TIRANË- Protesta studentore nuk do të ndalet, por do të hyjë në një fazë të re organizimi. Pas më shumë se 150 ditësh në shesh, studentët kanë vendosur të intensifikojnë aksionin e tyre duke zhvilluar dy protesta kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë.
Tubimi i radhës është njoftuar për të shtunën më 7 nëntor,në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Organizatorët bëjnë të ditur se ky kalendar do të ndiqet në vijim, me synimin për të mbajtur të lartë mobilizimin e studentëve dhe mbështetësve të tyre.
Në deklaratën e bërë publike, studentët shprehen se pavarësisht më shumë se pesë muajve protestë, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama nuk ka marrë përgjigje. Ata e konsiderojnë këtë përballje si një betejë afatgjatë dhe paralajmërojnë se do të vijojnë rezistencën ndaj qeverisë.
Përveç protestave të organizuara prej tyre studentët deklarojnë se do të mbështesin edhe çdo tubim tjetër qytetar kundër qeverisë pavarësisht datës së organizimit.
Në mesazhin e tyre, organizatorët përdorin tone të forta ndaj pushtetitduke e cilësuar situatën si një përballje për demokracinë dhe duke shprehur vendosmërinë për të mos u tërhequr nga kërkesat e tyre.
Deklarata:
"Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, pushteti në Shqipëri vazhdon të injorojë kërkesën e revoltës qytetare: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Autokracia ka lëshuar rrënjë të thella në Shqipëri dhe ne jemi të përgatitur për një betejë të gjatë. Prandaj, po hyjmë në një fazë të re organizimi.
Për t’i dhënë rrjetit studentor dhe mbështetësve tanë mundësinë të japin maksimumin në çdo ditë proteste, studentët kanë vendosur se protestat tona kombëtare do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14.00, me një intensitet që nuk mund të injorohet.
Ne vijojmë të mbështesim protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, kurdo që të organizohen ato.
Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura."
Gjithë të mirat,
Studentët n'protestë./ZËRI