LIVE UPDATES

Balla: Policët e SKY do të përjashtohen, kam kërkuar informacion nga Veliu (i cili është vetë në dosje)

➤Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant njoftoi sot se çdo efektiv Policie që është përfshirë dhe ka mundur të aksesojë kanalet e komunikimit ku pjesë kanë qenë persona që ushtrojnë veprimtari kriminale, do të përjashtohet nga trupa e PSH.  ➤Balla pohoi se nuk ka patur një rrjedhje të informacionit nga sistemi TIMS, duke mohuar edhe përplasjet. ➤ Ndërkohë në lidhje me kontrollin e pastërtisë së policëve, Balla tha se ka kërkuar informacione nga krerët e PSH dhe AMP, konkretisht Muhamet Rrumbullaku dhe Ardi Veliu. ➤ E paqartë është mënyra sesi kjo nismë do të gjejë zbatim, pasi në rastin konkret, Ardi Veliu, drejtor i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore është një nga emrat që ish-shefi i Operacionales, Oltian Bistri, përmendte në bisedat me biznesmenin Pëllumb Gjoka, gjatë ushtrimit të palejuar të aktivitetit të pikave të basteve.

3 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

EPISODET/ Çfarë thoshte shefi i Operacionales për Veliun dhe Jaupin, a do të përjashtohen tani siç tha Balla?

Balla: Policët e SKY do të përjashtohen, kam kërkuar
Foto ilustruese

TIRANË- “Spastrimi” do të nisë shumë shpejt nga radhët e Policisë së Shtetit. Këtë e lajmëroi vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili paralajmëroi përjashtimin e efektivëve që kanë komunikime dhe lidhje me botën e krimit. Më konkretisht, ata që kanë pasur komunikime, takime dhe aq më keq, bashkëpunim me eksponentë të botës së krimit. Në selinë e Kuvendit, Balla paralajmëroi se kishte kërkuar informacion të thelluar nga Europoli, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliu. Në artikullin e mëparshëm “Zëri.ai” evidentoi paradoksin në kërkesën e Ballës. Kjo sepse personi që Balla po i kërkon informacion, konkresisht Ardi Veliu, është një nga personat që përmendet në dosjen “Metamorfoza”.

Sa i besueshëm mund të jetë informacioni që do të mbledhë; dhe a do të përmendë edhe emrin e tij në raportin që do t’i dërgojë Ballës? Megjithatë Veliu nuk është vetëm. Qartësisht në dosje përmendet edhe Rebani Jaupaj, asokohe mbante detyrën e drejtorit të Policisë së Tiranës. Emrat e tyre i ka nxjerrë Oltion Bistri, i arrestuar tashmë nga Policia. 

“Zëri.ai” disponon dosjen e plotë të operacionit “Metamorfoza”, ku ish-shefi Oltian Bistri fliste për drejtuesit madhorë të Policisë

Oltion Bistri komunikon vazhdimisht me Pëllumb Gjokën. Ish-shefi i Operacionales, i tregon sesi ka hyrë ‘mik’ që të mbante fjalën e tij dhe kazinoja e Pëllumb Gjokës mos të prekej. Ai rrëfen edhe një bisedë, e bërë në vitin 2019, ku flitet për një Ardi, dyshohet se bëhet fjalë për Ardi Veliun. Bistri nuk donte t’i hiqte lojërat e fatit Pëllumb Gjokës sepse i kishte dhënë fjalën.

MESAZHET NË SKY:

Bistri i shkruan Gjokës: Ka frikë Rebaniu se i paskan thënë për këtë rastin dhe është tremb”, apo “ik fli tani apo ke puntorë brenda? Kush është klienti më i fortë? I ke marrë ndonjë tajvanit? Ty të duhen me lek, jo ata që s’i lënë andej. Ata që si lënë janë të mbaruar. Prit një herë të mbarojë aksioni. Unë e bëra për ty këtë se smë ngrenë ato 1500 euro që marr. Se veç për ty e lashë. është muhabet vk. Edhe për anë morale më tepër. Se vetëm stres. Vetëm këto sa bëjnë ti lutem rebos aman. Ai lekët do marri dhe kot i merr. Se di pse ka frikë. S’do as Ardi se i thashë. Bile dhe për këtë më çau k...n. I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin.

Pasi mbaron diskutimi për Ardi Veliun, përmendet kryepolici i Tiranës, kryefjala janë sërish kazinotë e paligjshme. Një natë do të bëhej kontroll, por Bistri siguroi mikun e tij se “Rebua” (Rebani Jaupi), e dinte mirë se ku ishin pikat e biznesmenit, e se nuk do të ndërhynte për t’i mbyllur, por i kërkonte që të tregonte kujdes.

Më datë 19.02.2020 ora 22.34, Oltian Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës: Nesër në darkë mbylle ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet.

Më datë 20.02.2020 ora 00.00 Bistri-Gjokës: E di, por tani takova të madhin edhe më tha e shtymë për nesër në darke ndaj

Në orën 19.25 Bistri i shkruan Gjokës: Ky i fundit shkruan, tani do filloj për pak, ik futu gjëkundi se si dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo si dihet. Se di. Akoma sna i kanë sjel emrat dhe vendet. Dr tha, do e heq pikën nga lista. Jo. E din Rebua vetë ska nevojë.

Oltian Bistri kujdesej që aktiviteti i kundraligjshëm i lojrave të fatit të Pëllumb Gjokës të mos zbulohej si dhe ai të vijonte aktivitetin i qetë, në bashkëpunim me shefat e tij të Policisë. Por ky fakt penal ende nuk është vërtetuar. Bistri ndodhet pas hekurave të burgut, ndërsa Veliu dhe Jaupaj, jo! Deri në sigurimin e provave është praktikisht e pamundur që të vërtetohet implikimi i tyre në bashkëpunim me biznesmenin. Fjala e Bistrit nuk mjafton për të vërtetuar “krimin” e kryer. Sigurisht që verifikimet do të kryhen, por në këtë rast duhen bërë nga persona që minimalisht nuk kanë konflikt interesi, siç është rasti i Ardi Veliut. A mund ta nxjerrë ai veten apo kolegët dhe ata që potencialisht mund të jenë bashkëpunëtorët në krime, në listën e të përmendurve me personazhet e botës së krimit./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

'SKYndal'/ PËR KË E KA BALLA? Ardi Veliu dhe Rebani Jaupi, dy policët e parë që "digjen" nga përgjimet

Balla: Policët e SKY do të përjashtohen, kam kërkuar
Taulant Balla

TIRANË- "Sky ECC", përveçse grupet kriminale, duket se do të 'djegë' edhe zyrtarë të Policisë së Shtetit. Lajmin e ka dhënë vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në fjalën e tij në Komisionin për Europën, duke shpërndarë një mesazh të qartë.

“Nuk ka rëndësi çfarë bisede është bërë, nëse një person që mban veshur uniformën blu dhe komunikon me personazhe të botës së krimit në SKY, do të përjashohet përgjithmonë nga radhët e Policisë,”-ky ishte mesazhi i përmbledhur dhe i qartë i Ballës. Përballë kolegëve në sallën e Kuvendit, ministri i Brendshëm tha se kishte kërkuar më shumë informacione nga nga Europoli, por edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kreu i Agjencisë së Mbikqyrjen Policore, Ardi Veliu.

“Është e vërtetë që në këto 30 e kusur vite ka pasur dhe ka punonjës policie, të cilët rezultojnë të përfshirë ose me kontakte me botën e krimit. I kam kërkuar informacione drejtorit të policisë, dhe atij të AMP, për shkak se jemi në kontakt dhe me Europolit që ne të kemi informacionin sa më shpejt të jetë e mundur. Për çdo punonjës të policisë së shtetit që do të rezultojë se do të ketë pasur akses në këto rrjete Encrochat apo SKY, do të përjashtohet nga Policia e Shtetit, edhe nëse në ato komunikime nuk rezulton të ketë asnjë aktivitet kriminal. Por thjesht fakti që është në këtë rrjet kriminal, kjo është pjesë e angazhimit tim që lidhet me Kodin Etik të Policisë së Shtetit. Policët e kishin të ndaluar që të uleshin në kafe apo restorante me grupe kriminale, ndaj kjo vlen edhe për këto grupe kriminale. Prokuroria, këtu i referohem SPAK, po vazhdon hetime të thelluara mbi bazën e të dhënave nga EUROPL dhe shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete ku do të ketë dhe punonjës të policisë (të përfshirë), ku do të vetëpastrohet policia por dhe shoqëria,”-tha Balla në fjalën e tij.

Veçse ka një paradoks! 

Një nga personat që Balla i kërkon ndihmë, drejtori i AMP-së, Ardi Veliu, përmendet vetë në përgjimet e SKY për operacionin e koduar "Metamorfoza". Në dosjen e publikuar, biznesmeni Pëllumb Gjoka, pretendon se ka komunikuar me vetë Ardi Veliun dhe me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

Megjithatë Balla, deri më tani, nuk përmend asnjë emër konkret, por jep mesazhin që shumë shpejt do të nisë një “operacion” për të nxjerrë jashtë Policisë së Shtetit të gjithë të inkriminuarit dhe bashkëpunëtorët me personazhet e botës së krimit. Sipas Ballës, ata kanë thyer Kodin e Etikës, por rrjedhimisht edhe besimin e qytetarëve ndaj tyre dhe të gjithë kolegëve. Tek e fundit, paguhen nga taksat e qytetarëve për t'ju shërbyer atyre dhe jo bandave që u rrezikojnë jetën çdo ditë.../Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Balla: Policët që kanë pasur akses në SKY ECC do të përjashtohen

Balla: Policët e SKY do të përjashtohen, kam kërkuar
Balla gjate raportimit ne Komision

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se çdo punonjës i policisë që ka pasur akses në aplikacionin SKY ECC do të përjashtohet nga radhët e policisë së Shtetit. Balla i bëri deklaratat gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështjet Europiane.

Ministri tha se do të përjashtohen të gjithë punonjësit e policisë që kanë pasur akses në rrjetet e koduara, edhe nëse në komunikimet e tyre nuk provohet aktiviteti kriminal. Ministri tha se ata punonjës kanë thyer kodin etik.

Balla kujtoi deklaratat e tij kur mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ku tha se policët e kanë të ndaluar që të ulen në tavolinë me eksponentë të krimit, dhe i njëjti parim do të vlejë dhe për këto takime virtuale që mund të kenë ndodhur në rrjetet e koduara.

“Kemi një numër të konsiderueshëm të punonjësve të policisë të arrestuar për shkak të shkeljeve, ku ka edhe shkelje të procedurave të kalimit kufitar. Procesi i vetëpastrimit të Policisë është një prej çështjeve më të rëndësishme që unë vlerësoj që janë pjesa e kalimit të policisë në një nivel tjetër, ku qytetarëve të ju kthehet besimi tek policia.

Në këto 30 e kusur vite ka pasur dhe ka punonjës policie të cilët rezultojnë të jenë të përfshirë ose në kontakte me botën e krimit dhe duhet të ju informoj se i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore që ne të kemi informacionin sa shpejt të jetë e mundur dhe po e them këtu në Kuvendin e Shqipërisë që për çdo punonjës Policisë së Shtetit, i cili do të rezultojë të ketë pasur akses në rrjetet komunikimi qoftë Sky apo EncroChat do të përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë një aktivitet kriminal, por thjesht dhe vetëm fakti që ka aksesuar një rrjet të tillë, kjo është pjesë e angazhimit tim që ditën e parë të punës që lidhet me Kodin Etik të Policisë së Shtetit.

SPAK po zhvillon hetime të thelluara dhe besoj se shumë shpejt do të kemi disa rezultate konkrete, ku do të vetëpastrohet jo vetëm policia prej tyre, por edhe shoqëria. Vetëpastrimi është i rëndësishem dhe pastaj që mbi bazën e këtij lloj vettingu të ri në Policinë e Shtetit, të krijojmë një strukturë të re të Policisë së Shtetit dhe këtu dua ta informoj kuvendin me një njoftim që kam bërë dje për krijimin e një strukture të re brenda Policisë së Shtetit. Ne do të kemi një forcë kombëtare të sigurisë publike e cila do të riparojë efikasitetin dhe eficencën e policisë në nivel vendor”, tha Balla.

Nga ana tjetër ministri Balla ka garantuar se sistemi TIMS i Shqipërisë është i sigurtë dhe prej andej nuk ka pasur rrjedhje të dhënash. Balla tha se sistemi TIMS është një nga më të fortifikuarit, edhe për shkak të mbështetjes së madhe që kanë dhënë partnerët për funksionimin e tij.

“Dua t'i siguroj qytetarët shqiptarë dhe të huaj se të dhënat e tyre janë të sigurta, nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem i fortifikuar. Dua të them që sistemi ynë i TIMS është sulmuar ne verën e kaluar, pas sulmit kibernetik që pësoi Shqipëria, por tashmë sistemi është 100% funksional. Pretendimet për një çështje të operimit të brendshëm, dhe me një backup që është procedurë e brendshme, nuk ka asnjë shqetësim për rrjedhje të dhënash. Ministri i Brendshëm është informuar në kohë reale nga personat që kishin pretendime për këtë procedurë të brendshme, i kam kërkuar drejtuesit të policisë dhe AMP-së që të nisnin hetimet për këtë rast. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim që unë e mbështes plotësisht”, tha Balla.

Ç’kodimi i mesazheve në aplikacionet “Sky” dhe “Encro” nxori zbuluar zyrtarë të lartë shtetërorë dhe eksponentë të krimit të organizuar, një pjesë e të cilëve u arrestuan më 27 korrik nga SPAK. Emrat e parë që tërhoqën vëmendjen e opinionit, ishte arrestimi i biznesmenit Pëllumb Gjoka, drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe ish-drejtuesit të Grupit të Operacionales, Olti Bistri.

Ervis Martinaj i zhdukur prej 1 viti pa gjurmë dhe Behar Bajri, plotësuan tablonë e grupit kriminal të mirëorganizuar të shpallur në kërkim. Të gjithë gjenden të pleksur tek vrasja e Gjin Ndojit. Kjo vrasje dhe zbardhja e tre tentativave për vrasje, duke se i fundosi të gjithë. Grupi bëri plan për të vrarë Kleant Musabelliun, Ibrahim Licin, Dorian Dhuli, Taulant Pepajn, Genc Tafilin dhe vëllain e Dhulit.

Ndërkaq duhet theksuar se 16 mijë shqiptarë rezultojnë të jenë abonentë në aplikacionin “SKY”. Europol bëjnë me dije se 10% e SKY është referim shqip. Mësohet gjithashtu me dije se po gjenerohen mesazhe pa fund dhe se Shqipëria ka kërkuar 6 poste pune për shkak të volumit, por i dhanë vetëm 2 pasi nuk ka vende sepse agjentë nga e gjithë bota po punojnë për llogari të vendeve të tyre.

Po çfarë është aplikacioni SKY?

“SKY ECC” është aplikacioni ku njerëz të përfshirë në botën e krimit flasin për organizimin e trafiqeve, porositjen e vrasjeve dhe gjithçka tjetër mbi aktivitetin e tyre kriminal. Dekriptimi i SKY ka çuar në arrestime të emrave të rëndësishëm të botës së krimit. Aplikacioni është çmontuar dhe është mbyllur në vitin 2021 nga një operacion i Europol. Për ta shkarkuar dhe përdorur, duhej të kishe një telefon të posaçëm./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB