TIRANË- Kryeparlamentari Niko Peleshi ka shtyrë seancën e sotme parlamentare për datën 23 korrik, pas përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe opozitës gjatë zhvillimit të punimeve.
Vendimi erdhi pas rreth 7 orësh debate në sallën e Kuvendit, ku palët nuk arritën dakordësi për vijimin e rendit të ditës, pasi seanca u ndërpre dy herë për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi shtyrjen e pikave të mbetura për seancën e ardhshme, duke argumentuar se situata në Kuvend nuk po lejonte zhvillimin normal të punimeve.
Nga ana tjetër, opozita kërkoi ndryshimin e renditjes së pikave, duke kundërshtuar shtyrjen e tyre. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi drejtimin e Kuvendit se po provokonte opozitën dhe po shmangte diskutimin e çështjeve të parashikuara.
“Ai nuk do raportojë dot në Kuvend. Hiqni dorë nga skenarët e bllokimit ë opozitës. Ju doni ta bojkotoni këtë seancë dhe seancën tjetër. Le të vazhdojmë me KLGJ, KLP, Prokurorin e Përgjithshëm, ILD dhe në fund Avokatin e Popullitpo të doni dëgjojeni po ai nuk do raportojë dot. Thjesht kërkojmë ndërrimin e rendit të ditës, lëreni për në fund. Nëse doni ta bojkotoni opozitën dhe ta prishni seancën, por ju po provokoni në çdo moment opozitën”, tha Bardhi.
Peleshi deklaroi se mbajtja peng e punimeve të Kuvendit nuk mund të vijojë dhe se rregullorja duhet respektuar. Pas diskutimeve, ai vendosi që pikat e mbetura të rendit të ditës të kalojnë për seancën e 23 korrikut.
“Rendin e ditës e shpall kryetari i Kuvendit, nuk mund të vendosim pas 7 orësh si do ta bëjmë aq më keq në presionin e bllokimit fizik të foltores. Nuk i vlen askujt. Si mund të bllokosh Kuvendin se nuk të pëlqen dikush? Ju thoni është antikushtetues se e shpall unë, të ligjshëm a të paligjshëm e shpallin gjykatat. Nëse do të ishte pranuar nga GJK do ta zbatonim, unë i pari dhe gjithë të tjerët. S’kemi vendim pezullimi, kur të shqyrtohet do të respektohet vendimi i GJK. Këto janë mendime personale apo të një grupi të caktuar. Rendi i ditës nuk mund të ndryshojë gjatë ditës së seancës vetëm sepse kemi bllokim fizik të foltores, do të ishte fundi i parlamentarizmit. Ju e Balla s’keni asnjë tagër të vendosni rendin e ditës të seancës pasardhëse. Keni të drejtë të propozoni, marr si të bazuar në rregulloren propozimin e Ballës për shtyrjen e pikave të kësaj seance ditën e enjte. Jam i detyruar ta hedh në votim të hapur me karton”, tha Peleshi.
Në përfundim, Kuvendi miratoi propozimin e Ballës me 76 vota pro dhe 25 kundër. Sakaq, raportimet dhe projekt-rezolutat të shqyrtohen në seancën plenare të 23 korrikut./ZËRI