Politikë

"Rezultati i diasporës brenda javës"/ Celibashi: Numërimi i votave nuk po shkon mirë në disa qarqe

Më konkretisht në Tiranë, Durrës, Berat dhe Dibër. Celibashi ia atruboi këtë lodhjes së komisionerëve.

I.F
"Rezultati i diasporës brenda javës"/ Celibashi:
Ilirjan Celibashi

TIRANË- Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi gjatë një prononcimi për mediat ka folur për vijueshmërinë e procesit të numërimit të votave. Celibashi u shpreh se numërimi nuk po shkon mirë në disa qarqe në vend. Më konkretisht në Tiranë, Durrës, Berat dhe Dibër. Celibashi ia atruboi këtë lodhjes së komisionerëve.

“Ritmet janë të ulëta për shkak të performancës së grupeve të numërimit, janë të lodhur, ka prej tyre që janë 48 orë nonstop. Meriton të merret në konsideratë thirrja për partitë për ndyshimin e grupeve. Është e pamundur ta përballojnë. Janë 24 KZAZ që e kanë përfunduar procesin e numërimit dhe për subjektet zgjedhore dhe kanë vendosur të nisin nesër me procesin e numërimit të votave për kandidatët e listës së hapur. Kemi patur ndërprerje në KZAZ-të e Fierit, ka rifilluar procesi i numërimit të votave. Në disa KZAZ, Pustec dhe Devoll ka përfunduar numërimi për partitë dhe koalicionet, ashtu edhe për kandidatët. Procesi i numërimit ka shkuar shumë mirë, por edhe sikur në zgjedhjet e tjera kemi probleme me ecurinë dhe vazhdimësinë normale të këtij procesi. Në pjesën me të madhe kjo ecuri e ngadaltë është kushtëzuar nga lodhja e numëruesve dhe anëtarëve të KZAZ-së. Një pjesë e tyre kanë qenë komsionerë dhe kur ka përfunduar votimi u është dashur të kryejnë edhe detyrën e numëruesit. Partitë të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit. Ata e dinë se cilët njerëz kanë të propozuar dhe angazhuar dhe duhet të ndërtojnë një sistem me trune. Nuk mund të lejojmë ndërprerjen e procesit të numërimit të votave", tha Celibashi.

Sa i përket votave të diasporës, Celibashi u shpreh pritet që rezultati të dalë brenda kësaj jave. Më tej, ai shtoi se edhe votat nga Greqia do t’i nënshtrohen procesit të numërimit të votave dhe se ato nuk janë përjashtuar. Ai u shpreh se do të vendoset së shpejti në lidhje me këtë proces.

"Duke përfshirë edhe votimin nga jashtë besoj, brenda kësaj jave do ta kemi. Varet shumë, thashë s’e kam për të justifikuar, shumë nga mënyra edhe sesi partitë politikë që kanë të angazhuara njerëz në procesin e numërimit nga jashtë do të organizojnë njerëz në këtë proces. Nuk e di se është kompetencë e KAS, dhe respektoj vendimarrjen. Por dua të bëj të qartë se vendimi që kam marrë si komisioner nuk ka të bëjë me do të apo nuk do të numërohen apo jo votat e ardhura nga Greqia. Është vendim që ka synuar të administrojë procesin, ku ky proces i vlerësimit të votave zhvillohet nga numëruesit dhe komisioni përkatës. Vetëm kaq kemi urdhëruar, jo më shumë. Komente s’do të preferoja të bëja mbi mendimet e kujtdo politikani. Ne do të vendosim në lidhje me gjithë procesin e votimit nga jashtë, përfshirë edhe votat e Greqisë, sikurse çdo fletë votimi që i është nënshtruar deri tani numërimit dhe vlerësimit. Nuk ka vendim që ka përjashtuar apriori mbi votat që kanë ardhur nga Greqia. Procesi është duke vazhduar, vendimi që kam marrë si komisioner e ka ndihmuar procesin sepse ka qenë e kotë në kushtet kur përbërja e grupeve të numërimit është e balancuar, përbërja e komisioneve është e balancuar, do të kishim ngecur deri sot në debatin ndërmjet anëtarë të grupeve të numërimit dhe komisionerëve për fletët e votimit nga Greqia. Meqense njëra palë e kontestonte këtë votim, kemi vazhduar me pjesën tjetër. Do të vendosim për ecurinë. Nuk janë të përjashtuar. Do të shqyrtohet fleta e votimit. Votat nga Greqia do t’i nënshtrohen numërimit, sikurse nga vendet e tjera, është vetëm çështje kohe. Me këtë rast do të shqyrtohen edhe pretendimet e gjithkujt me votën e Greqisë dhe diasporës në tërësi”, tha Celibashi./ZËRI

Poll

MOS HUMB