Alibeaj-Dumanit: Të gjithë goditen përveç Ramës! Kreu i SPAK: Për ne prevalon prova!

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i pyetur nga deputeti Enkelejd Alibeaj në lidhje me hetimet e SPAK dhe që sipas tij, është krijuar mendimi se të gjithë goditen përveç Kryeminsitrit Edi Rama, kreu i SPAK tha se Prokuroria e Posaçme nuk mund të plotësojë orekset mediatike. Ai u shpreh se SPAK nuk ka axhendë veprimi dhe se nuk mund të veprojë pa prova dhe fakte. Ndërkohë shtoi se SPAK po ecën me hapa të avashtë pasi sipas tij, nuk dëshiron të bëjë autogol.
Enkelejd Alibeaj: Ka të goditur nga opozita por s’ka të goditur nga pozita. Sot ka një radhë ka të proceduar nuk ka asnjë gjë publike lidhur me kryeministër, perceptimi sipas opinionit publik është i tillë gjithçka është e goditur, përveç kryeministrit. Besoj se shpejtësia në procedimet penale duhet të jetë e tillë që të vendosë po të krijojë dhe të japë sinjale besimi të publiku se askush pavarësisht postit që mban është mbi ligjin. Jeni viktimë e suksesit tuaj!
Altin Dumani: S’mund të plotësojmë orekset mediatike ne nuk kemi axhendë. Për ne pak rëndë i ka emri, por prova ka rëndësi edhe ju jeni jurist dhe prova prevalon me çdo gjë, këtë po demonstrojmë brenda ditës dhe po ecim me hapa të ngadaltë që të mos bëjmë autogol./ZËRI
A ka ndërhyrë Greqia për çështjen Beleri? Dumani i 'prerë': Asnjë shtet i huaj s'ka shans të ndërhyjë

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për më shumë se 4 orë u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Ligjeve ku raportoi për punën e SPAK gjatë vitit 2023. Ai I pyet nga deputetët dhe në lidhje me çështjen e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, nëse ka pasur ndërhyrje nga Greqia në proces. Kreu i SPAK u shpreh se ansjë shtet i huaj nuk ka shans që të ndërhyjë në punën e SPAK apo të intimidojë prokurorët.
Altin Dumani: Ne jemi prokurorë dhe i bindemi vetëm Kushtetutës. Asnjë shtet i huaj nuk ka shans të ndërhyjë në punën tonë as të intimidojë prokurorët e SPAK.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI
Në konflikt interesi- Përballja e Dumanit me Kryemadhin: Keni qenë një kontribuese e rëndësishme për inceneratorët

TIRANË- Kreu i SPAK ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, përpara deputetëve, që një pjesë e tyre janë subjekt i Prokurorisë së Posaçme. I tillë është dhe rasti i deputetes Monika Kryemadhi, e cila pati pyetjet e saj në drejtim të kreut të SPAK. Dumani vlerësoi rolin dhe denoncimet e Kryemadhit në çështjen e inceneratorëve, dhe tha se të gjitha shtesat e padive që ajo ka dorëzuar, do të verifikohen dhe do të merren parasysh.
Monika Kryemadhi: Të nderuar kolegë, të nderuar prokurorë, ju faleminderit për përballjen, me pjesën më të madhe tonën jeni në konflikt interesi, unë dua tju pyes për krimin zgjedhor, a jeni ju gati për tu përballur. Unë në dhjetor ju kam paraqitur një shtesë padie për inceneratorët, a e keni parë denoncimin për një sipërfaqe prej 15 hektarësh jashtë inceneratorit të Tiranës. Ne flasim për një shumë prej 600 milionë eurosh, të dherave të ndërtimeve, që i kanë kaluar bashkisë së Tiranës. A e shikoni të mundshme që në pjesën e administratës të përfshini dhe shqiptarë të diplomuar në fushën e drejtësisë jashtë vendit?
Altin Dumani: Lidhur me pyetjet e zonjës Kryemadhi, ne po punojmë për strategjinë, kundër krimeve zgjedhore. Që do të bëhet publike në Janarin e ardhshëm, disa muaj para zgjedhjeve. Ne nuk kemi të gjitha veprat penale që lidhen me krimet zgjedhore, ne kemi vetëm dy vepra, më vjen keq tani, janë bërë ndryshime në ligj. Sa i takon pyetjes së inceneratorëve, ju keni qenë një kontribuese e vazhdueshme për çështjen, që ju e dini që janë marrë në konsideratë. Shtesat që ju keni bërë janë duke u verifikuar, unë nuk mund të them asgjë se si do të shkojë, sepse e ndjek prokurori i posaçëm. Edhe paratë që vijnë nga dherat janë pjesë e hetimit. Sa i takon shqiptarëve që kanë studiuar jashtë ne ku ti gjejmë, po janë 100 rregulla dhe procedura që ata të mund të bëhen pjesë e SPAK.
/ZËRI
'Lezha ziente nga lajmi se do shkonte SPAK'/ Dumani nxehet me Nokën: Kam punuar me mish e thua për atë dosje

