TIRANË- Ish-zëvendëskryministri Arben Ahmetaj ka reaguar nga arratia lidhur me deklaratat e fundi të kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, ku u vendos edhe qëndrimi zyrtuar për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Ahmetaj kundërshton deklaratat e Ramës, ku u përmend edhe çështja e tij personale, duke pretenduar se në të kishte “1001 të zeza”. Ai thekson se për çështjen e tij ende nuk ka filluar gjykimi, pasi sapo janë mbyllur hetimet, dhe e cilëson qëndrimin e kryeministrit si kundër parimeve themelore të drejtësisë.
Ahmetaj e akuzon Ramën për shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe për përdorim të dy standardeve.
“Sfida historike e kësaj partie është mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë, nga tundimi për t’iu kundërvënë drejtësisë kur ajo shfaqet e anshme dhe jo profesionale, duke goditur arbitrarisht dhe duke përdorur tenxheret mediatike dhe politike.”, kështu u shpreh kryesocialisti Rama në mbledhjen e grupit të PS ku u prezantua raporti për imunitetin e Belinda Ballukut.
Ahmetaj shprehet se është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti kryeminstër, i cili sipas tij, nuk heziton ta shkelë, duke e përdorur me standart të dyfishtë.
Në përfundim të reagimit, Ahmetaj thekson se prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa, liria e shprehjes sipas Ahmetaj, nuk mund të përdoret për të cënuar prezumimin e pafajësisë, as nga kryeministri.
Postimi i Ahmetaj:
Paraditen e të hënës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin tim, duke pretenduar se aty paskësh “1001 të zeza”. Kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur.
Një deklarate e tillë publike dhe për një çështje që i takon drejtësisë, përbën pikërisht shkeljen e hapur të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë.
Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht, duke e përdorur atë me standard të dyfishtë edhe brenda të njëjtit fjalim.
Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga legjislacioni në fuqi.
E drejta e lirisë së shprehjes për këdo, përfshirë këtu edhe Kryeministrin, nuk mund të përdoret për të cenuar prezumimin e pafajësisë dhe as për të ushtruar presion apo ndikim mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë.
Pjesë nga deklarata e Ramës:
Sfida historike e kësaj partie është mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë, nga tundimi për t’iu kundërvënë drejtësisë kur ajo shfaqet e anshme dhe jo profesionale, duke goditur arbitrarisht dhe duke përdorur tenxheret mediatike dhe politike. Fatkeqësisht nuk është rasti i parë, po fatmirësisht nuk është më i vështirë. Gjyqi mediatik ndaj kryebashkiakut ishte një tjetër masakër. Thash fatmirësisht se vjen të ne, na e jep ne Kushtetuta të drejtën të gjykojmë dëshirën e prokurorit për të kërkuar një arrest pa gjyq. Arrest pa gjyq! Asgjë më shumë e asgjë më pak dhe kështu na e jep Kushtetuta mundësinë që as mos e humbim nga sytë e as mos kemi fuqi të ndihmojmë viktimën më të madhe të reformës në drejtësi, parimi i prezumimit të pafajësisë.
....
Kjo është provë e re, që nuk është as e re. Dhe kur mendoj që vihet me këtë kollajllëk, në Kuvendin e Shqipërisë, për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ua futur 7 pash jo nën dhe, por në llum. Po një njeri i thjesht, i pambrojtur e parafytyroni ju se si mund ta haja fletearrestin surratit. E kur sheh këtë, aty e kupton konkretisht se si e hanë shumë njerëz në Shqipëri, se si për faqen e zezë të autorëve, të kësisoj përplasjesh turinjve të fletëve të arrestit, Shqipëria është bërë delja e zezë e arrestit, me shumë të burgosur të paraburgim. Jetojnë nën kurrizin e të tjerëve. Hajde ta fusim një herë, se na ka dalë një incizim, na kanë ardhur disa sms. Po ça është një i zgjedhur? Kokë për t’u marrë si trofe në Pazar? Pasi është sakatuar dhe zhargavitur.
Grup i strukturuar kriminal i tha gjykatësja prokurorit për Ilir Beqajn, arbitri. Lojtari përballë tha; ishte gol. Abitri tha; ishin dy gola. Arbitrat e tjerë thanë; ishin 3 gola. Ra grupi i strukturuar? Po Ilir Beqaj. S’kam folur për të se s’ka pasur një vendim. Pasi u ngrit dhe u zie një tenxhere, spaska pasur grup të strukturuar. Këtu prokurori kërkon, gjykatësi vrapon. Por në emrin tonë, jo! Me votën tonë, jo. Herë tjetër kur të vijnë në Kuvend për të kërkuar jo imunitetin, pasi ky është keqkuptim, pasi s’ka ndaj hetimit dhe përgjimit, për askënd nga ne.
Të ngremë kokën për të çuar në burg, një deputet me këto argumente? Çfarë jemi ne, bashkautor të krijimit të popullit të paraburgos në Shqipëri? Kur të vinë për të kërkuar heqjen e imuniteti të vinë të armatosur me prova. Siç erdhën dy herët e para. Për rastin e parë kishin prova dhe rastin tjetër, një mal me argumente! Një grua me dy gra? për të legjitimuar kërkesën ekstreme, arrest pa gjyq. Duke na vënë në situata absurde ne shumicën socialiste që i kemi dhënë shpirtin drejtësisë dhe lëkurën drejtësisë së pavarur./ZËRI