
TIRANË-Pas paktit të Partisë Demokratike me atë Socialiste, në zgjedhjet e 11 majit, për herë të parë do të aplikohen edhe listat e mbyllura, aty ku do të kandidohen të preferuarit e partive. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përllogaritur ndarjen e mandateve në listë të hapur dhe të mbyllur në 12 qarqet e vendit.
Sipas formulës që do aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e pranverës, 46 deputetët e parë të çdo subjekti garues do të jenë produkt i listës së mbyllur ku renditjen e ka caktuar kryetari i partisë, ndërkohë vetëm partitë që arrijnë të marrin një numër mandatesh që tejkalon listën e mbyllur do kenë mundësi të çojnë në Kuvend deputetë si preferencë e qytetarit.
Për zgjedhjet e 11 Majit, partitë politike duhet të gjejnë 186 kandidatë, edhe pse garohet për 140 vende në Parlament, ndarja e listës së kandidatëve në dy pjesë, një e fiksuar dhe pjesa tjetër e hapur, detyron subjektet garuese të paraqesin më shumë emra. Sipas vendimit të KQZ, parashikohet që partitë politike të paraqesin një listë të ndarë në dy pjesë, ku 46 do të jenë në pjesën e mbyllur ndërsa 140 në pjesën e hapur, ku do të garohet për çdo votë.
Lista sipas qarqeve:
-Në Berat, për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar, dhe 5 nga lista e hapur.
-Në Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura.
-Në Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur. Në Elbasan do të jenë 5 nga 15 mandate të mbrojtura në listë të mbyllur.
-Në Fier, 5 nga 16 emrat, do të jenë të mbyllur.
-Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej.
-Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për çdo subjekt zgjedhor.
-Kukësi do të ketë 1 mandat të fiksuar, Shkodra 4 të tillë.
-Në Tiranë, 12 fituesit e parë do të merren nga lista e mbyllur.
-Vlora do të ketë 4 deputetë në listë të sigurt nga 12 mandate gjithsej.

/ZËRI