LIVE UPDATES

Nis me debate Komisioni Hetimor për Sterilizimin, pritet të thirret Rama dhe ish-ministrat, Zhupa: Të largohet Ndreca!

➤ Ka nisur sot punën Komisioni Hetimor për koncesionin e Sterilizimit. ➤ Mbledhja ka nisur me debate mes Plarent Ndrecës dhe Albana Vokshit, të cilat vazhduan më pas edhe me Ina Zhupën. Kjo e fundit kërkoi për përjashtimin nga Komisioni të Plarent Ndrecës, duke qenë se ai ka qenë avokat i njërit nga të hetuarit e SPAK (Arben Gjatës) për koncensionet në Shëndetësi. ➤ Kjo ka bërë që në Komision të ngrihen tonet. ➤ Më pas, Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi tha se në të ardhmen mes dëshmitarëve që do thirren për të dëshmuar lidhur me hetimin e dy koncesioneve, do jetë edhe kryeministri Edi Rama. ➤ Sot, u miratua vetëm sekretari i Komisionit, Klevis Xhoxhi.

6 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

"Sterilizimi"/ LISTA e dëshmitarëve 'mbushet' me ish-ministrat Manastirliu, Beqaj, Cani e Denaj. S'mungon as Rama

Nis me debate Komisioni Hetimor për Sterilizimin, pritet të thirret
Mbledhja e Komisionit

TIRANË- Brenda 10 qershorit, para Komisionit Hetimor që është ngritur për "Sterilizimit" duhet të paraqiten disa nga zyrtarët më të lartë që kanë pasur në "duart" e tyre dikasterin e Shëndetësisë. Por mes tyre është edhe kryeministri Edi Rama. Detajet lidhur me listën e zyrtarëve që do të dëshmojnë deri më 10 qershor, e ka bërë me dije Kryetarja e Komisionit Hetimor, Albana Vokshi.

Në fjalën e saj, gjatë Komisionit lexoi edhe listën që përfshin dy ish-ministrat e Shëndetësisë Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu, por edhe atë aktualen, Albana Koçiu. Gjithashtu, për t'u marrë në pyetje është kërkuar edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe Anila Denaj, e cila gjithashtu ka mbajtur të njëjtin post. Mes personave që do të dëshmojnë janë dhe drejtues të Agjensisë së Prokurimit Publik dhe denonuesit e koncesionit, anëtarët e "Nisma Thurje", të cilët e kanë depozituar padinë e tyre edhe në SPAK.

LISTA E PLOTË:

Edi Rama

Ilir Beqaj

Ogerta Manastirliu

Shkëlqim Cani

Anila Denaj

Albana Koçiu

Klodian Rjepaj

Geraldina Prodani

Ortakët dhe administratorët e dy koncesionarëve

Nisma Thurje: Endri Tafani, Pano Soko

Drejtuesit e qendrave spitalore universitare që nga nisja e zbatimit të dy komisioneve

Kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për dhënien e koncesioneve

Anëtarët e KPP

Drejtuesit e Agjencisë së Prokurimit Publik

Avokatura e Shtetit./ZËRI

1 VITE ME PARE

'Ç'do bëjmë 4 muaj'/ Komisioni Hetimor për Sterilizimin, Koçi: Janë thirrur "skifterët", s’duhet të ketë kacafytje

Nis me debate Komisioni Hetimor për Sterilizimin, pritet të thirret
Edona Bilali dhe Petro Koçi

TIRANË- Puna e Komisionit Hetimor për Sterilizimin është pritur me "pesimizëm" nga socialistët. Në mbledhjen e parë, që u zhvillua sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, deputetja Edona Bilali u shpreh se shqetësuar për faktin se nuk po përfillej kërkesa e nënkryetarit të Komisionit, Plarent Ndreca, i cili kërkoi më shumë kohë për gjetjen e ekspertëve. Kërkesë për të cilën, kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ra dakord.

