KLSH “mollë sherri” në Kuvend, por Pirdeni nuk ka djeni, Ministrja nga seanca: S'di të ketë rast për shkarkim

TIRANË-Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni në seancën e sotme u pyet në lidhje me sistemin e patronazhismit dhe në lidhje me kërkesën e KLSH për shkarkimin e drejtoreshës së përgjithshme të buxhetit, Mimoza Dhëmbi. Sa i përket sistemit të partronazhismit, Ministrja u shpreh se është e drejta e çdo punonjësi të administratës të ketë bidjent e tij politike.
Sa i përket KLSH ministrja habiti me përgjigjen. Edhe pse deputetët e opozitës kanë kërkuar që në rendin e ditës së nesërme, të futet dhe raportimi i kreut të KLSH, që sipas tyre është i vetmi institucion që ka kryer hetime dhe ka gjetur shkelje në punën e qeverisë, Pirdeni u shpreh se nuk ka djeni për një rast shkarkimi.
Adea Pirdeni: Do duhet ti ushtrohen të gjithë legjislacionit. E drejta e çdo punonjësi është që jashtë orarit të punës ka të drejtën të ketë bindjet e tij politike. Kjo nuk është shkelje. Kjo çështje është shum e koordinuar pasi punonjësit e administratës janë të informuar për rregullat. Sa i përket rekomandimeve të KLSH nuk jam në djeni të një rasti për shkarkim. Nëse ka raste të tilla referohuni pranë institucioneve përkatëse.
Ndërkohë në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Komisionin e Ekononimisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar të shkarkohet drejtoresha e përgjithshme e buxhetit, Mimoza Dhëmbi. Sipas KLSH, Dhëmbi ka bërë keq klasifikim investimesh, probleme me fondet për rindërtimin, shkelje me ndarjen e buxheteve, mungesë monitorimi për detyrimet e prapambetura pasi nuk raporton vlerën e saktë. KLSH ka kërkuar largim nga shërbimi civil të saj, për mos respektim të disiplinës fiskale në të gjitha procedurat e buxhetit./ZËRI
Pse u mbajt i fshehtë koncensioni Thumanë-Kashar? Përplasje mes Shehajt dhe Metes: Mos do medalje…

