Çështja 'Beleri', Balla: Jam në gjyq me të!

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla u ndal dhe tek çështja Beleri dhe vendimi i GJKKO-së për të ndaluar betimin e tij pa përfunduar çështjen me drejtësinë.
Balla u shpreh se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri e ka akuzuar atë për shpifje.
“Çështja Beleri i përket drejtësisë. Më keq akoma jam në gjyq me Belerin se më ka akuzuar për shpifje, ndërsa unë për tradhëti dhe kjo e rëndon. Më duhet të them shumë thjesht e kam lexuar me vëmendje vendimin e GJKKO-së. Gjykata ka bërë një arsyetim shumë shterrues. Por është vendim gjykate që duhet zbatuar dhe duhet të marrë formë të prerë.
Ditën që drejtësia ngre një akuzë duhet të presim drejtësinë të japë një vendim në formë përfundimtare,"- tha Balla.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Gjyqi ndaj tij vijon në Apelin e Posaçëm./ZËRI
Aministi për dorëzimin e armëve? Balla: Do gjejmë stimuj për të nxitur qytetarët

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla teksa komentoi ngjarje e rëndë që ndodhi sot në zonën e Freskut, ku dy vëllezër mbetën viktima të krimit në familje, u pyet nga gazetarët mbi mundësinë e një amnistie për armët. Balla tha se janë në diskutime me organizata ndërkombëtare, për të gjetur mundësi që të nxisin qytetarët në dorëzimin e armëve.
“Duhet të shkojmë në incentiva të tjera që çojnë në dorëzimin e armëve, në mënyrë që të pakësojmë sa të mundim numrin e armëvë që gjenden në shtëpitë, bahçet, makinat e personave që udhëtojnë. Po diskutojmë me disa organizata që merren me armëmbajtjen pa leje, propozimi im mbetet që përmes amnistimit të nxisim qytetarët. Po dorëzove një armë pa leje, ke një incentivë sociale”, tha Balla por pa bërë me dije detaje të mëtejshme nga kjo nismë që pritet të ndërmerret.
Balla theksoi se armëmbajtja pa leje vijon që të mbetet një sfidë për policinë.
“Objektivi im dhe i Policisë së Shtetit në 2024 është për një qasje edhe më të ashpër ndaj çdolloj forme posedimi apo armëmbajtje pa leje. Kjo është një arrogancë e hapur ndaj ligjit dhe ndaj komunitetit. Dhe ne do t’i japim fund çdo lloj shprehje publike të personave të cilët shfaqen në bare, në mjedise publike me armë me vete apo armë të fshehura në kroskotet e makinave apo në vende të tjera”, theksoi ministri i Brendshëm Taulant Balla në konferencën për analizën vjetore të Ministrisë së Brendshme.
Sipas të dhënave vjetore, gjatë vitit 2023 janë sekuestruar 797 armë (401 armë zjarri, 148 armë gjahu dhe 148 armë sportive); 8 mina me telekomandë, rreth 300.4 kilogramë lëndë plasëse, 119 granata dhe municion luftarak./ZËRI
Kur do arrestohet Arben Ahmetaj? Balla: Është me alarm të kuq në Interpol

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla u pyet sot nga gazetarët në lidhje me personazhe të njohura të dosjes së inceneratorëve që nuk janë vënë ende në pranga, përfshirë dhe ish-numrin 2 të qeverisë Arben Ahmetaj. Balla tha se ai është vënë me kod të kuq nga Interpol Tirana, dhe do të bëhet çmos që të vendoset përpara drejtësisë.
Folëm për personazhe me tatuazhë që janë vënë në pranga, por për personat me jaka të bardha, si zoti Arben Ahmetaj, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe të tjerë persona, që fshihen pas tastierave ku kërkojnë pafajësinë e tyre?
BALLA: Sa i përket personave në kërkim, mua nuk më bën përshtypje asnjë emër, si ministër i brendshëm. Të gjithë personat janë në alarm të kuq, që është alarmi më i madh që ka Interpoli. Brenda informacionit që mund të ndaj me ju, Interpol Tirana për të gjithë personat që janë në kërkim, ka një detyrë shumë të madhe për të bërë. Vizita ime më e rëndësishme, ishte ajo që pata në INTERPOL, kemi nisur një fushatë të re bashkëpunimi që nuk e kemi pasur asnjëherë më përpara. Po mundohem që të lidh marrëveshje deportimi, me ato shtete që nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Në dobi të dhënies fund të paligjshmërisë. Ky duhet të jetë një prej sukseseve që duhen konsoliduar. Kemi pasur raste që drejtësia ka pritur me vite, nuk dua të zgjatem më shumë, shpresoj që edhe gjatë muajit Janar të kemi rezultate të tjera, që personat që kërkohen me qiri nga drejtësia, të vihen para saj.
/ZËRI
Kamioni i Bana King u ‘zhduk’ nga porti i Durrësit, Balla: Iu kam kërkuar llogari vartësve

TIRANË-Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një konferencë për mediat, është pyetur nga gazetarët në lidhje me skandalin që ndodhi në portin e Durrësit, ku kamioni i Bana King u zhduk për disa orë nga porti, nën dyshimet e trafikut të kokainës. Balla tha se ngjarja është nën hetim nga prokuroria e Durrësit, dhe ai ka kërkuar shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar.
“Ka plot operacione policie që janë kryer dhe kryhen në portin e Durrësit, prokuroria ka kryer hetimet dhe vijon, unë nuk dua të ndikoj. Ka një vëmendje të shtuar dhe një kërkesë llogarie nga ana ime, pasi fakti që ne kemi kapur 60 kilogramë heroinë dhe sasi të tjera.
Këto nuk i sjellin zogjtë, ne bashkëpunojmë në mënyrë intesive me agjensitë ligjzbatuese, kemi 18 operacione ndërkombëtare. Nga ana ime dhe e drejtorit të Policisë ka një shtim të veçantë të vëmendjes në pikat kufitare, kundër trafikut të lëndëve narkotike. Nuk mund të mjaftohemi më me shefa sektori të vënë në pranga, por duhet të jetë i gjithë zinxhiri që të vendoset para drejtësisë, në rast se ka shkelje”, u shpreh Balla.
Në datën 8 Dhjetor të vitit që lamë pas, nga porti i Durrësit u zhduk për disa orë një kamion me banane që i përkiste Banaking. Rasti u hetua si kontrabandë nga ana e prokurorisë, ndërsa në pranga u vunë 4 persona, mes tyre punonjës të portit të Durrësit.
/ZËRI
'Kodet' e Ballës për fatin e Ervis Martinaj

TIRANË- Fati i Ervis Martinajt është ende mister. Por për herë të dytë në daljen e tij publike, ministri i Brendshëm ka dhënë sinjalin e dytë se fati është 'vrasja'. Fillimisht, i pyetur nga gazetarët, Balla tha se çështja është prioritet për të dhe për Policinë e Shtetit, por pavarësisht se kanë shumë informacione nuk kanë fakte. Deri në këtë pikë, deklarata e tij nuk la shumë të kuptohej, por ajo që përcolli më pas, po.
Sipas ministrit, bossi i lojrave të fatit, është pjesë e një ngjarje të rëndë, që me një logjikë të thjeshtë është eliminimi i tij, duke rrëzuar tezën tjetër që është ngritur nga mediat dhe jo vetëm. Versioni tjetër që dita-ditës po rrëzohet është mundësia që Martinaj, për t'i shpëtuar drejtësisë ka stisur rrëmbimin dhe vrasjen e tij. Por ky version u rrëzua sot për herë të dytë nga ana e ministrit.
"Unë duke marrë detyrën, iu informoj se kjo çështja ka qenë një çështje e orëve të para. është një sfidë e pazgjidhur ende sa i përket referimit përfundimar në gjykatë. Policia ka shumë informacion për këtë çështje, por dokumentimi kërkon ende kohë dhe mund. Unë nuk do të bëj një informacion të plotë, por kur të kemi një pasqyrë të plotë mesi pres të dal para jush për të sqaruar publikun. Është një ngjarje e rëndë dhe e rëndësishme që ka të bëjë me indikatorët e punës së Policisë së Shtetit,"-tha Balla.
Më 23 nëntor, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se Policia e Shtetit kishte një pistë të rëndësishme dhe të besueshme për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me biznesmenin e lojrave të fatit, Ervis Martinajn. Por la të kuptohej diçka më shumë. Në fjalën e tij, në emisionin “Opinion”, ministri Balla tha se ka shumë informacione të reja por duheshin vërtetuar nëse ishte kryer vepër penale. Më pas, shtoi "nëse" ishte kryer një vepër penale.
Por ndër rreshta la të kuptohet se ka një vepër penale që është kryer. Edhe sot, bëri të njëjtën gjë./ZËRI
21 janari, Balla: Predha që i mori jetën Aleks Nikës dërgohet për ekspertizë në Itali

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një konferencë për mediat bëri me dije se pas dy ditësh do të niset për ekspertim në Itali predha që i mori jetën Aleks Nikës në protestën e 21 janarit. Megjithatë tha se nuk do të jepte detaje të tjera për të ruajtur sekretin hetimor. Balla tha me tej se vendimi i Strasburgut hap rrugë të re që hetimet të shkojnë deri në fund, por shtoi se edhe Policia e Shtetit gjithashtu po punon lidhur me ngjarjen.
"Sa i përket 21 janarit, më 21 mars 2011 kam depozituar një kallëzim penal në emër të PS me të gjitha lë të themi informacionet dhe gjetjet që kemi pasur si palë e dëmtuar. Sot jemi në kushte të reja pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut. Në dritën e këtij vendimi edhe Policia e Shtetit ka identifikuar detyrat që kanë dalë që lidhen me hetimin e veprimeve menjëherë pas ngjarjes por edhe me elementin kryesor, zinxhirin komandues që çoi në atë tragjedi. Është konsideruar si vrasje pa autor dhe ju e dini që dosja nuk mbyllet dhe nuk ka asnjë parashkrim. Prokuroria i ka të gjitha mundësitë që të vijojë dhe përkthyer vendimin e Gjykatës që është urdhërues që të gjitha gjetjet, e nëse doni e kemi të përkthyer dhe gati me të gjitha konkluzionet, për të bërë të gjithë hetimin e plotë, ku gjykata e vendos theksin tek zinxhiri komandues. Duhet t'i shkohet deri në fund. Policia e Shtetit duhet që të bëjë punën e saj. Pas 2 ditësh do të dërgohet në Itali predha për ekspertim. Por është shumë e rëndësishme ajo që ka thënë gjykata që këtej e tutje nuk do të ketë më asnjë hapësirë manovrimi,"-tha Balla.
Ekstradimet, Balla: Kemi 'kriminelë' edhe në Korenë e Jugut

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla foli për kriminelët shqiptarë që fshihen jashtë vendit. Në një konferencë me gazetarë, Balla tha se po punohet për të ekstraduar dhe shqiptarë të kërkuar që ndodhen edhe në Korenë e Jugut. Sipas tij, rasti i ekstradimit të portugezit Ruben Saraiva nga Maroku, ka shënuar një precedent të mirë.
E përmendet çështjen e ekstradimeve, çfarë faze janë ekstradimet e pakryera? Lidhur me Bashkinë e Himarës, mendohet se ka një propozim për Vangjel Tavon?
Balla: E kam thënë që një prej gjërave që më shqetëson është dhënia fund e pandëshkueshmërisë. Kemi shumë raste që po kryejmë procedurat. Kemi persona që kanë lënë burgun në vitin 1997. Kemi raste në Korenë e Jugut për shembull, janë persona në kërkim dhe vazhdojmë përpjekjet për ti sjellë në Shqipëri.
Balla krahason vetëdeklarimin për SKY me dekriminalizimin: Rrjeta nuk del pa 'peshq'

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komentuar formularin e vetëdeklarimit nga efektivët e Policisë së Shtetit nëse kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat. Sipas tij, ka ende punë për të "pastruar" Policinë e Shtetit nga të lidhurit me botën e krimit. Ndër të tjera e krahasoi vetëdeklarimin në Polici, njëjtë me formularin e dekriminalizimit që firmosën deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Sa i përket kërkesës së opozitës për një Komision Hetimor për sistemin TIMS, ministri tha se për të hetimi mund të nisë që sot, pasi edhe vetë ai është i investuar në zbardhjen e rastit.
Ju pak kohë më parë firmosët një urdhër për SKY apo ECC, a keni të dhëna sa punonjës e kanë plotësuar këtë urdhër? 43 deputetë kanë firmosur një kërkesë për Komisionin Hetimor për sistemin TIMS, a do e miratojë maxhoranca?
Balla: Sa i përket formularit të vetëdeklarimit, të aksesit të një punonjësi të Policisë së Shtetit në 2 aplikacione që sipas Europolit rezulton të jetë përdorur nga grupe kriminale, kjo është e lidhur me kodin etik. Kur kam thënë që nuk do të toleroj asnjë që të gjendet në tavolinë me komunikimin me persona që kanë precedentë. Edhe kjo është në versionin dixhital. Por ky formular ka vlerë të shtuar. Mos u shqetësoni për këtë formular. është i ngjashëm me formularin e dekriminalizimit, gracka nuk doli pa peshk edhe në atë kohë. Nesër është afati i fundit, është pjesë e një vlerësimi afatshkurtër dhe afatgjatë në momentin që do na dalin të dhëna të tjera.
Kërkesa e opozitës- në 18 vite anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, kam marrë pjesë në shumicën e komisioneve hetimor. Dua që pyetjen tuaj ta kthej në një sugjerim. Ndryshimet që maxhoranca miratoi në seancën e 21 dhjetorit, janë një mundësi e artë e atyre që kishin hall tjetër. Nuk mund të ngriheshin Komisionet hetimor pa adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndryshimet ishin gjëja e duhur, e vonuar, që do i japë zgjidhje për ngritjen ose jo të Komisioneve hetimore. Të ngrihet që nesër, sepse po hetohet edhe nga Prokuroria. Opozita ka pasur një hall tjetër, e dimë fare mirë dhe shpresoj që këto ndryshime në ligjin për komisionet hetimore ti japim mundësi kuvendit që ta përdori këtë instrument. Mungesa e një opozite e ka bërë opozitën me shumë koka e secili kërkon komision hetimor, uroj që të mos ngrejë komision hetimor për veten e vet./ZËRI
Berisha theu urdhrin e GJKKO, Balla: E papranueshme! Policia do çojë në SPAK shkeljet

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla e quajti të papranueshme shkeljen e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga kryedemokrati, Sali Berisha. Në konferencën e tij për mediat, Balla tha se i takon institucioneve të tjera të gjykojnë thyerjen e urdhërit nga Berisha, megjithatë sqaroi se Policia e Shtetit evidenton shkeljet dhe i adreson pranë Prokurorisë së Posaçme.
Në ditën e 4, arresti në shtëpi për Sali Berishën është thyer duke komunikuar nga dritarja, a ka pasur kontroll nga Policia në banesë?
Balla: Unë nuk dua që kësaj çështje ti jap çdo lloj perceptimi politik, për ne të gjitha rastet, janë raste që personat i kanë me drejtësinë. Pavarësisht se personi që ju flisni është një kallëzim i bërë në cilësinë e deputetit. E kam ndjekur atë çështje prej shumë vitesh që kur gatuhej ajo formë privatizimi dhe më pas të gjitha veprat penale që janë pasuar. Por nuk dua të hyj në asnjë lloj komenti sa i përket kësaj. Sot në Shqipëri përballen dy botë, PS dhe grupi i saj parlamentar që nuk bën asnjëherë asnjë koment për asnjë akuzë që ngrihet ndaj njërit prej nesh. Dhe ndërkohë keni këtë rastin tjetër, lexoni çdo ditë vendimet që bëhen publike dhe besoj se e kuptoni qartë se bëhet fjalë për korrupsion të pastër. Kodi i procedurës thotë qartë se ke të gjitha ndalimet që ke gjatë arrestit me burg. Ky është kodi, nuk e kam shkruar unë dhe as zotëria. Por e kemi votuar të dy, është ndarja e dy botëve. Nuk kam pasur asnjë kontakt me Policinë, në mënyrë që shtetasi në fjalë të trajtohet si çdo shtetas tjetër në këtë vend. Natyrshëm që Policia referon tek Prokurorët të gjitha konstatimet që bëjnë. Është e papranueshme por megjithatë i takon institucioneve të tjera që të bëjnë komente për këtë. Një funksionar publik përdor firmën, pozicionin e tij, përdor edhe funksionarët e tij brenda ndërtesës, për përfitime të paligjshme, apo për lehtësim procedurash, se këta thotë lehtësim procedure, por edhe ajo është “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm” është ajo është vepër penale, por këtu është korrupsion sepse në fund të fundit janë krijuar miliona pasuri./ZËRI
Me armë kudo, Balla apel qytetarëve: Fund arrogancës, mos e kundërshtoni Policinë!

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur për objektivin e Policisë së Shtetit për vitin 2024. Në një konferencë për mediat, Taulant Balla theksoi se armëmbajtja pa leje vijon të jetë një fenomen negativ në Shqipëri që çon në rritjen e ngjarjeve kriminale në vendin tonë. Ndaj edhe shtoi se ka një angazhim në rritje për t’i dhënë fund rasteve të armëmbajtjes pa leje, por një apel bëri dhe për qytetarët.
Nga ekrani, kërkoi që qytetarët të respektojnë Policinë e Shtetit dhe të mos i kundërshtojnë.
"Objektivi im dhe i Policisë së Shtetit në 2024 është për një qasje edhe më të ashpër ndaj çdolloj forme posedimi apo armëmbajtje pa leje. Kjo është një arrogancë e hapur ndaj ligjit dhe ndaj komunitetit. Dhe ne do t’i japim fund çdo lloj shprehje publike të personave të cilët shfaqen në bare, në mjedise publike me armë me vete apo armë të fshehura në kroskotet e makinave apo në vende të tjera. Kam për qëllim krijimin e një qasje të re. Na duhet që politika e re penale të zërë vend. Ia them çdo qytetari, nuk mund të kundërshtosh punonjësin e Policisë. Ndoshta punonjësi i Policisë mund të jetë gabim në urdhërin dhe vendimin që ka marrë por ne kemi krijuar të gjithë instrumentat e apelimit të atij vendimi. Por urdhëri i punonjësit të Policisë duhet zbatuar,"-tha ndër të tjera Balla./ZËRI
Balla mesazh "të fortëve": Sa të jem unë ministër, s'ka më feude, as bajraqe

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ka dërguar një mesazh nga ekrani të gjithë "të fortëve" që sfidojnë Policinë e Shtetit me aktivitetin e tyre kriminal. Në një konferencë për mediat, Balla tha se përsa kohë do të jetë në detyrën e ministrit, asnjë nuk mund të krijonte shtet brenda shtetit.
"Në territorin e kësaj republike s’mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë,"-tha Balla./ZËRI
Balla skaner Policisë: Më shqetëson mosha e efektivëve. 2023 u mbyll me 35 vrasje

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë një analizë të vitit që lamë pas për Policinë e Shtetit. Në konferencën me gazetarët, Balla listoi arritjet por edhe fushat ku do të duhet që të fokusohen më shumë në vitin që sapo ka hyrë. Sipas tij, lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor, ndaj edhe premtoi se goditjet e forta kundër grupeve kriminale do të vijojnë dhe do të intensifikohen. Për vitin që lamë pas, Balla theksoi se u shënuan 35 vrasje, një shifër rekord.
"Këtë vit u shënuan 35 vrasje deri më tani 2023 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Pothuajse 1/3 e ketyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krim në familje. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë."
Shqetësim për Ballën është mosha mesatare e efektivëve të Policisë, e cila është 47 vjeç, por edhe inkriminimi i disa prej tyre me kontigjentë kriminalë. Luftë që sipas Ballës do të vijojë. Ndër të tjera në fjalën e tij ministri Balla tha se gjithashtu ka nisur edhe arkëtimi i të ardhurave që burojnë nga procesi i ndëshkimit të abuzuesve me ndërtimet pa leje.
"Për 9 objekte do të arkëtohen si të ardhura në buxhetin e shtetit 10.5 milionë Euro,"-shtoi Balla.
FJALA E PLOTË E MINISTRIT:
Lajmi më i bukur i vitit që mbyllëm nuk ishte vetëm shifra 10.155.640 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë, por çertifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse. Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Siguria publike gjatë vitit 2023, ishte një test i rëndësishëm pasi çertifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik, me ZERO ngjarje kriminale të qëllimshme, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.
Policia Kufitare: janë rregjistruar në hyrje/dalje, 33 685 793 shtetas. Krahasuar me vitin 2022, janë përpunuar 5 255 075 shtetas më shumë; janë rregjistruar në hyrje/dalje, 9 123 127 automjete. Krahasuar me vitin 2022, janë përpunuar 892 419 automjete më shumë; janë goditur 87 raste të mosdeklarimit të të hollave, të cilat kanë rezultuar me sekuestrimin e rreth 2 634 944 eurove; janë goditur 58 raste të kontrabandës me mallra/produkte të ndyrshme në pikat e kalimit kufitar, 8 raste më shumë se gjatë vitit të shkuar; janë goditur 10 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 10 më shumë se vitin e shkuar; janë finalizuar 154 operacione për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Sezoni i ri turistik 2024 do të ketë Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë në destinacionet kryesore turistike. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera do duhet të garantojnë plazhe të lira dhe bregdet të pastër, nga Velipoja deri në Ksamil.
REZULTATET E IKMT
Ka filluar arkëtimi i të ardhurave që burojnë nga procesi i ndëshkimit të abuzuesve me ndërtimet pa leje ose jashtë lejeve të ndërtimit. Për 9 objekte do të arkëtohen si të ardhura në buxhetin e shtetit 10.5 milionë Euro.
SIGURIA RRUGORE
Investimet në infrastrukturën rrugore, përdorimi i teknologjisë në kontrollet e policisë rrugore ka sjellë një përmirësim tepër të madh të indikatorëve të sigurisë në rrugët e Shqipërisë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka në administrim 3600 km rrugë. Në 10 vitet e fundit numri makinave në pronësi të qytetarëve shqiptarë është dyfishuar, nga 445.956 mjete në në vitin 2013, në 867.800 mjete në vitin 2023, ndërsa numri i aksidenteve është përgjysmuar nga 2075 në vitin 2013 në 1228 incidente rrugore në vitin 2023.
Por nuk është vetëm kjo.
Gjatë vitit 2023 kanë qarkulluar në rrugët e Shqipërisë edhe 2.74 milionë automjete me targa të huaja që kanë hyrë dhe kanë dalë gjatë gjithë vitit të kaluar. Pra rreth 3.6 milionë mjete në 3600 km rrugë kombëtare, një intensitet i paimagjinueshëm. Policia Rrugore: Gjatë vitit 2023 janë evidentuar 1228 aksidente rrugore me pasoja të rënda. Në këto aksidente rrugore evidentohen 191 të vrarë, 187 të plagosur rëndë. Janë vendosur 898,164 masa administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor (148.854 masa më shumë se në vitin). Janë arrestuar 2869 drejtues mjetesh, nga të cilët 1478, pasi kanë rezultuar se e drejtonin mjetin në gjendje të dehur/në efektin e lendëve narkotike dhe 1391, pasi drejtonin mjetin, pa leje drejtimi; Janë pezulluar 6806 leje drejtimi; Janë vendosur 898 425 masa administrative: 220 201 për mosrespektim të normave të shpejtësisë, 59 318 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 18 450 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 34 657 për përdorimin të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 75 375 për parakalime të gabuara dhe 490 424 masa per shkelje te tjera të Kodit Rrugor.
SIGURIA PUBLIKE NGA ZJARRI
Vera e zgjatur e vitit 2023 na ndihmoi shumë për turizmin, por na vendosi përballë një numri të frikshëm zjarresh. Kam ndjekur dhe do të vazhdoj të ndjek personalisht proceset gjyqësore në ngarkim të 101 shtetasve të arrestuar/proceduar penalisht për këtë fenomen barbar.
Dje i kam udhëzuar UNIFIKIMIN E VEPRIMTARISË SË INSPEKTIMIT TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN ME QËLLIM RRITJEN DHE GARANTIMIN E SIGURISË PUBLIKE NGA ZJARRI NË SHKALLË VENDI duke pasur në konsideratë faktin se ministri i Brendshëm ka në kompetencë orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të MZSH-së si dhe ka një ndërlidhje në ushtrimin e funksioneve në këtë fushë nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, strukturat e MZSH-së në bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në bashki.
Në kuadrin e bashkëpunimeve me partnerët tanë ndërkombëtarë pritet që flotës tonë të automjeteve zjarrfikës gjatë vitit 2024 tu shtohen edhe 11 automjete, pa llogaritur edhe automjete të tjera që mund të sigurohen nga donacionet që mund të sigurojnë njësitë e qeverisjes vendore.
POLICIA E SHTETIT
Prej ditës së parë si Ministër i Brendshëm kam kuptuar se suksesi në këtë detyrë publike është i pamundur pa krijimin e një fryme skuadre në përpjekjen për të përmbushur objektivat në këtë sektor sfidues. Kam shtërnguar duart me një pjesë të madhe të efektivëve dhe do të vijoj të takohem e dëgjoj me vëmendje çdo anëtar të trupës së Policisë. Po përgatisim ndryshime rrënjësore në Ligjin për Policinë e Shtetit, jemi në fazën finale, para miratimit në Qeveri, për ta dinamizuar dhe energjizuar trupën drejtuese të Policisë dhe përmirësuar karrierën. Akademia e Sigurisë, është tashmë një Institucion i Arsimit të Lartë. Gjatë vitit 2023, janë pranuar në Akademinë e Sigurisë, për “Patrullë e përgjithshme”, 607 vajza dhe djem, ndërsa në Fakultetin për Hetimin e Krimit janë pranuar 41 ekselentë dhe 246 për studimet “Bachelor”. Gjatë vitit 2024, do të pranohen edhe 400 kursantë për “Patrullë e përgjithshme”, 100 ekselentë dhe 29 për funksione të veçanta. Gjithashtu, në shtator, nëpërmjet Maturës Shtetërore, synpjmë të pranpjmë 150 maturantë, për studimet “Bachelor”. Synimi im është që të zgjidhim plotësisht nevojat për burime njerëzore në Policinë e Shtetit brenda vitit 2025, për të synuar më pas edhe një rritje të numrit total të Policisë së Shtetit.
AKTUALISHT POLICIA E SHTETIT PËRBËHET NGA:
Forca aktuale e Policisë (burra dhe gra) është 9592 anëtarë, nga të cilët 991 vajza/gra dhe 8601 burra, pa llogaritur punonjësit civilë të Policisë së Shtetit. Mosha mesatare është 47 vjeç. (Aktualisht, janë në punë 10 777 punonjës civilë dhe ushtarakë, prej të cilëve 1630 gra/vajza dhe 9147 burra.) Rezultatet e arritura gjatë muajve të fundit janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar. Në territorin e kësaj republike s’mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë.
Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e jursidiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash.
Gjatë vitit 2023: Janë finalizuar 1195 operacione policore, 62 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë; Janë ndaluar 7845 shtetas, autorë të dyshuar krimesh të ndryshme; Janë goditur 47 grupe kriminale, kryesisht për: kultivim, prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike, për kryerjen e ngjarjeve kriminale dhe për vjedhje.
VRASJET
Kemi patur një rënie të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 35 deri më tani 2023 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Pothuajse 1/3 e ketyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krim në familje. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë. I kam kërkuar drejtorive vendore të policisë dorë të hekurt kundër dhunës më bazë gjinore dhe mbrojtje e mbështetje për viktimat e dhunës. Janë evidentuar 4698 raste të dhunës në familje, me 2030 autorë të identifikuar. 783 prej tyre janë ndaluar, ndërsa 1247 të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 2730 kërkesëpadi për urdhra mbrojtjeje/urdhra mbrojtjeje të menjëhershme në favor të të dëmtuarve nga kjo vepër penale.
PARANDALIMI
Duke u rikthyer tek lufta kundër krimit, gjatë vitit 2023 është rritur zbulueshmëria dhe forca parandaluese. Janë parandaluar nga Policia e Shtetit 67 ngjarje të rënda kriminale dhe kjo duhet të sfida e re e punës së përditshme të policisë. Janë zbardhur 488 vjedhje. Indeksi Europian mbi Kriminalitetin dhe Sigurinë Publike e përcakton tashmë Shqipërinë si një vend me indikator sigurie më të lartë sesa fqinjë tanët të cilët janë anëtarë të Bashkimit Europian. Lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton cdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta.
Deri në këtë moment falë Operacionit Kombëtar “TEMPULLI” janë goditur 24 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 530 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Operacioni Kombëtar “SUNDIMI I LIGJIT” po jep gjithashtu rezultate të kënaqshme duke goditur 19 grupe kriminale dhe cuar para drejtësisë 357 shtetas, të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar. Këtu përfshihen grupe kriminale të përfshira në organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, trafik armësh, për mashtrim, kontrabandë dhe krime të tjera ekonomike.
Gjatë vitit 2023 janë sekuestruar: 797 armë (401 armë zjarri, 148 armë gjahu dhe 148 armë sportive); 8 mina me telekomandë, rreth 300.4 kilogramë lëndë plasëse, 119 granata dhe municion luftarak.
KULTIVIMI I LËNDËVE NARKOTIKE
Në vijim të pastrimit të alpeve dhe zonave të tjera në të gjithë territorin, gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve. Janë kryer 171 operacione policore, janë goditur 335 raste të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, janë asgjësuar 293 047 bimë narkotike cannabis sativa, me 273 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë. Janë sekuestruar gjatë vitit 2023: 4 tonë cannabis sativa; 62 kilogramë heroinë, 23 kilogramë kokainë dhe 11 300 tableta ekstazi;
KRIMI EKONOMIK
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare gjatë vitit 2023 janë evidentuar: 3395 raste të veprave penale, me 4017 autorë të identifikuar, nga të cilët 815 janë ndaluar, ndërsa të tjerët janë proceduar penalisht. Gjithashtu, janë goditur 5 grupe kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, ndërsa në fushën e krimeve kompjuterike janë goditur 2 grupe kriminale. Janë goditur 409 raste të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë, mallrave të konsumit, ilaçeve, veshjeve, orave dhe sendeve të tjera me vlerë ose të celularëve. Nga automjetet/motomjetet qe iu janë konfiskuar grupeve kriminale, Policia e Shtetit gjatë 2 viteve të fundit, ka përfituar 47 automjete dhe motomjete me karakteristika të ndryshme (të blinduara dhe me kalueshmëri të lartë), të cilat i kanë kaluar DPPSh-së, me kosto financiare zero nga buxheti i PSh-së.
Po punojmë për përmirësimin e Ligjit Antimafia dhe të Ligjit për administrimin e pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara.
PERSONAT NË KËRKIM / VEPRAT KRIMINALE PA AUTOR
Kemi ngritur bashkëpunimin me INTERPOL në një nivel tjetër. Janë janë arrestruar me qëllim esktradimin në vendin tone - 139 shtetas, nga të cilët 78 persona u ekstraduan në Shqipëri. Vlen të theksojmë faktin se për herë të parë kemi ekstradim nga vende me të cilat skemi marrëveshje esktradimi, sic ishte rasti i 31 dhjetorit me shtetasin Ruben Saraiva, i dyshuar për një krim të rëndë. Ngjarjet e rënda pa autor mbetën një sfidë e hapur për Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë. Falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, edhe hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është një detyrë prioritare për policinë dhe prokurorinë. Policia e Shtetit po fiton një besim më të madh jo vetëm nga publiku por dhe nga agjencitë e vendeve partnere. Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike e private. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit. Kush nuk është dakord me urdhërin apo vendimin e punonjësit të policisë të marrë avokatin, por në rrugën tonë “të të bërit shtet”, na duhet të vendosim një standard të ri në autoritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit. As Ligji, as publiku nuk mund të pranojnë më shtyrje, fyerje, kërcënime, kanosje, dhunë dhe rrezikim të jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, duhet vendosur një standard të ri ndaj kujtdo që ngre dorë kundër Shtetit. Një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal dhe do të përforcohen në Kodin e ri Penal, si dhe në ligjin për Policinë Shtetit. Rritja e standartit të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie si dhe të Gardës së Republikës, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja. Prandaj falë mbështëtjes së Kryeministrit, e bëmë fakt dhe kemi tashmë 92 punonjës policie të cilët janë shpallur përfitues po hynë më në fund banesën e tyre. Shpresoj të kemi të paktën 300 banesa të tjera gjatë 2024 dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë së shtetit.
Buxheti 2024 na ka dhënë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit duke filluar nga 1 Korriku 2024. I dhamë më në fund një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie. Rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me PROCESIN E VETËPASTRIMIT, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.
Hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse: 367 punonjës policie të arrestuar/proceduar deri më tani. Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë. Ky proces i cili sapo ka hyrë në një fazë të re do t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Polici më të fortë dhe një nivel akoma më të lartë të sundimit të ligjit.
---------------------
Lidhur me shërbimet e tjera që lidhen më Ministrinë e Brendshme dua t’i ripërsëris thirrjen bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit. Shërbimi elektronik “Deklarimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” ju mundëson shtetasve shqiptarë të cilët janë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të kryejnë vetëdeklarimin e adresës së banimit me të dhënat e sakta në shtetin ku ata jetojnë. Formulari i vetëdeklarimit elektronik mund të plotësohet nga shtetasit për deklarimin e adresës së tyre personale, ose dhe për anëtarët e të njëjtës familje, në rastin kur ata jetojnë në të njëjtin vendbanim me deklaruesin.