LIVE UPDATES

Demokratët i mblidhen poshtë shtëpisë, Berisha u flet me mikrofon: Kam qenë me grip (VIDEO)

➤Dhjetëra demokratë janë mbledhur sërish këtë të mërkurë poshtë banesës së kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha. Për herën e dytë brenda këtij viti, poshtë pallatit ku banon kreu i opozitës, në rrugën "Mustafa Matohiti", e njohur ndryshe si "Rrugica e Salës", demokratët edhe njëherë janë mbledhur duke brohoritur për liderin e Partisë Demokratike, i cili ndodhet në masën e sigurisë "arrest shtëpie". ➤ Ndërkohë, në kushtet kur i lejohet që të flasë vetëm me bashkëjetuesit e tij, Berisha theu urdhërin e GJKKO-së, duke mbajtur një fjalim për qytetarët që ishin mbledhur për të. ➤ Në fjalën e tij, Berisha tha se nuk kishte komunikuar me ta këto ditë për shkak të një gjendjeje gripale, jo për shkak të vendimit të Gjykatës. ➤ Madje dhe bëri një denoncim të fortë, duke pretenduar se gjatë zgjedhjeve lokale ishte planifikuar vrasja e kandidatit të PD-së për Hasin, Miftar Dauti. ➤ 4 ditë më parë, më 30 dhjetor, me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkak të hetimeve në dosjen "Partizani", Berisha është lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie". ➤ Gjykata e Posaçme pranoi të shtunën kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. ➤Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie".

6 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Ekskluzive/ Miftar Dauti përgënjeshtron Berishën: Nuk di të ketë plan për vrasjen time!

Demokratët i mblidhen poshtë shtëpisë, Berisha u flet me
Sali Berisha dhe Miftar Dauti

TIRANË- Miftar Dauti, kreu i Bashkisë Has, ka përgënjeshtruar pretendimet e kryedemokratit, Sali Berisha. Ky i fundit, nga dritarja e banesës së tij tha se në Prokurorinë e Posaçme ka një dosje për eliminimin e tij fizik nga kundërshtarët, por Dauti për ZËRI, pretendoi të kundërtën. Në një prononcim të marrë nga ZËRI, Miftar Dauti tha se fushata për zgjedhjet lokale të 14 majit ishte e egër, por shtoi se vetë nuk ka pasur asnjë shqetësim të këtij lloji. Duke theksuar se nuk ka pasur "asnjë gërvishtje gishti". I pyetur nëse do të kërkonte informacione në SPAK lidhur me pretendimin e Berishës, kryebashkiaku i Hasit u shpreh se nuk kishte asnjë arsye për t'u paraqitur në Prokurori, pasi nuk kishte asnjë pretendim. 

"Nuk kam dijeni. Fushata ka qenë e egër, ishalla nuk përsëritet më. Ka pasur presione policie nga të gjitha anët. Por me qetësi dhe me vullnet ia kemi dalë. Kërcënime nuk kam pasur, por kam ndjerë presionin e Policisë së Shtetit që kanë shumë e pranishme që nga FNSH të gjitha policitë kanë qenë. Probleme direkte nuk kemi. Nuk kam dijeni se nga data që kam fituar zgjedhjet jam qyetar i pari dhe jam marrë me punët e komunitetit. Politika për mua ka qenë 1 muaj. Ne jemi përballur me kundërshtarin politik. Ne i kemi kapur me furgona me ndihma, por si politika.

Do shkoni në SPAK?

Kam qenë në SPAK para se të marrë mandatin sepse jam akuzuar se kam qenë i dënuar. Kam qenë i dënuar në kohën e partisë së punës, ne jemi aministruar me ligjin 7415, 1991. Ai ligj na quan të pafajshëm dhe të padënuar. I kam dhënë deklaratat e mia. Përderisa unë nuk jam pjesë e problemit, pse duhet të shkoja në SPAK? Nuk kam dijeni, nga dita që kam marrë mandatin nuk kam pasur kërcënim. Fushata ka qenë e egër, e tensionuar por nuk kemi pasur asnjë gërvishtje gishti. Ka kaluar çdo gjë pa probleme,"-tha në prononcimin për ZËRI, Miftar Dauti. 

