Dy ditë nga zgjedhjet në Himarë/ Berisha thirrje qytetarëve: Shmangni çdo provokim
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në tubimin e përnatshëm në 'Rrugën e Shpresës', ka treguar mbështetjen për kandidatin e opozitës Petro Gjikurinë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Berisha u bëri thirrje banorëve të votojnë për të mbrojtur tokat dhe pronat e tyre. Në fjalën e tij ish-kryeministri i drejtohet qytetarëve të Himarës duke i thënë që ditën e votimeve të shmangin çdo provokim dhe të votojnë si qytetarë të denjë.
Fjala e plotë:
O miq, mafiozi nuk ka atdhe, nuk ka fe, nuk ka moral, mafiozi është vetëm mafioz. Ka vetëm interesa mafioze. Për interesat mafioze të Oltës Strategjike, shkelmon mbi Gjykatën Kushtetuese, mbi Kushtetutën dhe rendin kushtetues. Për interesat më mafioze, burgos Belerin me motive tërësisht politike, vetëm e vetëm se Beleri ia bënte pluhur ëndrrën e Gjipesë të 224 mijë metra katrorë tokë. E keni parasysh? E dini ku u bie Gjipeja? Kanioni i Gjipesë. Imagjinoni ju se ku i ka ngelur shpirti atij.
Pra, qytetare dhe qytetarë të Himarës, vota pasnesër për kandidatin e opozitës është votë për pronat tuaja. Është votë për të drejtat tuaja. Është votë për të mbrojtur tokat, pronat nga mafia më e pashpirt, më e rrezikshme jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Ballkanit dhe Europës që kryesohet nga Edi Rama. Vangjel Tava nuk përfaqëson asgjë tjetër vetëm një kukull të Edi Ramës, që emërohet aty vetëm për Gjipenë. Po Gjipeja është një dosje. Po ku ta dimë ne sa dosje të tjera mund të ketë ky njeri që para tre muajsh na zotohej se unë dhe nëna ime e ndjerë, nuk kemi kërkuar një metër katror tokë? Po çfarë rrenacaku është ky? Edhe shpirtin e nënës së vdekur e përdorur për të mashtruar. Çfarë morali ka ky? Ndaj dhe e mbyll këtë fjalë, me thirrjen time për qytetarët e Himarës, shmangni çdo provokim, votoni si qytetarë të denjë ditën e dielë. Përçmoni çdo përpjekje për të krijuar provokacione ndaj jush nga bandat e Edi Ramës dhe fitorja është e juaja, fitorja është e Himarës, është e demokracisë. Fitore, fitore, fitore!
/ZËRI
VIDEO- Noka në Himarë në mbështetje të Gjikurisë, bllokohet rruga për banorët e turistët

HIMARË-Sot është dita e fundit e fushatës, ndërsa nesër dy kandidatët për kryebashkiak në Himarë, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të udhëhequr nga Sali Berisha do i lënë vendin heshtjes zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ndodhet në Himarë, në mbështetje të Gjikurisë. Por tubimi i organizuar, ka krijuar pengesa për vendin turistik. Në videon më poshtë të siguruar nga ZËRI, shihet se rruga është bllokuar për banorët dhe turistët.
Në takimin përmbyllës së fushatës së kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria, Noka theksoi se himariotët do t’i rezervojnë sërish refuzimin Ramës, pasi në 11 vite të qeverisjes së tij, nuk është kujdesur për banorët, duke mos i siguruar as ujin.
Flamur Noka:Noka: I keni dhënë një mesazh të madh jo vetëm Himarës por të gjithë Shipërisë. Erdhi me hordhi për t’ju presionuar për tju vjedhur votën por refuzimin do të marrë. Ju e refuzuat sepse ai nuk është kujdesur asnjë ditë të qeverisjes së tij për ju. Viti 2024 dhe këtu nuk ka ujë. Dhe prandaj ai nuk vjen dhe të kërkojë votën por shpresa e tij është të blejë dhe vjedhë votën. Ju do të votoni në 4 gusht sepse ju në zgjedhjet e para fituat. Kryetari juaj ishte Fredi Belerit. Ai mendoi se me burgosjen e Fredi Belerit do tu burgoste ju. Fredi Beleri përfaqëson çdo qytetar të ndershëm dhe të lirë të këtij vendi...Edi Rama e ka vendin te koshi i plehrave. Do të jemi prezent me ju derisa të numërohet vota e fundit dhe do të garantojmë që vota juaj do të vendosë. Vota juaj do të shkojë për Petro Gjikurinë. Fitore, fitore.
