TIRANË-Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha në qershor të 2026 iu hoq sanksioni bllokues 'non grata' për të hyrë në SHBA. Kreu i PD ka deklaruar disa herë se së shpejti ai do të udhëtojë drejt SHBA dhe sipas dokumenteve të fundit udhëtimi do të zhvillohet në vjeshtë.
Gazetari Muhamed Veliu nga burime diplomatike, ka siguruar dokumentin nga “International Democracy Union” i cili tregon të dhëna për një udhëtim të mundshëm të Berishës drejt USA këtë fillim shtatori. Dokumenti ka si titull “konfirmim për pjesëmarrjen tuaj në delegacionin e IDU për Konventën Kombëtare Republikane. Më tej në këtë letër konfirmimi që ka marrë Berisha mësohet se konventa do të mbahet në Dallas më 9 dhe 10 Shtator nga ku jepen këto detaje.
“IDU është e kënaqur që ju do të na bashkoheni ne dhe ne jemi konfidentë se pjesëmarrja juaj në këtë mbledhje historike për Partinë Republikane di të jetë me shumë vlerë për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Detaje të tjera në lidhje me lëvizjet e delegacionit, akreditimin dhe programit e eventit do t’ju komunikohen nga sekretariati i IDU”.

Ndërkohë në një tjetër dokument të datës 7 Gusht nga Instituti amerikan i trajnimeve, Berishës i konfirmohet regjistrimi si pjesëmarrës në Konventën Kombëtare Republikane. Pas marrjes të këtij konfirmimi në Tiranë kanë nisur përpjekjet nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Burime nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme treguan se Gazment Bardhi në kapacitetet e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD ka çuar një kërkesë duke kërkuar një notë verbale shtetërore për ti mundësuar Berishës marrjen pjesë në këtë aktivitet të republikanëve amerikan.
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata në vitin 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Po i njëjti vendim u ndoq gati një vit më pas nga ana e Britanisë së Madhe. Mbas 5-vitesh, Berisha është liruar nga kjo masë.