë, orientoi SPAK se duhet t'i referohet vendimit të GJEDNJ për vrasjen e Aleks Nikës, evidentoi se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi i bërë lidhur me ngjarjen. Po duke u bazuar tek vendimi i Strasburgut, sipas Kolegjit të Gjykatë së Lartë, autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim. Ndaj kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK.
"Gjykata evidentoi mangësi specifike në hetimin për vdekjen e të afërmve të kërkuesve dhe konkludoi se autoritetet kanë dështuar për kryerjen e një hetimi efektiv për ngjarjen, i cili duhet të çonte në zbulimin e të vërtetës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve (paragrafi 128-129 i vendimit). Gjithashtu, GJEDNJ konstatoi se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues. Kishte pasur gjithashtu edhe një sërë mangësish të tjera në hetim duke përfshirë fshirjen e video-regjistrimeve të incidentit dhe mos-ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë. Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim (paragrafi 109 i vendimit),"-shkruhet ndër të tjera në vendim.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.
NJOFTIMI I SPAK:
Nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut njoftojmë se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 15.07.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal. “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal; “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal. Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posacme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika, si dhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.
Në rastin konkret hetimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 79, gërmat “dh” dhe “ë” e 25, 248 e 25, si dhe 301 e 25 të Kodit Penal, është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit 75/a, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.
Duke vlerësuar informacionet e përftuara dhe të administruara se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285, vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, si dhe pas njoftimit të datës 15.07.2024 të bërë nga prokurori i çështjes, në mbështetje të neneve 29 pika 3 dhe 75/a, me vendimin e datës 15.07.2024, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera:
Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë. Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011./ZËRI