KOLONJË- Çdo vit e më tepër Leskoviku me natyrën e bukur po tërheq vizitorë vendas dhe të huaj pothuajse në çdo stinë të vitit. Falë zhvillimit të infrastrukturës dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja pritëse, numri i atyre që e preferojnë këtë zonë është në rritje.
Këtë e shpreh dhe përgjegjësja e turizmit pranë bashkise Kolonjë, Anila Çuçllari.
"Viti 2025 ka qenë në numra përmirësimi persa i përket turistëve në zonën e Kolonjës. Vizitorët janë nga vende të ndryshme të botës, preferohet nga turistët franceze kryesisht ku ka e agjenci që I sjellin ata, ndërsa turistët çeke, polake pëlqejnë sajtet natyrore. Rritja e standardeve të mikpritjes ka ndikuar pozitivisht. ", shprehet ajo.
Numri i vizitorëve që zgjedhin të kalojnë natën në këtë zonë është i lartë.
" Hoteli jonë ka vetëm 6 muaj që është hapur ka patur numër të madh turistësh në muajin Gusht, ka patur fluks të madh. Janë çeke, polake dhe gjermane. Mahniten nga natyre. Pëlqejnë gatimet tradicionale", shprehet një punëtore hotelerie.
Irma Mihali që merret me gudia turistike shprehet se shtatori sjell një fluks të madh turistësh, kryesisht nga Franca.
"Ka shumë turistë sidomos në Shtator. Ka grupe nga Franca, e cilësojnë udhëtimin e shekullit, mezi presin të vijnë, kur ikin janë të kënaqur. Duan natyrën, qetësinë”, thotë Irma.
Ndërsa për turistin francez, e rëndësishme është mikëpritja dhe ngrohtësia që kanë njerëzit në Kolonjë.
"Kujtoj një moment të thjeshtë, por shumën domethënës: një qytetar që po shkarkonte arka me birra më ofroi një birrë. Ky gjest i vogël tregoi mikpritjen dhe ngrohtësinë e vendasve. Vura re edhe praninë e policisë, e cila ishte gjithmonë aty duke monitoruar situatën dhe duke siguruar rendin, gjë që më dha ndjesinë e sigurisë dhe më bëri të kuptoj se vendi është i organizuar dhe i kujdesshëm me vizitorët. Ndihem shumë mirë këtu dhe Shqipëria po më pëlqen shumë", u shpreh ai.
Përpos ajrit të pastër, natyres se paprekur nga dora e njeriut e mikpritjes, Leskoviku është i njohur për prodhimin e verës dhe rakisë. Për Joseph Darrel specialist verërash dhe një nga promotorët kryesorë të kësaj pije, zona ka prodhim rrushi shumë të mirë e për pasojë prodhon verë cilësore.
"Kam provuar verërat e prodhuara këtu, madje disa varietete për herë të parë, dhe është e qartë që ky është një rajon ideal për rritjen e rrushit. Potenciali për më shumë vreshta dhe për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës së verës është i madh.
Unë besoj se duhet të ketë një sinergji mes verëbërësve dhe mbështetjes së qeverisë, sepse ju keni një produkt të mrekullueshëm. Është një produkt që mund të jetë kartëvizita juaj, një simbol i bukurisë dhe një përfaqësim i kulturës suaj.", tha ndër të tjera Joseph Darrel.
Në 5 vitet e fundit zona e Kolonjës, Leskovikut, me fshatrat turistike të Rehovës, Borovës e Shelegurit kanë bërë që kjo zonë të vizitohet nga rreth 60 mijë vizitorë./ZËRI