TIRANË- Vendimi i opozitës për të bojkotuar Komisionet, duket se ka sjellë përplasje të forta në mbledhjen Grupit Parlamentar të PD-së, të zhvilluar me dyer të mbyllura. Burime bëjnë me dije se nuk ka pasur dakordësi nga ana e deputetëve për bojkotimin e propozuar nga kryetari Sali Berisha ndaj punimeve të Kuvendit.
Mësohet se deputetët: Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja, kanë dalë kundër vendimmarrjes së bojkotit të reformave. Përballë kësaj situate, kryedemokrati Sali Berisha ka bërë me dije se do të jetë Kryesia e PD-së ajo që do të vendosë për pjesëmarrje ose jo në Komisionin për reformën territoriale.
Ndërkohë, janë zbuluar edhe debatet brenda Kryesisë, me deputetët që u shprehën kundër bojkotit. Deputeti Bledjon Nallbati është shprehur, duke thënë se 'jemi bërë filmi ‘Dy herë mat, edhe akullore edhe çokollatë', duke shtuar se shkojnë në Parlament dhe mungojnë në dy Komisionet më të rëndësishme.
“Jemi bërë si filmi ‘Dy herë mat, edhe akullore edhe çokollatë’, shkojmë në parlament nuk shkojmë në dy komisionet më të rëndësishme. Nëse shkojmë me idenë që Edi Rama s’na jep asgjë, më mirë mos të shkojmë në parlament fare. Duhet shkojmë të shpalosim atje opsionin tonë për qytetarët, pastaj nëse zgjidhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë, të shkojmë në grevë në përshkallëzime më të mëdha nuk shkon të shkojmë në komisione të tjera e jo te reformat, duhet të ndajmë mendjen”, ka deklaruar ai.
Tritan Shehu po ashtu është shprehur kundër bojkotit.
“Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, është shprehur Shehu.
Ndërkohë pas mbledhjes nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, deklaroi se PD ka vendosur që të mos bojkotojë Komisionet, por të marrë pjesë. Boçi ka theksuar se opozita nuk bashkëpunon politikisht me kryeministrin Rama, por do të jetë e pranishme në Komisionin e reformës territoriale e zgjedhore.
"Do të vazhdojmë me axhendën e komisionit, e cila ka mbetur në momentin e zgjedhjes së sekretarit të komisionit. Nuk do ta bojkotojmë komisionin.
Sigurisht, nuk bashkëpunojmë me Edi Ramën në nivele të tilla që konsiderohen bashkëpunime politike, por bëhet fjalë për një komision të rëndësishëm e të posaçëm. Por më i rëndësishëm se ky komision është Komisioni ose Këshilli i Mandateve dhe Rregullores. Të mos harrojmë që aty anëtarësia është në paritet.", ka thënë Boçi.
Ndërkohë, sot është mbledhur Komisioni Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, ndërsa për opozitën ishte afati i fundit për të marrë pjesë në komisione pas vendimit për bojkote. Siç u bë me dije më herët, në mungesë të opozitës, mazhoranca do të kalojë nesër në Kuvend kërkesën për të ndryshuar përbërjen e këtij komisioni, ku PS do të kalojë me një anëtar më shumë. . Mungesa e PD do të sjellë prishjen e konsensusit dhe PS do të marrë shumicën e anëtarëve dhe drejtimin e komisionit, duke e lënë pa të drejtë vote opozitën./ZËRI