LIVE UPDATES

Vrasja e policit në Fier, ende në kërkim autori! Policia 'shtrin' rrezen, aksion edhe në Tepelenë e Gjirokastër

➤ Më shumë se 24 orë kanë kaluar dhe autori i vrasjes së efektivit të Policisë Novruz Cenalia, Azgan Mërnica është ende në arrati. ➤ Që prej pasdites së djeshme, autori është në arrati por ende nuk ka asnjë njoftim për lokalizimin e tij.➤Dje u raportua se e kishin lokalizuar në Apolloni dhe do të ndërhynin gjatë natës, por sot koordinatat e tij kanë ndryshuar. ➤ Kërkimet janë zgjeruar në Vlorë, Gjirokastër dhe Tepelenë. ➤ Shkak është bërë një person që duket se i ngjan të riut që po kërkohet për vrasjen, e cila ndodhi për konflikt banal. ➤ Detajet i ka dhënë nëna e autorit. ➤ Ajete Mërnica i tha Policisë se dy të rinjtë u konfliktuan për kalimin në rrugën e ngushtë të fshatit dhe më pas debati mes tyre degradoi. ➤ Më pas, sipas saj, ata dolën nga makinat dhe i biri e qëlloi me armë zjarri efektivin e Policisë. ➤ Përveç saj, deri më tani janë shoqëruar 12 persona për ngjarjen, familjarë të autorit, të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për vendndodhjen e 23-vjeçarit. Po ashtu, kanë kërkuar që të bëjnë thirrje që i riu të vetëdorëzohet. ➤ Policia ofron 30 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje të vetëdorëzohet.

4 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Vrasja e policit në Fier, Azgan Mërnica ende në arrati, kërkime edhe në Gjirokastër e Tepelenë

Vrasja e policit në Fier, ende në kërkim autori! Policia
Azgan Mërnica

FIER- Vrasja e policit në Fier është zbardhur por kur kanë më shumë se 24 orë nga ngjarja, autori ende nuk është kapur. I riu, Azgan Mërnica është ende në arrati, por tani kërkimet për kapjen e tij janë shtrirë në Gjirokastër edhe në Tepelenë. Kjo për shkak se ka dyshime se mund të tentojë që të kalojë kufirin dhe të largohet për në Greqi. Kërkimet e Policisë janë zhvendosur për shkak se një person i ngjashëm fizikisht me 23-vjeçarin është parë në Gjirokastër, megjithatë nuk ka asgjë të vërtetuar se personi në fjalë është Mërnica.  

Kërkime për të janë zhvilluar edhe në Vlorë, madje që pak orë pas vrasjes, por po dje ka pasur të dhëna se i riu po fshihej në zonën e Apollonisë. Megjithatë, pavarësisht aludimeve, ende nuk ka asnjë informacon të saktë për vendndodhjen e të riut.

Mërnica, pasi ka qëlluar me plumb në kokë Cenalian, autori është larguar me një makinë ngjyrë blu, të cilën më pas e ka lënë tek shtëpia e dajës dhe është arratisur. Efektivi që mbeti i vrarë kishte rreth një muaj që ishte martuar, ndërsa momentin kur ndodhi ngjarja ishte duke ikur në punë pasi ishte turni i dytë. Deri më tani vrasja dyshohet të ketë ardhur pas një sherri të çastit për kalimin në një rrugë të ngushtë./ZËRI

1 VITE ME PARE

E shkuara e ERRËT e familjes së Azgan Mernicës, babai e vëllai të dënuar për vrasje! Tjetri i burgosur në Gjermani

Vrasja e policit në Fier, ende në kërkim autori! Policia
Pamje nga vendi i ngjarjes, Novruz Cenalia dhe Azgan Mernica

FIER- Azgan Mernica është sot një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, që pas vrasjes së një ditë më parë, kur ekzekutoi me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalian pas një sherri të çastit për kalimin në një rrugë të ngushtë të fshatit. Forca të shumta të Policisë së Fierit, të cilëve u është bashkuar dhe RENEA po kërkojnë Mernicën, i cili ka arritiur t’u shpëtojë që prej ditës së djeshme dhe pse mbrëmë vonë u raportua se ai ishte rrethuar në zonën e Apollonisë. 23-vjeçari Mernica, duket se ka pasur një jetë jo të lehtë, kjo pasi vjen nga një familje me të shkuar të theksuar kriminale.

