Reshje të dendura në Kukës, gurë dhe inerte në disa rrugë, vështirësohet qarkullimi në Rrugën e Kombit
KUKËS- Reshje shiu me intensitet të lartë vijojnë prej disa orësh në qarkun e Kukësit, duke shkaktuar problematika në rrugët kryesore. Probleme janë raportuar në disa akse nacionale dhe rurale. Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Peshkopi, Bajram Curri–Valbonë, Kukës–Qafë Mali, ka prezencë gurësh dhe dherash.
Edhe Rruga e Kombit ka patur pasoja e motit të keq. Segmenti Kolsh–Tuneli i Kalimashit u përfshi nga mjegull e dendur, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Megjithëse ekipet e Bashkisë Kukës kanë ndërhyrë në pastrimin e rrugëve, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Përveç përmbytjeve dhe bllokimit të rrugëve, një tjetër problematikë është e ndërprejes së energjisë elektrike në disa lagje të qytetit dhe fshatra. Problematika janë shfaqur edhe në tokat bujqësore të banorëve në Nangë, Bicaj dhe Shtiqën. Vështirësi janë krijuar edhe në qytetin e Kukësit, ku janë formuar vende-vende pellgje me ujë, si pasojë e bllokimit të pusetave.
Por, Reshjet e shiut kanë dhënë ndikim pozitiv në liqenin e Fierzës, duke shtuar prurjet me mbi 250 metër kub ujë në sekordë gjatë ditës së sotme. Ndërkohë, autoritetet po ndjekin nga afër situatën për të shmangur problematikat në qytet dhe njësitë administrative, ndërsa sipas parashikimeve, reshjet e shiut pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim./ZËRI
Reshjet e Shiut/ Policia apel drejtuesve të mjeteve: Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor
TIRANË- Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur që prej orëve të para të mëngjesit, kanë shkaktuar prezencën e ujit dhe rënie inertesh në rrugë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të zbatojnë udhëzimet. Në njoftim bëhet me dije se strukturat e Policisë Rrugore ndodhen në terren për të parandaluar ngjarjet rrugore, ndërkohë që po punohet edhe për pastrimin në kohë të segmenteve ku ka pasur rënie inertesh.
Njoftimi:
Apel për kujdes për të gjithë përdoruesit e rrugës!
Si pasojë e motit të keq me reshje shiu, ku në disa akse rrugore ka prezencë uji apo edhe rënie inertesh, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
Strukturat e Policisë Rrugore janë në terren, për të ndihmuar dhe parandaluar ngjarjet rrugore.
Ndërkohë, po bashkëpunohet me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, me qëllim pastrimin në kohë të segmenteve ku, si pasojë e reshjeve, ka pasur rënie inertesh në rrugë.
Lumi Glinë del nga shtrati, Kryebashkiaku i Vaut të Dejës: 100 banesa të përmbytura (VIDEO)
SHKODËR- Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë vendin tonë që prej orëve të para të mëngjest të sotëm. Situata më problematike paraqitet në Qarkun e Shkodrës, ku në 5 bashki shiu vijon me intesitet të lartë. Sipas një njoftimi të Prefekturës së Shkodrës, bëhet me dije se në disa bashki ka prezencë të ujit në akse rrugore, si dhe rënie gurësh e inertesh. Gjithashtu, raportohet për disa banesa të përmbytura në bashkinë e Baut të Dejës, në të treja njësitë administrative Bushat, Vau Dejës dhe Hajmel. Ndërsa, Lumi i Glinës ka dalë nga shtrati dhe uji ka vërshuar në banesat e banorëve.
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli tha se lumi i Glinës ka dalë nga shtrati. Sipas Shkrelit, deri më tani raportohet për prezencë uji në 100 banesa në këtë bashki. Ai shton se stafi i bashkisë është në terren, të gatshëm nëse do të jetë nevoja për evakuim.
“Vau i Dejës është më problematik, përroi i glinës ka dalë jashtë shtratit, po bën përmbytje. Janë rreth 100 shtëpi që kanë prezencë të ujit, dëmet janë të mëdha në bagëti dhe shpendë, kosheret e bletëve, shpresojmë të mos rrezikojmë jetën e njerëzve sepse situata është mjaft e rëndë. Stafi i bashkisë është në terren, është përkrah njerëzve, besoj që çdo gjë do shkojë mirë në evakuim, por shpresoj të mos kemi nevojë për evakuim. Problemi kryesor është përroi i Glinës, me fondet e bashkisë së Vaut të Dejës është i pamundur realizimi i këtij projekti”, tha Shkreli.
Njoftimi:
Nga komunikimi me strukturat vendore të Mbrojtjes Civile për situatën, Prefekti i Qarkut Shkodër ju bën me dije se:
* Në pesë bashkitë e Qarkut Shkodër (Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz) vijojnë reshje shiu, kryesisht me intensitet të lartë.
* Në bashkinë Fushë Arrëz raportohen rënie gurësh dhe inertesh në rrugë rurale si dhe prezencë e ujit në akse rrugore.
* Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë: Nga rreth 150 mm reshje shiu shumë intensive në 24 orët e fundit, deri tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet kryesore të kullimit, në argjinaturat mbrojtëse apo në digën e rezervuarit Shtoder. Situata po ndiqet në terren nga punonjësit dhe do të ndërhyhet në rast konstatimi problematikash.
* Bashkia Shkodër: Në njësinë administrative Gur i Zi (qendër) po merren masa për pastrimin e urës dhe përroit që ka shkaktuar problematika; janë vënë në dispozicion edhe mjete shtesë për ndërhyrje.
* Bashkia Vau Dejës: Raportohen përmbytje banesash në njësitë administrative Bushat, Vau Dejës dhe Hajmel, sipas raportimeve të deritanishme. Lumi Glinë rrezikon daljen nga shtrati dhe per pasoje rrezikon permbytjejen e 1/3 se territorit te qytetit.