TIRANË- Një debat është zhvilluar mes Flamur Nokës dhe kreut të SPAK, Altin Dumanit. Në raportimin që kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri në SPAK, Noka i përmendi aksionin e zhvilluar pak ditë më parë në Lezhë, duke hedhur dyshime se ishte dekonspiruar. Si përgjigje, në fjalën e tij, Dumani u shpreh se ishte i fyer nga fakti se kjo gjë mund të mendohej, pasi ishte ai vetë që kishte punuar për të zbardhur përgjimet dhe për të finalizuar aksionin.
DEBATI MES TYRE TEK 'LIGJET':
Flamur Noka: Unë personalisht isha 1 javë para aksionit të SPAK në Lezhë, para se të shkonit për kontroll tek shtëpia e Arben Ndokës. Ziente e gjithë Lezha se do shkonin për kontroll. Nuk besoj se opozita e kishte dekonspiruar atë hetim.
Altin Dumani: Si mund të shkosh kaq larg dhe të mendosh se prokurorët kanë dekonspiruar hetimet e tyre. Po është mundi dhe fryti ynë, i imi personal dhe prokurorit tjetër. Kemi punuar ditë-natë. Kemi punuar 8 me 8, është shumë fyese për mua dhe shumë deniguese që të aludosh për personat që me mish dhe thua kanë hetuar çështjen. Nuk është përgjegjësia ime, SPAK nuk arreston. Nuk më akuzon mua Policia, nuk ka shanse. Ti e di shumë mirë. Nuk e kam me të dëgjuar, kam prova. Ti e ke me të dëgjuar./ZËRI
“Nuk jam peng i askujt”, Dumani për Berishën: Drejtësinë nuk mund të sfidojë askush

TIRANË- Kreu i SPAK Altin Dumani, është duke raportuar prej disa orësh në Komisionin e Ligjeve, ku u pyet nga deputeti Flamur Noka, në lidhje me hetimet që SPAK ka bërë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Dumani tha se nuk është peng i askujt dhe nuk i ka duart e lidhura për të ndërmarrë çfarëdolloj hetimesh.
“Dua të qartësoj që ne kemi regjistruar 178 procedime të reja, ajo që i referoheni ju janë çështjet e dërguara për gjykim, dhe ka një rritje të ndjeshme në raport me vitet e mëparshme. Mu referove punës që kam bërë kur kam qenë kreu i Task Forcës, dhe atëherë ka pasur rezultate shumë të mira, mund nuk më rriten veshët, kush më njeh e di shumë mirë se çfarë përfaqësoj, unë i njëjti ngelem, edhe në kërë detyrë përpiqem që të bëj më të mirën.
Nuk duhet personalizuar, puna dhe merita i takojnë të gjithë prokurorëve dhe stafit, a jemi ne për t’u kritikuar? Po jemi se unë e thashë edhe vetë që në fillim, ne kemi pjesën dhe rolin tonë të kufizuar në këtë luftë, çfarë bëjmë ne, ngrejmë akuza, dhe fusim njerëz në burg, nuk është qejf i madh. Kemi dhe ne ato dilemat tona, a kemi vepruar mirë apo jo? Unë e thashë dhe qëparë ai që kam qenë jam, nuk i kam pasur dhe nuk do ti kem duart e lidhura si prokuror. Unë jam prokuror, nuk ka shans që të më ndikojë mua në punën time, zero shanse.
Lidhur me çështjen në ngarkim të ish-kryeministrit është një çështje nën hetim, mund të them këtë, drejtësia nuk mund të sfidohet dhe nuk jam peng i askujt. I paskam duart e lidhura unë…”, u shpreh Dumani./ZËRI
Altin Dumani batuta në Komisionin e Ligjeve: Kolegë ne kemi vetëm BKH

