GREQI- Greqia po përballet me mot të keq për shkak të stuhisë Agneta e cila ka sjellë reshje intensive, përmbytje dhe rrëshqitje dheu në disa zona të vendit. Autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në shtatë rajone, ndërsa situata paraqitet problematike veçanërisht në ishujt Rodos dhe Samos.
Në Rodos zjarrfikësit kanë shpëtuar katër persona që kishin mbetur të bllokuar në një automjet mes ujërave të rrëmbyeshëm. Ndërsa në Samos, gjashtë nxënës të një shkolle të mesme janë nxjerrë në ndihmë pasi autobusi me të cilin udhëtonin mbeti i bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Paralajmërimet meteorologjike tregojnë se reshjet e dendura dhe stuhitë do të vijojnë edhe gjatë së martës, duke prekur kryesisht pjesën perëndimore dhe veriore të Greqisë si dhe ishujt e Egjeut lindor.
Për shkak të situatës autoritetet kanë vendosur pezullimin e punës në ambiente të jashtme në zonat e prekura, ndërsa shkollat në Rodos do të qëndrojnë të mbyllura më 3 nëntor. Shërbimet e emergjencës janë vënë në gatishmëri, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin lëvizjet e panevojshme./ZËRI