Politikë

Djegia e karrigeve jashtë Kuvendit/ "Faturohen" deputetët e PD-së, ja sa duhet të paguajnë për ulëset

Gjithashtu është ngritur edhe një grup nga Kuvendi i Shqipërisë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.

I.F
Djegia e karrigeve jashtë Kuvendit/ "Faturohen" deputetët e
Zjarri në Kuvend

TIRANË- Deputetët e opozitës dogjën dje karriget e Kuvendit të Shqipërisë, e tani duhet që të paguajnë  për dëmet që i kanë shkaktuar. Gazetari Muhamed Veliu bën me dije për “TopChannel” se kostoja e një nga karriget e djegura është 35 mijë lekë të reja. Opozita dogji rreth 30 karrige, kështu që kostoja në total shkon 1.050.000 lekë. Por nuk mbaron me kaq! Deputetët e opozitës dëmtuan gjithashtu Foltoren e Kuvendit dhe shkulën mikrofonat e deputetëve të Partisë Socialiste. Për të përllogaritur totalin e dëmit që ka shkaktuar opozita, është ngritur edhe një grup nga Kuvendi i Shqipërisë. Shuma e këtyre dëmeve, do t'u mbahet nga rroga deputetëve të opozitës. 

“Në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Seanca e djeshme në Kuvend zgjati më pak se 20 minuta, ndërsa u shoqërua me akte dhune nga deputetët e opozitës. Opozita shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. /ZËRI

Poll

MOS HUMB