
TIRANË- Kryeministri Edi Rama doli dje nga qendra spitalore universitare "Nënë Teresa", pasi iu nënshtrua me sukses një operacioni për heqjen e "dhjamthit". Por sot ka nisur sërish aktivitetin e tij në rrjetet sociale. Fillimisht, ditën e nisi me publikimin e episodit të radhës së podcastit të tij, “Flasim”, ku të ftuar kishte nusen e djalit të presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovës, Blerta Kllokoqi Rugova. Në të këtë podcast, kryeministri Edi Rama komentoi edhe përplasjet në Kuvend, duke thënë se opozita te ne, është bërë shembull i keq edhe për parlamentin e Kosovës.
“Në parlament ne ndër të tjera kemi prish edhe Kosovën, u prish edhe në Kosovë, dhe ne e dhamë shembullin, ata që I dhanë këtë lloj toni politikës, erdhën nga partia e mëparshme e cila nuk kishte rrugë të mesme, o jemi ne, ose është armiku. E gjithë mënyra sesi komunikohet është skandaloze. Fjala kriminel, fjala hajdut është bërë si bukë e djathë edhe atje.”
Por nuk u mjaftua me kaq.
Disa orë më pas, kreu i qeverisë ndau edhe pamje me takimet e drejtuesëve politikë të Partisë Socialiste me qytetarët në terren përgjatë javës që lamë pas. Krahas fotove, Rama shkruan: Angazhimi kapilar në çdo qark të vendit, ku në komunikim me njerëzit brenda e jashtë partisë, ka nisur ndërtimi i rrugës së #PS2030.

Mesa duket, i pari i socialistëve e ka marrë veten shpejt nga operacioni dhe është kthyer sërish në krye të detyrës...duke ndjekur dhe monitoruar edhe angazhimin e "të besuarve" të tij në të gjithë qarqet e vendit./ZËRI