TIRANË- Ajo që ndodh me subvencionet e fermerëve nga qeveria është vërtet një thriller. Në mungesë të fondeve të IPARD, qeveria ka edhe 1.5 miliardë lekë për bujqësinë dhe blegtorinë, por shumë pak prej tyre kanë shkuar tek fermerët. Në 2024 fituan rreth 200 fermerë, nga të cilët 23 kanë marrë vetëm 30 për qind të parave, megjithëse kanë kaluar 2 vjet. Ndërsa në 2025, të 808 aplikantët janë akoma duke pritur për shpalljen e fituesve, ndërkohë që jemi në mesin e vitit 2026.
Çfarë ndodh në të vërtetë? Si është e mundur që qeveria jep fonde, por fermerët nuk mund t’i marrin? Kjo ndodh sepse mes qeverisë dhe fermerëve është një agjenci, që në emër thuhet për zhvillimin bujqësor dhe rural, por në praktikë e bllokon këtë zhvillim.
Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit do të investigojë për këtë dhe do të japë një version më të detajuar, ajo që është e sigurt deri tani ka të bëjë me faktin që specialistët e AZHBR pretendojnë se nuk kanë gjetur dokumentacionin e fermerëve aplikantë. A mund të ndodhë që dokumentacioni të mos gjendet në më shumë se 1 vit? Nëse kjo ndodh, si e ka menduar AZHBR ta bëjë shpërndarjen e fondeve të vitit që shkoi? Kur ka ndërmend t’u japë fermerëve subvencionin për prodhimin e vitit që shkoi?
Nga njëra anë janë fermerët që aplikojnë rregullisht dhe për këtë arsye e kanë dokumentacionin tashmë të dorëzuar në AZHBR, nga ana tjetër janë një grup specialistësh të pandjeshëm, të paaftë apo të korruptuar.
Nëse Kryeministri del në fushatë për të bindur fermerët të bashkohen, nëse nëpërmjet shërbimeve dixhitale janë lehtësuar procedurat e aplikimeve dhe paraqitjes së dokumentacionit, nëse fermerët po mundohen të integrohen në tregun europian edhe për shkak të konkurrencës, një grup dallkaukësh në AZHBR vazhdojnë të punojnë me të njëjtat metoda që u bënë shkaktare për abuzime me fondet e IPARD 2, për të cilat Shqipëria akoma vazhdon të jetë e ndëshkuar.
A duhet që fermerët të vazhdojnë të pajtojnë sekserë për të marrë subvencionet? A duhet që subvencionet të shkojnë copa-copa në destinacion atëherë kur atyre nuk u duhen më?