TIRANË- Zhvillimet në sistemin e drejtësisë kanë qenë në fokus të një takimi të kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri ambasadorit Michel Tarran me përfaqësues të organizatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Tarran u takua me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë ku diskutimi u përqendrua te funksionimi i sistemit të drejtësisë të drejtat e individit dhe standardet për një proces të drejtë gjyqësor.
Në takim u nënvizua nevoja që institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të përfshihen në diskutimet mbi çështjet që ndikojnë në funksionimin e sistemit. Sipas OSBE-së një qasje e tillë lidhet edhe me forcimin e shtetit të së drejtës dhe ruajtjen e besimit të publikut te drejtësia.
“Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe ndikimin që ato mund të kenë në funksionimin e tij në të drejtat e individit dhe standardet për gjykim të drejtë.
Gjatë diskutimit, u theksua, gjithashtu, rëndësia e përfshirjes kuptimplotë të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në çështjet që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit të drejtësisë, shtetin e së drejtës në tërësi dhe besimin e publikut”, thuhet në njoftim./ZËRI