TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me reagimin e “Safe Journalists” për deklaratën e tij ndaj Radio televizionit Shqiptar (RTSH). Përmes një postimi në plarformën "X", Rama thekson se qëndrimet ndaj deklaratës së tij për RTSH-në janë të shtrembëruara dhe të pasakta.
Rama sqaron se vërejtjen e tij nuk kanë asnjë lidhje me “lidhjen e financimit ose ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik” dhe çdo interpretim të tillë e quan “të pasaktë dhe mashtrues”. Ndërsa në përfundim, Rama thekson se mbrojtja e informacionit nis pikërisht nga mosshpërndarja e dezinformimit,
Postimi i Ramës:
Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re, e karakterizuar nga një përhapje e shfrenuar e përtacisë intelektuale, ku njerëzit nuk dëgjojnë më se çfarë thonë realisht të tjerët, por përballen me deklarata si ajo e bashkëngjitur, të cilat pasqyrojnë një kuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me transmetuesin publik shqiptar.
I ftoj autorët e kësaj deklarate mashtruese që ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin. Vërejtjet e mia nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe mashtrues.
Mbrojtja e informacionit fillon me mos-përhapjen e dezinformimit.
It is becoming an unfortunate pattern of this new era of rampant intellectual laziness toward listening to what others actually say to be confronted with statements such as the one attached, which reflect a deeply distorted understanding of my position regarding the Albanian… pic.twitter.com/lChVpSykXo
— Edi Rama (@ediramaal) January 19, 2026
Më herët në një deklaratë publike, SafeJournalists shprehën shqetësimin e tyre sa i përket deklaratës së kryeministrit, i cili e cilësoi RTSH-në të dështuar dhe që sipas tij, nuk meriton fonde shtesë. Sipas rrjetit, “lidhja e financimit ose e vetë ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe paraqet rreziqe për lirinë e medias”.
"Rrjeti SafeJournalists rikujton se kritikat ndaj performancës së medias duhet të adresohen përmes proceseve reformuese transparente, të mbështetura në ligj, përmes organeve të pavarura mbikëqyrëse dhe një debati publik gjithëpërfshirës dhe jo përmes retorikës që mund të komprometojë pavarësinë institucionale dhe të ushqejë mosbesim apo armiqësi publike ndaj RTSH-së.", shkruan ndër të tjera në deklaratë SafeJournalists.
Deklarata e plotë i SafeJournalists
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim lidhur me deklaratat publike të bëra këtë janar nga Edi Rama, Kryeministëri i Shqipërisë, të cilat kanë të bëjnë me rolin, financimin dhe të ardhmen e RTSH-së, transmetuesit publik Shqiptar.
Deklaratat u bënë gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, një forum politik që bashkon deputetët e shumicës qeverisëse dhe zyrtarë të lartë të ekzekutivit. Në fjalën e tij, Kryeministri e cilësoi RTSH-në si një institucion të dështuar, vuri në dyshim legjitimitetin e saj si transmetues publik dhe deklaroi se financimi publik duhet të ndalet derisa RTSH ta “meritojë” atë. Ai shtoi gjithashtu se të gjitha opsionet duhet të merren në konsideratë për të ardhmen e RTSH-së, përfshirë privatizimin dhe madje edhe mbylljen.
Ndërsa debati publik mbi efektivitetin, qeverisjen dhe reformimin e mediave të shërbimit publik është i ligjshëm, Rrjeti SafeJournalists thekson se transmetuesit publikë kanë një rol të veçantë demokratik. Mandati i tyre nuk përcaktohet nga performanca në treg apo nga miratimi politik, por nga detyrimi për t’i shërbyer interesit publik, për të garantuar informim pluralist, për të mbështetur përmbajtje kulturore dhe arsimore, si dhe për të funksionuar në mënyrë të pavarur nga presionet politike dhe tregtare.
Nga këndvështrimi i lirisë së shprehjes, lidhja e ekzistencës apo financimit të një transmetuesi publik me vlerësime ekzekutive mbi “meritën” ngre shqetësime serioze. Një qasje e tillë rrezikon të minojë parimin e qeverisjes në distancë (arm’s-length governance), i cili është thelbësor për standardet evropiane mbi lirinë e medias. Edhe në mungesë të masave të menjëhershme ligjore ose buxhetore, deklarata publike të kësaj natyre mund të ushtrojnë presion të tërthortë mbi pavarësinë editoriale, të kontribuojnë në pasiguri institucionale dhe të nxisin vetëcensurë brenda redaksive.
Rrjeti SafeJournalists është veçanërisht i shqetësuar nga normalizimi i “mbylljes” si një opsion i artikuluar publikisht për një transmetues të shërbimit publik. Në praktikën demokratike evropiane, çështja qendrore nuk është nëse mediat e shërbimit publik duhet të ekzistojnë, por se si mund të forcohen qeverisja, llogaridhënia dhe pavarësia e tyre në përputhje me standardet demokratike. Trajtimi i vazhdimësisë së ekzistencës së një transmetuesi publik si të kushtëzuar nga kënaqësia politike rrezikon të dobësojë garancitë institucionale që mbrojnë lirinë e gazetarisë.
Këto zhvillime janë gjithashtu të rëndësishme në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të Grup-kapitullit 1 – Themeloret, ku liria e medias, pavarësia institucionale dhe mekanizmat demokratikë të kontrollit dhe balancimit përbëjnë kritere kyçe. Një transmetues publik i qëndrueshëm, i pavarur dhe i mbrojtur në mënyrë adekuate është një komponent thelbësor i një mjedisi informues demokratik të qëndrueshëm.
Rrjeti SafeJournalists rikujton se kritikat ndaj performancës së medias duhet të adresohen përmes proceseve reformuese transparente, të mbështetura në ligj, përmes organeve të pavarura mbikëqyrëse dhe një debati publik gjithëpërfshirës dhe jo përmes retorikës që mund të komprometojë pavarësinë institucionale dhe të ushqejë mosbesim apo armiqësi publike ndaj RTSH-së.
SafeJournalists ka mbështetur vazhdimisht reforma strukturore që forcojnë pavarësinë editoriale dhe llogaridhënien publike të RTSH-së, duke i mundësuar njëkohësisht transmetuesit publik të transformohet në epokën digjitale dhe t’u përgjigjet në mënyrë efektive nevojave të ndryshme informative, kulturore dhe demokratike të qytetarëve veçanërisht përmes përzgjedhjes transparente dhe të ligjshme të drejtuesve, skemave të parashikueshme dhe të mbrojtura të financimit, si dhe masave të qeverisjes që mbrojnë autonominë profesionale dhe të drejtat e punës së gazetarëve.
Ne inkurajojmë autoritetet shqiptare të rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj standardeve evropiane të mediave të shërbimit publik dhe të sigurojnë që çdo diskutim mbi reformimin e RTSH-së të zhvillohet në një mënyrë që respekton plotësisht lirinë e shprehjes, pavarësinë e gazetarisë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 19 janar 2026
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave e Malit të Zi
Çila ishte deklarata e Ramës për RTSH?
Tre ditë më parë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Rama foli edhe për Radio Televizionin Shqiptar, për të cilin drejtoi kritika ndaj menaxhimit duke theksuar që sipas tij, reforma e RTSH ka dështuar. Kreu i qeverisë paralajmëroi se qeveria nuk do t’i japë asnjë fond shtesë deri sa televizioni publik të meritojë, ndërsa shtoi në listën e oposioneve edhe mbylljen përfundimtare të RTSH-së./ZËRI
