TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga seanca plenare e Kuvendit ka shprehur sërish mbështetjen ndaj protestuesve, të cilët prej 11 ditë radhazi mbushin Bulevardin e Tiranës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkojnë ndryshime politike, ka hapur debat të gjerë edhe në studio televizive.
Berisha ka kërkuar të mos merren me asgjë tjetër, pasi qytetarët presin zgjidhje nga Parlamenti. Kreu i PD ka kërkuar që 5 kërkesat e protestuesve të futen në axhendën e Kuvendit, si dhe kërkon urgjent një mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për protestat.
Sali Berisha: Sot, shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në të katër anët e rajonit dhe të botës, kudo që ndodhen, presin nga ky parlament përgjigje të menjëhershme të kërkesave të dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra të rinjve dhe të rejave shqiptarë, që prej 12 ditësh janë në një protestë epike, paqësore, me një seri kërkesash absolutisht të drejta, me të cilat nuk synojnë gjë tjetër veçse të shpëtojnë Shqipërinë nga një njeri, që konsideron shtetin dhe vendin si pronë të tij personale. Të shpëtojnë mjedisin shqiptar të mrekullueshëm nga natyra që po shkatërrohet në të katër anët e tij. Të shpëtojnë trashëgiminë shekullore të kombit që po pëson sulme barbare nga oligarkët, klanet dhe lobingjet e afërta të Edi Ramës. Ndaj dhe t’i lëmë mënjanë, ata janë qytetarë shqiptarë, janë para së gjithash të rinj shqiptarë, të cilët në protestën e tyre, me një gjë janë 100 përqind të sinqertë, duan që ëndrrën ta vendosin në këtë vend. Duan që me ëndrrën e tyre të bëjnë Shqipërinë. Ndaj dhe të mos merremi me asgjë tjetër, të merremi me plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkoj urgjentisht mocion me debat me kreun tuaj. Kërkoj urgjentisht që parlamentit të ketë në axhendë të vetmen çështje, kërkesat që janë absolutisht legjitime pasi të gjitha ligjet që keni ndryshuar janë antikushtetuese. Dëgjimi i zërit të tyre është domosdoshmëri absolute, përndryshe do të jetë vonë dhe do jetë një gabim i madh historik që bëhet. Ndaj zoti kryetar, ushtro të gjithë autoritetin, distancohuni nga Edi Rama dhe ktheni axhendën e parlamentit.
5 kërkesat e qytetarëve ndaj qeverisë: dorëheqjen e qeverisë, shfyqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketë së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare./ZËRI