TIRANË- Është zhvilluar nën tone të forta, interpelanca e sotme në Kuvend, e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj, me ministrin e Financave, Ervin Mete, sa i takon kontratave koncensionare në vendin tonë, dhe pse nuk ka një raport të punëve që kompanitë kanë kryer. Sipas Shehajt, Ministria duhet të ketë një mekanizëm kontrolli në lidhje me ecurinë e këtyre punimeve, dhe nuk duhet të mjaftohet vetëm me pagesat e faturave.
Deputeti i opozitës u ndal edhe te koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar, duke thënë se ky koncesion është mbajtur i fshehtë dhe nuk është publikuar në raport. Nga ana e tij, ministri Meta u shpreh se Ministria e Finanacave nuk është autoritet kontraktor për çdo koncesion, dhe nuk mund ti kërkohet llogari për marrëveshje që janë lidhur nga dikastere të tjera. Ministri tha gjithashtu se në Shqipëri janë 11 kontrata PPP me mbështetje buxhetore dhe gjatë 2023 nuk është lidhur asnjë kontratë e re dhe as në 2024 nuk ka ndonjë kontratë të re.
Po ashtu, deklaroi se dy koncesione ku Ministria e Financave është autoritet kontraktor po shkojnë drejt mbylljes. Bëhet fjalë për pullat fiskale dhe koncesionin e markimit të karburanteve.
"Në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit. Gjithashtu, sa i përket koncesionit tjetër, atij të pullave fiskale, Ministri i Financave vuri në dukje se për miratim në seancën e fundit plenare, atë të ditës së nesërme janë ndryshimet ligjore për të hequr koncesionarin nga dispozitat e ligjit të akcizave, si dhe për të hequr prerogativat e koncensionarit nga ky ligj. Ky shërbim nga 1 Janari 2025 kalon në menaxhim shtetëror. Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit,"-njoftoi ministri.
DEBATI NË SALLË:
Shehaj: Pavarësisht miliarda eurove të PPP ka një mungesë totale informacioni mbi respektimin e kontratave koncesionare. Ne dimë sa para jep shteti koncesionarëve, por nuk kemi asnjë informacion mbi ecurinë e investimeve që privatet duhet të kishin bërë. Nuk dimë nëse këto investime janë bërë brenda afateve. Ne nuk dimë nëse koncesionari ka plotësuar kushtet e kontratës. Këto kontrata janë hartuar në interes të koncesionarëve dhe jo qytetarëve. Vetë kontratat nuk kanë logjikë ekonomike të përbashkët. Rruga e Arbrit psh, një investim prej 74 km, në terren të vështirë, investimi i parashikuar 265 mln euro. Rruga Thumanë Kashar 20 km, fushore, 224 mln euro. Si ka mundësi kjo? Mos vallë janë fryrë kostot e rrugës Thumanë -Kashar? A keni bërë verifikime për këtë? A keni monitoruar këtë kontratë koncesionare se në raportin që keni publikuar me një vit e gjysmë vonesë mungon koncesioni Thumanë Kashar. Do të doja të dija pse e keni mbajtur të fshehur këtë koncesion.
Mete: Janë autoritetet kontraktore që monitorojnë zbatimin nëpërmjet njësive të tyre të menaxhimit të kontratave dhe janë ato që raportojnë në ministrinë e Financave që në vijim bëhet ky raport. Ne do hartojmë dokument të risqeve fiskale, synimi ynë është të publikohet në shtator dhe do të jetë i emërtuar “deklarata e risqeve fiskale”. Ne sot kemi 11 kontrata PPP me mbështetje buxhetore dhe gjatë 2023 nuk është lidhur asnjë kontratë e re dhe as në 2024 nuk kemi ndonjë kontratë të re. E kemi nxjerrë me numrin më të madh të kontratave. Nëse nuk ka ndonjë të paraportuar aty, nuk e ka kontraktuar autoriteti kontraktor. Keni të gjithë tagrin siç u përgjigja unë jo nga shkurti në qershor, por në 3 javë të kërkoni tek autoritetet kontraktore të gjitha shpjegimet që doni. Unë besoj se është e rëndësishme që të përcjellë në rolin si autoritet kontraktor për 2 koncensione, se ato po mbyllen dhe do të ketë lehtësim për qytetarët. Do të hiqet tarifa e markimit, do të lehtësohet ajo e pullave fiskale.
Shehaj: Për përgjegjësitë e tjerëve i kam thirrur në interpelancë. Ministri i Financave do medalje se tha para se të vija unë në zyrë raporti nuk publikohej fare. Nuk janë të gjitha, janë sa për të larë gojën por të paktën janë publikuar. Raportin nuk e duam për një çështje burokratike. Duhet për të monitoruar pagesat që dalin nga zyra juaj. Duam të dimë, ore këto koncensione janë monitoruar apo jo. Prandaj duhet, nuk është burokraci jo për të bërë fatura kot. Prandaj duhet raporti. Fajin dhe përgjegjësinë e keni ju, edhe nëse ministrja e Transportit nuk jep informacione, shkoni në SPAK. Pse nuk vajte në SPAK? TVSH zoti ministër, keni paguar 4.5 mln euro që nuk duhej paguar. Qytetarët shqiptarë nuk e paguajnë për shërbimet shëndetësore. Ju me ç'të drejtë e paguani për koncensionarin? Pse keni harxhuar 4.5 mln euro?/ZËRI
Të gjitha projektrezolutat e projektligjet që u miratuan sot në Kuvend
Të gjitha projektrezolutat dhe projektligjet e miratuara:
-73 pro Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2023.
-75 pro 1 kundër (Alibeaj) Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2023.
-72 pro Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2023.
-72 pro 1 kundër(Leskaj) Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023.
-72 pro 1 kundër (Leskaj) Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2023.
-72 pro 1 abstenim (Leskaj) Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2023.
-73 pro 1 kundër Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023
-73 pro Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për viti 2023
-72 pro 2 kundër (Leskaj, Spaho) Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2023.
72 pro 6 kundër (Vokshi, Spaho, Leskaj, Sula) Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Statistikave për vitin 2023.
-72 pro, 2 abstenim, 1 kundër (Vasili) Miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2023
-95 pro (Miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut - Shqipëri 2021-2027
-96 pro (Miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) URBACT IV 2021-2027)
-97 pro Miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Italisë, përfaqësuar nga Rajoni i Emilia Romagna-s, dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg (Interreg VI-B) IPA Adriatik - Jon”.
-91 pro Miratimi i projektligjit “Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për themelimin e Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV)”.
-98 pro Miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës Helene dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar (Interreg VI-A) IPA Greqi-Shqipëri 2021-2027”
-68 pro, 3 kundër, 2 abstenim Miratimi i projektvendimit “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar” Bledar Bajri Albens Tabaku zgjidhen automatikisht edhe pse pa votat e nevojshme
-66 pro 1 kundër 5 abstenim Miratimi i projektvendimit “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar” (raundi i tretë); Erind Mërkuri Erind Gërmenji zgjidhen automatikisht edhe pse pa votat e nevojshme
-90 vota pro, 4 kundër 1 abstenim Miratimi i projektvendimit “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik”.
-95 pro, 1 kundër (Braçe), 1 abstenim Miratimi i projektvendimit “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për shërbimet publike të sterilizimit dhe të Check-up-it në shëndetësi”
-84 pro, 1 abstenim Miratimi i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
-89 pro, 1 kundër (Braçe) Miratimi i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”
-86 vota pro, 2 kundër, 1 abstenim Miratimi i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr. 19/2024 “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-up në Shëndetësi”.
Pse injoroni rekomandimet e UNESCO-s? Interpelancë në Kuvend mes Zhupës dhe Gonxhjes, ministri: Kam respekt për temën

TIRANË- Është mbajtur sot në Kuvend, interpelanca mes deputetes së Partisë Demokratike Ina Zhupa dhe ministrit të Ekonomisë dhe Kulturës Blendi Gonxhja, në lidhje me menaxhimin e parkut të Butrintit, që i është dhënë në menaxhim fondacionit amerikan.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa parashtroi disa pyetje për ministrin, duke nisur nga personat që kanë shkuar për inspektim në Butrint, te injorimi që sipas saj qeveria iu ka bërë rekomandimeve të UNESCO-s.
“Shkuat bashkë me Kumbaron, me një jurist privat. Çfarë funksionesh publike kanë këta njerëz që përfaqësojnë vendin në Unesco?”, tha Zhupa.
“Pse qeveria injoron të gjitha rekomandimet e UNESCO? Çfarë interesi ka qeveria të rrezikohet pasuria e mbrojtur? Pse nuk i pyesni për asgjë ekspertet tanë? Merrni të huaj”, tha Zhupa.
"Çfarë interesi ka shteti shqiptar që të hiqet pasuria nga mbrojtja apo që pasuria e tij e mbrojtur nga UNESCO të shpallet në rrezik, siç rrezikon Ohri nga punimet në Drilon-Tushemisht apo siç rrezikon Butrinti nga koncesioni që keni dhënë ju si qeveri, paraardhësja juaj Margariti apo Kumbaro?!
Pse nuk shfrytëzoni të gjithë kapacitetet intelektuale, akademike të arkeologëve historianëve shqiptarë, nuk pyesni për asgjë, por merrni të huaj, koncesionarë, merrni njerëz pa eksperiencë, ndërsa vetë raporti i UNESCO-s thotë se bordi i drejtorëve nuk ia kishin idenë Butrintit, raportin që ju, ministria, e fshehët nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë?!", vijoi Zhupa.
Në përgjigjet e tij Gonxhja sqaroi se pjesë e projekteve janë dhe ekspertë shqiptarë.
“Përmendët dhe emra personash, por nuk më duket e udhës që të ndalemi këtu. Kam respekt për përkushtimin tuajin për temën por dhe ju si deputete. Ishte për t’u përshëndetur që vendimi në Komunitetin e Trashëgimisë kulturore ishte unanim. Nuk di të kem qenë me një person të tillë në funksion në takim në Paris. Di t’ju them se zoti Lorenc Bejko është përfaqësues i ICOMOS në Shqipëri dhe ndaj ishte në takimin në Unesco.
Ju mendoni se kjo është ‘thembra e Akilit’ por që për ne është arritje, me mbivendosjen e disa hartave kemi marrë vendimet e duhura. Kemi marrë këshilla dhe kemi bërë punë të mirë. Nuk është e vërtetë që nuk kemi përfshirë trupa shqiptare, pasi kemi marrë dhe shumë studentë nga bankat e shkollës. Fondacioni nuk ka lidhje me asnjë program biznesi. (Për çështjen e parkut të Butrintit)”, tha Gonxhja./ZËRI
KLSH ‘mollë sherri’ në Kuvend! Opozita kërkon raportimin e Arben Shehut, socialistët: Kemi ende pyetje pa përgjigje, nuk kemi qëllim kapjen

TIRANË- Është duke u mbajtur mes debateve seanca e sotme në Kuvend, ku deputetët e opozitës kanë kërkuar që në rendin e ditës së nesërme, të futet dhe raportimi i kreut të KLSH, që sipas tyre është i vetmi institucion që ka kryer hetime dhe ka gjetur shkelje në punën e qeverisë. I pari që ngriti shqetësimin për thirrjen e Arben Shehut në Komision ishte kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi, i cili u kundërshtua nga Eduard Shalsi, që ka qenë dhe një nga deputetët më të zellshëm në kundërshtimin e kreut të KLSH-së, edhe gjatë fazës që ai ka raportuar në Komisione.
“Në mënyrë të pa shpjegueshme ju nuk keni përfshirë as sot as nesër raportimin të një institucioni kushtetues, KLSH. Madje ka ndodhur e duhet ta dënojmë një praktikë të tillë në komisionin e ekonomikë, KLSH u vu përballë një situate të pandodhur, ku një rast specifik i një rekomandimi të lëshuar nga KLSH është tentuar të ballafaqohet një nënpunëse publike me KLSH.
Praktikë e tillë nuk ka ndodhur më parë dhe është shkelje e hapur e pavarësisë së KLSH. E kuptoj që veprimtaria e KLSH mund të ketë shqetësuar shumë kolegë në sallë. Komisioni i Ekonomisë duhet të mblidhet sot, të miratojë draft rezoluta dhe KLSH duhet të thirret nesër të raportojë. Ju zonja kryetare keni shkelur çdo afat sepse është detyra juaj që kalendari të zbatohet nga komisionet. Mundësoni që sot të mblidhet komisioni i Ekonomisë dhe nesër në rend dite të përfshihet raportimi i KLSH”, tha Bardhi, ndërsa sipas Shalsit, socialistët kanë ende pyetje që nuk kanë marrë përgjigje nga kreu i KLSH-së.
“Këtij nuk mund t’i thuash as grup. Shpresoj që zoti Bardhi të jetë i iluminuar për nënkomisionin që u miratuar, pasi një anëtar dha dorëheqjen, pasi kishim rënë dakord. Zoti Bardhi duhet t’i kërkojë ndjesë partnerëve ndërkombëtarë që kanë ndihmuar me ekspertizën e tyre. Po çke mo burrë? Të lashë të flisje. Sa zakon të keq e ke këtë që nuk duroni dot. Bëre një konstatim, por më lër të mbaroj”, tha Shalsi, ndërsa Bardhi e kundërshtonte nga vendi.
“Të paaftë për t’u ballafaquar me argumente. Të paktën të merreni vesh me njëri-tjetrin. Do të kishit kuptuar që në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, një zonjë me emrin Mimoza Dhëmbi, që ka ndryshuar 16 ministra, drejtoresha e Buxhetit, për të cilën KLSH ka kërkuar shkarkim nga detyra, por duhet të sqarojë se pse. Është precedent i ri. Skandali i Onkologjikut është ende pa përgjigje, nëse ka kallëzim për këtë çështje. S’kemi përgjigje nga KLSH. Po hua përsëris; nuk ka nevojë KLSH për avokatinë tuaj”, vijoi Shalsi.
Gati njëzëri të gjithë deputetët e opozitës kërkuan që raportimi i kreut të KLSH-së të futet në rendin e ditës së nesërme, ndërkohë që një tjetër socialist që u përfshi në replika ishte Erion Braçe.
“Se kuptoj këtë shqetësim që ngrihet në nivel politik në Kuvend. Seanca e raportimit të kryetarit të KLSH që ka brenda, pyetje, e diskutime. Kryetari i KLSH nuk ka shprehur asnjë shqetësim në raportim me punën e Komisionit të Ekonomisë. Kjo nuk është e parë që ndodh kështu. Në këtë sallë kemi ish-kryetarin e KLSH, por që nuk ndodhet sot. Këtu nuk ka më dëshmitarë të atij komisioni, pasi i kanë fshirë të gjithë. Ish-kryetarin e KLSH e fshinë shpejt dhe atë. Pse ka shqetësim nga ky proces. KLSH nuk është gjykatë dhe Prokurori, por auditues i jashtëm suprem i Republikës së Shqipërisë. Ata janë palë, siç është palë komisioni i Ekonomisë. Ndaj KLSH i drejtohet prokurorisë me kallëzim, siç i drejtohen të tjerët gjykatës. Mos mbivlerësoni institucionet dhe mos krijoni mbikompetenca. Për replikë, meqë ai zotëria atje në fund nuk kupton asgjë. KLSH është institucion unilateral, ku kryetari ka mandat 7-vjeçar. S’ka ndodh ndonjëherë që të shkarkojë maxhoranca kryetarin e KLSH. Unë nuk jam i pakënaqur nga veprimtaria e KLSH. S’ka asnjë qëllim që të kapim KLSH. Por puna duhet bërë!”, deklaroi Braçe gjatë fjalës së tij. /ZËRI
Miratohet shtyrja e Komisionit Hetimor për konsensionet në shëndetësi, vetëm Braçe kundër
TIRANË- Kuvendi ka miratuar shtyrjen e afatit të punimeve të Komisionit Hetimor të Shëndetësisë për ‘Sterilizimin’ dhe ‘Check-up’.
Shtyrja e afateve mori 95 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Ka qenë deputeti i PS, Erion Braçe, i cili ka votuar kundër shtyrjes së afatit.
Sipas këtij vendimi të miratuar sot në Kuvend, puna e Komisionit Hetimor u shty deri më 22 tetor 2024.
Komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi u miratua më 21 mars dhe u përllogarit që punimet të kryheshin për 4 muaj.
Shtyrja e punimeve të këtij komisioni u kërkua gjatë mbledhjes së fundit të tij. Ndryshe nga hetimet për koncensionet në shëndetësi, socialistët në Komisionin TIMS, refuzuan që të jepnin kohë shtesë, duke iu drejtuar Kuvendit me dy raporte të ndryshme./ZËRI
Nuk u votuan 3 herë nga Kuvendi, 4 anëtarët e rinj të KLGJ dhe KLP zgjidhen përmes mekanizmit zhbllokues

TIRANË- Bledar Bajri dhe Albens Tabaku do të jenë dy anëtaret e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve edhe pse seanca plenare nuk mundi sërish të arrinte 2/3 e votave. Ata u zgjodhën në bazë të mekanizmit zhbllokues i cili parashikon se në rast dështimit të zgjedhjes në tre raunde, lista e dërguar për votim konsiderohet e miratuar.
E njëjta formule u ndoq edhe me anëtarët e Këshillit të Larte të Prokurorisë ku Erind Merkuri dhe Erind Germenji u bënë automatikisht anëtarë nga radhët e avokatëve.
Opozita edhe këtë herë refuzoi të behej pjesë e votimit duke e bojkotuar procesin.
Të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurispudencës./ZËRI
KLSH në tabelën e qitjes së politikës? Kuvendi miraton ngritjen e një nënkomisioni, do të drejtohet nga opozita

TIRANË- Kuvendi miratoi sot ngritjen e nënkomisionit për Auditimin Publik, që është përkthyer si një mekanizëm për mbikëqyrjen e punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për këtë komision u votua me 90 vota pro, 1 abstenim dhe 4 kundër. Komisioni do të drejtohet nga Emilia Koliqi, nga radhët e Partisë Demokratike.
Komisioni do të drejtohet nga Emilia Koliqi, ndërsa Eslenvera Zake do të jetë nënkryetare.
Anëtarë të komisionit do të jenë Alban Xhelili, Sorina Koti dhe Pranvera Resulaj. Ndërsa Edmond Spaho dha dorëheqjen nga komisioni.
Ka qenë vetë Kuvendi, ai që ka propozuar ngritjen e nënkomisionit brenda Komisionit të Ekonomisë dhe Financave që synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien për përdorimin e burimeve publike.
Nënkomisionit i jepet e drejta e auditimit financiar të vetë Kontrollit të Lartë të shtetit, duke shqyrtuar projektbuxhetin vjetor të institucionit përmes audituesve të jashtëm që do të përzgjidhen nga ky nënkomision për të kryer kontrollin e financiar të KLSH.
Nënkomisioni do të shqyrtojë gjithashtu raportet e qeverisë mbi zbatimin e buxhetit të shtetit dhe raportet e KLSH mbi mënyrën se si shpenzohen paratë e buxhetit të shtetit. Zbatimi ose jo i gjetjeve dhe rekomandimeve të KLSH për institucionet e audituara do të jetë gjithashtu në fokus të punës së kësaj strukture. /ZËRI
"Reforma Zgjedhore"/ Deputetët pro dhe kundër, Alibeaj: Po i lëpijnë 'atë' kryetarit! Braçe: Dua lista të hapura, ashtu u bëra deputet