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani nuk i ka kursyer batutat në Komisionin e Ligjeve. I pyetur nga deputeti Dashnor Sula lidhur me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe hetimet për të, Dumani u shpreh se nuk ka asnjë koleg nga politika. Për Dumanin, kolegë janë vetëm hetuesit e tjerë dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
"A ka nisur hetim pasuror për Veliajn? Kësaj pyetje nuk i jap përgjigje. Kjo është çështje hetimi. Kolegë ne kemi vetëm njëri-tjetrin dhe BKH. Ne jemi kolegët tanë,"-tha Dumani./ZËRI
Altin Dumani nuk ia ka ‘besën’ askujt: Jemi me kambanë alarmi edhe brenda vetes

TIRANË- Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani, u pyet në lidhje me hetimet që janë ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme, për njerëzit e drejtësisë që janë përjashtuar nga Vetingu. Dymani tha se SPAK ka arrestuar vitin e kaluar një prokuror në detyrë, dhe ka vëmendje të shtuar edhe ndaj zyrtarëve që kanë kaluar Vetingun.
“Sa i takon luftës kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, sa i përkon prokurorëve apo gjyqtarëve të shkarkuar, e përmenda edhe më parë, ne juridiksionin e kemi të kufizuar, të çosh për gjykim 4 gjyqtarë, ndër të cilët dy të gjykatës së lartë dhe dy të kushtetueses, nuk janë pak në vlerësimin tonë.
Për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit, thashë që ne edhe nga ato vendime, kemi regjistruar duke marrë indicie nga vendimet e KPK-së, ku kemi nuhatur që mund të kemi edhe një vepër penale me natyrë korruptive. Nuk është përgjegjësi vetëm e SPAK që të hetojmë këtë kategori subjektesh. Jam më shumë i shqetësuar me ata që e kanë kaluar vettingun dhe vazhdojnë në sistem që mund të ndeshemi para personave me natyrë korrptive. Ky është shqetësimi më i madh dhe këtu jemi të vëmendshëm edhe nga mediat, shoqëria civile dhe politika kur ka denoncime.
Ne përpiqemi të mbajmë shënime, bëjmë vlerësimet tona paraprake. Edhe vjet arrestuam një prokuror në detyrë, proceduam një gjyqtare në detyrë dhe ish gjyqtarë dhe ish prokurorë. I kemi në vëmendje dhe jemi të fokusuar. Të pranojmë që kaluam vettingun dhe nuk do të korruptohen gjyqtarë dhe prokurorë është etopi. Jemi të ekspozuar. Ne si institucion vazhdojmë të jemi të vëmendshëm. Do të vijmë edhe me raste konkrete. Edhe sa i takon brenda SPAK, jemi të vëmendshëm. Ne kemi dhe një proces vettingu që funksionon brenda institucionit. Janë vetuar 60 veta vitin e kaluar, nga këta 1 është larguar. Kemi 9 të dorëhequr. Jemi me këmbanë alarmi edhe brenda vetes SPAK”, tha Dumani./ZËRI
Akuzat e politikës, Altin Dumani: Jemi të shurdhët