Pasditen e sotme, Berisha denoncoi se në SPAK ka një dosje, ku sipas tij është plani për eliminimin fizik të kandidatit të Partisë Demokratike në Bashkinë Has, Miftar Dauti. Megjithatë, lidhur me denoncimin e tij, Berisha nuk dha detaje të tjera./ZËRI

1 VITE ME PARE

'Të flasë vetëm me bashkëjetuesit'/ Berisha thyen urdhrin e GJKKO, ç'do ndodhë me të

Demokratët i mblidhen poshtë shtëpisë, Berisha u flet me
Sali Berisha

TIRANË- 4 ditë më parë, më 30 dhjetor të vitit që lamë pas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që të caktonte masën e sigurisë "arrest shtëpi" kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Fill pas caktimit të vendimit, Policia e Shtetit ka marrë urdhrin e ekzekutimit të masës së sigurisë, ndërkohë që ka edhe një urdhër specifik. 

"Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të,"-shkruhet në vendimin e GJKKO-së. Pikërisht këtë vendim ka thyer sot kryedemokrati Berisha, i cili me një mikrofon, komunikoi me simpatizantët e mbledhur poshtë banesës së tij. Me shkeljen e re të Berishës, pritet që Gjykata që analizojë edhe njëherë komunikimin e kryedemokratit sot, ndoshta për të shtrënguar edhe më shumë masat ndaj tij; ose ndoshta një masë më e rreptë sigurie. Vetëm se për të ndryshuar masën në "arrest me burg", togat e zeza i ndalon ligji, pasi numri një i opozitës është 79 vjeç. Megjithatë se çfarë do të vendoset për të konkretisht pritet që të zbulohet gjatë ditëve në vijim. 

VENDIMI I PLOTË I GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 22.12.2023 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Zëvendësim i masave të sigurimit personal shtrëngues, “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Z. Sali Berisha. Në seancën gjyqësore të datës 30.12.2023, ora 12.00, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjyqtarja Irena Goka, pasi shqyrtoi kërkesën, vlerësoi çështjen në tërësi, dëgjoi palët në kërkimin përfundimtar, bazuar në nenet, 228, 229, 230, 231, 232, 233, 237, 249, 260/2, 466 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. 2.1. Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të. 3-Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

4- Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

5-Kundër këtij mund të bëhet ankim nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më datë 30.12.2023

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

1 VITE ME PARE

Berisha 'i ngujuar' në banesë, demokratët e përshëndesin me këngë: Rezisto!

Demokratët i mblidhen poshtë shtëpisë, Berisha u flet me
Pamje nga banesa e Berishës

TIRANË- Dhjetra simpatizantë të Partisë Demokratike u mblodhën sot poshtë banesës së kryedemokratit Sali Berisha. Poshtë banesës së tij, demokratët e mbledhur e 'përshëndetën' me një këngë kryedemokratit, si një mesazh për të gjatë kohës që ndodhet në masën e sigurisë "arrest shtëpie". Pasi Berisha përfundoi fjalimin e tij, në sfond nisi që të luhej kënga "Rezisto", nga Renis Gjoka & Eugent Bushpepa, e cila është përdorur më herët edhe në fushatën zgjedhorë të PD-së. 

TEKSTI I KËNGËS:

Mos prit, aspak.
Hidh një hap.
Ne u bëmë shumë.
Bashkë fitojmë!
Kokën lart burrat e dheut
Dhe ju gra veshur me diell.

Çdo fjalë humbet kuptimin.
Kur s'ke zë me fol.
Një ditë më shumë duro
dhe guxo, ti shpreso
REZISTO

Mesa duket fjalët e këngës, demokratët ia dedikuan liderit të tyre, i cili kishte dalë në dritare dhe i përshëndeste me simbolin e 2 gishtave dhe duke valëvitur flamurin kuqezi dhe atë të PD-së./ZËRI

1 VITE ME PARE

E FORTË! Berisha: SPAK ka dosjen, u planifikua vrasja e kandidatit të PD për Hasin

Demokratët i mblidhen poshtë shtëpisë, Berisha u flet me
Sali Berisha dhe Miftar Dauti

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë nga dritarja e banesës së tij. Duke thyer edhe urdhërin që i ka vendosur Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Berisha denoncoi se në SPAK ka një dosje, ku sipas tij është plani për eliminimin fizik të kandidatit të Partisë Demokratike në Bashkinë Has, Miftar Dauti. Megjithatë, lidhur me denoncimin e tij, Berisha nuk dha detaje të tjera. 

"Vetëm pak muaj më parë, në zyrat e ekstremistit Altin Dumani mbërrin dosja zyrtare, e firmosur nga zyrtarë, në të cilën dëshmohet se falangat e partisë së krimit, meqenëse nuk fitonin Hasin, kërkonin të eliminonin kandidatin e PD. Dumani është një vrasës si ata. Fsheh krimin e tyre dhe del përgjërohet në publik. Unë ju ia jap fjalën ju se atë fytyrë siç e ka do ua nxjerr para shqiptarëve. Se ata do të jenë si armë e diktaturës so marrin nga populli opozitar përgjigjen që meritojnë,"-tha ndër të tjera Berisha në fjalën e tij.

Kandidati i koalicionit "Bashkë fitojmë", Dauti, në zgjedhjet e 14 majit 2023, mori 55.9% të votave nga totali, saktësisht 4420 vota, ndërsa rivali i tij në garë, kandidati socialist, Beqir Mulaj, mori 3488 vota, rreth 44.11% të votave.

PJESË NGA FJALA E BERISHËS:

Sot unë paraqita në FB tim, flamurin e PD. Në fakt ai është flamuri i pluralizmit politik, flamuri i partisë që solli pluralizmin. Edi Rama është vërsulur ndaj çdo demokrati dhe demokrateje me urrejtjen primitive, me tërbimin e papërmbajtur të etërve të tij, me shpresë dhe besim se do mund të arkivojë në histori PD-në. Por ne jemi këtu sot për t’u betuar para ndërgjegjes sonë, para njëri-tjetrit se Edi Rama me grupin e tij kriminal, me skapistët e tij, mercenarë të krimit, do marrin shumë shpejt vendin që meritojnë. Në këtë betejë megjithatë ne jemi shumica, pasi shumica e padiskutueshme e shqiptarëve janë për pluralizmin politik, janë kundër mafies dhe shtetit të saj. Megjithatë, për momentin është sundimi i saj. Të dashur miq, ju keni konstatuar se në dallim nga çdo politikan, në këtë vend, unë kam sulmuar me ashpërsinë më të madhe prej dy vitesh Skapin si organizatë kriminale, si grupe të strukturuara kriminale. Sot do u them shkakun themelor. Në çdo gjë që kemi në vlerat tona politike, supervlerë ne kemi votën e lirë. Por në qoftë se Edi Rama, ministrat e tij, Dumani, Doshi e me radhë, Gjiknuri, Manja, e të tjerë, janë vrasës të saj në terren, Dumani, Kraja dhe horat e tjerë janë vrasës të saj në dosjet që nuk i hapin kurrë. Miqtë e mi, këta janë laro. Këta janë armiq të lirive tuaja, të lirive të shqiptarëve. Këta, për ata që ndajnë me kriminelët në qeveri, janë gati të shkelmojnë mbi lirinë tuaj më themelore, votën. Vetëm pak muaj më parë, në zyrat e ekstremistit Altin Dumani mbërrin dosja zyrtare, e firmosur nga zyrtarë, në të cilën dëshmohet se falangat e partisë së krimit, meqenëse nuk fitonin Hasin, kërkonin të eliminonin kandidatin e PD. Dumani është një vrasës si ata. Fsheh krimin e tyre dhe del përgjërohet në publik. Unë ju ia jap fjalën ju se atë fytyrë siç e ka do ua nxjerr para shqiptarëve. Se ata do të jenë si armë e diktaturës so marrin nga populli opozitar përgjigjen që meritojnë. Ata janë hanxharët, ata janë shndërruar në veglat mjerane, mbështetësit më kryesorë të diktaturës në Shqipëri, mashtrues mjeranë që punojnë nga mëngjesi deri në darkë vetëm për pushtetin e Edi Ramës. Por ne kur nuk na impresionon Edi Rama, nuk ka pse na impresionojnë larot e tij, në Skap dhe kudo qofshin ata./ZËRI

1 VITE ME PARE

Berisha thyen urdhrin e GJKKO, mban miting në dritare: S'më ndali Edi Rama, por gripi! S'e bëj më vaksinën

Demokratët i mblidhen poshtë shtëpisë, Berisha u flet me
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thyer urdhrin e vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të komunikuar vetëm me bashkëjetuesit teksa ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "arrest shtëpie". Nga dritarja e banesës së tij, Sali Berisha ka dalë me mikrofon në dorë dhe ka nisur që të mbajë një fjalim për të gjithë simpatizantët e grumbulluar poshtë banesës së tij. Në fjalën e tij, kryedemokrati tha se nuk e kishte ndalur vendimi i Gjykatës për të komunikuar me qytetarët, por një grip që kishte kaluar së fundmi. Këtu shtoi se ai nuk do e bëjë më kurrë vaksinën kundër gripit, pasi sipas tij, është e imponuar nga pushteti.

"Të dashur demokrate dhe demokratë. Vëllezër dhe motra. Një përshëndetje të zjarrtë ju këtu qeë keni ardhur këtu në këtë protestë, por përshëndetje demokrateve dhe demokratëve kudo që janë sot. Përshëndetje popullit opozitar nga zemra uroj sukses në betejën tonë pa kthim, në betejën tonë të fitores. O sot o kurrë! Në këmbë shqiptarë. Miqtë e mi, këto ditë nuk kemi pasur një komunikim zanor me ju. Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj. Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë. Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do e bëj ndonjëherë. Miqtë e mi, Edi Rama në traditën e tij më të shëmtuar, në traditën e të atit të tij xhelat, i cili si zëdhënës i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, firmoste varjen në litar të fjalës së lirë të poetit të pavdekshëm Havzi Nela, urdhëroi mercenarët e tij t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju. Por unë do u rrëfej ju një gjë. Unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy Kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë. Ajo është hyjnorë, është tokësore. Ne i bindemi asaj, njëlloj si Zotit dhe ndaj u garantoj ju se Sali Berisha do pranojë dhe do bëjë vetëm atë që është në interesin tuaj, në interesin e demokratëve, në interesin e pluralizmit, në interesin e Shqipërisë. Përveç kësaj, vendi, kombi ka një Kushtetutë të miratuar. Një Kushtetutë që përdhoset, shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama dhe mercenarët e tij në Skap dhe në drejtësi. Për Edi Ramën, Kushtetuta e vendit nuk ekziston. Kushtetuta ka një nen të saj, ka nenin 17, në të cilin përcakton se nuk ka kryeministër, nuk ka gjykatës, nuk ka prokuror që mund të mohojë lirinë e shprehjes. Ajo ndodh vetëm me ligj, por horat ligj nuk kanë, horat moral nuk kanë. Ndaj dhe ne respektojmë Kushtetutën supreme, por respektojmë edhe Kushtetutën që qëndron në themel të shtetit ligjor. Miqtë e mi, kjo është një betejë që ka një mision të shenjtë hyjnor, rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij 33 vjet pas themelimit të PD,"-tha Berisha./ZËRI

1 VITE ME PARE

Berisha nën arrest dhe mbikëqyrje policore, avokatët apelojnë vendimin

Demokratët i mblidhen poshtë shtëpisë, Berisha u flet me
Sali Berisha

TIRANË- Avokatët mbrojtës të Sali Berishës kanë apelur vendimin e Gjykatës së Posaçme, që la nën masën e arrestit të shtëpisë ish-kryeministrin. 

Avokatët e Berishës kishin 5 ditë kohë që të apelonin vendimin e dhënë të shtunën e 30 Dhjetorit nga ana e Gjykatës së Posaçme, dhe kanë shfrytëzuar këto afate për të dorëzuar sot kërkesën për ndryshimin e masës.

Gjykata e Posaçme vendosi të shtunën për t'i dhënë Berishës masën e arrestit të shtëpisë, si dhe ndalimin e tij për të komunikuar me persona që nuk janë pjesë e familjes së tij.

Gjykata e Posaçme pranoi të shtunën kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie". Vetë Berisha e ka cilësuar arrestimin e tij politik, ndërsa ka deklaruar se kjo është një vepër e Edi Ramës për të izoluar aksionin opozitar në vend.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur disa grumbullime poshtë banesës së Berishës, ndërsa dje mbështetësit i përshëndeti dhe e bija e tij Argita Malltezi/ ZËRI

Poll

MOS HUMB