Diskutimi mes tyre:

Edona Bilali: S’e kuptoj ça do bëjmë katër muaj. Meqënëse nënkryetari nuk e kishte mikrofononin e hapur kur përmendi nenin 10. Pika 1 e nenit 10 thotë se kryetari dhe në nënkryetari drejtojnë komisionin. Rregullorja e Kuvendit…

Albana Vokshi: U zgjidh kjo. Kam përshtypjen se nenkryetari e sqaroi vetë. Nuk kishin pse të ktheheshim.

Plarent Ndreca: Do na duhen 3-4 ditë që të gjejmë 2 ekspertët

Albana Vokshi: Dakort.

Por edhe Petro Koçi shprehu rezervat e tij, duke kërkuar që ky Komision të jetë ndryshe nga ata që janë zhvilluar deri më tani dhe të karakterizohet vetëm më përplasje mes dy palëve. Për të mbajtur nivel të lartë komunikimi, Koçi tha se do të ishte detyrë e Vokshit që të ruante etikën, fillimisht të sajën dhe më pas të gjithë kolegëve të tjerë. 

“Gjykoj që kërkesa që ka bërë opozita është dinjitoze. Janë çështje të rëndësishme që kanë krijuar sensibilitet në opinionin publik. Është një nga komisionet hetimore me arsye të qëndrueshme. Fillimi i punimeve të këtij komisioni, nuk është i mbarë. Pak a shumë është përsëritje e një historie. Komisionet janë njollë e zezë e parlamentit dhe këtu janë thirrur skifterët e palëve. Këtu duhet të gjykohet urtësia e gjykimit. Ndaj roli i moderatorit është i rëndësishëm. Mendoj që në rastin që Kuvendi ju ka zgjedhur juve si kryetare, keni përsipër një përgjegjësi të madhe. Nuk do të ishte e udhës që përfundimi i këtij komisioni të jetë e njëjta histori. Pra raporte dy palëshe dhe kacafytje në gjithë procesin dhe procedurat e këtij komisioni. Etika dhe rregullsia në këtë komision, varet nga ai që drejton. Do ju ftoja që të ishit në përputhje me mandatin e këtij komisioni. Duhet të kërkojmë të vërtetën për çështje të rëndësishme. Paracaktimi sjell zhvillime të mbrapshta,”- shtoi ai./ZËRI

1 VITE ME PARE

Klevis Xhoxhi zgjidhet sekretar i Komisionit hetimor për koncesionet në Shëndetësi

Nis me debate Komisioni Hetimor për Sterilizimin, pritet të thirret
Komisioni

TIRANË- Klevis Xhoxhi është zgjedhur sekretar i Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Për emrin e tij votuan pro, 15 anëtarët e komisionit. Ndërkohë mbledhja e Komisonit Hetimor për Koncensionet në Shëndetësi po zhvillohet me debate dhe tensione mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës./ZËRI

1 VITE ME PARE

Konflikt interesi me 'Sterilizimin'? Zhupa 'përplaset' me Ndrecën: Cili ka qenë roli yt? Të pyesim SPAK

Nis me debate Komisioni Hetimor për Sterilizimin, pritet të thirret
Komisioni

TIRANË- Mbrojtja si avokat që Plarent Ndreca i ka bërë Arben Gjatës ka shkaktuar debate në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për çështjen e Sterilizimit. Debati është zhvilluar sërish mes Ina Zhupës dhe socialistit Ndreca, e cila edhe pas shpjegimit të këtij të fundit se nuk ka qenë mbrojtësi në çdo hallkë ligjore i Gjatës, sërish ka kërkuar përjashtimin e tij nga Komisioni. Edhe njëherë, ajo ka përsëritur se Ndreca nuk duhet të jetë pjesë e Komisionit, e për të provuar pretendimin e saj, ka kërkuar që vetë Komisioni të kërkojë informacione nga SPAK për rolin e deputetit. Për të mbrojtur veten, Ndreca ndërhyri duke u shprehur se shpjegimet ia dha, por në debat u përfshi edhe kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi. 

Debati i plotë mes tyre:

Ndreca: Nuk e kuptoj insistimin tuaj mbi prezencën time, se di ku e keni merakun, duket që ke një merak me mua. Duhet të ta marrë mendja që profesionalisht jam shumë më i aftë se t’i për ta kuptuar këtë gjë. Nga t’i nuk pres këshilla se si zbatohet ligji.

Vokshi: Nuk mund të përdorini këtë lloj fjalori për kolegen, qëndroni te argumenti, s’ka nevojë të vini kandarin e profesionalizmit. Ju ndërpres kur keni fjalor jetik.

Ndreca: Qetësohu, etika ime nuk vlerësohet nga ti.

Vokshi: Jam unë që e vlerësoj, nuk iu lë të vazhdoni diskutimin kur përdorni sjellje dhe gjuhë jo etike

Ndreca: Si s’do më lejosh, si zhurmuese.

Vokshi: Nëse përdorni fjalor jo etik ose ju heq fjalën.

Ndreca: Ti se kupton ca është fjalë jo etike.

Vokshi: E kuptoj nuk e kuptoj unë, kjo nuk është çështje e komisionit. Përmbahu kodit të etikës.

Vokshi: Kur t’ua jap unë fjalën. Se merrni dot pa radhë.

Ndreca: Dua t’iu kujtoj, bazuar në nenin 10 të ligjit, ky komision bashkëdrejtohet, prandaj unë e marr fjalën. Ky komision bashkëdrejtohet. Ju jeni spiker, jeni e para mes të barabartëve.

Vokshi: Ka një kryetar dhe në mungesë të kryetarit drejton zv.kryetari.

Ndreca: Pse e dhunoni fjalën time, a mund ta mbaroj. Mos më ndërprisni. Nëse doni ta vijoni kështu, nuk marr pjesë në këto lloj komisione që shkelin haptazi dhe dhunojnë procedurën e rregullt ligjore.

Vokshi: Nëse detyra juaj është të pengoni punën, më vjen keq nuk do ja dilni.

Ndreca: Ju vijoni me argumente partiak, ky komision është për të thënë një gjë, për të vërtetën. Nuk jemi për të dëgjuar Rithemelimin edhe njëherë në një formë tjetër.

Ina Zhupa: Ju pranuat se keni qenë avokat i një prej personave të përfshirë në këtë aferë dhe keni konflikt interesi. Unë kam një kërkesë procedurale. Çështjet shëndetësisë janë sensitive. Ndreca ju pranuat që ishit avokat i një prej personave të përfshirë në aferë, pra jeni në konflikt interesi. Le t’i drejtohemi SPAK dhe të pyesim nëse Ndreca ka qenë ndonjeherë avokat. PS ka mjaftueshëm resurs për të qenë nënkryetar të komisionit nëse Ndreca është në konflikt interesi.

Plarent Ndreca: Nuk e kuptoj këtë insistimin tuaj mbi prezencën time në komison. Duket që ke një merak për mua. Ty duhet ta marri mendja që profesionalisht jamë i aftë ta kuptoj këtë gjë.

Albana Vokshi: Shpjegoni konfliktinm e interesit

Plarent Ndreca: A mund ta mbaroj?

Albana Vokshi: Ju heq fjalën nëse përdorini fjalor jo etik

Plarent Ndreca: Jeni e para mes të barabartëve, nuk keni të drejtë ti hiqni fjalën dikujt

Albana Vokshi: A ka mundësi, ju lutem konfliktin e interesit

Plarent Ndreca: Nga pikëpamja e diplomës nuk pres të më këshillojë zonja Zhupa. Nuk ka nevojë të pyesësh askënd. Unë e thashë kam qenë avokat jo vetëm i atij por nuk ka lidhje me këtë komison. Ka mundësi të vijojmë me rendin e ditës./ZËRI

1 VITE ME PARE

'Sterilizimi'/ Zhupa: Ndrecaj duhet përjashtuar, ka konflikt interesi! Ka qenë avokati i Gjatës

Nis me debate Komisioni Hetimor për Sterilizimin, pritet të thirret
Ina Zhupa

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka kërkuar që në përbërjen e Komisionit Hetimor për Sterlizimit mos të jetë socialisti Plarent Ndreca, me pretendimin se ka konflikt interesi. Në fjalën e saj në Komision, Ina Zhupa zbuloi se deputeti më i ri i Kuvendit, Plarent Ndreca, ka qenë avokati i njërit prej të akuzuarve për koncensionin e Sterilizimit. Emrin nuk e bëri me dije, por ishte Ndreca, ai që e zbuloi se bëhej fjalë për Arben Gjatën. Në mbrojtje të tij, Ndreca tha se nuk ka qenë ai avokati në çdo segment procedural, por gjithashtu shtoi se me këtë "logjikë" të ndjekur, pjesë e Komisionit nuk duhet të jetë as Albana Vokshi. Kjo, pasi sipas Ndrecës, ajo ka qenë një prej kallëzueseve të këtyre koncesioneve.

Debati:

Ina Zhupa: Nuk kemi paragjykuar, kryetarja citoi kërkesën që ka ardhur nga PD dhe i referohet auditit të kryer nga KLSH. Sipas KLSH, nga viti 2015-2018, janë 930 mln lekë për shërbime të pakryera vetëm për check up. Kjo shumë është katërfishuar deri në 2024. Janë paratë e taksapaguesve. Kjo duhet t’iu shqetësojë. Atyre që s’u pëlqejnë të dhënat të sqarojnë a kanë konflikt interesi që ndodhen në këtë komision. Për mua ka konflikt interesi se ka qenë avokati i njëri prej të akuzuarve në koncesion. Të sqarojë Ndreca pozicionin e tij dhe të vazhdojmë punën për interesin publik.

Plarent Ndreca: Mundem…

Albana Vokshi: Nuk e merrni dot fjalën.

Plarent Ndreca: S’kam folur akoma

Albana Vokshi: Te lutem mbylle.

Plarent Ndreca: Do ishte mirë të kuptojmë që kush është në konflikt interesi, unë apo kryetarja, që është kallëzuese. Unë nuk kam mbrojtur profesorin (Arben Gjatën) në çdo segment procedural. Nëse do kishte vend për konflikt, do ishte kryetarja që është kallëzuese se ka krijuar bindje për rrethanat që janë objekt hetimi. /ZËRI

1 VITE ME PARE

Nis me sherr Komisioni për 'Shëndetësinë'/ Ndreca debat me Vokshin: Për konferencë ke ardhur?

Nis me debate Komisioni Hetimor për Sterilizimin, pritet të thirret
Pamje nga Komisioni

TIRANË- Ka nisur me debate Komisioni Hetimor parlamentar për koncesionet në Shëndetësi. Teksa kryetarja e Komisionit ka nisur që të mbajë fjalën hyrëse, menjëherë ka ndërhyrë deputeti socialist, Plarent Ndreca. Ai ka kërkuar që para se të mbajë fjalën hyrëse, Vokshi duhej që të konstituonte mbledhjen, e më pas të vazhdonte me fjalën e saj në rendin e ditës. Por, kërkesa e tij nuk është pritur mirë nga Vokshi dhe mes tyre kanë nisur debatet. 

PJESË NGA DEBATI NË KOMISION: 

Vokshi: Po prezantoj kërkesën, mos më ndërprit se do të ta jap për procedurë.
Plarent Ndreca: Pa u konstituuar...po komunikon me ne, jo me publikun.
Vokshi: Po bëj vetëm parashtrimin
Plarent Ndreca: Bëhet mbas konstituuimin. Po bën konferencë për shtyp? Të ikim ne dhe vazhdo ti konferencën
Vokshi: Zoti Ndreca nëse vazhdon këtu... *i fik mikrofonin. Po shpjegoj për publikun çfarë është ky komision dhe çfarë do të trajtojë. Mos u shqetësoni! Jo kaq shpejt! Jo që në minutën e parë. Mos më ndërhyni pa filluar mirë Komisioni. Do kaloj tek rendi i ditës. Ka rend dite patjetër./ZËRI

Poll

MOS HUMB