Politikë

11 Komisione nga 8! Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin: U shkel procedura, 30 ditë kohë për ta rregulluar

Me këtë vendim, numri i komisioneve mbetet 8 dhe do të ketë 30 ditë afat nga hyrja e tij në fuqi për ribërjen e procedurës.

F.I
11 Komisione nga 8! Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin: U shkel procedura,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit për ndryshimin e numrit të komisioneve, nga 8 në 11. Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura ka qenë antikushtetuese dhe nevojitet të rregullohet. Vendimi vjen pas ankesës së Partisë Demokratike për shkelje procedurash nga parlamenti.

Sipas tyre, ndryshimet që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, ishin të njëanshme. Struktura e re u miratua me 79 vota të mazhorancës, pasi opozita braktisi sallën në momentin e votimit. Nga 11 komisionet e reja, 7 prej tyre do t’i drejtonte Partia Socialiste, ndërsa 4 opozita. Me këtë vendim, numri i komisioneve mbetet 8 dhe do të ketë 30 ditë afat nga hyrja e tij në fuqi për ribërjen e procedurës.

VENDIMI: 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”.

Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.

Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.

Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:

• Pranimin e kërkesës

• Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

• Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare. 

Poll

MOS HUMB