TIRANË-Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar pas deklaratave në Kuvend të Sali Berishës ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Berisha gjatë fjalës së tij sulmoi ambasadorin e BE-së, duke thënë se nuk mund t'i imponojë Shqipërisë bindjet e veta dhe i kërkoi t'i tregojë se cila direktivë e BE-së e përmban diversitetin gjinor.
"Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë t’u thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit. Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes”, deklaroi Berisha në Kuvend.
Në reagimin e saj Kos ka dënuar komentet e kreut të Partisë Demokratike dhe thekson se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së dhe jo kërkesë private e ambasadorit.
Marta Kos: Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm.
Gender equality and non-discrimination are an integral part of EU law.
— Marta Kos (@MartaKosEU) November 6, 2025
Aligning with it is part of the EU accession process.
This is not a private demand of the Ambassador of @EUinAlbania
Any attacks on him are unacceptable.
Pas reagimit të Kos, një kërkim faljeje ka ardhur nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë i ka kërkuar ndjesë komisioneres për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, duke u shprehur se ligji është keqpërdorur për të shtrembësuar opinionin publik.
Edi Rama; Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët. Megjithatë, siç themi në shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara.

Në Kuvend sot votohet Projektligji për barazinë gjinore. Opozita thotë se ky pr.ligj dëmton thelbin e familjes, por mazhoranca sqaron se ka vetëm burrë e grua dhe se përkatësia e shumëfishtë nënkupton statuset sociale.
Në versionin fillestar të projektligjit, përkufizimi i gjinive ishte i kufizuar në dy kategori: burrë dhe grua. Megjithatë, pas reagimeve nga Aleanca LGBT dhe aktorë të tjerë, drafti u ndryshua për të përfshirë një përkufizim më gjithëpërfshirës të gjinive, duke njohur identitete të tjera gjinore përtej dy kategorive tradicionale. Termat që u përfshinë ishin:“gjini gjithëpërfshirëse”, “diversitet gjinor”, “identitet gjinor” e “shprehje gjinore”. Pas shumë reagimesh dhe dikutimesh në Komisione Parlamentare, ligji i ri për barazinë gjinore do të zbatojë vetëm dy kategori gjinore: burrë dhe grua. Me 22 amendamente të dorëzuara në Kuvend, Partia Socialiste propozoi heqjen e termave./ZËRI