TIRANË- Gjatë fjalës së tij përpara deputetëve në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani foli në lidhje me akuzat e politikës, se prokurorët janë të ndikuar nga segmente të ndryshme. Dumani u shpreh se ai dhe kolegët janë të shurdhët nga çdo lloj retorike politike dhe se orientohen vetëm përballë ligjit dhe shoqërisë shqiptare.
Altin Dumani: Ne kemi marrëdhënie institucioniale dhe proceduriale me funksionarët dhe ish-funksionarët e shtetit. Kjo është marrëdhënia që SPAK ka ndërtuar. Institucioniale dhe proceduriale në rastet kur duhet të thirren në rolin e të hetuarit, të pandehurit apo edhe të deklaruesit para Prokurorisë së Posaçme. Ne jemi të shurdhët nga çdo lloj retorike politike. Orientohemi dhe jemi të përgjegjshëm vetëm përballë ligjit dhe shoqërisë shqiptare.
A u dekonspirua aksioni i SPAK? Dumani: Ulëritëse që drejtues policie janë të lidhur me krimin

TIRANË- Kreu i SPAK Altin Dumani, është duke rapotuar në Komisionin e Ligjeve, ku u pyet mbi operacionin e fundit të Prokurorisë së Posaçme, për grupet kriminale.
Dumani tha se nuk ka indicie që operacioni të jetë dekonspiruar nga ana e policisë. Ndërsa tha se është ulëritëse që efektivë apo drejtues policie janë të lidhur me krimin dhe veprimtaritë kriminale. Ky është rasti i dytë që Dumani ka rezerva në lidhje me segmente të ndryshme të policisë së shtetit.
Altin Dumani: Një pakicë e efektivëve të policisë është e inkriminuar. Kemi evidentuar lidhje të drejtuesve të policisë me krimin, është ulëritëse kur drejtues të policisë janë pjesë e veprimtarisë së grupeve kriminale. Respekt për punonjësit e policisë që punojnë ndershëm. Nuk kemi indicie që ka pasur dekonspirim në këtë operacion.
Shembujt janë publikë. Ish-drejtori i forcës operacionale, disa shefa komisariatesh dhe unë nuk mund të qëndroj pa e adresuar këtë shqetësim.
Në raportin vjetor para deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka listuar të gjithë zyrtarët e lartë të cilët janë të pandehur apo janë hetuar. Dumani u shpreh se janë kryer gjithsej 20 procedime penale me 22 persona nën hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në funksion: 5 magjistratë, 3 ish-gjyqtarë të shkallës së parë, një ish-gjyqtare i apelit dhe një ish-prokuror.
/ZËRI
Mandat i përjetshëm për prokurorët e SPAK? Dumani: Po doni hiqeni emrin tim, në lojë vazhdimësia e hetimeve

TIRANË- Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani është duke raportuar një Komisionin e Ligjeve, për punën e SPAK, përgjatë vitit të kaluar. Ai u pyet nga deputetja e opozitës Dhurata Çupi, nëse kërkesa për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, është konsultuar apo jo me ndërkombëtarët. Dumani tha se zgjatja e mandatit për prokurorët e SPAK, është e nevojshme për vijimin e hetimeve për çështje të caktuara, që kërkojnë një punë kërkimore të gjatë.
A e keni dakordësuar zgjatje e mandatit të SPAK, me ndërkombëtarët, çfarë do të sillte për Prokurorinë zgjatja e mandatit në 18 vite?
Altin Dumani: Lidhur me mandatin e prokurorëve të SPAK, ne vlerësojmë që nuk është shqetësim i karrierës sime apo kolegëve te mi, ne prokuror do të vazhdojmë të ngelemi. Çështja duhet trajtuar në kuadër të vazhdimësisë së institucionit. Është e njohur që kudo ku ka afat mandatesh, nuk ka një ritëm pune.
Imagjinoni që janë hetime që zgjasin për një kohë të gjatë, sa agjensi të huaja bashkëpunojnë në hetime, ju jeni duke hetuar, dhe një ditë të bukur prokurorit i ndërpritet mandati. Kur ti heton një çështje nga fillimi, ti dashurohesh me çështjen, dhe në 12 të natës në gjumë, ti e di pikën e fortë dhe të dobët të çështjes. Nëse ti largohesh do të diskutohet mbi fatin e çështjes. Duhet ta trajtojmë nga pikëpamja e ecurisë, ka të bëjë dhe me sigurinë juridike të prokurorëve, nuk mund të lihen prokurorët me një status të paqartë.
Unë jam shprehur si drejtues i një institucioni, që duhet bërë ndyshime, për tiu dhënë mundësia e rizgjedhjes prokurorëve, për të rikandiduar. Dhënia e mundësisë për të kandiduar, do kalojë sërish të njëjtat filtra, edhe gjyqtarët nuk kanë mandat, ndërsa ne kemi mandate. Koha e hetimeve është bërë gjithnjë e më e gjatë, pasi sfidat që na presin janë gjithnjë e më të vështira. Nëse doni, mos e konsideroni emrin tim, por mendoni për institucionin.
/ZËRI
Dumani raporton para tyre, Noka dhe Kryemadhi flasin në vesh, demokrati sfidon me bluzën për Berishën

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, është duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, për bilancin e vitit të kaluar të SPAK. Përballë tij, janë dhe deputetët Flamur Noka dhe Monika Kryemadhi, të cilët shfaqen duke komunikuar vazhdimisht mes tyre. Noka në njëfarë mënyre sfidon Dumanin, duke mbajtur të veshur bluzën me foton për lirimin be Sali Berishës, i cili prej disa muajsh, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Grupet kriminale, kreu i SPAK zbulon vatrat më të nxehta: nga Durrësi në Elbasan e Fier

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, teksa raporton në Komisionin e Ligjeve, tha se grupet kriminale veprojnë në 9 qytetet në Shqipëri. Pastrimi i parave, sipas tij, bëhet kryesisht në kryeqytet dhe zonat bregdetare, ndërsa në qytetet e tjera janë të përfshira në trafikun e drogës dhe krime të tjera. Po ashtu një tjetër mënyrë që është përdorur në skemën e pastrimit të parave, është kalimi i pasurive në emër të të afërmve, apo të njohurve të personave me rekorde kriminale.
“Tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare, grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Durrës, Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë. Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë-Krujë është i pranishëm tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese si dhe makinat e vjedhura të cilat pastaj përdoren në ngjarje kriminale.
Investimet në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike kryesisht në Vlorë, Durrës, Lezhë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose të afërm të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.
Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses përfaqësues të mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit. Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe FIU bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte”, u shpreh Altin Dumani.
/ZËRI
‘Janë dënuar 9 zyrtarë të lartë’, Dumani rendit ‘kokat’ që janë marrë nën hetim nga SPAK

TIRANË- Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve, për vitin 2023, kreu i SPAK, Altin Dumani përmendi numrin e zyrtareve që janë hetuar apo janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Në fjalën e tij, Dumani tha se “janë dënuar 9 zyrtarë të lartë me funksion: Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish nënkryetar bashkie”.
Pjesë nga fjala e Dumanit para deputetëve të Komisionit të Ligjeve:
Janë hetuar gjithsej 20 procedime penale me 22 persona nën hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në funksion: 5 magjistratë, 3 ish gjyqtarë të shkallës së parë, një ish gjyqtare i apelit dhe një ish prokuror.
5 ish kryetar bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie, dy kryetarë bashkie, një ish ministër Finance, një ish ministër Mbrojtje, një ish ministër Mjedisi, një ish ministër shëndetësisë, një ish-zv.ministër Shëndetësie, një ish kryeministër, një ish sekretar i ministrit të mjedisit, një ish sekretar i ministrisë së drejtësisë dhe një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë.
Për herë të parë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona me hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.
Janë dërguar në gjykatë 11 çështje me kërkesë për gjykim 12 persona të pandehur në cilësinë e ish zyrtarit të lartë me funksione: 5 ish-kryetarë bashkie, një ish gjyqtar, një ish ministër mjedisi, një ish ministër Finance, dy kryetarë bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie dhe një ish sekretar i ministrisë i ministrisë së Shëndetësisë.
Janë dënuar 9 zyrtarë të lartë me funksion: Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish nënkryetar bashkie.
Janë në proces gjykimi 4 ish magjistratë, është në hetim një ish magjistratë në gjykatë e lartë, janë dënuar nga gjykata dy ish magjistratë./ZËRI
Pastrimi i parave, Dumani: Të përfshira në skemë edhe bankat, bizneset shërbejnë si ndërmjetës për mafian

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, në lidhje me veprimtarinë e SPAK për vitin e kaluar. Dumani tha se gjatë vitit 2023 janë sekuestruar rreth 41 milionë euro pasuri, që kanë rrjedhur nga veprimtari kriminale. Kreu i SPAK, tha se grupet kriminale shqiptare janë shtrirë në trafikun e lëndëve narkotike, dhe kanë aftësi të zgjerojnë linjën e tyre dhe në vendet e Amerikës Latine.
Sa i takon skemës së pastrimit të parave të pista, Dumani tha se të përfshira janë edhe bankat.
“Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi.”, deklaroi Dumani.
Altin Dumani raporton në Komisionin e Ligjeve: Grupet e trafikut të drogës janë fuqizuar, përdorin dhunën dhe femrat

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve, në lidhje me veprimtarinë e SPAK për vitin e kaluar. Dumani tha se gjatë vitit 2023 janë sekuestruar rreth 41 milionë euro pasuri, që kanë rrjedhur nga veprimtari kriminale. Kreu i SPAK, tha se grupet kriminale shqiptare janë shtrirë në trafikun e lëndëve narkotike, dhe kanë aftësi të zgjerojnë linjën e tyre dhe në vendet e Amerikës Latine.
Kreu i SPAK përsëriti shqetësimin e tij, për statusin e prokurorëve të posaçëm, pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar, që me ligjin që është në fuqi aktualisht iu ndalon rikandidimin.
‘Do paraqes disa të dhëna për vitin 2023 dhe masat që ka marrë SPAK për përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit. SPAK ka tregues sasior dhe cilësor të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milionë euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitor. Detyra jonë është të hetojmë, po mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Të paraburgosurat nga SPAK zënë më pak se 9%.
Niveli i bashkëpunimit ndërkombëtar është shumë i kënaqshëm, janë krijuar 32 skuadra bashkëpunimi, nga të cilat 25 janë ende aktive. Kemi kërkuar 25 kërkesë për ndihmë juridike jashtë vendit, ka rritje të subjekteve që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe të atyre që janë ekstraduar. Janë vendosur në regjim të posaçëm për disa eksponentë të dënuar. Duhet një përcaktim ligjor për statusin e prokurorëve të posaçëm, na duhen më shumë këshilltarë, ka mungesë të referimit nga organet ligjzbatuese, kemi nevojë për shtimin e hetuesve të BKH, si dhe një stok dosjesh të prapambetura.
Hetimet e vitit 2023, treguan se grupet shqiptare zhvillojnë një cikël të mbyllur të trafikut të lëndëve narkotike, karakteristikë e tyre është dhuna, përdorimi i femrave në këtë rrjet, dhe një numër anëtarësh që shkojnë nga 25-30 persona”, u shpreh Dumani.
Sa i takon pastrimit të parave, kreu i SPAK tha se forma më e zakonshme është ajo e blerjes së pasurive të paluajtshme, ndërsa akuzoi si të përfshira në skemë edhe institucionet bankare./ZËRI