TIRANË-Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kanë depozituar një kallëzim në SPAK lidhur me mosekzekutimin e pagave për muajin gusht. Kallëzimi është bërë ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe drejtuesve të Thesarit në rrethe për veprat penale shpërdorim detyre, pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, dhe mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës.
Lëvizja vjen pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktuan vetë pagat referuese për magjistratët pas vendimit të Kushtetueses. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kërkon nga SPAK të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave.
"Përmes këtij kallëzimi, na lejoni t’iu parashtrojmë rrethanat e faktit dhe argumentimin e kompetencës suaj si dhe përgjegjësisë penale të të kallëzuarve për veprat penale të parashtruara në objektin e këtij kallëzimi. Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në Republikën e Shqipërisë. Kallëzimi paraqitet me qëllim që organi i prokurorisë të identifikojë personin/personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosekzekutimin e pagave. Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit,” thuhet në kallëzim.