
TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një takim me mësues dhe prindër në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, ku propozoi që seriali i njohur “Adoleshenca” të transmetohet në shkolla si pjesë e programit mësimor. Rama shprehet se ky serial flet për sfidat që përballet shoqëria sot dhe do të ndihmojë prindërit dhe mësuesit të kuptojnë më shumë për fëmijët e tyre.
“Duke qenë se unë jam shumë i dhënë pas kinemasë, do t’ju sugjeroja të gjithëve që të shikoni një film që ka dalë së fundmi, që quhet ‘Adoleshenca’ dhe do t’iu sugjeroja ta ndani me shumë të tjerë. Do të ishte shumë mirë që ne të bënim shfaqje të filmit me nxënësit nëpër shkolla dhe palestra. Është një film që ka tronditur botë dhe flet ekzaktësisht për çfarë sfidash ne përballemi sot, se sa pak kuptojmë ne, kur na duket që kuptojmë shumë nga fëmijët tanë. Fatkeqësisht jetojmë në dy universe paralele. Ata hyjnë e dalin në universin tonë, por ne nuk kemi akses në universin e tyre.
Unë besoj shumë që mbyllja e TikTok-ut nuk ka zgjidhur gjithë këtë problematik, por ka qenë hapi i duhur dhe i falënderoj të gjithë mësuesit e prindërit. 95% kanë qenë dakord për këtë vendim. Ne nuk jemi as Amerika e as Anglia. Besoj se kemi bërë gjënë e duhur dhe kemi bërë detyrën. Nga ana tjetër, besoj që nuk kemi forcat për t’iu përballur me universin paralel ku fëmijët tanë jetojnë një pjesë shumë të madhe të kohës së tyre, por nga ana tjetër nuk duhet të dorëzohemi dhe e vetmja rrugë që unë shoh është një ndërveprim mes shkollës, prindërit dhe institucioneve. Ne do të bëjmë çmos që shkolla të rrisë numrin e informacioneve për prindërit. Jo vetëm notat e mungesat, por dhe raportet për secilin fëmijë”, tha Rama.
Një propozim i tillë është bërë edhe nga kryeministri britanik Kier Starmer për të transmetuar serialin e njohur “Adoleshenca” në shkolla si pjesë e programit mësimor.
Seriali “Adoleshenca” tregon historinë tragjike, ku një 13-vjeçar vret shoqen e tij të klasës, pasi ajo e refuzoi dhe më pas e bullizoi. Pas kësaj, familja, terapisti dhe detektivët janë duke u përpjekur të zbulojnë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Në serial, përfshihet edhe impakti që kanë mediat sociale në jetën e adoleshentëve dhe mënyrën sesi një akt shokues dhune prek një familje, një komunitet e shoqërinë në përgjithësi./ZËRI