TIRANË- Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë dhënë mendimin e tyre lidhur me draftin e Reformës Zgjedhore. Disa ishin pro, disa kundër, madje edhe mes socialistëve. Në një prononcim të shkurtër për gazetarët para derës së Kuvendit, teksa po futej në seancë, deputeti socialist Erion Braçe u shpreh se është për lista të hapura, pasi secili duhet ta meritojë ulësen në Kuvend. Të njëjtin mendim kishin edhe kolegët e tij. Por asnjë koment nuk dha ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u shpreh se nuk ka asnjë koment, pasi ende nuk e ka lexuar paktin. "Pa fjalë" ishte dhe Etjen Xhafa. Ndërkohë që nga opozita, Enkelejd Alibeaj vijoi me akuzat, ndërsa Flutura Açka tha se një marrëveshje e tillë e ndalon që të garojë si deputete e pavarur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
PRONONCIMET E DEPUTETËVE PARA GAZETARËVE:
Denis Deliu: Në 2021 u miratua para por u shikua pas zgjedhjeve sesi doli. Edhe kjo marrëveshje...parlamenti ka nevojë për teknikcienë dhe drejtues politikë që nuk bëjnë dot fushatë për vete dhe është e kuptueshme që duhet të jenë në lista. Ka edhe deputetë që duhet të tregojnë veten.
Xhefalia: Unë isha i shqetësuar, personalisht do preferoja sistem maxhoritar ku të ballafaqoheshe secili individ, megjithatë u vendos që të jetë ky sistem. Personalisht do ishte shumë më interesante që gara të zhvillohej drejtpërdrejt.
Çyrbja: Nuk jam për lista të mbyllura, jam për lista të hapura, ishte një sfidë për të gjithë ata që kanë qenë në reformën zgjedhore. Do e bëj propozim që këta persona të jenë në lista të hapura. Atëherë jam shumë dakord me këtë sistem
Saimir Hasalla: Unë preferoj sistem të hapur për të gjithë.
Erion Braçe: Maxhoritar, drejtpërdrejt në një zonë elektrorale. Do e votoj marrëveshjen për çështje vullneti politik. Normalisht brenda partive duhet të bindesh. Nëse më pyet mua për shijet personale, maxhoritar i pastër. Unë ashtu jam bërë deputet. Nga maxhoritari, drejtpërdrejt atje. Të gjithë këta me mbiemra të çuditshëm nga Braçe tek Llapa duhet të mësohen që të kandidojnë tek njerëzit. Po nuk e mësuan pastaj do mësojnë nga këto marifetet elektroale si gjithmonë.
Pëllumbi: Kjo është një pyetje e cila kërkon një përgjigje të gjatë dhe jo këtu në këmbë. Ju e dini ne nuk kemi kod zgjedhor perfekt. Në asnjë nga rastet. Ajo që është e rëndësishme është që i dhamë një zgjidhje vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në të gjitha rastet partia është mes elektoratit dhe pushtetit. PS ka një numër të madh njerëzish, por vetëm një numër i vogël propozohet për kandidat. Mos e shihni në sensin që është listë e hapur apo e mbyllur. Për të qenë në listë duhet të propozohesh. E rëndësishme është që të jesh në listë, pastaj...
Ne i dhamë zgjidhje.
Xhafaj: Nuk e kam lexuar kur ta lexoj
Xhafa nuk flet: Është pyetje shumë e thjeshtë por mbetet për t'u vlerësuar nga diskutimet që do të bëjmë në vijim.
Alibeaj: Mirë është që deputetët të mos lëpijnë atë që nuk thuhet të kryetarëve. Sot do shihet kush do të lëpihet. Kjo tregon edhe fundin e moralitetit politik dhe rënien e maskave.
Açka: Për mua është shumë tronditëse se kemi kaq vite që themi lista të hapura. Në momentin e fundit mbyllen listat. Nëse do të ishte Shqipëria një zonë, lista të hapura, do garoja vetëm si e pahapur.
Alibeaj: Kurrë mos thuaj kurrë!
Açka: Le t'i hapin listat, Shqipëria një zonë dhe jam gati!/ZËRI
Dorëheqje apo shkarkim/ Gazment Bardhi e kishte gjetur pasuesen e Açkës dy ditë para se ajo të njoftonte largimin

TIRANË- Ditën e sotme deputetja Flutura Açka përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PD-së, por edhe drejtimi i Komisionit të Medias, sipas saj për shkak të pazarit të fundit në kurriz të demokracisë, që ishte pakti për Reformën Zgjedhore. Shkresa e Açkës drejtuar kryetares së kuvendit Lindita Nikolla, mbante datën 24 Korrik, por duket se më shumë se një dorëheqje, kemi të bëjmë me një shkarkim të deputetes shkrimtare nga ana e Gazment Bardhit.

Ky i fundit, përmes një shkrese, po drejtuar Nikollës, i ka kërkuar kryeparlamentares, zëvendësimin e Açkës me deputeten Ina Zhupa. Shkresa në fjalë është firmosur në datën 22 Korrik, pra dy ditë përpara se Açka të shprehej me dorëheqje.

Deputetja Açka është pozicionuar hapur kundër Sali Berishës, dhe ka qënduar më së shumti pranë Bashës, në përplasjen e tyre se kush e kush do të merrte ligjërisht drejtimin e PD-së./ZËRI
Deputetët marrin pushimet, sot edhe nesër seanca maratonë në Kuvend, çfarë parashikohet në rendin e ditës

TIRANË- Sot edhe nesër në Kuvend parashikohen të mbahen dy seanca maratonë parlamentare, të cilat do të jenë me një axhendë të ngjeshur, për shkak se deputetët më pas do të marrin më shumë se një muaj pushime, për t’u rikthyer në sesionin e ardhshëm parlamentar në muajin Shtator. Një prej debateve më të mëdha që pritet në Kuvend, është ai për paktin e arritur mes PS-PD për Reformën Zgjedhore, i cili i lë pothuajse të mbyllura listat, ndërkohë që pikëpyetje ka dhe për mekanizmat që do të ndiqen për votën e diasporës.
Në rendin e ditës për seancën e sotme pritet të miratohen emrat e anëtarëve të rinj nga radhët e avokatëve që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nga shorti u zgjodhën kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurispudencës.
Sot po ashtu pritet që të miratohet projektvendimin për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, si dhe zgjatja e afatit të komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check up në Shëndetësi.
Gjatë seancës së sotme plenare janë parashikuar të mbahen edhe dy interpelanca. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa do të zhvilloj interperlancë me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Po ashtu deputeti Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me ministrin e Financave Ervin Mete.
Në rendin e ditë është parashikuar edhe miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë si dhe institucioneve të tjera që raportuan në Kuvend seancën e 18 korrikut./ZËRI
Pakti PS-PD për Zgjedhoren, Basha: Refuzojmë me forcë pazarin anti-SPAK, Rama dhe Berisha janë bashkë, sa herë ua do halli

TIRANË- Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ashpër në lidhje me marrëveshjen PS-PD, për Reformën Zgjedhore, e cila nuk miratoi një prej propozimeve e kahershme të tij, atë për listat e hapura. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha iu bën thirrje deputetëve që të mos votojnë pro kësaj Reforme, që sipas tij i shërben aleancës kundër SPAK. Ish-kryedemokrati shkruan më tej se, Rama dhe Berisha janë bashkë sa herë që ua do halli, dhe mbajnë rreth vetes një grup deputetësh që iu shërbejnë atyre, dhe jo qytetarëve që i kanë zgjedhur.
'I ekspozuam për pazarin me amnistinë, dhe koha na dha të drejtë. I ekspozuam për pazarin për sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, dhe koha na dha të drejtë. I ekspozuam për pazarin për mbylljen e listave, dhe koha na dha të drejtë. Rama dhe Berisha nuk duan Reformë Zgjedhore, sepse kërkojnë të mbajnë rreth vetes një tufë deputetësh që i shërbejnë interesave të tyre dhe halleve që kanë me drejtësinë, jo qytetarëve.
Ne e refuzojmë me forcë këtë pazar, prandaj kam depozituar një amendament përmes të cilit ju jepet mundësia deputetëve që duan realisht lista të hapura dhe neverisin këtë mynxyrë, të votojnë për të pasur lista 100% të hapura.
Përmes këtij amendamenti u japim mundësi partive të zgjedhin nëse duan të përdorin listat e hapura, apo listat e mbyllura, e jo t’i nënshtrohen në mënyrë të detyrueshme pasojave të allshiverishit të atij që ka shpallur revolucion, por është ulur në prerin e Ramës, dhe atij që deklaron se nuk bashkëpunon me non gratat, por bashkon vota me Berishën sa herë ua do halli i përbashkët.
Nëse brenda bunkerëve anti-SPAK të Ramës dhe Berishës duan të vendosen në rresht për t’i shërbyer atyre dhe jo qytetarëve, le të ngrenë dorën dhe të ulin kokën për të votuar riciklimin e marrëveshjes së 2008-ës.
Por, nëse duan realisht që gjërat të ndryshojnë e të fuqizojnë votën e qytetarëve duke i’u dhënë dinjitet, autoritet dhe përfaqësim deputetëve, të mbështesin këtë amendament. Shqipëria meriton më shumë.'- shkruan Basha.
Ditën e djeshme, grupi i dialogut gjeti dakordësinë, për një draft të përbashkët për Reformën Zgjedhore, e cila do të futet sot ose nesër, në rendin e ditës në Kuvend. Dy partitë do të votojnë në seancë për t’i hapur rrugë emigrantëve që kanë një adresë të saktë banimi për të votuar.
Ndërkohë, pika që ndante dy partitë ishte mënyra se si do të ndahen mandatet. Socialistët kishin si kusht vendosjen e një pragu 7 mijë vota për të thyer herësin, ndërkohë që demokratët kërkonin lista 100% të hapura.
Në draftin përfundimtar, PS ka hequr dorë nga pragu 7 mijë vota, ndërkohë që demokratët kanë pranuar që 1/3 e listës në çdo qark të jetë e mbyllur. /ZËRI
Votuesit jashtë Shqipërisë përballen me rrugë të përpjetë për të drejtën e votës

TIRANË- Dy partitë kryesore politike shqiptare, Partia Socialiste në Pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se ranë dakord në bisedimet e zhvilluara pas dyerve të mbyllura për të lejuar votimin në distancë të shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë, por modalitetet e fitimit të të drejtës për të votuar në distancë janë të tilla që e bëjnë të vështirë ushtrimin real të votës nga emigrantët.
Dokumenti i dakordësuar mes palëve i rrjedhur në media, tregon se, ndryshe nga shtetasit rezidentë, të cilët në sistemin ligjor shqiptar prej të gjitha kohërave gëzojnë automatikisht të drejtën e votës për nga cilësia e të qenit shtetas, emigrantët, nëse do të duan të hedhin votë në distancë dhe jo duke u paraqitur personalisht në Shqipëri, do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhjeje.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit,” thuhet në projektligjin e propozuar për të cilën palët kanë rënë dakord në nivel ekspertësh ndërsa diskutimet në nivel politik vazhdojnë.
“Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje,” shkruhet më tej.
Emigrantët që vendosin të ushtrojnë të drejtën e votës në këtë mënyrë, paguajnë në mënyrë indirekte çrregjistrim automatik dhe humbje të së drejtës së votës si shtetas rezidentë. Projektligji duket se ka lënë pa përmendur nevojën për rikthimin e këtyre shtetasve te regjistri i votuesve rezidentë pas zgjedhjeve, nëse ata vendosin të rikthehen në atdhe ndonjëherë.
“Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç'rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit,” shkruhet më tej në projektligj.
E drejta e emigrantëve për të votuar pavarësisht se nuk janë të pranishëm në atdhe ditën e votimit është debatuar gjerësisht gjatë dekadës së fundit ndërsa një vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka kërkuar parlamentit të marrë masa për ta mundësuar këtë të drejtë. Procedurat e caktuara nga palët duket se i vendosin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit në disavantazh duke i detyruar ata të regjistrohen me kërkesë për të fituar të drejtën e votës, ndryshe sistemi ligjor historik i vendit, në të cilin, e drejta e votës vjen automatikisht pa pasur nevojë për regjistrim paraprak.
Palët politike gjithsesi i kanë dhënë të drejtë vetes që të ndërhyjnë më tej në proces me kufizime të tjera të mundshme, gjatë shqyrtimit në të ashtuquajturin “institucion rregullator”.
“Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për rregjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit,” shkruhet në propozim.
“Rregullatori” është një institucion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që përbëhet nga anëtarë të votuar nga Kuvendi i Shqipërisë sipas preferencave të palëve politike. Ky institucion është ai që do të ketë të drejtë të hartojë “listën e detajuar të dokumentacionit”. Kriteret e hartimit të listës në fjalë të dokumentacionit do të përcaktojnë me gjasa se sa e lehtë ose sa e vështirë do të jetë për popullsinë jorezidente që të votojë.
Diskriminimi i shtetasve jorezidentë përkundrejt atyre rezidentë, duke i kërkuar të parëve regjistrim me kërkesë për të marrë pjesë në zgjedhje ka gjasa që do të përbëjë një çështje për diskutim në vijim.
Aktualisht gati gjysma e popullsisë prej 4.6 mlionë shtetas duket se jeton në emigrim. Emigrantët e kanë të drejtën e votës, por për ta ushtruar atë, deri më sot do të duhet të udhëtojnë drejt vendbanimit ku kanë regjistrin civil ditën e zgjedhjeve, gjë që shumica nuk e bëjnë.
Dhënia e të drejtës së votës në distancë, një praktikë e njohur në shumë vende të botës, është diskutuar si një opsion për të demokratizuar vendin, nën supozimin që emigrantët nuk janë nën presionin e partive politike, kryesisht partisë në pushtet, siç janë banorët rezidentë. Por shumë ngrenë pikëpyetje nëse një shtetas që jeton prej vitesh në emigrim është apo jo e arsyeshme që të votojë për të zgjedhur qeverinë e vendit ku nuk jeton, por që do të qeverisë shtetasit që jetojnë në këtë vend.
Në rast se vota e emigrantëve do të bëhet realitet sipas propozimit aktual, mbetet për t'u parë se sa do të jenë të interesuar emigrantët, apo sa të lehtë do t'ua bëjë procesin KQZ dhe Rregullatori për të votuar dhe se çfarë pasojash do të ketë në rezultatet zgjedhore dhe në qeverisjen e vendit./BIRN
ANALIZA- Mbi 70% të deputetëve të ardhshëm do t’i caktojnë kryetarët

TIRANË- Dy partitë politike kryesore të vendit, Partia Socialiste në qeveri dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se kanë rënë dakord që të mbajnë me lista të mbyllura shumicën dërrmuese të mandateve të deputetëve edhe në zgjedhjet e ardhshme për parlament të parashikuara për vitin 2025, ndërsa votuesit e secilës parti do të mund të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve.
PD dhe PS ranë dakord që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor të vendit, një kompromis që pritet të materializohet sot në seancë plenare. Mes të tjerash, palët ranë dakord që “një e treta” e listave të kandidatëve të jetë “e fiksuar” pra e mbyllur ndërsa për dy të tretat e listës votuesve të secilës palë do t'i jepet e drejta të japë një votë pëlqyese. Por nëse merren parasysh rezultatet zgjedhore të vitit 2021, ky lloj formulimi do të thotë se mbi dy të tretat e deputetëve të zgjedhur do të jenë në këto listat e mbyllura ndërsa më pak se një e treta, në listat e hapura.
Formula thotë se në një zonë zgjedhore, fjala vjen, në Kukës, ku dalin tre mandate deputetësh, secila parti do të përcaktojë një të tretën, pra 1 mandat, si vullnet i partisë ndërsa mandati i dytë mundet t'i takojë zgjedhësve për ta përcaktuar. Në zgjedhjet e vitit 2021, në Kukës Partia Demokratike fitoi 2 mandate ndërsa Partia Socialiste fitoi 1 mandat. Nëse ky rezultat do të jetë në vitin 2025, apo nëse, fjala vjen, PS merr 2 mandate dhe PD, 1, atëhere dy deputetë të zgjedhur do të jenë caktuar nga partia ndërsa 1, nga zgjedhësit. Situata ndryshon në rast se në një qark si Kukësi, një forcë e tretë politike fiton një mandat. Në këtë rast, të tre kandidatët e zgjedhur do të jenë caktuar nga partia përkatëse ndërsa zgjedhësit me votën e tyre preferenciale do të dërgojnë në parlament zero kandidatë fitues.
Në të gjitha qarqet e tjera është një situatë e ngjashme. Fjala vjen, në Shkodër, 11 mandate deputetësh u ndanë në vitin 2021 në 5 mandate PD, 2 PS, 2 PSD dhe 1 LSI. Në rast se në zgjedhjet e shkuara do të ishte votuar sipas formulës së sotme për listat, i vetmi deputet që do të zgjidhej me votë pëlqyese nga zgjedhësit do të ishte deputeti i pestë i Partisë Demokratike. Sepse pjesëtimi i 11 mandateve totale me tre jep shifrën 3.66 dhe projektligji i propozuar për kodin zgjedhor përcakton se në këtë rast, numri i mandateve të caktuara nga partia rrumbullakoset në 4. Kjo do të thotë se 2 mandatet e PS, 4 mandate të PD, 2 mandate të PSD dhe 1 mandat të LSI caktohen nga partia.
Llogaritje të BIRN të bëra me rezultatin zgjedhor të vitit 2021 dhe me formulën e re të listave tregojnë se mbi 100 deputetë nga 140 mund të dalin nga listat e mbyllura ndërsa pjesa tjetër, nga pëlqimet e zgjedhësve.
Listat e mbyllura të kandidatëve u caktuan për herë të parë në Shqipëri nga marrëveshja mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në vitin 2008. Listat e mbyllura nuk janë automatikisht të këqija në vetvete por eksperienca ka treguar se, për shkak të mungesës së kulturës demokratike brenda partive të mëdha apo të vogla shqiptare, deputetët e zgjedhur janë rezultat i vullnetit të kryetarit përkatës dhe jo i anëtarësisë së partisë, duke e bërë parlamentin një institucion të mbushur me të emërtuar të kryetarit dhe jo me deputetë përfaqësues të popullit.
Sistemi është cilësuar si një “republikë kryetarësh” në të cilën, parlamenti ka humbur funksionin e vet kushtetues si mbikëqyrës, kontrollues dhe kufizues i pushtetit ekzekutiv, duke u kthyer në një zyrë noteriale të kryeministrit.
Në zgjedhjet e vitit 2021, pas protestave të shumta në lidhje me këtë sistem, Edi Rama ra dakord që të krijojë një sistem vote pëlqyese, e cila në praktikë prodhoi vetëm tre mandate deputetësh në të gjithë vendin të dalë nga pëlqimet e zgjedhësve ndërsa 137 të tjerët dolën sërish nga vullneti i kryetarit. Kjo për shkak se kandidatët e listës humbëse do të duhet të thyenin “herësin”, një shprehi matematikore që nënkuptonte nevojën për të fituar mbi 10 mijë vota pëlqyese personale, për të mundur të zëvendësonin një nga kandidatët e paracaktuar si fitues./BIRN
“Dje ra maska e fundit”, Flutura Açka largohet nga grupi i PD: Nuk dua të bëj sehir, kur shoh minën që i vendoset demokracisë

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka dhënë dorëheqjen nga grupi parlamentar, pas konsensusit të arritur nga forcat politike, të cilin ligjvënësia e konsideron një farsë. Në një postim në rrjetet sociale, Açka njofton se ka hequr dorë dhe nga Drejtimi i Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, ndërsa thotë se personave që sipas saj kanë marrë peng opozitën, tashmë iu mbetet edhe akti i fundit, që të bëhen pjesë e komisionit ANTISPAK. Në shkresën e drejtuar kryetares së Kuvendit, Açka rendit dhe arsyet e plota të vendimmarrjes së saj.
POSTIMI I PLOTË I AÇKËS:
Nga dje ra dhe maska e fundit, tani ju ka mbetur edhe akti i fundit, Komisioni AntiSPAK
Por unë nuk dua të bëj sehir minën ndaj demokracisë, ndaj largohem nga Grupi i PD
KUVENDI
Nr. ______prot. Tiranë, më 24 korrik 2024
Lënda:
1. Dorëheqje nga Drejtimi i Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik
2. Largim nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Drejtuar:
Znj. Lindita NIKOLLA
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
E Nderuara, zonja Nikolla
Sikurse edhe jeni në dijeni, në mbledhjen e parë të këtij sesioni parlamentar (në janar të këtij viti) të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, të cilin e drejtoj qysh prej vjeshtës së vitit 2021, ndodhi një incident i pakëndshëm me një grup kolegësh të Opozitës, mes tyre edhe drejtues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Nga ajo kohë, sulmet e fshehta dhe të hapura ndaj personit tim nuk lanë reshtur, me të gjitha format dhe mjetet dhe shkakun e vetë: qasjet e ndryshme të sjelljes politike opozitare.
Edhe pse në këto kushte të padrejta, jam përpjekur të përmbush detyrimin tim kushtetues në mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar që drejtoj.
Ndaj, në respekt të çdo demokrati të ndershëm që kam njohur në jetën time dhe në detyrim të idealeve për të cilat u themelua Partia Demokratike në kapërcyell të 90’tës, jam e detyruar të mos e pranoj më gjendjen e pashëndetshme të krijuar nga presionet politike rreth meje.
Në marrëdhënien time politike me Partinë Demokratike, jam udhëhequr vetëm nga parime të larta dhe në shërbim të aksionit opozitar, pa prekur lirinë time vetjake. Ndaj:
Që të mos jem më pjesë e alibisë së shkatërrimit të Opozitës, të cilën e ndanë dhe e shqyen para syve tanë personazhe me etje të pangopur politike;
Që të mos hesht përballë minimit që po i ndodh demokracisë shqiptare nga bashkëpunimi me pushtetin dhe në dëm të interesave demokrate e kombëtare, të një grupi të vogël opozitar me parime qokash dhe moral të dyshimtë politik;
Që të shfaq qartë dhe e pandikuar para demokratëve, votuesve dhe shqiptarëve - të cilët ende besojnë te politika e pastër - aksionin tim personal si opozitare ndaj kundërshtarit tonë të përbashkët politik, pa u ndikuar nga fryma që ka kapluar tashmë prej vitesh Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike;
Që të mos hesht përballë intrigave e makinacioneve të paprincip të personave të caktuar në Opozitë, të cilët, me betejat e tyre të rreme, e kanë diskretituar shpesh aksionin opozitar;
Deklaroj nga sot:
- Dorëheqjen time si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.
- Largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Me respekt,
DEPUTETE
Flutura Açka
Ditën e djeshme, grupi i dialogut gjeti dakordësinë, për një draft të përbashkët për Reformën Zgjedhore, e cila do të futet sot ose nesër, në rendin e ditës në Kuvend. Dy partitë do të votojnë në seancë për t’i hapur rrugë emigrantëve që kanë një adresë të saktë banimi për të votuar.
Ndërkohë, pika që ndante dy partitë ishte mënyra se si do të ndahen mandatet. Socialistët kishin si kusht vendosjen e një pragu 7 mijë vota për të thyer herësin, ndërkohë që demokratët kërkonin lista 100% të hapura.
Në draftin përfundimtar, PS ka hequr dorë nga pragu 7 mijë vota, ndërkohë që demokratët kanë pranuar që 1/3 e listës në çdo qark të jetë e mbyllur. /ZËRI