Politikë

Bllokimi i rrugës së Rinasit! Braçe: Marrëzi! Qëllim politik, s'ka lidhje me qytetarët në protestë. Duhet të ndryshojë PS

Socialisti shprehet me anë të një video-mesazhi se aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është infrastrukturë kritike e lidhur me sigurinë kombëtare dhe cënimi i tij është cenim i sigurisë kombëtare

F.I
Bllokimi i rrugës së Rinasit! Braçe: Marrëzi! Qëllim
Erion Braçe

TIRANË-Deputeti i Partisë Soacialiste, Erion Braçe ka reagur lidhur me marshimin dhe bllokimin e autostradës nga qytetarët në ditën e 15-të të protestës, i cili zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Lëvizjen e protestuesve Braçe e ka quajtur qëllim politik që nuk ka lidhje me shumicën e njerëzve në protestë. 

Socialisti shprehet me anë të një video-mesazhi se aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është infrastrukturë kritike e lidhur me sigurinë kombëtare dhe cënimi i tij është cenim i sigurisë kombëtare. Braçe duke renditur funksionet e aeroportit dhe rëndësinë e tij, thekson se Partia Socialiste duhet të ndryshojë. Deputeti shprehet se duhen vendime procesi, transparencë dhe vendimarrje dialoguese, debatuese, sqaruese e pozitive, që marrin parasysh interesa legjitime mjedisore, pronësore, ekonomike, sociale e komunitare, e jo vetëm përfitimin individual të pak njerëzve.

Reagimi i plotë i Erion Braçes:

Më vjen mirë që ka reagim dhe distancim nga marrëzia për të bllokuar aeroportin!

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është infrastrukturë kritike, infrastrukturë e lidhur me sigurinë kombëtare. Cenimi i tij është cenim i sigurisë kombëtare. Unë e di se e kujt është beteja me të, e atij që kurrë nuk deshi e nuk do ta shohë mirë këtë vend, infrastrukturën e tij, por edhe njerëzit e këtij vendi. Është një qëllim politik e destruktiv, që nuk ka lidhje me shumicën e njerëzve në protestë.

Në anën tjetër, aeroporti është ekonomi, e ngritur me shumë mund: si ekonomi e vetë aeroportit, si ekonomi e njerëzve që e përdorin aeroportin, ku biletat e lira ua bëjnë të mundur, si ekonomi e degës më të madhe të ekonomisë kombëtare tashmë, turizmit.

Nganjëherë aeroporti dhe turizmi duken si të paarritshëm, të paprekshëm, por biletat e lira, njerëzit që hyjnë shumëfish në këtë vend, si shqiptarë, shqiptarë në emigrim e të huaj, një ekonomi e tërë rreth tyre dhe pushimeve në këtë vend, edhe si konsum, janë të lidhura me qindra mijëra njerëz që prodhojnë e shërbejnë, me të ardhurat e tyre. Turizmi ka arritur në 6 miliardë euro dhe nuk janë fitime të vetëm pesë emrave të njohur.

Në anën tjetër, tani është koha të veprojmë ne. Përpjekja destruktive për të goditur ekonominë e këtij vendi nuk di të ndalet dhe as mund të fshihet më pas sloganit "BNB – Berisha në burg". Duhet të ndryshojmë ne – Partia Socialiste!

Të demokratizojmë vendimmarrjen; të zëvendësojmë njoftimin si vendim me vendimin si proces, të hapur, transparent, përfshirës, dialogues, debatues, sqarues e pozitiv, që merr parasysh interesa legjitime mjedisore, pronësore, ekonomike, sociale e komunitare, e jo vetëm përfitimin individual të pak njerëzve.

Të demokratizojmë ekonominë, për t'u shkëputur nga ekonomia me pak operatorë e pak përfitues, të njëjtët kudo, të ardhur këtu pa garë e pa konkurrencë, për shkak të mundësive të administruara keq, vetëm për ta e kaq ngushtë, duke ua marrë punën shumë të tjerëve dhe duke përqendruar jo vetëm përfitimet, por edhe monopolin mbi fuqinë punëtore.

Ky ndryshim do të ndodhë. Ose do të ndodhë me revolucion, përmes kaosit dhe dëmeve që vijnë me të, ose do të ndodhë duke ndryshuar ne, Partia Socialiste e Shqipërisë.

Poll

MOS HUMB