Edhe një ditë më parë, Noka ka zhvilluar takime me qytetarët në këtë zonë në mbështetje të kandidatit të opozitës Petro Gjikuria, për kryetar bashkie./ZËRI
KQZ dërgon materialet/ Gjikuria takime në Qeparo, Tavo jep mesazh nga Himara

HIMARË-Sot është dita e fundit e fushatës, ndërsa nesër dy kandidatët për kryebashkiak në Himarë, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të udhëhequr nga Sali Berisha do i lënë vendin heshtjes zgjedhore. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka dërguar në Himarë materialet zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme. Materialet zgjedhore do të shpërndahen drejt 36 qendrave të votimit gjatë orëve të para të ditës së dielë, në mënyrë që të gjithë qendrat e votimit të jenë gati për qytetarët për të ushtruar të drejtën e votës në datën 4 gusht 2024.
'Në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor, baza materiale për 36 qendrat e votimit u dërgua ditën e sotme nga KQZ Shqiperi në bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme. Së bashku me kutitë e votimit, fletët e votimit dhe dokumentacionin e punës për komisionet zgjedhore, u dërguan edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI), kamerat monitoruese që vendosen në qendrat e votimit, kamerat regjistruese/monitoruese që vendosen në tavolinat e numërimit të votive (VNV). KQZ ka menduar edhe për zgjedhësit që nuk shikojnë, duke siguruar shabllonin e fletës së votimit me alfabetin Braille në çdo qendër votimi", shkruan KQZ në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë një ditë para heshtjes zgjedhore kandidatët kanë dhënë mesazhet e fundit për qytetarët. Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo u shpreh nga Himara se 4 gushti është një mundësi për bashkim. Në një mesazh për banorët të ndarë edhe në Facebook, Tavo theksoi se, “ne do punojmë së bashku në shërbim të Himarës”. Ai tha se, një e ardhme më e mirë, më e paqtë, më e bashkuar dhe më e begatë, i pret përpara për Himarën.
Nga ana tjetër, kundërshtari i tij, Petro Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” zhvilloi takimin e fundit elektoral në Qeparo. Gjikuria i falënderoi banorët për pjesëmarrjen në këtë takim, ashtu si në të gjitha takimet gjatë këtyre ditëve.
“Përveç problemeve me infrastrukturën dhe probleme të tjera të shumta me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre, ashtu si në çdo fshat të Bashkisë, më folën edhe për presionin që kanë nga pushteti qëndror. Me votën e tyre të kthyer në mandat, që ditën e nesërme vëmendja do të jetë tek qytetarët e Bashkisë Himarë dhe në zgjidhjen e nevojave të tyre. Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur! Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin e treguar”, theksoi kandidati Gjikuria.
Të dy kandidatët i përkasin minoritetit grek dhe përballen pasi një tjetër minoritar grek Fredi Beleri edhe pse fitoi zgjedhjet nuk u bë kryetar i bashkisë së Himarës për shkak se u arrestua për vjedhje votash pak ditë para zgjedhjeve të majit. Tashmë, Beleri do të ndjekë nga qelia e tij zhvillimet, duke bërë "tifo" për Gjikurinë, i cili është zotuar se nëse fiton do të zbatojë programin e të dënuarit./ZËRI
"Grabitja e pronave", Rama: Ka dalë në një kazan në Greqi, studion e tim eti kam. Blerja e votave çmenduri

HIMARË- Teksa dy ditë ndajnë nga zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët para se himariotët t’u drejtohen qendrave të votimit. Kreu i qeverisë tha se me Vangjel Tavon Himara do të hapë një kapitull të ri bashkëjetese demokratike mes himariotëve. Rama nuk kurseu as ironitë për kandidatët e tjerë, ku tha se nuk do të kenë shans të ndezin zjarr në këtë bashki.
“Me Vangjel Tavo Himara do të hapë një kapitull të ri zhvillimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetese demokratike mes himariotëve, ku Vangjelët e gabuar do të mund të bëjnë plazh e banjo dielli, po s’do të kenë më shans të ndezin zjarre e nxijnë vetullat. Tavo nuk bën fushata, bën komunikim me njeriun derë më derë dhe prag më prag. Pas Ruçit, është i dyti që ka numëratorin më të gjatë të celular. Po i çove mesazh, të merr direkt në telefon, se me atë është rritur kur ka qenë i vogël. Kur u bë i madh tha ç’më duhet mua PS-ja, jam i madh vetë, tani u kthye prapë për Himarën. Ky është i tëri i Himarës, unë jam përgjysmë. Këtu të gjithë janë himariotë, Himara i lidh bashkë të gjithë. Gjithë kjo që ka ndodhur është një mundësi e madhe, për ta parë në perspektivë për të kuptuar edhe arsyet pse kanë ndodhur. Pastaj flas kështu apo ashtu, më pëlqen më shumë jugu apo veriu, këto janë personale”-u shpreh Rama para qytetarëve.
Më tej kryeministri u ndal edhe tek akuzat se ka “grabitur pronat në Vuno”. Ai u shpreh se e vetmja pronë që ka trashëguar është studioja e babait, skulptorit Kristaq Rama, të cilën ka në plan ta kthejë në muze.
"Kishte dalë në një kazan në Greqi, Edi Rama ka grabitur pronat. Është histori e bukur, rrëzon mitin që qeveria po u merr pronat. Ju e dini që pjesa e Koletajve është nga këtu. Unë ua kam thënë, s’marr pjesë, jam mësuar që kur shkon në botën tjetër, hipoteka, paratë në xhep dhe kartat e kreditit nuk funksionale, puna është çfarë le pas, pas le emrin. Ata më parë kanë shfrytëzuar pushtetin për t’u marrë himariotëve prona. Një pronë kam trashëguar unë, studion e tim eti, për të bërë një muze të vogël për nder të tij”,-tha Rama.
Duke folur me Vangjel Tavon, Blendi Klosin dhe Damian Gjiknurin, Rama u ndal në akuzat e opozitës për zgjedhje të manipuluara. Ai tha se është çmenduri të mendosh se PS blen votat, sepse në fakt fitorja i vjen nga makineria elektorale dhe sondazhet që e nxjerrin fitues Tavon.
“Gjëja që nuk kuptojnë dhe nuk kanë për ta kuptuar kurrë. Kur del ai atje dhe thotë “Do bëjmë tërmet!”, kur del ky tjetri dhe thotë “Do bëhet breshër”, kur dal unë dhe them shifra, këta kujtojnë se ne kemi ndarë lekët dhe kemi blerë votat. Kjo është çmenduri! Ne ndërkohë kemi sistemin që e dimë paraprakisht rezultatin për shkak të kontakteve dhe për shkak të sondazheve. Ne kemi bërë sondazhet këtu në Himarë. I kemi bërë në fillim kur u vu Vangjeli dhe para një jave dhe e dimë se ku do të dali rezultati. Makineria jonë është moderne!” tha Rama.
Numri i qytetarëve i thirrur për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të Himarës është pak më shumë se 23 mijë, por në zgjedhjet e fundit lokale, në këtë bashki votuan më pak se 8 mijë persona. Të dielën, po të njëjtët do të duhet të zgjedhin mes Vangjel Tavos nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikurisë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të udhëhequr nga Sali Berisha.
Të dy kandidatët i përkasin minoritetit grek dhe përballen pasi një tjetër minoritar grek Fredi Beleri edhe pse fitoi zgjedhjet nuk u bë kryetar i bashkisë së Himarës për shkak se u arrestua për vjedhje votash pak ditë para zgjedhjeve të majit. Tashmë, Beleri do të ndjekë nga qelia e tij zhvillimet, duke bërë "tifo" për Gjikurinë, i cili është zotuar se nëse fiton do të zbatojë programin e të dënuarit./ZËRI