TIRANË- Partia Demokratike i ka bërë thirrje kryeprokurorit Olsi Çela që të hartojë një plan masash që të parandalojë krimet zgjedhore. Kërkesa u bë nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi dhe drejtuesi i qarkut politik për Korçën, Ivi Kaso. Bylykbashi tha se Prokuroria e Përgjithshme duhet të marrë masa për korrupsionin zgjedhor para 11 majit dhe jo pas. Demokrati, shtoi se Prokuroria duhet të marrë masa ndaj Policisë pasi është politizuar dhe po shpërdoron detyrën. Ai shtoi se duhet të merren masa edhe për krimin zgjedhor që po prek edhe diasporën.
“Dominancën e çështjeve e mbulon kjo prokurori dhe me fokus përdorimin masiv të shtetit, shtet elektoral. Prokurori i përgjithshëm është ai që i ndjek këto çështje. Kërkuam që prokurori të ketë plan masash të qartë, tani, pa vonesë, që të kemi veprim efikas dhe të mos mbetet në aspektet deklarative aq më shumë pas zgjedhjeve. Kuadri ligjor i jep mundësi të mëdha sistemit të prokurorisë për të goditur paraprakisht krimin zgjedhor si atë të që po ndodh këtu dhe në diasporë. Dhe ajo që presim është të veprojë pa hezitim. Ka ikur koha e fjalëve, është koha e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta nga prokuroria. Nëse do të ketë masa efektive shumë veta do të jenë të prirur të ndalen dhe mos kryejnë këto krime zgjedhore. Prokurori na ekspozoi vështirësitë që ka sistemi i prokurorisë në lidhje me ndjekjen efikase, por njerëzit duan rezultate. Na premtoi angazhim të dukshëm. Ne presim faktet dhe jemi të gatshëm ta furnizojmë prokurorinë me kallëzime penale konkrete dhe presim që pas tyre të ketë goditje efikase që ta rrudhë krimin zgjedhor. Ajo që do të ndodhë, nuk duhet të jetë ajo që ka ndodhur deri më sot. Asgjë që është thjesht letër nuk i bën punë askujt. Ne kërkojmë plan masash nga prokuroria ajo që bën SPAK-u është punë e tij. Ai ka refuzuar të merret me krimin zgjedhor, ndërkohë që është ndërtuar si mekanizëm për të goditur një nga aspektet më të rënda si shitblerja e votës. Letrat nuk i duhen askujt për sa kohë nuk ka efikasitet. Janë shumë vonë, më shumë se kërcëllima e dhëmbëve janë faktet. Sa persona dënohen për krimin e korrupsion zgjedhor që ka filluar këtu dhe në Diasporë? Por siç ia kërkojmë SPAK-ut, ia kërkojmë edhe prokurorisë dhe nëse ky sistem do të funksionojë me efikasitet të lartë edhe krimi zgjedhor do të rrudhet. Kjo nënkupton që prokuroria duhet të jetë mbi kokën e Policisë së Shtetit. Edhe policia është organ i politizuar e shndërruar e tëra piramida në funksion të zgjedhjeve edhe policia duhet të ndjeje goditje për shkak të shpërdorimit të detyrës, apo çdo përfshirje tjetër në vepra zgjedhore”, tha Bylykbashi.
Vota e diasporës do implementohet për herë të parë këto zgjedhjeve. "Vullneti" i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të kushtojë 250 milionë lekë. Qeveria ka vendosur t’i japë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 2.5 milionë euro shtesë vetëm për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë. KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Por, një nga debatet më së fundmi mes Partisë socialiste dhe asaj demokrate është vlefshmëria e dokumenteve biometrike. Socialistët mohojnë të njohin shqiptarët që kërkojnë të votojnë pa mjete identifikimi ose nëse nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Nga ana tjetër, demokratët kërkojnë që shqiptarët të votojnë, pavarësisht se mjetete e tyre të identifikimit kanë skaduar. /ZËRI