Politikë

"Dorëzo urgjent mandatin ose..." Toni Gogu takim me Veliajn në burg? Ministri: Po, por s'ka shanc që unë të shqiptoj ato mesazhe

Sipas raportimeve, takimi është zhvilluar të premten, më 30 tetor, në burgun e Fierit, ku ministri i Drejtësisë i ka kërkuar Veliajt të dorëzojë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

zh.ll
"Dorëzo urgjent mandatin ose..." Toni Gogu takim me Veliajn
foto ilustrim: toni gogu-erion veliaj

TIRANË-  Një takim mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit, është raportuar sot në media, së bashku me detaje nga biseda e pretenduar mes tyre.

Sipas raportimeve, takimi është zhvilluar të premten, më 30 tetor, në burgun e Fierit, ku ministri i Drejtësisë i ka kërkuar Veliajt të dorëzojë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Gjatë bisedës së pretenduar, Gogu i ka përcjellë Veliajt një mesazh në emër të kryeministrit Edi Rama, përmes të cilit i kërkohej të dorëzonte urgjentisht mandatin. Madje, të delegonte pushtetin te emrat e përcaktuar nga kryeministri dhe të hiqte dorë nga avokati i tij.

Biseda e pretenduar Gogu-Veliaj, e raportuar në media:

“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:

 ‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem vetëm si kryeministër.

-Dorëzo mandatin urgjentisht.

-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.

-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.

“Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nisë hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg”.

Pas raportimit në media, nuk ka vonuar edhe reagimi i ministrit Gogu, i cili ka konfirmuar takimin me Veliaj, por ka mohuar kategorikisht se ka përcjellë mesazhet e pretenduara. Përmes një reagimi publik, Gogu thotë se ka shkuar për ta takuar në kuadër të përgjegjësive të tij si ministër dhe për t'u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt.

Reagimi i plotë i ministrit Toni Gogu:

Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.
Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.
Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.

Veliaj u transferua nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit më datë 28 tetor. Transferimi i kryebashkiakut ka hapur një debat politik dhe ka nxitur reagime. Shkak është bërë mungesa e një dokumentacioni lidhur me procesin dhe arsyen e transferimit të kryebashkiakut, siç ky i fundit pretendoi në një reagim publik. /ZËRI

MOS HUMB