Politikë

PD sërish protestë më 8 shkurt! Berisha: Do jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria

Sipas tij, e shtuna do të jetë dita kur Shqipëria zbret në Tiranë dhe Tirana zbret në rrugë.

F.I
PD sërish protestë më 8 shkurt! Berisha: Do jetë më e
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar protestën e radhës kombëtare. Berisha tha se protesta e radhës do të mbahet të shtunën e 8 shkurtit, në orën 17:00. Sipas tij, e shtuna do të jetë dita kur Shqipëria zbret në Tiranë dhe Tirana zbret në rrugë.

“PD, e cila prej kohësh ka shpallur mosbindjen civile si rrugë të vetme të qëndrimit ndaj kësaj qeverie më datën 8 shkurt fton protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria, ditën e shtunë për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelesh që nuk njohin asnjë normë që bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë”,-tha Berisha.

Pesë akset kryesore të Tiranës u bllokuan për rreth tre orë, pas tubimit të fundit të organizuar nga opozita më (23 dhjetor). Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Përplasje fizike pati edhe mes deputetëve dhe forcave policore, ku deputeti Flamur Noka qëlloi e shtyu shefin e komisariatit nr.1, Robert Losha. Një incident ndodhi edhe me deputetin Xhelal Mziu i cili u shfaq me dorën e gjakosur, duke pretenduar se një polic e gjuajti me skafandë. Ndërkohë nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj humbi ndjenjat gjatë protestës.

Kujtojmë se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar Prokurorinë e Tiranës që të nisë hetimet për veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së opozitës më 23 dhjetor. Në dokumentin që Altin Dumani i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës, kërkon nisjen e hetimeve dhe në rast se gjenden vepra penale dhe autorë, për të cilët kompetente është Prokuroria e Posaçme, dosja të ridërgohet tek SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB