TIRANË-Kryedemokratit, Sali Berisha i është hequr sanksioni 'non grata' masë e vendosur nga SHBA. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarët e familjes së tij “non grata” në maj të vitit 2021. Bëhet me dije se vendim i është komunikuar Berishës përmes një telefonate nga e Ngarkuara me Punë në vend, Nancy VanHorn.
Lajmi është konfirmuar nga vetë kreu i PD-së, i cili hyri në sallën e Kuvendit duke deklaruar: Unë erdha, u krye! Kjo fjali u prit me duartrokitje nga opozita e pranishme në seancën plenare.
Zyra e Shtypit e Departamentit të Shtetit në një reagim zyrtar për mediat ka bërë të ditur se Uashingtoni ka nisur të aplikojë lehtësime ose pezullime të përkohshme për disa nga sanksionet e vendosura nga administrata e mëparshme.
DASH bën me dije se “janë dhënë përjashtime për personat e prekur nga masat”.
"Përshëndetje, Zyra e Shtypit e Departamentit të Shtetit.
Departamenti i Shtetit ka miratuar përjashtime (ëaivers) për disa nga shpalljet sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës dhe të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.", thuhet në reagim.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata në vitin 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Po i njëjti vendim u ndoq gati një vit më pas nga ana e Britanisë së Madhe. Sot mbas 5-vitesh, Berisha është liruar nga kjo masë.