Politikë

Debate për mandatin e Xhaçkës/ PD: Të kalojë në GJK. PS: Keni hequr 2 paragraf nga opinioni i “Venecias”

Bardhi deklaroi se interpretimi i Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Kushtetuese është i qartë: vendimet janë të detyrueshme dhe nuk kushtëzohen nga vota parlamentare.

F.I
Debate për mandatin e Xhaçkës/ PD: Të kalojë në
Niko Peleshi, Gazment Bardhi dhe Flamur Noka

TIRANË-Ashtu siç pritej opinioni i Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës, u bë objekt debati në Kuvend. Kërkesës së partisë demokratike që mandati i Xhaçkës të futet në rend të ditës dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtuese, socialistët iu përgjigjën me argumentat e Komisionit të Venecias.

Ministri Niko Peleshi tha se tek neni 20, pikërisht ky paragraf është hequr:

“Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja parlamentare. Por nëse Kushtetuta shpall fuqinë e parlamentit për të vendosur – pra, për të votuar mbi një çështje të caktuar – përmbajtja e asaj vote duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet dhe nuk mund të imponohet”. Tek neni 57, gjithashtu është hequr një pjesë. Për shembull, fjalia e dytë për mundësinë e referimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Ky paragraf thotë: Në këtë mënyrë, parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështje që bien brenda kompetencave të tij,"-u shpreh Peleshi.

Kryetari i Partisë demokratike thotë se Venecia i ka dhënë të drejtë opozitës dhe se mandati i Xhaçkës duhet të shkonte në Kushtetuese.

“Ju poshtëroni Kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. Pse ndodh kjo? Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet, plaçkitjet që kanë bërë,"-Berisha.

Peleshi theksoi se mazhoranca e respekton autonominë parlamentare dhe vendimet e GJK. Ai kundërshtoi idenë e një "gjyqi publik" të kthyer në sulme politike dhe mbrojti qasjen e mazhorancës në ruajtjen e konkurrencës së lirë dhe interesit publik.

'U tha që ne synojmë ta kthejmë këtë sallë në gjyq publik. E thonë me zë të lartë për gjyq publik që të na ktheni në kohën e persekutimeve politike. E keni në avantazh që thoni fjalën e fundit për këdo që del para. Shqiptarët këtë e kuptojnë. Kaq e thjeshtë është sepse PS fiton'-tha Peleshi.

Deputeti Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën për manipulime dhe shmangie nga respektimi i plotë i vendimeve të GJK, duke përmendur rastin e deputetes Olta Xhaçka. Ai deklaroi se interpretimi i Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Kushtetuese është i qartë: vendimet janë të detyrueshme dhe nuk kushtëzohen nga vota parlamentare. Bardhi theksoi se rasti i Xhaçkës përmendet disa herë në opinionin e Komisionit të Venecias, duke theksuar se zbatimi i vendimeve të GJK nuk mund të varet nga vullneti i shumicës parlamentare apo interesat personale.

'Jemi shumë të ndryshëm në këtë sallë. Na mirëkupto shoku Niko, nëse vidhen pronat e ushtrisë i themi me emër dhe mbiemër. Nëse ne shoku Niko konstatojmë ligjet që i miratoni ligjet e Klodjan Zoto do e themi me zë të lartë. Kjo nuk është të godasësh biznesin por ata që vjedhin pronën publike. Por ata që i shërbejnë interesin privat që të mbrojmë konkurrencën e lirë. Jeni e vetmja mazhorancë që dy vendime të GJK i keni hedhur në kosh. Shembulli që jepni ju që na bëni moral, çfarë shembulli jepni ju për qytetarët që kanë konflikt. Për turpin tuaj, dhe kryetares së Kuvendit, u betuar se sapo të vinte Opinionit i Venecias do zbatonte këshillën. Shpiku një opinion që nuk ekziston. I tha shqiptarëve që KV na tha se jemi të pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi i detyruar të dërgojë në GJK mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Nuk ka rëndësi ç’thotë Elisa, apo Klotilda por ajo që thotë GJK. Parimi është supremacia e kushtetutës dhe jo tuiteri i Edi Ramës. Të gjithë autoritetet janë të detyruar ti binden vendimeve. Parlamenti ndryshe nga reagimi juaj, nuk mund ti referohet parimit të ndarjes së pushteteve. GJK ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i tyre nuk mund të kushtëzohet me votim nga shumica parlamentare. 'Kjo nuk është çështje Kushtetuta. U hap një gënjeshtër e madhe. Unë e lexova të plotë Kv. Vetëm në një paragra Olta Xhaçka përmendet 4 herë. Paragrafi 12 nis: në lidhje me rastin specifik, në qershor 2022 dhe fillon historikun e çështjes Xhaçka. Kur referon përgjigjen e pyetjeve ju çon tek vendimet e GJK dhe ju ka dhënë një këshillë. Zbatoni vendimet e GJK nuk varet nga vota dhe vullneti juaj apo halli juaj personal. Kjo nuk është çështje personale. Edhe fondet e AZHBR janë publike. Nuk nisesh nga halli jot për hallin e Oltës. Kjo është kushtetuta e republikës së Shqipërisë'- deklaroi Bardhi.

Gjithashtu Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka replikuar me deputetin Flamur Noka në Kuvend, teksa ky i fundit i drejtohej mazhorancës duke i thënë “jeni narko”. Manja u shpreh se “keni ngel një grusht këtu dhe 300 veta atje”, duke shtuar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 2025 do jetë më i thellë se ai i 2021. Ai iu drejtua deputetit demokrat duke i thënë që “Flamur ktheje gishtin nga buzja se aty do ti marrësh të gjitha përgjigjet”.

“Ne jemi partia e 10 milionë turistëve që kanë vizatuar Shqipërinë për 2013 dhe e kemi kthyer vendin në destinacion turistik. Ne jemi partia që ju presim në tapetin elektoral në 2025. Shqipërinë e qeveris PS me kryeministër legjitim Edi Rama që qetësisht ju presim në pranverën e vitit qe vjen në zgjedhje. Jeni në të drejtën tuaj që të mblidhni llumin e thashethemeve dhe ti sillni këtu, por pyetja është pse nuk ju marrin mbrapa shqiptarët? Keni ngel një grusht këtu dhe 300 veta atje. Sepse asnjëherë se keni kthyer gishtin nga vetja por vetëm ky krahu këtej. Flamur ktheje gishtin nga buzja se aty do ti marrësh të gjitha përgjigjet. PS do të jetë partia e shqiptarëve edhe në 2025 dhe ku ne do t’ju mundim më thellë se në 2021", shtoi Manja.

Në përgjigje, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka iu drejtua ministrit të drejtësisë duke e quajtur gjysmë investitor strategjik.

“Komisioni i Venecias e thotë se dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret, pra në rastin Xhaçka, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim dhe se Kuvendi është i dërguar të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese mocionin për papajtueshmëri të mandatit. E thotë Komisioni i Venecias, por juve është çfarë t’u thotë Taulanti që merr porosi nga sulltani. Atëherë pse gjithë kjo kacaverrje, kjo zullumhane rreth investitores suaj strategjike? Kjo sepse të gjithë këtu jeni në makth. Asnjëri prej jush nuk e njeh gjumin. Edhe ti Ulsi që je gjysmë investitori strategjik. Le që ti je edhe kriminel elektoral. Po erdhe me mua, duhet të marrësh sapunin me vete. Kjo është e gjitha. Pse ju jeni të kapur me thonj pas çdo hapësirë që u krijon sulltani juaj dhe pas çdo porosie për të mbrojtur hajdutët? Sepse është siklet i madh. Por të jeni të sigurt për një gjë. Ora e së vërtetës po afron. Koha juaj po mbaron. Ka një limit edhe koha e hajdutëve. Është ciklikë dhe ju nuk i shpëtoni dot kësaj ciklike. Po afron koha e llogaridhënies për të gjithë. Të jeni të sigurt se përgjigjen do e merrni shumë shpejt. Nuk do keni mundësi të përdorni më patronazhistë sepse ata do shpallen nga PD si kriminelë dhe do ndiqen kudo që do jenë. Nuk do keni mundësi më të përdorni as bandat sepse opozita do jesh përballë jush dhe çdo bande. Nuk do keni mundësi më të përdorni as drejtorët e policisë që i keni emëruar, që nga drejtori i përgjithshëm, për të bërë aleancë kundër opozitës për të blerë vota. Harrojeni. Vilma, Olta, sulltani, banda e hajdutëve këtu, të gjithë do shkojnë prapa hekurave. Drejtësia në këtë vend do jetë ajo që flasë. Por më përpara do flasë drejtësia e shqiptarëve me votën e tyre. Pastaj nuk ka më Soros t’u mbrojë. E keni parë sulltanin që i ka zhdukur të gjitha fotot me Aleksin? Pse? Sepse po fryn një erë tjetër”, vijoi Noka.

Komisioni i Venecias argumentoi se Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtonte vetë në themel çështjen pa marrë autorizimin e Kuvendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB