Berisha shpërthen ndaj Dumanit: Mashtrues, avokat i vjedhjeve të Ramës
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi ashpër kreun e SPAK, Altin Dumani, pasi ky i fundit raportoi raportin e Prokurorisë Antikorrupsion dhe iu përgjigj pyetjeve të ligjvënësve. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha shfrytëzoi 15 minutëshin e tij për të sulmuar Dumanin, të cilin e quajti "avokat i vjedhjeve më të mëdha të historisë së këtij vendi". Beria i drejtohet ashpër duke e cilësuar një "mashtrues ordiner" që përpiqet të mbrojë nga flakët e djegësve Edi Ramën, duke përmenduar inceneratorin e Tiranës apo kompaninë CEZ.
“Ai që e pëson nga ky qëndrim i tyre dhe i tij është qytetari shqiptar, që paguan sa qimet e kokës 400 mln eruo për inceneratorët dhe s’kanë as nam e as nishan. Ai thotë se kam hetim paraprak, nuk mund të bëhet më i shpifur. Çfarë hetimi paraprak, janë 400 mln që nuk ekzistojnë, janë 140 mln për djegësin Tiranës që nuk ka gjurmë dhe ai thotë po vazhdojmë hetim paraprak, mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët djegësve Ramën, kryearkitektin e tyre. A e dini ju qytetarë se kush është dënuar për djegësin, është dënuar Ahmetaj që e ka kundërshtuar 5 herë me shkrim, u dënua se u gjetën pllakat e banjos. Dmth 140 mln euro kushtonin pllakat e banjos së ish bashkëshortes së Arben Ahmetajt. Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha të historisë së këtij vendi, ju flisni për hetime, a e dini ju që është 50 mln euro tuneli i Llogarasë, është 140 mln euro gjoba e qytetarëve shqiptarë për aeroportin e Vlorës që duan ta marrin tani lubija me Ramën, a bëjnë këto sëbashku 210 mln. A e dini ju që s’mund të hetohet rama me 21 mln euro shpenzime udhëtimi në dy vite, se mbron Altin Troplinin. Nuk kemi asgjë personale, do dal te çështja personale dhe e kam shumë të fortë, por këtë e kam për qytetarët. Vetëm në një vit janë vjedhur 300 mln euro me digat, shiti tek sekserët digat dhe ble energji 300 mln euro në vjeshtë dhe këto avokat Dumani nuk i heton. Është avokat privat i familjes Rama”, tha Berisha.
"Korrupsioni, krim me rrezikshmëri"/ Dumani nxjerr shifrat: 10 funksionarë të lartë të dënuar
TIRANË- Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se nën hetim në vitin 2024, 10 zyrtarë të lartë publikë janë dënuar me vendime të gjykatave të formës së prerë. Dumani shprehet se korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike ruan tendencë të lartë të qëndrueshme duke dëshmuar përhapje të praktikave korruptive në administratën publike.
"Sa i përket korrupsionit, të dhënat gjatë 2024 tregojnë tendencë në rritje të luftës kundër korrupsionit të funksionarëve publikë. 67.4 për qind e çështjeve vijojnë të mbeten pjesë e hetimit. Në 2024, 10 funksionarë të lartë publikë janë dënuar me vendime të gjykatave të formës së prerë.
Sa i takon nivelit të riskut, të dhënat mbi veprat penale në fushën e korrupsionit tregojnë nivel të lartë dhe të qëndrueshëm rreziku me tendencë zgjerimi në disa kategori krimesh. Veprat me rrezikshmëri më të lartë janë pastrimi i produkteve të veprës penale dhe shkelje e barazisë në tendera.
Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike ruan tendencë të lartë të qëndrueshme duke dëshmuar përhapje të praktikave korruptive në administratën publike. Rol kyç në veprimtarinë e SPAK, ka pasur bashkëpunimi ndërkombëtar, përmend këtu krijimin e 10 skuadrave të përbashkëta hetimore, me Spanjën, Ekuadorin, Kosovën, Gjermaninë, etj.",tha Dumani.
"Po Veliaj? Hetimet vijojnë"/ Dumani 'ftesë' Ahmetajt: I mirëpritur nëse do të bashkëpunosh me SPAK
TIRANË- Kreu i SPAK, Altin Dumani, është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me hetimet për inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Lidhur me pyetjen për ish-ministrin Arben Ahmetaj, Dumani 'e ftoi' në bashkëpunim, teksa u shpreh se nëse është i mirëpritur nëse dëshiron të bashkëpunojë me drejtësinë. Ndërsa, sa i përket Erion Veliajt, se përse nuk është marrë ende si i pandehur, Dumani deklaroi se hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe vijojnë akoma për inceneratorin e Tiranës.
“SPAK ka hetuar, në kuadër të këtyre hetimeve, 71 persona të të gjitha niveleve; disa janë në vendime të formës penale të prerë, disa janë në proces hetimi. Lidhur me pyetjen që bëhet për ta trajtuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, këto dy procedime penale i kanë kaluar të gjitha fazat e hetimit gjyqësor dhe i kanë gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Lidhur me pyetjen pse nuk e kam marrë ende, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar, por vazhdojnë akoma. Lidhur me pyetjen për ish-ministrin Arben Ahmetaj, deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti. Për ne ai është një person në kërkim në lidhje me inceneratorët. Në rast se një person dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur”, tha Dumani.
Verifikimi për gjyqtaren Irena Gjoka- Çela: Rasti përbën vepër penale, po presim përgjigje nga Greqia
TIRANË-Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u pyet nga deputetët e opozitës për gjyqtaren Irena Gjoka të cilën e akuzojnë se ka fshehur një dënim nga Greqia për falsifikim dokumentesh. Çela, tha se periudha e verifikimit të çështjes së gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka, nuk ka afat. Prokurori u shpreh se mosdeklarimi i të dhënave të vërteta në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale.
Pyetje: Irena Gjoka, rezulton e dënuar në Greqi, fakt që se ka deklaruar. A përben vepër penale, nëse po mund të na e specifikoni. Po sanksione administratave?
Olsian Çela: Kjo çështje u trajtua edhe gjatë raportimit që bëmë në komisionin e ligjeve. Po përbën vepër penale, ishin 13 raste që ia kemi referuar prokurorisë së përgjithshme sa i përket deklarimit të të dhënave të rreme në formularin e dekriminalizimit, ka sanksione penale sa i përket kësaj çështje, sa i përket sanksioneve administrative, në përfundim të verifikimit ia dërgojmë organit kompetentet që vlerëson hapat e mëtejshëm që kanë të bëjnë me sanksionet administrative. Në rastin në fjalë çështja lidhet me kthimin e përgjigjeve ndaj letërporosive, që nuk janë në dorën tonë. Ne kemi kërkuar që të dhënat të jenë të plota në mënyrë që t’i shërbejnë të gjitha organeve. Verifikimi na është kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Edhe me SPAK kemi pasur komunikimet përkatëse duke u dërguar materialet që lidhen me rastin. Ajo që mund të them është se Prokuroria e Përgjithshme është përpjekur të tregojë transparencë të plotë me këdo që ka pasur interes për të marrë informacion.
Irena Gjoka është gjyqtarja e hetimit paraprak për dosjen "Partizani", me të pandehur Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ajo është shpesh objekt i sulmeve nga Berisha, i cili e akuzon si mashtruese. Ndërsa, pasi u zgjodh gjyqtarja e seancës paraprake për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika kryemadhi, gjyqtarja Gjoka u sulmua edhe nga Partia e Lirisë.
Kryedemokrati i Sali Berisha pretendon se Gjoka është dënuar më herët në Greqi me 3 muaj burg dhe gjobë për falsifikim dokumentesh dhe e ka fshehur këtë fakt. Lidhur me pretendimin e tij, Berisha ka publikuar edhe një dokument të prezantuar si një vendim i Gjykatës së Janinës në Greqi./ZËRI
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Çela: Duhet veprim urgjent...Ka vend për të përmirësuar
TIRANË- Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, duke shënuar një nga ngjarjet më të rënda që prek drejtpërdrejt sistemin e drejtësisë. Çela ka shprehur nevojën urgjente në aspektin e sigurisë, ndërsa ngjarjen e rëndë e lidhi me gjendjen e godinave. Sipas Çelës, çështja e sigurisë duhet përmirësuar. Kryeprokurori zbuloi se po merren masa dhe së shpejti do të paraqesin disa kërkesa për Kuvendin.
“Siguria e magjistratëve..siç ishte ngjarja e rëndë ku humbi jetën një magjistrat, kjo lidhet dhe me gjendjen e godinave apo me stafet e trajnuara për sigurinë. Ka vend për të përmirësuar. Vrasja e Astrit Kalasë, ngjarja e rëndë, është një nxitje për të vepruar urgjentisht në aspektin e sigurisë. Disa masa janë duke u marrë, ka një bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit. Ka nevojë për një rikonceptim për çështjen e sigurisë për prokurorët dhe gjyqtarët. Do të kemi disa kërkesa për Kuvendin që do i bëjmë të njohura”, tha Çela.
Çela në Kuvend: Në 2024 janë trajtuar mbi 61 mijë çështje, pastrimi i parave me rritjen më të lartë
TIRANË-Kryeprokurori Olsian Çela paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. Çela deklaroi se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61,167 materiale, duke theksuar se ka një rritje prej 10.5% krahasuar me një vit më parë. Kryeprokurori renditi edhe të dhënat statistikore sa i përket punës së bërë në vitin 2024, ku sipas shifrave rritjen më të madhe e kanë patur procedimet për pastrim parash.
Olsian Çela: Viti 2024 ishte një vit me vështirësi jo të pakta për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, e më tej intensifikimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale, siç do të shihet në këtë raport. Gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.
-155 procedime penale të filluara kryesisht nga prokuroria (rritje 12% krahasuar me 2023).
-251 procedime për pastrim parash, me rritje 59%.
-Sekuestrime pasurish me vlerë mbi 48 milion euro.
-1656 çështje për dhunë në familje, me rritje 18.6% krahasuar me 2023.
-161 procedime për krime seksuale, me rritje 30%.
-Rritje e rasteve të krimit kibernetik (381 procedime, +5%).
Balla kërkon 15 minuta pushim nga Kuvendi: Do flas me Këlliçin, po nuk ra dakord kalojmë në votim
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar i PS Taulant Balla ka kërkuar 15 minuta pushim të seancës plenare, për t’u takuar me opozitën dhe për të dakordësuar vijim e seancës dhe raportimin e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
Balla tha se nëse opozita nuk bie dakord që pyetjet për drejtuesit të bëhen me shkrim, jo me gojë siç kërkon opozita, atëherë do të kërkojë që kjo seancë maratonë të kalojë direkt në votim.
“Në mungesë të kryetarit të grupit, zoti nënkryetar Belind Këlliçi, kërkesa juaj për të shkelur rregulloren, as sot as pa një muaji nuk do e marrë dakordësimin tonë. Kërkoj 15 minuta pushim për një bisedë bashkë me ju dhe kryetarët e grupeve prezentë, nëse s’do kemi dakordësinë tuaj për të vijuar, do kërkoj ndërprerje të diskutimeve dhe kalim në votim”, tha Balla.
Bashkuan votat me PS, ‘sqarohet’ Berisha: Këto janë dy arsyet tona, edhe pse me Edi Ramën nuk ka zgjedhje
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka sqaruar në Kuvend arsyen se pse forca politike që ai drejton bashkoi votat me Partinë Socialiste, për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Sipas Berishës, edhe pse me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, opozira duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR, si dhe të ndryshojë standardet e pabarazisë në reformën territoriale.
Deklarata e Berishës në Kuvend
Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore.
Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.
OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit.
Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.
Kjo është e vërteta.
Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale.
Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.
Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lirë.
Është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën.
Është përpjekja e opozitës ajo që do u rikthejë shqiptarëve votën.
Kuvendi miratoi sot me votat e mazhorancës dhe opozitës ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore dhe për reformën territoriale dhe administrative. Në favor të ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore votuan 113 deputetë të Kuvendit. Ai përbëhet nga 16 anëtarë. PS dhe PD do të kenë nga 7 përfaqësues, Aleanca për Ndryshim 1 dhe Partia e Lirisë 1. Ky komision do të ketë 2 bashkëkryetar.
Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit. Në mbledhjet e Komisionit mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë të partive të tjera parlamentare të cilët kanë të drejtë të bëjnë propozime për ndryshime në legjislacionin e Reformës Zgjedhore. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet.
Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.
Ndërkohë, komisioni për reformën administrative do të ketë po ashtu 16 anëtarë, 8 nga PS, 6 nga PD, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga PL. Ky komision do të shqyrtojë kuadrin ligjor të qeverisje vendore, ridizenjimin territorial dhe rekomandimin e masave për shëndoshjen financiare për qeverisjen lokale. Kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë 9 muaj. /ZËRI
Lëvizja “Bashkë” dhe “Shqipëria Bëhet” pa të drejtë vote në Komisionet e Posaçme, Gjiknuri: Keni të drejtën e propozimeve
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare, ku PS dhe PD votuan me shumicë votash ngritjen e komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Agron Shehaj nga Partia Mundësia, tha se pakti mes PS dhe PD synon zhdukjen e partive të vogla, dhe se ngritja e komisioneve është bërë pa dakordësinë e tyre.
Përfaqësuesi i PS në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se ishte i pamundur që të adresoheshin në komisione shqetësimet e të gjitha partive të vogla opozitare.
“Mbase, në zhurmën që bëhet këtu në Parlament, harrohen disa detaje. E para, të gjitha partitë janë të përfaqësuara aty dhe çështja e votës është irrelevante sepse votën e ka të barazvlefshme me veton e bashkëkryetarit. Veton dhe votën praktikisht e kanë dy forcat e mëdha, kjo është e vërteta. Është e pamundur t’i akomodosh të gjitha partitë te opozita sepse janë 13 parti opozitare. Çdo anëtar i çdo partie ka të drejtë të propozojë. Kjo është tradita tani, është e pamundur t’i përfaqësosh të gjithë në një komision”, tha Gjiknuri.
“Më vjen keq që gjithmonë partitë e vogla e gjejnë fajin te sistemi, duke harruar që vetë janë produkt i atij sistemi”, shtoi Gjiknuri./ZËRI
Nuk zgjati as dy muaj! Deputetja socialiste heq dorë zyrtarisht nga mandati
TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini, ka depozituar dorëheqjen nga mandati, për shkak të kandidimit të saj për Bashkinë Vlorë në zgjedhjet e 9 Nëntorit. Ishte kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili në seancë plenare njoftoi largimin e Mersinit nga Kuvendi.
Pas largimit të socialistes si deputete, KQZ është njofuar të shpallë vakancën dhe zëvendësimin e saj.
“Deputetja Brunilda Mersini ka depozituar në Kuvend dorëheqjen nga mandate i deputetit. Për krijimin e vakancës është njoftuar KQZ”, tha kryeparlamentari Niko Peleshi.
PS-PD votojnë Komisionet për Territorialen dhe Zgjedhoren, Shehaj: U bëtë bashkë fshehurazi! Balla: Ti e ke Kuvendin shkollë nate
TIRANË- Kanë kaluar me dakordësinë e PS-së dhe PD-së ngritja e Komisioneve Parlamentare për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore. Në seancën e sotme, 113 deputetë votuan pro Komisionit të Posaccëm të Reformës Zgjedhore, dhe me 115 vota pro Komisionit për Reformën Territoriale.
Kundër kësaj marrëveshje PS-PD u shpreh kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili akuzoi partitë e mëdha për vjedhje dhe korrupsion. Edhe pse ka një vend në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Shehaj u shpreh se marrëveshja mes PS dhe PD synonon asgjesimin e partive të vogla.
“Komisioni ka si funksion vetëm të vrasë partitë e reja, të vrasë demokracinë në këtë vend. Unë se kuptoj si opozita dhe mazhoranca, fshehurazi bëhen bashkë, me qëllim për të vrarë partitë e reja. Keni vjedhur bashkë për 30 vite dhe këtë vazhdoni që të bëni, me këtë komision këtë do të bëni”, u shpreh Shehaj.
Ndërkohë që në kundërpërgjigje të tij, Balla u shpreh se Shehaj e ka Kuvendin si shkollë nate, dhe e përdor për populizëm.
“Kemi marrë parasysh të gjithë traditat parlamentare. Është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë. Në këtë rast, për herë të parë në historinë komisioneve zgjedhore, janë përfshirë të gjitha partitë.
Kemi bërë një zgjidhje për të përfshirë dhe ty duke futur dhe partitë më 2 mandate (i drejtohet Shehajt). Ti që bën interesantin, ditën takohesh me këta për kandidatë, vjen këtu dhe i shan. Kjo është pjesë e integritetit moral të ccdo njeriu.
Ne nuk bëjmë pazare, ajo që ka rëndësi për PS është që të ngihet komisionit zgjedhor, dhe të hidhen hapat, dhe duke thënë sot që brenda 31 dhjetorit duhet të kemi gati draftin për ligjin për financimin e partive, duhet të ngremë një standard të ri të transparencës, për ti dhënë fund historive me miliona dollarë që paguhen për lobime.
E rëndësishme është që të shkojmë përpara me depolitizimin e komisioneve. Zgjedhjet e fundit treguan që partie politike kanë humbur besimin t numërimi i votave me përfaqësues të partive.
Është e pamundur që të bëhet një komision i posaccëm me të gjitha partitë, je i mirëpritur në mbledhje dhe ke të gjitha të drejtat sipas asaj që kanë dhe deputetët e tjerë. Sot jemi përpara që kemi konsensus 99%”, tha Balla.
Deputetët që votuan kundër komisioneve të posaçme për Zgjedhoren dhe Territorialen ishin: Agron Shehaj, Erald Kapri, Redi Muçi./ZËRI