
TIRANË-Ka përfunduar pas 9 orësh seanca për dosjen e sterilizmit te pajisjeve kirurgjikale. Në seancë pas shumë debatesh mes palëve në përfundim të pandehurit kanë kërkuar pushim të çështjes, por në rast se gjykata vendos kalimin për gjykim ata kanë kërkuar që të gjykohem me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Prokuroria e Posaçme i ka qëndruar sërish, kërkesave të saj për kalimin e dosjes për gjykim pasi sipas tyre ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzën. Gjykata do të shpallë vendimin më datë 29 dhjetor në orën 9:30.
Çfarë ndodhi në seancë
Në seancën e sotme kanë bërë mbrojtjen e vetes biznesmeni Ilir Rrapaj, por edhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Biznesmeni Ilir Rrapaj ka mohuar akuzat e prokurorisë, por ka pranuar njohjen me ish-ministrin Ilir Beqaj. Ndërkohë ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj ka deklaruar se nuk është mashtrues dhe sipas tij Prokuroria nuk ka sjellë ende një bilanc për sterilizimi dhe ka marrë vetëm anën negative dhe nuk ka bërë bilanc për anën pozitive.
Po ashtu vetë ish-ministri Ilir Beqaj ka pasur ankesa. Kjo për shkak se avokati i tij i kërkoi trupës gjykuese që klienti i tij të mbante një shishe uji në sallë. Sapo kërkesa u bë, ish-ministri bëri një krahasim mes tij dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini.
Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit./ZËRI