Vëllai i tij, Kiri Mernica, në vitin 2019-të masakroi me thikë Florian Selimin. Për vrasjen e këtij të fundit ai ka pasur dhe një bashkëpunëtor, Sadri Selacin. Mësohet se pasi e kanë masakruar me thikë Selimin, Mernica dhe Selaci ia kanë hedhur trupin në një kanal, ku u gjet pas disa orësh kërkime. Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci.

Ndërsa më herët ai u la në “Arrest shtëpie”, por e theu masën e sigurisë në vitin 2021 gjatë tentativës për të ekzekutuar Pashk Palnikaj. Pas kësaj ngjarja Gjykata e Fierit e dënoi për vrasjen e Selimit dhe tentativën për vrasjen e Palnikajt. Ndërkohë babai i tij, Petrit Mernica, ka bërë 20 vite burg për vrasjen e kunatit. Ndërsa, edhe vëllai tjetër i 23-vjeçarit ndodhet në burg në Gjermani.

Gjatë momentit të vrasjes së efektivit Novruz Cenalia, në makinë me Azgan Mernicën, ka qenë dhe nëna e tij, e cila ka parë të gjithë skenën. Në dëshminë e dhënë në polici, Ajete Mernica ka thënë se u ka kërkuar që të mos të zihen me njëri-tjetrin, ndërsa në një moment ka dëgjuar një të shtënë dhe ka parë djalin që është futur me vrap në makinë dhe më pas është larguar. Pastaj ka shtuar ajo, djali më ka lënë mua dhe makinën tek shtëpia e dajës dhe është larguar në këmbë, bashkë me armën e krimit. Policia është vënë në ndjekje të tij, por deri më tani operacionet për arrestimit e Azgan Mernicës kanë dështuar./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vrasja e policit në Fier, nëna e autorit: U zunë për rrugën e ngushtë të fshatit

Vrasja e policit në Fier, ende në kërkim autori! Policia
Azgan Mernica

FIER- Nëna e autorit të vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Azgan Mërnica, Ajete Mërnica ka dhënë dëshminë e saj lidhur me atë që ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Baltës të Fierit. Në rrëfimin e saj, e moshuara, e cila ndodhej në të njëjtën makinë me të birin, u shpreh se gjithë përplasja ka nidur për kalimin e mjeteve në rrugën e ngushtë të fshatit dhe më pas degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit. 

"U zunë për kalimin e makinave në rrugën e ngushtë të fshatit. Dolën nga makina dhe u zunë. U thashë të dyve mos u zini. Gjatë sherrit, doli djali dhe e qëlloi me pistoletë. Pasi djali e vrau, iku me vrap pa më thënë se ku do shkonte,"-tregoi e moshuara. 

Pasi ka qëlluar me plumb në kokë Cenalian, autori është larguar me një makinë ngjyrë blu, të cilën më pas e ka lënë tek shtëpia e dajës dhe është arratisur. Efektivi që mbeti i vrarë kishte rreth një muaj që ishte martuar, ndërsa momentin kur ndodhi ngjarja ishte duke ikur në punë pasi ishte turni i dytë. Deri më tani vrasja dyshohet të ketë ardhur pas një sherri të çastit për kalimin në një rrugë të ngiushtë. Për kontroll nga ajri është duke u përdorur një dron. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla reaguan ashpër për ngjarjen. Ndërkohë për “kokën” e autorit, Policia ka vënë 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’, dështojnë kërkimet për autorin. 12 të shoqëruar, përfshirë prindërit e Mernicës

Vrasja e policit në Fier, ende në kërkim autori! Policia
Novruz Cenalia dhe Asllan Mernica

FIER- Pavarësisht kontrolleve të shumta dhe postoblloqeve të ngritura në hyrje dhe dalje të Fierit, Policia nuk ka mundur që të arrestojë ende autorin e vrasjes së efektivit të forcave Shqiponja, Novruz Cenalia. Autori 23-vjeçar, Asllan Mernica, dyshohet se pasi ka braktisur makinën, është largua me këmbë nëpër arat e fshatrave të zonës, dhe është fshehur në zonën e Apollonisë.

Por pavarësisht kontrolleve që kanë vazhduar dhe gjatë natës, policia nuk ka ende asnjë gjurmë nga 23-vjeçari. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se deri tani në Policinë e Fierit janë shoqëruar 12 persona, përfshirë dhe prindërit e autorit, të cilëve iu është kërkuar që të negociojnë për dorëzimin e të riut.

Pavarësisht se policia ofroi gjatë ditës së djeshme një shumë prej 30 mijë eurosh, për informacione të vlefshme në lidhje me vendndodhjen e Mernicës, deri tani asnjë e dhënë nuk ka mbërritur n a qytetarët në komisariatin e policisë.

Dyshimet për shkakun e vrasjes

Policia e Fierit fillimisht ka dyshuar që ngjarja e rëndë të ketë shkaqe të mbartura nga familja Cenalia, e ardhur nga Kruma e Hasit në Fier. Duke njohur efektivin që u gjend i pajetë në rrugën e ‘sherrit’, kanë kuptuar se punonjësi i policisë nuk ishte djalë me probleme, ata kanë nisur kërkimin e një pistë për të mësuar se cili ishte shkaku i vrasjes.

Verifikimet dhe një kamera në afërsi të rrugës ka treguar se gjithçka ka nisur nga konflikti për kalimin i pari në rrugë, ku shfaqet autori me armë në dorë duke qëlluar mbi 28-vjeçarin Cenalia. Policia pas identifikimit të autorit, ka nisur verifikimet për të shkuarën e tij dhe ka parë që ai ishte vëllai i një tjetër personi të dënuar për vrasje, e madje për një nga krimet më të rënda të ndodhura në Fier 5 viteve të fundit.

Efektivi i policisë, Cenalia, u vra teksa po shkonte drejt vendit të punës për të marrë shërbimin. Vrasja u shënua rreth orës 13:15 minuta të 13 majit 2024. Asllan Mernica, i njohur edhe me emrin Azgan, u largua nga vendi i ngjarjes me makinën tip “Audi”, ngjyrë blu, të cilën e braktisi disa kilometra me tutje dhe nga aty u arratis arave. Në ndjekje të tij janë vënë me dhjetëra efektivë policie, përfshirë Forcat Kombëtare e Sigurisë dhe elita RENEA.

Drejtuesit e policisë së shtetit, i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohet, në të kundërt forca e ligjit do të jetë shumë e ashpër ndaj tij. I ati i efektivit që ndërroi jetën nga plumbi në kokë, Nevruz Cenalia është po ashtu polic pranë sallës operative të Policisë Fier, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në një vrasje të ndodhur vite më parë në vendlindjen e tij në Has, të mbyllur në dyert e drejtësisë, çfarë fillimisht e vendosi në tavolinën e hetuesve si pistë, por u sqarua shpejt që nuk kishte lidhje.

Ndërkohë, autori i ngjarjes, Asllan Mernica, rezulton të jetë vëllai i Kiri Mërnicës, i arrestuar për tentativë vrasje. Bashkë me 3 të tjerë më 17 prill 2021 u përfshi në një konflikt ku mbeti i plagosur Pashk Palnikaj. Po ashtu, Kiri Mërnica akuzohet si i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në 2019-ën, ku u masakrua Florian Selimi, me origjinë nga Tropoja dhe banues në fshatin Sulaj.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB